Thursday, June 29, 2006

Mbi nevojën e ndërrimit të elitës

Para jo shumë kohësh, duke ecur më këmbë në mes të Tiranës në trotuarin rreth lulishtes midis Muzeut Kombëtar dhe Bankës Kombëtare më kapi syri se koshat e rinj të plehërave të vendosura aty kishin një si pllakë teneqeje në njërën anë mbi të cilën ishte shkruar me të kuqe mbi fushë të verdhargjentë: “Vodafon ju këshillon të mbani pastër ambjentin”. Reagimi i parë, kuptohet, ishte e qeshura, ajo e qeshura që shkaktohet nga befasia e një gjetjeje që ti nuk e pret e që shpesh ka brenda ndjenjën e absurdit. Mirëpo sa më shumë u ndala në fenomenin që përmban në vetvete kjo reklamë/këshillë sanitare e shkruar mbi koshat e plehrave nga një kompani e njohur celularësh në botë aq më shumë hyra, pas të qeshurës, në të thella të hidhura ku ndjenjën e komikes dora dorës e zëvendësoi e trishtueshmja. Desha të bëj një shkrim, por ngjarje të tjera bënë të më dalë nga mendja ky detaj.
Këto ditë duke ecur përsëri më këmbë po në atë trotuar më tërhoqi vëmendjen fakti se teneqet e mbërthyera me vida tek koshat ishin lyer ose ishin zëvendësuar. Kësaj here fusha e argjentë e teneqeve qe bërë e kuqe, kurse mbi to ishte shkruar me të verdhargjendë “Bashkia e Tiranës ju këshillon të mbani pastër ambjentin”. Dikush e paska kuptuar gafën – thashë me vete. Megjithatë nuk ishin zëvendësuar të gjitha. Në një nga cepat e trotuarit përballë Bankës pashë edhe një kosh ku vazhdonte të qëndronte e shkruar me të kuqe mbi një të argjentë të zbardhëllyer: “Vodafon ju këshillon të mbani pastër ambjentin”.
Nuk do shumë mend se ato kosha duhet të jenë bërë me sponsorizimin e drejtpërdrejtë të Vodafon dhe kompania, duket, ka gjetur një mëyrë për ta shkruar emrin e saj të kudondodhur edhe mbi ato kosha. Ashtu sikurse me siguri kangjellat prej hekuri që rrethojnë parkun e vogël po atje duhet të jenë bërë me sponsorizimin e Banka Credins sepse, përndryshe, nuk ka se si ta shpjegosh se pse duhet që emri i kësaj banke të jetë shkruar zinxhir në të tërë kangjellat aty.
Këtu nuk dua të diskutoj këto mënyra sponsorizimi. As nuk dua të kritikoj shtysat që i kanë nxitur drejtuesin e Vodafonit të japin këtë këshillë sanitare që, për asosacion, më sjell ndërmend disa pllaka në trotuaret e rrugëve të Tiranës së fëmijërisë sime që, mesa më kujtohet, kishin edhe një shenjë të Kryqit të Kuq përsipër ku shkruhej: “Mos pështyni përtokë” e që qenë vënë në kohën kur tuberkulozi ende bënte kërdinë.
Më duket se më e rëndësishme është të diskutohet mbi boshllëkun që ka tentuar të mbushë Vodafon.
Ajo që bije në sy tek kjo parrullë, pra, është se Vodafonin nuk e shohim vetëm në rolin e tregëtarit që bën reklamë, por edhe të edukuesit shpirtëror deri edhe sanitar, si një zot që hyn në jetën tonë ekonomike, sociale, kulturore për t’i dhënë asaj kuptim ngase ne nuk gjejmë kuptim tjetër. E pikërisht këtu, tek edukimi, më saktë tek mungesa e këtij, vlen të ndalemi jo në kuptimin e atij edukimit që bënte Partia e Punës për punëra të mëdha për atdheun e për socializmin, por të atij edukimi të njeriut nga brezi në brez që e mëson të kuptojë veten e botën, çfarë ka më shumë vlerë dhe çfarë është me më pak vlerë. E në këtë kontekst parrulla/këshilla si ajo e Vodafonit mbi koshin e plehërave nuk bëjnë gjë tjetër veçse venë në dukje krizën e këtij edukimi, se ajo parrullë është shkruar mbi diçka që duke dashur t’i gjesh një emër mund ta quash vetëm: “zbrazësi”, “humbje pikash referimi”, “çoroditje vlerash morale e kulturore” apo ku e di unë tjetër. Mu përforcua kjo përshtypje kur lexova para disa ditësh në gazetën Shqip një shkrim ku ballafaqoheshin tekstet e këngëve që këndojnë tani të rinjtë me tekstet e këngëve të socializmit e të fill pas socializmit. Ajo që binte në sy ishte se ndërsa tekstet e socializmit kishin një pjesë tejet propagandistike: “Linde ti për të qenë i lirë shqiptar,/Por jeta s'ish' për ty një dhuratë/ Se mbi tokë kish' gur shumë dhe pak bar”, kishte edhe tekste që, në një farë mënyre, sado të rëndomtë, përçonin ndonjë vlerë gati normale njerëzore: “Tani më vjen të qesh me veten time/Kur sjell ndër mendje ëndrrat, rininë./Harrova flokët, sytë edhe emrin/E mbi të gjitha zgjodha njerinë.”
Tekstet e sotme sa më shumë kalon koha aq më shumë po bëhen banale, tmerrësisht banale, aq banale sa mund të flitet për një tru të rrafshuar deri atje ku nuk ka mbetur më asnjë rrudhë: “Me djalin e shërbimit të avionit do shkoj!!!/Në party do shkoj/Ta kam thënë se femrat ty nuk të lënë/E di mirë ti, e di mirë/Kur të godas e di mirë ti!!!”
Çështja që po ngre më duket se është diçka që shqetëson shumëkend, pasi edhe shembujt që po sjell janë vetëm detaje që mbushin një hapësirë të tejngopur me kësi detajesh, por, nga ana tjetër, më duket se ashtu si një sëmundje kronike me të cilën jemi mësuar të jetojmë në simbiozë kjo çështje, paradoksalisht, nuk shqetëson kërkënd. Duke u ndjerë të pafuqishëm për të bërë diçka në nivel shoqërie të gjithë duket sikur shohin hallin e tyre dhe të fëmijëve të tyre dhe, nga ana tjetër, pikërisht ky shikim vetëm i hallit individual krijon këtë rrënim vlerash edhe për fëmijët e tyre. Por ndoshta nuk është thjeshtë kështu. Ndoshta vetëdijshëm apo gjysëm vetëdijshëm ka edhe një strategji të injorancës që përfiton nga kjo injorancë dhe banalitet për ta ruajtur e për ta mbajtur këtë gjendje të trurit të shqiptarit kështu, pa asnjë rrudhë.
Vështirë të thuash se ç’duhet bërë konkretisht sepse kjo krizë vlerash është rrjedhojë e shumë krizave. Në kontekstin e kësaj krize Vodafon na shfaqet si ajo Lopa e Artë që filluan të nderojnë ebrejtë në shkretëtirë në vend se të nderojnë Zotin. E më duket se kjo krizë në shkretëtirë dita ditës po bëhet më alarmante.
Nuk ka dyshim se ngado që të sillesh, duke menduar për shkaqet e për rrugët e zgjidhjes së këtij problemi, nuk mund të mos ndalesh tek ata që duke patur më shumë vizibilitet e impakt në shoqëri për shkak të qënies persona publikë kanë shërbyer si modele vlerash e që, për fat të keq, nuk kanë shkuar përtej atyre vlerave që maten me sa vila dhe apartamente kanë apo se çfarë makinash kanë. Duke filluar që nga politikanët e deri tek artistët për të mos folur për juristë, mjekë, mësues etj. ose, thënë ndryshe, nga e ashtuquajtura elitë që deri tani, duke qenë bash gjeneruesja e antivlerave në fjalë, abuzuesja më e madhe me interesin e të gjithve, ka venë me kohë në dukje krizën e saj dhe nevojën e zëvendësimit të saj.
Më duket se vlen të tundet si një këmbanë alarmi gjendja ku ndodhemi e të vihet në dukje fort nevoja e zëvendësimit të elitës kallpe të konsumuar e të korruptuar intelektuale shqiptare që ka humbur thuajse çdo lidhje me shoqërinë ose, edhe më keq, që ka me të vetëm lidhje manipulative e mashtruese, që e përdor atë vetëm si lopë për ta mjelur duke e bërë ditë e natë të adhurojë verbshëm Lopën e Artë. Ndoshta kësaj elite mund t’i njihet edhe ndonjë meritë që mori përsipër një tranzicion të vështirë në më të vështirin e vendeve. Por vlen të thuhet mbi të gjitha se ajo e ka futur shoqërinë në një rrugë të shtrembër dhe se ka ardhur koha që një brez tjetër të mendojë seriozisht se kulti i parasë si vlerë e të gjitha vlerave, që ka kultivuar kjo elitë me jetën dhe veprën e saj, nuk mjafton për të ndërtuar një shoqëri, se duhet të fillojë të theksohet ideja se nuk mundet që jeta e njeriut dhe vlerat shpirtërore dhe intelektuale rreth saj të maten vetëm me para; se shoqëria ka nevojë për vlera të tjera dhe se edhe vetë paraja duhet parë si mjet dhe jo si qëllim. Vlen të thuhet se ka ardhur koha të rikujtojmë se qysh në kohët më të lashta ka pasur një diferencë thelbësore midis atyre punëve që bëhen thjeshtë për para dhe atyre punëve që janë të inspiruara nga një ideal më i lartë sesa fitimi i parasë e që, në fakt, janë ato që motivojnë shoqërinë si një e tërë apo edhe si grupe të ndryshme sociale. Të kujtojmë se Uliksi psh. e ndjeu veten të fyer kur fenikasit e morën për tregëtar ngase ai ishte luftëtar, apo se një nga aktet më domethënëse të Krishtit është pastrimi i Tempullit nga tregëtarët. Duket si mendim tepër radikal ky që po them: nevoja e ndërrimit të elitës, për të mos thënë nevoja e përmbysjes së elitës aktuale. Është një ide që bart edhe shumë rreziqe, aq më tepër po të kesh prasysh zbrazësirën që vjen mbrapa, jo vetëm përsa i përket perspektivave të elitave të reja, por edhe duke patur parasysh zbrazësirën e vlerave që ka tërë shoqëria nga e cila do të duhej të dilte elita e re. Por, nga ana tjetër, shtrimi i problemit kështu mendoj se është një provokim i nevojshëm sepse vazhdimi i kësaj rruge të adhurimit të Lopës së Artë në shkretëtirë nën udhëheqjen e elitës aktuale është i barsur me rreziqe edhe më të mëdha. (Korrieri, 23 qershor 2006)

1 comment:

Anonymous said...

Lexoj gjithmone artikujt e tu dhe me perlqejne shume.
Vazhdo keshtu
Komplimente.
webmaster@vlora.it