Friday, July 14, 2006

Po, POR

Duke biseduar me një të huaj që ndjek me vëmendje zhvillimet politike në Shqipëri dhe që ka pasur jo vetëm një herë rastin të takohet edhe me përfaqësues të opozitës, dëgjova prej tij një gjetje që më sintetizoi shumë thjeshtë diçka që ne, analistët e brendshëm, e kemi të vështirë ta “gjejmë” për shkak se janë disa qëndrime që, mu pse bëjnë pjesë në kulturën tonë, na duken aq normale sa nuk na godasin. Ai më tha se ajo që i bënte përshtypje në takimet që kishte pasur me opozitarët ishte se, në bisedat që zhvilloheshin me ta, kur të huajt shtronin, lidhur me ankesat e tyre, çështjen se punët nuk kanë shkuar ashtu edhe aq mirë në periudhën e tyre (si për shembull lidhur me korrupsionin apo me gjendjen e medias apo me zgjedhjet dhe regjistrat e zgjedhësve), përgjegja që ata të japin – më tha - është e tipit: ”po, është e vërtetë, por…” dhe pastaj nuk ndalen më tek “po”-ja, por fillojnë e të mbajnë një fjalim të gjatë për “por”-in. Të thonë psh.: “po, ka pasur korrupsion, por antikorrupsioni po përdoret si ideollogji për të na luftuar ne…” (e pastaj vazhdojnë e tjerrin pjesën që vjen pas “por”it; “Po, por ligji për mediat po bëhet për tu hequr atyre lirinë…”; “Po, por regjistri zgjedhor bëhet për të na vjedhur votat...”
Ajo çka i binte atij në sy në këtë lloj shtrimi të çështjeve nga opizita ishte, pra, një lloj hipertrofizimi i “por”-it dhe lënia në heshtje e “po”-së.
Pse ne nuk na bije në sy ky konstatim që ka bërë i huaji? Sipas meje sepse në këto 15 vjet që ekziston opozita tek ne nuk ka hyrë ende kultura e ndaljes tek “po”-ja, pasi kjo kulturë e të bërit opozitë, e cila fatkeqësisht reflektohet edhe në qëndrimet e shumë gazetarëve, buron nga një kulturë e marrdhënieve tona ku pranimi i gabimit nuk të vlerëson, por të ul në sytë e të tjerëve. E kështu, nëse me të huajt ajo përdoret disi, pasi me të huajt politikanët tanë përdorin gjuhë tjetër, me shqiptarët ajo nuk përdoret thuajse fare. Me shqiptarët mbizotëron një hipertrofizim i tejskajshëm i “por”-it që, në fakt, kthehet nga “por” në një “jo” që nuk njeh asgjë përveç afirmimit të vetvetes e mohimit të kundërshtarit totalisht. Kjo kulturë na ka sjellë një mori të këqijash, por ajo më e keqja është se nuk i le njerëzit të thellohen në fenomenet që duhet të luftojë politika, ajo e redukton jetën politike në një luftë për pushtet personash, ajo bën të sajohen motive pas motivesh personale të qëna e të paqëna pse thuhet apo bëhet një gjë, pa lënë asnjë moment kohë për tu ndalur në argumentet pro dhe kundër asaj që bëhet. Ajo i ngarkon njerëzit vetëm emocionalisht duke ua shpëlarë trurin nga çdo lloj argumenti racional e duke i larguar nga çdo lloj zgjidhje që nuk përmban luftë për jetë a vdekje. Tek e fundit, pra, ajo nuk bën tjetër veçse krijon premisat për të mos u zgjidhur problemet që përmban “po”-ja, por vetëm se i le ato të akumulohen.
Po të hapësh në ditët e sotme televizionet e lajmeve do të mund të gjesh nëntituj të tillë që sintetizojnë këtë kulturë të të bërit opozitë: “”Jo’ barbarëve me çdo mjet” “Kjo qeverisje është pushtim” “Vendi është peng i kryeplakut Berisha”. Të njëjtat bomba deklamative e thirrje luftënxitëse pa përmbajtje do të gjesh çdo ditë në faqet e para të Zëri i Popullit. Është mëse e qartë se thirrje të tilla janë ashtu që nuk lenë më vend për të bërë analizën racionale të “po”-ve të vetvetes e as të “por”-eve të kundërshtarit.
Rasti më dëshpërues i zhdukjes së “po”së është ai i LSI-së. Të gjithë jemi prezent se si kjo parti u ngrit dhe u mbështet në sajë të ndarjes (që sot rezulton vetëm me fjalë) nga ato fenemene që ishin thelbi i të keqes që kishte pushtuar PS-në. Ishte partia pra që, më shumë se çdo tjetër, kërkoi të ndahej nga “po”-ja e së keqes socialiste dhe se nuk do të kalonte tek “por”-i pa u ndalur njëherë seriozisht tek “po”-ja. Mirëpo, befas, pa u dhënë thuajse asnjë shpjegim atyre që e kanë votuar, ajo e hoqi nga fjalori “po”-në e korrupsionit, “po”-në e monopoleve “, “po”-në e prokurorisë së kapur, e shumë “po” të tjera që rëndonin mbi PS dhe u rreshtua në korrin e madhe të “por”-it të hipertrofizuar duke na mohuar kështu një shans të të bërit opozitë ndryshe. Tani, madje, ajo ka hyrë pa dallim nga PS në një fazë të re të ”por”-it pa “po”. Në atë të thirrjeve për demostrata nga ato që “Sali Berisha nuk i ka parë as në ëndrrat më të këqija”- siç u shpreh së fundi kryetari i PS. Nuk mund të mos të të vijë ndërmend periudha e parë e Berishës dhe e PD pas 1997-tës, kur mbizotëronte një “por” i hipertrofizuar, e se u deshën shumë vjet që ajo parti t’u kthehej disa “po”-ve të paanalizuara për të ndryshuar disi imazhin e saj, por pa e ngritur këtë në nivelin e një kulture tjetër të të bërit opozitë.
Nëse kjo gjysëm e munguar, që është gjysma e trurit të madh, prej ku buron arësyeja, nuk do të futet në kulturën e opozitës jo vetëm nuk mund të ketë reformim të opozitës, por nuk do të mund të ketë as edhe një maxhorancë ndryshe. Sepse edhe maxhoranca në këto kushte gjithnjë e më shumë do ta rrisë prirjen, që e ka, të të ndalurit vetëm tek “po”-të e së keqes së kundërshtarëve (siç bënë në fakt socialistët gjatë tetë vjetëve që qenë në maxhorancë) dhe jo tek “por”-et dhe pikëpyetjet që bijen sot mbi të, dhe të ardhmen e saj qeverisëse. E pa këtë dialektikë asgjë nuk mund të na lerë shpresë se ne një ditë do të zgjidhim tërë ato probleme që na kanë mbytur e po na mbysin përditë, por thjeshtë do të vijojmë rrethqarkullimin tonë politik, ku gjysma ndalet vetëm tek “po”-ja dhe gjysma tek “por”-i pa ndërtuar dot një frazë politike racionale me “po” dhe me “por”-e të drejtpeshuara. (Korrieri, 11 korrik 2006)

No comments: