Saturday, May 27, 2006

Ky “model” “bashkëpunimi” i politikës me biznesin ka një emër shumë të thjeshtë në Kodin Penal: “bashkëpunim në krim”.

Mazhoranca ka miratuar një amendament që ndalon pronarët ose ata që kanë aksione me mediat elektronike, të marrin pjesë në tenderat me fonde publike. Kjo nismë vjen nisur nga përvoja e abuzimeve ose e përfitimeve të këtyre kategorive nëpërmes trafikut të influencës, me idenë për të bërë një rregullim në këtë drejtim, ndërsa është kontestuar nga ata që mbrojnë parimet demokratike të barazisë dhe të drejtave të njeriut. Cili është opinioni juaj, a është kjo një zgjedhje e lehte?

Zgjedhja nuk është e lehtë mbi të gjitha sepse kemi të bëjmë me prerje kollonash që, në një farë mënyre, mbajnë në këmbë sistemin e koruptuar mediatik që kanë ndërtuar socialistët dhe, ndërkaq, sipas meje, nuk duket se ekziston një vizion/projekt i qartë se çfarë do ta zëvendësojë atë në fushën e mediave. Prandaj mbetet rreziku që ose ky sistem mediatik të bjerë e të na zerë brenda ose që disa nga kollonat e tij të zëvendësohen me mbështetës të PD-së. Por, gjithsesi, sipas meje, është një akt i rëndësishëm pozitiv, qoftë edhe vetëm si sinjal moral, paçka se ka plot kundërthënie e nuk e zgjidh përfundimisht problemin e tjetërsimit të rolit të mediave tona.
Tek ky ligj kemi të bëjmë me eliminimin e një konflikti interesi të pastër dhe shumë të dukshëm. Eliminimi i konflikteve të interesave presupozon që kontrollori dhe i kontrolluari të mos jenë i njëjti person apo grup interesi, por të jenë autonomë. Media në fakt ka për synim të kontrollojë e mbi të gjitha të kontrollojë se si punon pushteti. Pushteti nga ana e vet ka për qëllim të kontrollojë (mes tjerash) se si punon biznesi, veçanërisht se si kryen punimet publike për të cilat ka dhënë të hollat. Kurse në rastin e kësaj lidhjeje: pushtet - media - biznes nuk ka më kontrollorë dhe të kontrolluar, por një sistem të mbyllur shumë të ngjashëm me atë komunist ku pushteti kishte nën kontroll mediat të cilat i përdorte për të propaganduar punët e veta dhe i paguante këto me të hollat publike. Nuk është e rastit që bizneset kryesore që funksionojnë në Shqipëri, ai i ndërtimit dhe ai i tenderave, (që të dy të varura nga firmat e politikanëve) në më të shumtën e rasteve menaxhohen nga biznesmenë që zotërojnë edhe media.
Gjëja më paradoksale që vihet re në kundërshtimin e këtij ligji është ai i atyre që e kundërshtojnë këtë ligj në emër të të drejtve të njeriut. Të bësh një ligj kundër konfliktit të interesave nuk do të thotë të bësh ligj kundër të drejtave të njeriut, por të bësh një ligj që i kufizon të drejtat deri atje ku ato cënojnë të drejtat e të tjerëve. A thua se abuzimi në shuma përrallore me fondet publike nëpërmjet këtij sistemi nuk paska cënuar të drejtat e njeriut. Në fakt ka cënuar të drejtat e shumicës së njerëzve sepse shumicën e tyre e ka lënë me një sistem arsimor mizerabël, me një gjendje spitalore të ububushme, me një gjendje rrugësh që degradojnë në mënyrë galopante sëbashku me mushkëritë e njerëzve – sepse kemi të bëjmë me të holla që, nëpërmjet këtij sistemi, në vend se të investohen në këta sektorë futen në xhepat e pak personave.
Problemi që mbetet edhe pas këtij ligji është se media jonë ka qenë e tjetërsuar e nuk ka luajtur rolin e “kontrollorit” të ndershëm e autonom, por është keqpërdorur, edhe në shumë raste kur pronarët e tyre nuk kanë patur biznese që lidhen me tenderime, por biznese të tjera ose kur kanë pasur si pronë vetëm median. Ata që e kundërshtojnë këtë ligj sjellin edhe argumentin se fare lehtë pronarët mund ta ushtrojnë presionin e mediave të tyre në favor të të tretëve me të cilët, pastaj, ndajnë përsëri fitimin; apo mund të krijojnë kompani fantazma për ta fshehur konfliktin e interesave. Mirëpo, këto nuk mund të shërbejë si argumente për të justifikuar ruajtjen krejt haptas të një situate konflikti interesash sepse përvoja tregon se kur disa padrejtësira arrijnë deri edhe të mbrohen me ligj atëhere shkalla e degradimit të një shoqërie rritet shumë më tepër. Gjithsesi mendoj se ky ligj nuk mjafton për të kthyer median tonë nga rruga e tjetërsuar ku ka hyrë në rrugën e një medijeje të lirë që i shërben të vërtetës. Duhet një projekt shumë më i plotë, i cili, veç të tjerash, duhet të krijojë mundësira për rritjen e autonomisë dhe personalitetit edhe të stafeve të gazetarëve që ky sistem i ka kthyer në vasalë të pronarëve e indirekt edhe të pushtetarëve.



Z.Lubonja, shtypi i ditës po zbulon fakte se si kryetari i Bashkisë së Tiranës ka bërë të mundur që miq të tij të bëhen aksionerë në biznese fitimprurëse dhe në shërbime që blen ose ofron Bashkia. Ju keni qenë vazhdimisht kritik në mënyrën se si menaxhon Bashkinë Edi Rama, çfarë komenti keni për këto aspekte?

Në Kanada ka një ligj për administratorët e punëve publike sipas të cilit në çdo institucion të rëndësishëm shtetëror ekziston një tip bordi etik tek i cili një administrator i lartë i atij institucioni është i detyruar të japë llogari për disa veprime që bën. Psh. nëse atë e ka ftuar një apo dy biznesmenë për drekë, ai është i detyruar të shkojë tek ky bord e ta njoftojë se filan biznesmen e ka ftuar për drekë. Bordi do ta pyesë (ose do të interesohet) nëse ky biznesmen ka ndonjë biznes që lidhet me sektorët që mbulon ai institucion dhe, nëse rezulton se ai ka biznese të tilla, do t’i thotë se një drekë e tillë nuk mund të haet. Besoj se ky shembull flet vetë për të treguar se sa ndjeshmëri ka bota për paranë e vet publike. Besoj, gjithashtu, se kush ka pasur rastin të frekuentojë restorantet tona më lluksoze e di prej kohësh se administratorët tanë hanë kryesisht (në mos vetëm) dreka e darka me persona bizneset e të cilëve varen kryesisht (më mos vetëm) nga sektori që ata drejtojunë.
Ndër akuzat e mija të kaherëshme ndaj Ramës ka qenë edhe ajo e krijimit të lidhjeve të shkurtëra pushtetar - biznesmen, duke anashkaluar ligjin dhe institucionet. Problemi është se gjatë periudhës socialiste ky u bë modeli i menaxhimit të parasë publike në Shqipëri. Modeli Rama, pra, është modeli i një politikani që mbështetet nga grupe biznesi me të cilët krijon lidhje të shkurtër që anashkalojnë sa institucionet shtetërore aq edhe ato partiake dhe programet që i kanë lançuar. Ky model, në thelb, punon kundër forcimit të institucioneve të shtetit formal e çon në struktura të pervertuara të shtetit, sepse, që të funksionojë, ai kërkon që gjithshka të vihet nën kontrollin e personit/personave që kanë krijuar lidhjen e shkurtër e të heqë mundësinë që institucioni të kontrollohet me transparencë dhe demokraci. Nuk është pra e rastit që Rama është akuzuar vazhdimisht se ka eliminuar borde vendimarrëse apo se ka shkapërcyer tenderime apo që ka dhunuar arbitrarisht kompetenca të të tjera institucioneve e se nuk lejon kontrolle ashtu sikurse nuk është e rastit që lidhjet e tij më të ngushta njëherësh miqësore e tenderuese i ka me një biznesmen si Kokëdhima edhe ky i akuzuar në mënyrë të vazhdueshme për përfitime skandaloze në kurriz të pronës dhe të fondeve publike. Ashtu sikurse nuk është rastësi që Rama ka qenë dhe mbetet politikani më i promovuar në median e këtij, sepse, që të funksionojë ky model kërkon sa shuarjen e zërave kritikë që mund të hedhin dritë mbi dëmet e kësaj mënyre të punuari aq edhe propagandimin e krijimin e kultit të politikanit që i shërben biznesmenit/ëve që e mbështesin. Dyshja Rama – Kokodhima është ajo më elokuentja për ilustrimin e këtij sistemi që ka shkaktuar abuzime të pallogaritëshme me fondet publike. Në botë ky “model” “bashkpunimi” ka një emër shumë të thjeshtë të formuluar në Kodin Penal: bashkpunim në krim. Tek ne, meqënëse ky lloj bashkpunimi është mënyra se si janë ndërtuar marrëdhëniet e politikës me biznesin, e quajnë partneritet i shtetit me biznesin në emër të mbarëvajtjes dhe zhvillimit të ekonomisë së tregut.


Si e parashikoni turizmin shqiptar këtë sezon. Duket se janë marrë shumë masa dhe ka një pritshmëri të madhe. Dhe në përgjithësi, si mendoni se vendi ynë me resurset që ka mund të bëhet atraktiv për pushuesit evropianë..

Para disa ditësh shkova të ha një drekë në Durrës. Parakalova tërë plazhin që nga Hotel Adriatiku deri në fund të Golemit. Pamja që pashë, - sepse kisha ndonja dy vjet që nuk kaloja andej - ishte një llahtar. Kisha krijuar përshtypjen se nga vitet e fundit ishin shembur disa gjera për t’i hapur më shumë vend gjelbërimit dhe rërës dhe pejsazhit, por pashë se kishte ndodhur e kundërta: ishin shtuar edhe më e po shtoheshin akoma betonimet e bregut e të pejsazhit të gjelbër në kodrat prapa. Në fakt duhet ta quaj superllahtar sepse atje bashkohen disa llahtare njëherësh: injoranca masive e njerëzve që vazhdojnë e blejnë e harxhojnë të holla në atë ferr, babëzia e ndërtuesve që nuk ndalen përpara asnjë krimi urban, si dhe korrupsioni i administratorëve që kanë lejuar atë krim. Ai vend mund të jetë atraktiv vetëm për ndonjë regjizor që, si Felini, mendon se e bukura qëndron tek e shëmtuara. Por për turistë evropianë që duan të shijojnë detin e pastërt, rërën e butë dhe pejsazhin e gjelbërt as që bëhet fjalë. Shtoi kësaj edhe faktin se ky betonim po vret përiditë edhe atë që quhet “turizëm kulturor” të cilin quteti i Durrësit, si një nga qytetet më të vjetër të Ballkanit, duhet ta kishte të zhvillur në kulm, pasi jo vetëm që nuk ka më kërkime arkeologjike, por janë shkatërruar edhe shumë monumente kulture që ekzistonin, për të ndërtuar pallate.
Dendësia e ndërtimeve në ish plazhin e Golem e përtej është në proporcion katastrofikisht të zhdrejtë me cilësinë e pushimeve. Dmth atje ka një dendësi maksimale me cilësi minimale pushimesh. Në fakt tërë ato ndërtime nuk janë bërë me qëllim zhvillimin e turizmit në Shqipëri. E tërë ajo katrahurë nuk është tjetër veçse jashtëqitja e një industrie larjeje parash. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në Sarandë edhe Vlorë edhe në Velipojë.
Më parë flitej se ne kishim potenciale turistike që mund të bëheshin realitet sikur të ndërtonim infrastrukturë, dmth. rrugë më të mira, furnizim me elektrik dhe ujë si dhe më shumë siguri. Tani, sipas meje, edhe sikur t’i kemi këto, zorr se mund ta kthejmë turizmin bregdetar në burim. Ne do të vazhdojmë, mesa duket, të kemi si burim të ardhurash paret e drogës që do t’i pastrojmë në bregdet. Është një histori absurdi tragjik. Dikur në kohën e Enverit kishim në bregdet bllokun e udhëheqjes, një shkretëtirë për njerëzit e thejshtë shumica e të cilëve nuk mund ta shijonin bregdetin për shkak të varfërisë, dhe jo turistë. Tani kemi përsëri “bllokun e udhëheqjes”, një “shkretëtirë” betoni ku përsëri njerëzit e thjeshtë vuajnë një det të mbushur me ekskremente, dhe përsëri jo turistë. (Rubrika Përpjekja, Standart 27 maj 2006)

No comments: