Friday, January 19, 2007

Ndërkombëtarët apo shqiptarët

Ftesa e lëshuar së fundi nga klasa jonë politike për thirrje prokurorësh dhe ekspertësh të huaj që të hetojnë politikanët tanë me argumentin se institucioni ynë i prokurorisë është i pabesueshëm gjykoj se do të shënonte momentin kulminant kur Prokurori duhet të jepte detyrueshëm dorëheqjen pasi kjo nënkupton dështimin e gjithëpranuar të institucionit të tij. Madje ai duhet të jepte dorëheqjen që kur puna e tij vazhdimisht është zëvendësuar e po zëvendësohet me komisionet parlamentare që hetojnë politikanët e akuzuar për korrupsion. Por Sollaku e di, ashtu sikurse shumëkush nga ne e kupton, se ftesa për prokurorë të huaj është një bllof në pokerin e politikës të cilit mazhoranca i thotë “visto” sepse me kalkulimet e saj i intereson. Kështu që ai nuk do ta japë dorëheqjen dhe as Presidentit nuk do t’i lëvizë asnjë qime e vetullës duke lexuar këtë ftesë skandaloze. Kurse shqiptarët, me në krye Presidentin dhe Prokurorin do të vazhdojmë të ecin përpara në tymin që ngrenë këto deklarata e kundërdeklarata të politikës.
Nuk e di se çfarë mendojnë sot ndërkombëtarët, që ulën në gusht klasën politike shqiptare me idenë se u arrit një marëveshje që evitoi destabilizimin e vendit, teksa shohin energjinë e pafundme mosmarrëveshëse që po shpalos vetëm pas disa javësh klasa jonë politike. Nuk e di çfarë kanë menduar duke dëgjuar thirrjen që të na sjellin prokurorët e tyre? Ma do mendja se në rrethe të ngushta thonë se kemi të bëjmë me një demokraci të dështuar apo me një shtet të dështuar, por, më anë tjetër, mund të jenë duke projektuar ndonjë paliativ tjetër me efekt më të gjatë qetësues për neurozat dhe ankthet e fëmijëve tanë të rritur.
Ajo që më duket se mungon në mënyrë dramatike në tërë këtë situatë është një reflektim më i ftohtë, përtej luftës midis dy formacioneve politike, me synim për të ndërtuar strategji afatgjata. Duket sikur po përjetojmë një mosthellim në thelbin e gjësë të imponuar nga zhurma dhe lufta e pareshtur në sipërfaqe. Të kërkosh sot prokurorë të huaj, siç bën opozita, dhe t’i thuash “po” kësaj kërkese, siç bën mazhoranca, do të thotë të pranosh publikisht se Shqipëria jo vetëm është shumë larg asaj udhe që politika i premton, por edhe se ka pak shpresa që vendi të hyjë në atë udhë. Sepse, përveç imazhit që përçohet, një sërë pyetjesh ngrihen sapo dëgjon thirrjen për prokurorë të huaj, mjafton të hedhësh pak vështrimin përtej fushëbetejës së politikës si psh.: mirë se politikanët tanë paskan nderin që, përveç privilegjeve të tjera, të gëzojnë edhe atë të hetimit nga ekpertë ndërkombëtarë, po qytetarët tanë të thjeshtë pse duhet të mbeten në duart e prokurorëve tanë “të pabesueshëm” e “të korruptuar”? Kush do të na mbrojë ne, të thjeshtët, nga tërë ata kriminelë pa poste të larta politike, ndërkombëtarët? Ka shumë kundërthënie të tjera që të çojnë tek ideja se thirrja e prokurorëve të huaj është e pavend. Midis të tjerash edhe ajo se sado e korruptuar të jetë prokuroria jonë zor se do të mund të akuzonte e të bënte të fajshëm njerëz të pafajshëm. Falë kohës dhe hapësirës gjeopolitike ku jetojmë kjo më duket një periudhë e kaluar tashmë. Ajo çka ka bërë prokuroria jonë deri më sot ka qenë e kundërta ka bërë të fajshmit të pafajshëm duke mos hetuar e akuzuar asnjë politikan të fajshëm, por jo se ka akuzuar të pafajshëm. Dhe ajo çka mund të bëjë një prokurori e kapur sot nga shteti apo nga mafja është seleksionimi i të fajshmëve jo dënimi i të pafajshmëve. Por këtë seleksionim nuk e përcaktojnë dot ekspertët ndërkombëtarë. Seleksionimi do të përcaktohet prap nga lufta politike dhe jo nga ekspertët. Ja ku erdhëm në rreth vicioz. Prokurorëve të huaj do t’u paraqiten prova nga mazhoranca se Edi Rama dhe të tijtë kanë vjedhur duke abuzuar me pushtetin e po ashtu nga opozita se Sali Berisha dhe të tijtë janë futur në rrugën e korruptimit galopant. Po sikur, larg qoftë, ekspertët ndërkombëtarë t’u japin të drejtë të dy palëve, çfarë do të ndodhë? Kush do të vendosë se çfarë do të bëhet me këta, ndërkombëtarët apo Sollaku a ndonjë sivëlla i tij i pabesueshëm? Në shashkat tymosëse që hidhen e priten askush nuk i mendon deri në fund këto pikëpyetjeve ose bën sikur nuk i mendon sepse pandeh se shqiptarët janë aq mëndjefyçkë sa të ndjekin tymin pa u shqetësuar se ku është vatra e zjarrit.
E megjithatë mu pse na imponohet ky turr drejt tymit që mund të na çojë në situata iracionale kërkohet, nga ana tjetër, shumë kthjellësi dhe qetësi analize për sutuatën ku ndodhemi. Duke synuar sadopak kthjellim do të thoja se çështja shumë shqetësuese e thirrjes së prokurorëve ndërkombëtarë, që më ngjan si prelud i thirrjes së ushtrive ndërkombëtare nesër, nuk mund të shihet nga ne, por edhe nga vetë ndërkëmbëtarët, pa bërë analizën e shkaqeve se nga del zjarri dmth: çfarë ka ndodhur në të kaluarën e veçanërisht gjatë tetë vjetëve që socialistët ishin në pushtet me tërë ata institucione që duhet të ishin sot garanti i demokracisë në mënyrë që të mos u drejtoheshim më ndërkombëtarëve. Besoj se është një opinion i gjithpërhapur se ajo çka ndodhi ishte përdorimi i të gjitha metodave për t’i mbajtur institucionet që duhet të garantonin demokracinë dhe luftën kundër krimit nën kontrollin e pushtetit politik. Ishin metoda të pasura në variante e mbrapshtira që, ç’është më e keqja, ngritën një sistem pa ndryshimin e të cilit zorr se do të shpëtojmë ndonjëherë nga kërkesa për ndërkombëtarë. Kjo sepse u konsolidua sistemi i ndarjes në dy kampe pa institucione në mes që bëjnë arbitrin e garantojnë barazinë përpara ligjit. Jo vetëm, por në këtë strategji u konsolidua sitemi i lidhjes së politikës me biznesin për përfitime duke bërë që biznesi të mos përfaqësojë atë shtresë që siguron kudo stabilitetin dhe kërkon konkurrencën e lirë e zbatimin e ligjit, por të ndahet në biznese të socialistëve më të pasur dhe të demokratëve që presin të marrin pushtetin që të pasurohen. Me të njëjtën logjikë u ngritën apo u kapën edhe mediat duke bërë që ato përsëri të mos jenë pushtet i pavarur që investigon, denoncon, analizon në emër të interesave të publikut, por forca shpesh okulte që punojnë sipas interesave të lidhjeve të biznesve dhe krimit me politikën. Edhe shoqëria civile u ble në njëmijë mënyra duke humbur besueshmërinë e saj sepse gjithnjë e më shumë paratë e ndërkombëtarëve që e mbanin dukeshin pak në krahasim me çka mund të fitonin eksponentët e saj duke mbajtur lidhje me bizneso politikën. Edhe me krimin e trafiqeve ka ndodhur e njëjta gjë. Po të perifrazoj Havelin mund të them se politikanët tanë nxitën tiparet më të këqia karakteriale tek shqiptarët duke u bërë nga ana tjetër edhe pasqyrim i këtyre të këqijave e duke ngritur një sistem ku mbretëron e keqja. Në vend se të kërkonin biznesmenin e ndershëm përkrahën biznesmenin me të cilin vidhnin, në vend se të inkurajonin gazetarin e ndershëm kërkuan gazetarin që u shërbente, në vend se të kërkonin prokurorin dhe gjyqtarin e drejtë vendosën prokurorin dhe gjyqtarin që u fshihte krimet. Edhe me ndërkombëtarët kanë tentuar të bëjnë po këtë lojë e ndoshta kanë pasur edhe suksese të pjesëshme aty këtu.
Kapërcimi nga kjo situatë ku qemë para një viti nën udhëheqjen e socialistëve në situatën ku sot ata paraqiten si viktima të pafajshme kërkon të bëhet pa këtë analizë. Mu pse është kështu e pse njerëzit e dinë se me kë kanë të bëjnë ata ndjehen të pambështetur e mu pse ndjehen të pambështetur e të pabesuar e të frikësuar bërtasin më shumë. Më anë tjetër mazhoranca gjithnjë e më shumë ka tentacionin të merret me ata që bërtasin e t’i frikësojë e kërcënojë edhe ca më shumë dhe jo me reformat që duhet të imponojnë ndryshimin e sistemit. Kjo përforcon situatën e dy kampeve armike të ndara që përgatiten për luftën finale pa ndryshuar asgjë në thelb. Situata duket deprimuese për këdo që nuk e sheh këtë luftë si burim adrenaline që e nxjerr nga ankthet dhe depresionet. Por meqë janë shumica ata që nuk u prodhon adrenalinë kjo situatë lufta do të katandiset në një furtunë në një gotë ujë si ajo e gushtit. Nuk dimë se çfarë qetësuesi do të aplikojnë kësaj here ndërkombëtarët për të qetësuar këtë furtunë. Kësaj here ca më pak duket se mund të besojnë se po nuk ndërhynë do të bëhet nami. Por ndoshta si qetësues mund të shërbejnë edhe prokurorët e huaj që mund të sillen këtu e të thonë se u duhet të rrinë një dy vjet mbi dosjet. Por që ata të kenë autoritetin e duhur kjo me siguri do të kërkojë ndryshimin e Kushtetutës dhe deri sa të ndryshojë Kushtetuta ata nuk do të kenë asnjë autoritet, por edhe po ndryshoi Kushtetuta ne prap mund të bëjmë ndonjë sherr tjetër e prap ndërkombëtarët mund të ndërhyjnë e të gjejnë ndonjë qetësues tjetër. Po e le pa mbaruar shkrimin sepse nuk gjeta entuziazëm të mjaftueshëm për tu bërë thirrje shqiptarëve të pashitur e të pablerë se duhet të jenë at dhe jo prokurorët e huaj ata që duhet t’i nxjerrin nga skena e politikës batakçinjtë. (Korrieri, 28 shtator 2006)

No comments: