Së fundi emri juaj ka dalë si kandidati i propozuar nga PD për kryetar i KKRT madje me idenë se mund të gjeje konsensus. Mendoni se kultura e bërjes opozitë duke mos njohur asnjë rezultat të kundërshtarit apo duke mos vlerësuar asgjë tek forcat në pushtet, mund ta lejojë një gjë të tilla dhe në përgjithësi si e gjykoni efektin e kësaj kulture dhe si mund të ndryshojë ajo?
Para së gjithash dua të sqaroj se nga sa e pashë unë lajmin në gazetën Panorama emri im jepej nga Pango si shembull intelekuali të paanshëm, si kandidat potencial, dhe nuk paraqitej si kandidaturë e përcaktuar tashmë siç e paraqiste gazeta në titull. Jemi pra përsëri në rastin e një shtypi të keq i cili nuk kërkon të informohet mirë e të informojë mirë, por të fabrikojë lajme. E shpesh kësi lloj fabrikimesh janë stratagjema të kulturës që përmendni ju.
Për tu kthyer tek pyetja juaj: Problemi i konsensusit tek ne është jashtzakonisht i vështirë sepse mungojnë dy gjëra kryesore që të arrihen konsensuse midis kundërshtarëve. Mungojnë ato që mund të quhen institucione të pavarura që bëjnë arbitrimin, por, ndërkaq, kjo mungesë është pasojë e një mungese edhe më të rëndë: mungesa e kulturës së të qenit i drejtë, e respektimkit të rregullit të lojës, marveshjes, me fjalë të tjera ligjit. Sepse nuk është problemi të jesh i paanshëm. Rrallë mund të gjesh njerëz që nuk kanë një qëndrim të caktuar në një konflikt të caktuar, në një mosmarëveshje të caktuar apo në një luftë politike të caktuar. Problemi është të kesh kulturën e drejtësisë e të respektin për rregullin e lojës çka të bën të vesh principin dhe ligjin dhe të vërtetën mbi gjithshka kur pranon të vihesh arbitër, e, po të jesh palë, t’i njohësh kundërshtarit fitoren kur ai tregohet më i zoti, ose t’i njohësh një meritë të caktuar për një çështje të caktuar e, po ashtu, të pengosh ndërmarrjen e veprimeve jashtë rregullave të lojës për ta siguruar t’i fitoren apo për t’i shkaktuar me çdo kusht humbjen kundërshtarit. Ky është thelbi i problemit sipas meje: mungesa e kësaj kulture që, me fjalë të tjera, do ta përkufizoja si mungesa e aftësisë për të kontrolluar e bërë zap turin tonë të kafshës i cili kundërshtarin na e shndrron në armik. Është kjo kulturë që nuk na lejon të ndërtojmë, pastaj, edhe institucione nga ato që i quajmë të pavarur, të cilave u njohim të drejtën e arbitrimit duke respektuar vendimin e tyre.
Tek ne mbizotëron kultura e më të fortit që justifikon çdo lloj mjeti për arritjen e mposhtjes së kundërshtarit sepse, siç e thashë, në fakt ai nuk njihet si kundërshtar, por si armik.
Personalisht kam një përvojë shumë të hidhur në këtë drejtim. Sapo fillova të shkruaj në fillimvitet 90 kritikat e para ndaj PD, që në krye të herës e kam mbështetur, u prita në shtypin e saj jo thjeshtë siç e prisja me ndonjë shkrim që të debatonte çështjen me idenë se ndoshta ky mund të ketë të drejtë, qoftë edhe pjesërisht, ose ose le ta sqarojmë se nuk është kështu, por e pashë veten të sulmuar “me rob të shpisë” siç i thonë. E gjithë strategjia ishte deligjitimimi absolut dmth. shndrrimi në armik. Të njëjtën gjë bënë edhe socialistët kur fillova t’i kundërshtoj. Nuk lanë shkarrashkrues pa shtyrë që të delegjitimonte argumentet e mija kundër politikave të tyre, më mbajtën edhe dy vjet në gjyq me akuazën për shpifës profesionist (ndonëse e dinin mirë se nuk shpifja aspak), por një herë nuk pashë një argument të pranuar apo të debatuar në mënyrë racionale. Për hir të së vërtetës duhet thënë se socialistët përdorën shumë edhe një metodë “më të butë” dhe shumë herë më të shëmtuar: blerjen e atyre që i kritikonin, çka e ka degraduar edhe më tej filozofinë e përdorjes së çdo mjeti për eliminimin e kundërshtarit.
Kjo kulturë, pra, e trajtimit të kundërshtarit si armik dhe e deligjitimimit të tij, apo e korruptimit të tij, sipas mendimit tim po vazhdon. Ka edhe një arsye tjetër që tani është bërë edhe më e acaruar: Nëse në fillimvitet 90 mund të tërhiqeshe nga një parti apo edhe nga politika sepse doje të mbeteshe i drejtë, sepse kishte më shumë idealizëm dhe shpresa, por edhe sepse nuk ishe zhytur në veprime mafjoze, tani një pjesë e madhe janë të shtrënguar ta mbrojmë me çdo kusht llogoren e tyre sepse, përndryshe, o s’kanë ku të hanë o mund të përfundojnë në bangot e drejtësisë. Në këto kushte konfliktualiteti dhe deligjitimimi janë alibija më e mirë për tu mbrojtur. Qëllimi i keq i kundërshtarit lejon përdorimin e çdo mjeti kundër tij. Kurse çdo vendim që mund të merret, qoftë edhe i drejtë sepse i bazuar në ligj duhet deligjitimuar. Si mund të pritet në këto klimë konsensus. Si mund të hysh në mes të këtyre boksierëve me idenë se mund të pranohesh si arbitër i paanshëm kur sheh se në çdo raund që kalon ata janë gjithnjë e më të lodhur e me të degraduar: kur e di se e para gjë që do të bëjnë sapo tu japësh faull është të të drejtojnë grushtat si kundërshtar?
Arbitri zgjidhet kur synohet të ketë garë, jo luftë, kur përpara ke kundërshtar jo armik dhe kur kompeticioni me kundërshtarin synon t’i tregojë publikut se kush i shërben më mirë jo kush e vjedh e shtyp më shumë. Përndryshe ai nuk ka vlerë.
Ka një tentativë kohët e fundit, një akt nga Ministria e Arsimit, për të mundësuar thithjen e trurit, brain-gain, sa mendoni se e ka dëmtuar shoqërinë tonë rrjedhja e trurit, dhe cila mund të ishte sipas jush një mënyrë për ta ripërfituar atë?
Ikja e trurit në shumicën e rasteve ka qenë ikja e njerëzve më me energji, më të motivuar, më profesionalë, por edhe më të ndershëm. Ikja e trurit gati gati mund të quhet edhe ikja e shpresës, sepse shpesh ka ikur edhe rinia më e mirë, më ambicioze, më e talentuar, më idealiste. E prandaj nuk mund të mos provosh një ndjenjë të mirë ndaj çdo përpjekjeje për të kthyer qoftë edhe numrin më të vogël prej tyre.
Megjithatë unë nuk besoj shumë se mund të rregullohet vendi nëpërmjet thithjes së trurit, as se mund të kthehet shpresa që është kryesorja që duhet kthyer. Kam parë mjaft raste “trush të thithur” që në vend se të vijnë e të sjellin një tjetër frymë dhe tjetër kulturë dhe mbi të gjitha shpresë i ka thithur këneta e korrupsionit duke i zhvleftësuar, demoralizuar apo duke i bërë edhe ata pjesë të së njëjtës mendësi e duke na deshpresuar edhe më shumë edhe ne. Prandaj mendoj se mbi të gjitha duhet kultivuar terreni ku do të “mbillen” si të thuash filizat e rinj, që mund të vijnë edhe nga jashtë pa dyshim.
Në këtë kontekst nuk kam shumë besim as tek një pjesë të rinjsh që po shkollohen në universitetet më të mira të perëndimit me paratë që prindërit i sigurojnë me lloj lloj korrupsionesh e imoralitetesh në Shqipëri. Një pjesë syresh kam shpresë se një ditë do të rebelohen ndaj prindërve mafjozë, por shumica kam frikë se do të trashëgojë të njëjtin moral. Mjafton t’ju kujtoj se megjithëse u rritën me gjithë të mirat dhe kryen shkollimin më të mirë të mundshëm shumica e bijve të komunistëve krijuan në këtë tranzicion regjimin më imoral në Evropë.
Prandaj unë mendoj se më shumë sesa tek thithja e njerëzve teknokratë e të zot, çka pa dyshim është pozitive, ne na duhet krijimi i një fryme tjetër, e një morali tjetër në shoqëri që të motivojë ndryshe. Dhe frymë e moral tjetër mund të krijohet kur ka një masë kritike njerëzish të rinj që rebelohen ndaj kulturës së vjetër dhe moralit të vjetër. Kjo masë kritike më duket se mund të krijohet vetëm brenda vendit. Ata të shëndoshët që mund të vijnë nga jashtë në këtë rast mund të luajnë një rol, por sot për sot e shoh shumë larg mundësinë e një reaksioni zinxhir si rezultat i krijimit të një mase kritike të rinjsh të revoltuar ndaj kulturës dhe moralit të vjetër. Aq më pak kur kur këta i sheh të rekrutohen nga gjeneralët e korrupsionit e të sillen si nxënës të zellshëm por shpesh edhe me krijimtari më të madhe, sepse shfrytëzojnë internetin, të asaj shkolle të vjetër.
Ndërkaq, shumica e të rinjve jashtë e shtrojnë çështjen e kthimit të tyre në formën e pyetjes që na e drejtojnë shpesh kur i takojmë në Perëndim: kur do ta bëni ju Shqipërinë që të kthehemi ne?
Ndërkombëtarët po kritikojnë autoritetet tona për vonesat në reformën zgjedhore. Nisur nga kjo dhe shumë probleme të tjera, a parashikoni se zgjedhjet lokale do të jenë të lira e të ndershme, dhe një hap konkret dhe i dukshëm distancues nga praktikat e mëparshme të manipulimit të votës.
Me ose pa reformë zgjedhore zgjedhjet tona vështirë se do të jenë të ndershme e mbi të gjitha vështirë se do të jenë të pakontestuara nga pala humbëse. Mund të përsëris atë që kam thënë për zgjedhjet e kaluara parlamentare se të pretendosh për zgjedhje të lira e të ndershme në ditën e zgjedhjeve ndërkohë që gjatë gjithë ditëve të tjera të vitit është kultivuar pandershmëria dhe hileja dhe konfliktualiteti është njëlloj sikur një trupi të sëmurë t’i dalin analizat normale ditën që i bën ato.
Sipas meje “sëmundja” që nga dita e zgjedhjeve të 3 korrikut e këtej është përkeqësuar dhe prandaj dhe zor se do të kemi zgjedhje të ndershme e të lira e të pakontestuara. Si mund të priten zgjedhje normale kur shumica e krerëve socialistë janë me dosje në prokurori dhe, për më tepër, të merituara? Si mund të ketë zgjedhje të rregullta e të pakontestuara kur natë e ditë mendohet vetëm se si t’i vihen shkopinj nën rrota kundërshtarit dhe jo se si t’i shërbehet më mirë vendit?
Fakti që mund të merren disa masa që sejcila parti të ketë më shumë mundësi kontrolli mbi votën e vet mendoj se nuk mjafton për të siguruar një klimë besueshmërie. Vonesa duhet parë në kontekstin e kësaj klime. Si pjesë e procesit të vënies shkopinj nën rrota.
Ndërkombëtarët shpesh i kanë parë zgjedhjet si gjënë më kryesore. Por në fakt ato janë thjesht një test i gjendjes shëndetsore, që shpesh mund të jetë edhe i rrejshëm. Mjafton të kujtoj se sa u trumbetuan nga perëndimorët zgjedhjet në Irak, por sikurse po shohim vendi është në gjendje lufte civile. Ndërkaq, fakti që zgjedhjet janë lokale, pra se nuk janë betejë finale mund të ndikojë që të ketë më pak tension. Gjithsesi kam përshtypen se tensionet tona do të mbeten furtuna në një gotë uji, pa shtrirje në masat e gjera sepse në tërësi masa e njerëzve është e zhgënjyer me këtë klasë politike dhe nuk mund ta ndjekë atë në aventura përmbysëse si ajo e 97-tës. Në këtë kuptim mund të thuhet se çdo e keqe ka një të mirë. (Rubrika Përpjekja, Standart, 29 prill 2006)
1 comment:
Z. Lubonja,
Ju falenderoj per shkrimet tuaja dhe eshte me te vertete nje kenaqesi te lexosh ide intelektuale te shkruara rrjedhshem (ne shqip).
Kisha nje pyetje per ju ne lidhje me problemin e thithjes se trurit. Ju keni ngritur nje problem shume te rendesishem qe ka ardhur koha t'i jepet rendesia qe i takon. Cila mendoni ju se eshte zgjidhja me ideale per te "inkurajuar" kthimin e asaj rinie qe ju e quani "rinia më e mirë, më ambicioze, më e talentuar, më idealiste" nga vendet perendimore? E shtroj kete pyetje, sepse vete jam nje ish-student i diplomuar ne SHBA dhe gjithmone kam patur deshire te kthehem ne Shqiperi. Ndoshta jam me idealist se te tjeret kur mendoj se mund "ta bej" Shqiperine dhe jo te vij e ta gjej "te bere". Per momentin nuk kam gjetur kushtet me te mira personale per t'u kthyer (jam akoma duke paguar per shkollen). Jam shume i interesuar te degjoj idete e tua mbi kete teme.
Post a Comment