Thursday, June 29, 2006

Një propozim për formulën e KKRT dhe Këshillit Drejtues të TVSH

Opozita po konteston formulën e mazhorancës për rregullimin e KKRT-se, dhe Këshillit Drejtues të TVSH-se, duke e konsideruar se tentohet të futen nën kontroll mediat. Si ju duken ju këto formula, dhe si e parashikoni zgjidhjen më të mirë të mundshme dhe me
konsensuale për Këshillin Kombëtar të Radio-Televizioneve dhe Këshillin Drejtues të RTSH-së?

Çështja e gjetjes së formulës së KKRT dhe të Këshillit Drejtues të TVSH për mua është çështje e gjetjes së formulës së funksionimit të demokracisë në Shqipëri. Dhe përgjigja e parë që më vjen të jap është se demokracia nuk vjen dot me një formulë, demokracia nënkupton shumë më tepër sesa një apo dy, tre formula. Sipas informacionit që kemi mundur të marrim nga shtypi lidhur me këtë çështje në thelb kemi të bëjmë me përplasjen e dy formulave. Po të përdorim një krahasim nga fusha e futbollit, njëra formulë (e mazhorancës) propozon që arbitri që arbitron ndeshjen midis dy palëve në fushë të mos jetë përfaqësues i skuadrave, por të jetë një institucion tjetër që siguron edhe pavarsinë e gjykimit e të vlerësimit të ndeshjes. Kurse formula tjetër (e opozitës) është ajo sipas së cilës arbitrat duhet të zgjidhen si përfaqësues të skuadrave që ndeshen në mënyrë që të sigurohet se nuk do të ketë arbitrim me hile. Nëse ju kujtohet ky debat formulash, në parim, është zhvilluar edhe kur bëhej fjalë për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ajo që bije në sy është se ata që kërkojnë të kenë përfaqësuesit e tyre, pra që formula të bëhet sipas parimit që çdo forcë të ketë përfaqësuesit e vet dhe jo që institucionet që presupozohet se do të bëjnë arbitrin të jenë të pavarur, është gjithmonë opozita. Pra, kur PD ishte në opozitë, kërkonte të kishte përfaqësuesit e vet, sepse përndryshe, sipas saj, mazhoranca do të mund t’i blinte përfaqësuesit e shoqërisë civile apo të pavarurit. Tani duket se kanë ndrruar rolet. Socialistët kërkojnë të kenë përfaqësuesit e tyre në Këshillin e Radiotelevizionit dhe në KKRT ose më saktë të pavarurit e tyre kurse demokratët në pushtet kërkojnë të pavarur të pavarur nga partitë. Komenti i kësaj ndeshjeje mund të bëhet në shumë plane. Më së pari duhet thënë se ky mosbesim i opozitës vjen nga një histori e gjatë e keqtrajtimit të opozitave tona nga mazhorancat tona e se jemi shumë shumë larg ndërtimit të këtij besimi. Sot për sot garant i një lloj besimi janë të huajt. Kurse ne duhet të punojmë që të ndërtojmë garanci të brendshme, tonat. E në këtë kontekst mund të thuash se në thelbin e vet kjo përplasje tregon dobësinë e autoriteteve të pavarur në këtë vend, mungesën e besimit se ka ose mund të ketë autoritete apo le të themi institucione të pavarur në këtë vend. Dhe për këtë duhen akuzuar forcat politike që kanë punuar për të mos patur të këtillë. Socialistët duhet të kujtohen se gjatë tetë vjetëve në pushtet nuk kanë lënë gur pa luajtur për të kontrolluar e korruptuar autoritet e pavarur e veçanërisht median. Por edhe demokratët kanë ndikuar jo pak gjatë këtyre tetë vjetëve që të mos luhet loja e të pavarurve, sepse kanë kërkuar me insistim që të kenë përfaqësuesit e tyre. Kjo ka bërë që sot askush nuk mund të ketë besim se tani që erdhën demokratët do të ketë të pavarur. E, kur flas për të pavarur, nuk kam parasysh njerëz që nuk kanë zgjedhjet e tyre, por njerëz me autoritet e personalitet që gjithsesi përpara çdo partie dhe bindjeje politike venë parimet e ndershmërisë morale e profesionale dhe ligjin.
Personalisht në vështrimin afatgjatë kam mbrojtur dhe vazhdoj të mbroj idenë se kjo shoqëri po nuk krijoi institucione me autoritet të pavarur nga partitë politike nuk mund të funksionojë si demokraci. Kur ka qenë debati për KQZ kam qenë kundra idesë se antarët duhen zgjedhur sipas formulës së përfaqësimit të partive, pasi kjo, përveç të tjerash, do të zhvillonte edhe partitokracinë e këtyre dy partive duke mos lejuar, mes tjerash, as rritjen e forcave të tjera politike. Pra sipas meje më mirë të ndërmerrej rreziku i ndërtimit të institucioneve të pavarur sesa këto institucione të mbeteshin peng të partive. Mirëpo, siç tregoi praktika, sikur PD-ja të mos kishte ngulmuar në balancimin sipas formulës së përfaqësimit zor se do të kishte arritur të kishte rezultat të pamanipuluar në zgjedhjet e fundit. Prandaj veç parimeve duhen parë edhe realitetet konkrete. E në këtë kontekst, për të mos u ngrënë hakun socialistëve, duhet të themi se ata e pranuan formulën e PD-së me përfaqësim. Kjo të çon në idenë se PD do të ishte në koherencë me vetveten nëse do të pranonte formulën e përfaqësimit të balancuar dhe jo të ngulmojë, tani që është mazhorancë, në formulën e të pavarurve pa përfaqësim.
Ndërkaq unë mbetem i mendimit se duhet të bëjmë ç’është e mundur që të ndërtojmë autoritete të pavarura, institucione të pavarura çka do të thotë gjyqtarë me autoritet, antarë të KKRT me autoritet, antarë të Këshilli të RTVSH me autoritet dhe jo ushtarë partish që edhe kur nuk mendojnë ashtu siç mendon partia janë të detyruar të votojnë ashtu siç u diktohet. Aq më tepër duke patur parasysh se këta janë institucione publike që nuk varen e as duhet të jenë të varur nga pushtetet politike. E në këtë kontekst mund ta mbështes idenë e përfaqësuesve të shoqërisë civile e jo të përfaqësuesve të partisë, por, nga ana tjetër, duke patur parasysh rrezikun e të pavarurve të varur, do të gjeja ndoshta një formulë që të ishte sinteza e të dy formulave. Njëra mënyrë psh. do të ishte që këta të mos zgjidheshin nga mazhoranca 50+1, por nga një numër më i madh deputetësh siç është psh. zgjedhja e presidentit. Mirëpo, nga ana tjetër, kjo mund të nënkuptonte një mundësi më shumë për opozitën që të bëjë obstruksionizëm, sepse me këtë raport mazhorancë - opozitë që kemi ne nuk ka shpresë të arrihet konsensus për ndonjë gjë. Por prap duhet ngulmuar. Ndosha më mirë do të ishte të kërkohej ndonjë zgjidhje si ato që përdoren në disa sisteme elektorale të vendeve ku ka konfliktualitete të forta midis palëve. Në këto sisteme partitë shtyhen që në listat e tyre të venë kandidatë sa më të moderuar sepse për ta, sipas sistemit, votojnë edhe kundërshtarët duke venë më shumë ose më pak pikë. Psh mund të propozohej një listë personash të cilëve do t’u jepeshin pikë edhe nga opozita edhe nga partitë e tjere dhe ata që do të merrnin më shumë pikë të ishin të zgjedhurit. Megjithatë tek e fundit, ngado që të sillemi do të arrijmë në përfundimin, se nuk janë formulat që mund të ndryshojnë klimën, por se duhet punuar që të ndryshojë klima e tërë marrdhënieve midis forcave politike që të funksionojnë edhe formulat.

Sipas të gjitha raporteve të shtypit, një adoleshent në Korçë ka vrarë veten pasi ka kaluar një moment të vështirë në Policinë e ketij qyteti. A e gjykoni një ngjarje alarmuese ndaj së cilës duhet ndaluar për nje hop, për të bërë një analizë të fortë që duhet ta shndërroje rastin në një precedent parandalues për më vonë.

Pikë së pari dua të them se jam i prirur të besoj se adoleshenti është keqtrajtuar nga policia e me keqtrajtim nuk duhet të kuptojmë vetëm dhunën fizike, por edhe dhunën verbale apo psikologjike që ne shpesh as nuk e njohim si dhunë. Ndoshta shkaku i vetvrasjes nuk është kjo dhunë në vetvete, por fakti se kjo dhunë e ka bërë të pohojë e ky pohim e ka bërë të ndjehet i poshtëruar apo i frikësuar nga pësimi i një dhune tjetër, asaj të familjes apo të bashkëpuntorëve në vjedhje. Jemi pra në një qerthull dhune ku tragjikisht ka marrë pjesë edhe adoleshenti me dhunën që ka ushtruar ndaj vetvetes. Duke patur parasyh se kemi të bëjmë me një adoleshent, çka do të thotë me një fëmijë, ngjarja më duket shumë e rëndë. Por alarmin për të cilin flisni dhe çështjen e parandalimit të dhunës nuk do ta ngrija thjeshtë si diçka që ka të bëjë me ushtrimin e dhunës në polici apo burgje. Do ta ngrija si problem i luftës kundër kulturës së dhunës në shoqëri në aspektin më të gjerë ku një rol të rëndësishëm luan shteti që duhet të japë shembullin i pari. Jo më larg se dy ditë më parë pata një debat me një miken time italiane e cila vjen herë pas here në Shqipëri e cila ka gjezdisur shumë nëpër botë e, midis të tjerash, njeh mirë edhe botën arabe dhe afrikane. Gjithmonë i kërkoj përshtypjet dhe gjithmonë marr prej saj përgjigjen se nuk e kupton dot këtë vend i cili i duket i veçantë. Kësaj here, pasi qe kthyer nga Veriu, më futi përsëri në debat sepse më tha se nuk arrinte ta kuptonte peshën e madhe që ka dhuna në marrdhëniet midis shqiptarëve. Veçanërisht i bënte përshtypje dhuna ndaj grave, por edhe fëmijëve. Ajo çka mua më dukej e pakuptueshme nga ana ime ishte fakti që ajo e gjente këtë fenomen si diçka të veçantë. U detyrova pra t’i them se ky është një fenomen universal që e gjen edhe në Afrikë edhe në botën arabe apo të jugut të Italisë psh. Mirëpo ajo ngulmonte se edhe në ato botë dhuna nuk ka atë rol që ka tek ne. Gruaja psh. sipas saj në botën muslimane që ne e mendojmë si botën e kufizimit të lirisë së gruas gëzon shumë më tepër hapësira dhe respekt sesa në botën që kishte vërejtur ajo.
Tek e fundit, në kërkim të shpjegimit të rolit të madh të dhunës në shoqërinë shqiptare – që unë nuk mnd ta shikoj veçse si një fenomen që mund të shpjegohet në terma historike dhe kulturore dhe jo raciste – arrita në konkluzionin se ndoshta është egërsia që shprehet në Kanun, plus egërsia që ka kultivuar diktatura komuniste, plus egërsia që imponon kjo xhumgël e egër që kemi ndërtuar pas rënies së komunizmit që e bëjnë kaq të veçantë sa ç’i duket asaj ky vend përsa i përket rolit të dhunës në shoqëri.
E këtë rol të dhunës më duket se duhet të ngulmojmë ne për ta kuptuar e ndryshuar. Mirëpo në vend se të merremi me këtë problematikë kaq serioze, duke ngritur më këmbë shoqërinë për ngjarje si kjo e adoleshentit, ne bëjmë pamflete pas pamfletesh ku vetëdeklamojmë rrënjët tona kristiane në një mënyrë të dhunshme që s’ka të bëjë fare me kristianizmin - sepse harrojmë se një nga mësimet themelore të kristianizmit është ai që thotë se atij që na godet duhet t’i kthejmë faqen tjetër – gjë që më kujton një rast skandaloz të ndodhur disa vjet më parë kur disa “besimtarë’ hynë në një konvent të motrave të Nënë Terezës, bënë kryqin para Krishtit, i vodhën e i përdhunuan ato dhe dolën duke i futur edhe një kryq tjetër në fund.


Pasi ka hedhur tezat e socializmit të ri në kongresin e fundit, Edi Rama ka bërë një kthesë duke
thënë se alternativa e PS-se do të jetë koresponduese e halleve dhe problemeve që kanë qytetarët. A mendoni se platformat ose alternativat janë të mira kur vijnë kësisoj nga poshtë, apo është kjo një lëvizje populiste e liderit të opozitës?

Sikurse mund ta dini në një debat televiziv unë e kam krahasur Ramën me një kafshë që ka gojë shumë të madhe dhe veshë shumë të shkurtër: krokodilin. Dhe kur e dëgjoj që flet për veshë që duhet të dëgjojnë nuk mund të mos më kujtohet ky krahasim. Është një krahasim që, në të vërtetë, e meritojnë shumica e politikanëve shqiptarë dhe, kur ta analizojmë, na duhet të ndalemi e të gjejmë jo vetëm se çfarë nuk funksionon tek ata, por edhe se çfarë nuk funksionin në një kuptim më të gjerë si strukturë marrdhëniesh midis nesh. Pra pse ne nuk kemi veshë për të dëgjuar të tjerët? Sipas meje problemi nuk është vetëm tek veshët e shkurtër të politikanëve, por edhe tek goja e mekur e qytetarëve shqiptarë ndaj superiorëve që kthehet e bëhet gojë krokodili ndaj inferiorëve në çdo nivel.
Lidhur me liderin socialist dhe fushatën e tij komenti im është ky: Ai ka pasur kohë tetë vjet për të dëgjuar shumë kritika që i janë bërë dhe ka treguar një paaftësi dëgjimi të tejskajëshme. Prandaj, qoftë edhe vetëm nga ky fakt, e gjithë fushata e tij duhet parë me mosbesim të madh. Po ashtu ka plot elementë në këtë fushatë që tregojnë se kemi të bëjmë me një populizëm tipik në kuptimin klasik të populizmit që karakterizohet nga fakti se lideri populist mban lidhje direkte me popullin, pa ndërmjetës, pra pa përfaqësi. Ndërkaq shumë nga shqetësimet e vendit, sikurse e thashë, janë ngritur e po ngrihen në shtyp nga përfaqësues të opinionit, për shumëçka që duhet të ndryshojë edhe tek socialistët. Në vend se tu japë përgjigje këtyre shqetësimeve, pra se çfarë propozojnë psh për të luftuar karrupsionin e pastruar Partinë Socialiste nga të korruptuarit, çfarë duhet bërë për ta shkëputur partinë nga kthetrat e super të pasurve e për të përfaqësuar të verfërit, etj., asistojmë në takime që nuk na sjellin në ekran asnjë lloj propozimi, por veçse na përcjellin në mënyrë të vazhdueshme fytyrën e liderit që flet vetë, duke premtuar gjëra të përgjithshme e jo duke dëgjuar vërejtje konkrete e duke akuzuar kundërshtarin si të paaftë dhe plak. E ç’lidhje ka kundërshtari me një projekt për rigjenerimin dhe ristrukturimin e partisë? Prandaj, qoftë edhe vetëm nga mënyra se si përcillen në televizione takimet e Ramës kuptohet se kemi të bëjmë me populizëm e demagogji të kulluar. E për të dalë përtej Ramës mendimi im është se në tërësi Partia Socialiste ose më saktë liderët e saj vuajnë një shkëputje skandaloze nga shoqëria që domosdo i çon në demagogji. Kjo sepse gjatë tetë vjetëve nuk kanë bërë tjetër veçse kanë kuruar interesat e tyre e të biznesmenëve të lidhur me ta duke krijuar një kastë të shkëputuar nga shoqëria e që ka punuar kundër shoqërisë. Prandaj unë kam ngulmuar e ngulmoj për krijimin e një të majte të re, shpresë që ma ngjalli për pak kohë LSI, por që tani e shoh të shuar. (Rubrika Përpjekja, Standart 24 Qershor 2006)

No comments: