Wednesday, February 28, 2007

Censura dhe shterpesia letrare

(Tekst i ripunuar mbi fjalen e mbajtur ne takimet Jusuf Vrioni)

Dua ta filloj fjalën time duke cituar një thënie të Niçes për objektivitetin e cila, në një farë mënyre, do të jetë lejtmotivi i ideve që do të shtjelloj:
“Objektivitet – sipas Niçes - do të thotë mungesë personaliteti, mungesë vullneti, mungesë dashurie.” (Vullneti për Fuqi)
Duke patur parasysh se vijmë nga një trashëgimi kulturore në të cilën është folur aq shumë për “të vërtetën objektive” qe buron vetëm nga materializmi dialektik dhe historik, apo edhe sot, kur përdoret shpesh për të cilësuar qëndrime sa më “të ekuilibruara” apo “të paanëshme”, kam frikë se shumëkujt mund t’i tingëllojë paradoksal apo i pakuptueshëm ky pohim. Por brenda tij ka një të vërtetë të rëndësishme. E vërteta e tij qëndron në atë se në shumë zgjedhje e gjykime që bën njeriu në jetë, ashtu sikurse edhe në krijimtarinë letrare dhe artistike, apo gjykimet dhe vlerësimet për të, nuk mund të bëhet fjalë për të vërteta objektive, por, përkundrazi, për të vërteta që kanë të bëjnë me përvojat e me formimin e individit, - edhe më fort kur bëhet fjalë për krijuesit, - pra, me ato që Niçe i quan “personalitet”, “vullnet” “dashuri”, pa të cilat vështirë të kuptohet identiteti i njeriut ose njeriu si subjekt.


Do t’i kthehem dhe rikthehem këtij citimi, por më së pari dua të them se e përmenda atë për të bërë të qartë se jam i vetëdijshëm se çka do të them nuk do t’i pëlqejë shumë të pranishmëve, por, nga ana tjetër, kërkoj prej tyre mirëkuptimin e nisur nga ideja se ato që do të them janë pjesë e personalitetit, vullnetit dhe dashurive të mija. Dhe ata që do të mendojë se po u shkel disa të vërteta që i quajnë aq të padiskutueshme, sa u japin epitetin “objektive”, i ftoj të reflektojë më thellë për origjinën e këtij “objektiviteti”.
Përse druaj se nuk do tu pëlqejnë shumicës së të pranishmëve? Pasi, kur bëhet fjalë për të kaluarën letrare komuniste në Shqipëri, - ashtu sikurse edhe për krejt këtë krijimtari– përgjithësisht vlerësimi është se pavarësisht se aty ka pasur edhe mjaft kompromise me pushtetin, ajo ka vlerë të padiskutueshme. Sot, për arësye se pushtetin kulturor e ka po ajo kategori që e ka pasur gjatë periudhës komuniste, shumica e krijuesve të asaj kohe merr tituj e nderime që nga “mjeshtër i punës” e deri tek “nder i kombit” pikërisht për veprën e kryer në atë kohë, madje edhe emrin shkrimtar e gëzojnë të plotë vetëm ata që e kanë marrë këtë emër nga Lidhja e dikurshme e shkrimtarëve dhe artistëve, ndërkohë që ata shkrimtarë që u persekutuan qysh në krye të herës nga regjimi, ose që nuk pranuan t’i shërbejnë atij regjimi, janë thuajse të harruar. Veçanërisht suksesi i veprës së Kadaresë, për të përkujtuar përkthyesin e të cilit nga shqipja në frënëgjisht jemi këtu, është ajo që ka shërbyer si alibi e këtij qëndrimi.
E pra, gjithë duke u mbështetur në avokatinë e Niçes, do të mbaj disa qëndrime shumë më të ashpra ndaj asaj letërsie. Dhe jo për arësye që lidhen thjeshtë me të kaluarën, por më fort me të tashmen. Ngase e konsideroj dramatike që ne as nuk na shkon ndërmend ta shtrojmë çështjen e së kaluarës në atë frymë me të cilën na ngacmoi kolegu rumun Calinescu kur na tregoi se, kur e pyetën shkrimarin dhe disidentin rumun Andrea Pleshu “si ka mundësi që keni mbijetuar?” ai u përgjegj: “kësaj pyetjeje preferoj t’i përgjigjem me një tjetër pyetje “vallë, a kemi mbijetuar vërtet?”.
Kur shoh se çfarë deformimesh e shtrembërimesh karakteriale ka pësuar individi shqiptar, e megjithatë, tek ne nuk diskutohet se cilat mund të kenë qenë shtrembërimet që kemi pësuar nga regjimi, përkundrazi, të gjithë konsiderojnë veten të mbijetuar, madje me merita, e kam vështirë të them se kemi mbijetuar. E kam vështirë të them se kemi mbijetuar kur shoh se e vetmja gjë që bëjmë është eksteriorizimi i së keqes duke i gjetur fajet dhe përgjegjësitë vetëm dhe vetëm jashtë vetes. E kam vështirë të them se kemi mbijetuar kur shoh se sa pak po i përgjigjet krijimtaria në përgjithësi dhe letërsia në veçanti kësaj drame që lidhet fort sa me të kaluarën aq edhe me kohën që po jetojmë. Përkundrazi, ne kemi shenja të dukshme të një vdekjeje morale dhe shpirtërore. Prandaj dhe fjala ime, në thelb, do të synojë të shpjegojë një aspekt të kësaj vdekjeje: shterpësinë letrare. Thënë ndryshe do të rrekem të shpjegoj se përse diktaturat ideologjike si ajo që kaluam, janë të dënuara, sikundër thotë Heminguej për fashizmin, me shterpësi letrare dhe lenë një trashëgim shterpë, dmth një letërsi të paaftë për të lindur letërsi.


Cenzura cenzuron ata që pranojnë të cenzurohen

Është e vetkuptueshme se, kur flasim për cenzurë, nuk bëhet fjalë për krijimtarinë që bëhet kur njeriu i beson atyre që shkruan, qofshin këto edhe gjëra të futura në kokën e tij nga propaganda komuniste. Raporti me cenzurën fillon kur shkrimtari bëhet i vetëdijshëm se ka gjëra që ai i sheh, ndjen e mendon të cilat nuk mund t’i thotë dhe se ka të tjera që është i shtrënguar t’i thotë, ndonëse nuk beson në to.
Një moment i tillë ndërgjegjësimi përgjithësisht krijuesit i ka ndarë në këto kategori – (nëse do ta thjeshtëzonim pak këtë fenomen): në ata që në këtë situatë kanë preferuat të ndjekin thënien e Danillo Kishit: “Kur nuk e thua dot të vërtetetën, hesht!” (e këtu do të fusja Kutelin, Poradecin, Kokonën e të tjerë shkrimtarë që pas ardhjes së komunizmit u morën vetëm me përkthime.) Në kategorinë ku, për fat të mirë apo të keq, kam bërë pjesë edhe vetë: kategoria e atyre që gjithë pa hequr dorë nga nevoja për të shkruar, në vend se të mendonin për botim, iu futën letërsisë së sirtareve, dhe në ata që janë ilustrim i thënies tjetër që na citoi Calinesku: “cenzura cenzuron vetëm ata që pranojnë të cenzurohen.” me të cilët shoqëria jonë ka qenë e mbushur, fatkeqësisht, plot e përplot.
Kuptohet kategoria e tretë është shumë komplekse. Aty hyjnë që nga shërbëtorët e paskrupullt të propagandës deri tek ata që i kanë hyrë punës së nënshtrimit ndaj cenzurës me plot kontradikta të brendëshme. Këtu dua të debatoj pikërisht me këta të fundit, duke iu referuar debateve që kam pasur me ata më të sofistikuarit syresh.
Ja disa argumenta të rëndësishme që kam dëgjuar të përdoren në emër të justifikimit të vazhdimit të krimimtarisë së tyre:
Vepra mund të prmbajë edhe gjëra të pavërteta, kompromise me ideologjinë dhe propagandën, por, megjithatë, mes tyre mund të ndërfutësh të vërteta që të rrezatojë ashtu dhe aq sa t'i kompensojë kompromiset. Lidhur me këtë thirret në ndihmë edhe Brehti (eseja "Pesë vështirësitë për të shkruar të vërtetën", veçanërisht pika 5 ku ai flet për dinakërinë për të thënë të vërtetën.) Po ashtu, lidhur me “dinakërinë”, një nga argumentet më të përdorur është edhe ai i letërsisë me “ambiguitete” që i referohet kryesisht një pjese të veprave të Kadaresë.
Kësisoj, sipas kësaj teorie, heshtja, mosbotimi për një shkrimtar ka vlerë vetëm si bojkot, por mund të arrish gjëra edhe më të mira për shoqërinë duke botuar, duke arritur që proverbi "fjala është argjend - heshtja flori" në këtë rast të bëjë inversion.
E dyta: të shkruash "bukur" një poezi për dashurinë, fjala vjen, është një temë e përjetëshme e artit, ose të shkruash mbi natyrën prozë e poezi, apo mbi tema historike, kjo është e mundëshme edhe në kushtet e diktaturës dhe mund të jetë vërtethënëse ngase e përmbush gjithsesi misionin e artit.
Në mbrojtje të krijimtarisë së asaj kohe sillen edhe përkthimet e veprave me vlerë që lejohej të përktheheshin nga regjimi, e që në një farë kuptimi konsiderohen si kontribut letrar.
Përgjithësisht në ambjentin tonë kjo mbrojtje bëhet me kaq bindje sa ata që i mbrojnë këto teza nuk e vënë as në diskutim se kush i kundërshton e ka gabim, ka humbur objektivitetin. Dhe, kuptohet, siç e thashë edhe më sipër, suksesi i veprës së Kadaresë përkthyer nga Vrioni në Francë është një gur i rëndë në favor të këtij “objektiviteti”.

Cenzura të shpije në shterpësi letrare

Do të përpiqem të shtjelloj pse “subjektiviteti” im nuk pajtohen me këto argumenta duke këmbëngulur që pranimi i cenzurës të shpije në shterpësi letrare, veçanërisht në një regjim si ay i yni ku, rolin e cenzurës e kishte zënë autocenzura në një shkallë të tillë sa, sikurse dëshmuan edhe kumtesit para meje, veçanërisht Ardian Klosi, në tërë përvojën e tyre të gjatë redaksionale, në morinë e librave që kanë kaluar nëpër duar, mund të veçonin vetëm dy tre libra që kanë pasur “probleme” për redaktorët e Shtëpisë Botuese Naim Frashëri.
Do ta ndaj analizën time në tre aspekte.

1. Autori dhe publiku
Brehti në dramën e tij të njohur “Galileu” ka një moment në të cilin autori (personazh) i thotë personazhit Galile: po si është e mundur që ti pranove të mohoje vetveten kur the se bota nuk rrotullohet? Përgjigja e Galileut është: po unë e bëra këtë sepse kështu do të vazhdoja të bëja punët e tjera që bëra, shpikjet e tjera. Dhe autori i përgjigjet: po mirë, për çfarë kishte më shumë nevojë asokohe njerëzimi për kurajon tënde për të thënë të vërtetën apo për shpikjet e tua që, edhe sikur të mos i bëje ti, do t’i bënte një tjetër?
Problemi i raportit të autorit me publikun të cilit i drejtohet është shumë kompleks, por nuk mund të mos veçohen disa çështje ndër të cilat e para ka të bëjë me të qënit i vërtetë, qoftë kjo një e vërtetë e jashtme, kur bëhet fjalë për shembull për letërsi dokumentare, qoftë kjo një e vërtetë e brendëshme e autorit.
Diktatura kishte standartizuar ose “objektivizuar” disa “të vërteta” që duhet të bëheshin të gjithëve duke filluar që nga kuptimi i botës e deri në interpretimin e realiteteve konkrete, madje imponimi i kësaj të vërtete përjashtonte ndërtimin e të vërtetave individuale. Njeriu duke u parë vetëm si produkt i kushteve shoqërore kishte karakteristikat e shtresës së cilës i përkiste dhe vetëm kaq. Madje deri edhe dashuria ishte e standartizuar: Ajo duhej të vihej pas dashurisë për Atdheun, Partinë dhe shokun Enver. Letërsia e asaj kohe paguhej nga Partia pikërisht për të përhapur këto të vërteta të standartizuara. Pra autori ishte thjeshtë një ilustrues i cili, madje, në një farë kuptimi nuk duhej të kishte të vërteta të tjera, të vetat. Edhe temat historike, tek të cilat mendohet se mund të kishte më shumë liri janë përshkruar tejendanë nga aspekti tjetër i ideologjisë, nacionalizmi – edhe ai i përdorur si mjet pushteti dhe shtypjeje të individualitetit, prandaj dhe të lirisë. Nuk është nevoja të përmend këtu krijimtarinë e pafundme, më saktë të vetmen, me këto tematika. Aq e vërtetë është kjo sa po të bësh analizën e veprave të krijuara nga pikpmaje kronologjike do të vesh re se ato kanë ndjekur fushatat e ndryshme propagandistike, problematikën që ka ngritur partia dhe Enver Hoxha në vite: luftën kundër kulakëve, kapitalizmit, revizionizmit, luftën kundër burokratizmit, luftën kundër zakoneve prapanike, luftën kundër liberalizmit, etj. shoqëruar me lejtmotivet e përjetëshme glorifikimi i luftës nacional çlirimtare, i ndërtimit të socializmit, dashuria për Partinë, Enverin ushtrinë, bujqësinë, qenin e kufirit etj.. Nëse mund të thuhet se ka pasur gjithsesi një lloj individualiteti tek njerëzit e asaj kohe kjo më shumë sesa krijimtarisë së soc-realizmit i dedikohet mundësive dhe kontakteve të tjera, qoftë nëpërmjet përkthimeve, qoftë nëpërmjet mjeteve të tjera të komunikimit. Masa e madhe që është ushqyer vetëm me krijimtarinë soc-realist ka pësuar një lavazh truri sistematik.
Në këtë proces kemi një pseudokrijues që, nëpërmjet cenzurës dhe autocenzurës, e zhvesh gjithnjë e më shumë veten nga të vërtetat e tija, nëse i ka ato, ose që nuk i zhvillon ato. Pra një pseudokrijues që në vend së të shprehë e zhvillojë personalitetin, vullnetin dhe dashuritë e tij bëhet gjithnjë e më shumë instrument. Nga ana tjetër, në sajë të kësaj pune, kemi një publik i cili nuk ndihmohet nga autori të ndërtojë këto instrumente, por që pëson një lavazh truri nga vepra në vepër duke u shndëruar kështu në qënie pa individualiet, personalitetet, vullnetet dhe pa dashuritë e veta.
Kësisoj, për tu kthyer tek tezat e atyre që flasin për dinakërinë, çështja në këto kushte shtrohet: a ishte e mundur të thuhej e vërteta duke bërë njëkohësisht këtë detyrë të madhe për gënjeshtrën. Sipas meje diktatura kishte zhvilluar një instikt të fortë për të kontrolluar se si dhe sa i shërbehej të vërtetave të saj dhe as nuk lejonte të vihej në peshë puna për të dalluar se nga anonte peshorja: në interesin e të vërtetave të saj apo në interesin e të vërtetave kundra saj. Këtë kontroll ajo e ushtronte pikërisht nëpërmjet cenzurës dhe atutocenzurës. Ata që duan të kapen tek ndonjë ambiguitet i veprës apo tek ndonjë frazë apo paragraf që ua ka hequr cenzura për të dëshmuar se kanë punuar në emër të ndonjë të vërtete tjetër nga ajo e standartizuar, shëmbëllejnë me ata që kërkojnë të kapen në një fije kashte në një det gënjeshtre ku mbytej e vërteta. Në fakt ambiguiteti si vlerë e veprave letrare nuk duhet kuptuar kurrsesi si krahasvendosje e së vërtetës me gënjeshtrën, por si shumplanësi e së vërtetës. Pra si një thellim i saj, si një shprehje në letërsi e asaj çka thotë Oskar Wilde se “e verteta rrallë herë është e pastër dhe kurrë e thjeshtë”.

2. Karakteri i veprës në vetvete:

Çështja e vërtetësisë së veprës shtrohet edhe nga një pikpamje tjetër më pak morale dhe më shumë estetike: A mundet autori me vetëdije të pranojë një përzjerje të së vërtetës me gënjeshtrën, të së bukurës me të shëmtuarën pa menduar se po e cënon veprën artistikisht? Një krijim i patjetërsuar nga cenzura karakteristikë kryesore ka koherencën, organicitetin e vet. Nga përvoja ime krijuese mund të them se një instikt i thellë më ka bërë të ndjeja një reaksion të fuqishëm - ashtu si ai i flakjes së një trupi të huaj - ndaj çdo trapiantimi në veprën time të organeve të huaja me qëllim kompromisi, mbijetese politike.
Megjithatë nuk mund të mohoet se ndër këta krijues ka pasur më të talentuar dhe më pak të talentuar. Edhe diktatura kishte shijet e veta. Fakti që Kadareja ka fituar për shembull shumicën e konkurseve të rëndësishme letrare që çelte ajo dhe që u zgjodh për tu promovuar në Francë nga regjimi e provon këtë. Diktatura kërkonte t’i shërbehej asaj me sa më talent. Çështja atëhere shtrohet: a përbëjnë këto vepra vlera të mirëfilta estetike që dalin përtej përmbajtjes së tyre ideologjike madje që janë sa më të bukura sa më koherente të jenë me frymën ideologjike që kanë dashur të përçojnë?
Kjo për mua mbetet një çështje ku mund të ketë mendime të ndryshme. Personalisht e kam të vështirë të shijoj estetikisht një vepër që më thotë bukur gënjeshtra. Gjithsesi ngulmoj se një vepër e tillë mund të lindë vetëm kur autori është brenda ideologjisë, pra e beson atë dhe frymëzohet prej saj. Madje, në këtë rast, do të shtoja se nuk ekziston mungesa e lirisë për ta interpretuar realitetin nga të tjera pikpamje, prandaj dhe e cenzurës. Jemi në rastin e krijuesve që janë mbështetur në krijimtarinë e tyre në një sistem të vetëm pikpamjesh, disa prej tyre shumë të mëdhenj si psh. Dantja. Edhe Neruda ka bërë poemë për Stalinin dhe askush nuk dyshon se ai e ka bërë këtë për ndonjë përfitim apo servilizëm, por thjeshët se ai ishte simbol i asaj çka ai besonte pa e njohur. Dhe prap problemi shtrohet: a mund të flitet për vlera estetike për një vepër që hyjnizon një diktator si Stalini apo Hitleri apo Enver Hoxha? Çështja shtrohet a mundet lexuesi edhe kur gjykon estetikisht të çlirohet nga njohjet që ka për këta personazhe? Edhe këtu vijmë përsëri tek thënia e Niçes: se kurrsesi leximet nuk mund të kryhen jashtë një konteksti të caktuar që ka të bëjë me formimin e lexuesit, me personalitetin dhe dashuritë e tij.


3. Autori dhe vetvetja shtysat e tij krijuese
(ose pse shkruan atutori?)

Problemi më i rëndësishëm që shtron nënshtrimi ndaj cenzurës lidhet edhe me atë se përse shkruan një shkrimtar? Pra cilat janë shtysat e brendëshme që e shtyjnë të krijojë? Mendoj se shkaku i shterpësisë letrare në një regjim fashist duhet kërkuar fort në mekanizmin më të thellë e më thelbësor të artit që nuk ka të bëjë thjeshtë e vetëm me raportet etike autor - publik, por edhe me raportet autor - vepër arti, me raportet qëndër gjeneruese e krijimtarisë - krijim artistik, çfarë më duket se ka të bëjë, fundja më në fund, me shkoqitjen e asaj se për çfarë i shërben psikologjkisht vepra e artit krijuesit të saj.
Sipas meje po të tentojmë t'i hyjmë sa më thellë shkakut të shterpësisë në një diktaturë ideologjike nuk duhet të ndalemi thjesht e vetëm në atë që "s'mund të shkruash dot të vërtetën”. Puna është se kur flitet për një krijues që tashmë është i vetëdijshëm se ndodhet nën kontrollin e cenzurës, që supozohet se ndjehet nën presionin e saj, atëhere, për t'i shkuar sa më thellë shkakut të shterpësisë, më duket se duhet të nisemi nga mendimi që edhe kur shkruajmë diçka që mund të jetë afresk i një realiteti historik, është imagjinata, me rrënjët e përshkuara thellë në inkoshientin tonë, që përfton quid-in e quajtur art, se, edhe në këtë rast - që është më i miri përsa i përket mundësisë për të shkruar e botuar të vërtetën - vepra gjithsesi do të jetë e populluar dukshmërisht dhe padukshmërisht me fantazmat e inkoshientit. Frojdi thotë se fantazia është atribut i njeriut të pakënaqur, se dëshirat e paplotësuara e largojnë artistin nga realiteti dhe i a përqëndrojnë libidon/vëmëndjen tek krijimi i objektit të imagjinuar fantastik. Sipas këtij koncepsioni aq më i mbarsur potencialisht me krijimtari duhet të jetë diktatura si një regjim vullnetshtypës. Mos vallë gabon Heminguei? Jo, sepse "çlirimi" për të cilin flet Frojdi është i lidhur ngushtë me reaksionin ndaj forcës represive, në kuptimin që edhe në nivelin e inkoshientit energjia e impulseve instiktive do të përqëndrohet kundër saj, po të kemi parasysh se gjithherë një vepër e fuqishme ka gurruar nga një energji e fuqishme instiktesh. Pra do të kemi një sendërtim artistik të fuqishëm atëhere dhe vetëm atëhere kur do të tentojmë të sendërtojmë artistikisht konfliktin tonë më të fuqishëm emocional, pasi regjimi i diktaturës ideologjike, me politikën e tij represive dhe depersoanlizuese dashur pa dashur t'i përqëndron energjitë instiktive kundra tij. Kjo do të përftojë, po qe se do të pëpiqem të shprehem artistikisht, edhe në rastin kur simbolika e autorit do të zgjidhet nga një material historik apo mithologjik, një rezonancë aktuale ashtu dhe aq të fortë sa që edhe cenzura më idiote dhe më injorante do t'i shquante "fantazmat kundërshtare", prandaj dhe nuk do ta lejonte botimin. Kurse më anën tjetër, nëse, për t'i shpëtuar kësaj, autori do t'i drejtohet trajtimit të temave jashtë këtij konflikti, vështirë të arrihet një vepër e fuqishme sepse shqetësimet më të qënësishme të autorit nuk do të kenë të bëjnë me temën. Romani Pallati i Endrrave të Kadaresë është libri më fatlum sipas meje i autorit ku njëherësh “fantazmat kundërshtare” ndaj regjimit kanë mundur të dalin ndonëse autori për t’u mbrojtur ka ikur në një kohë tjetër, atë otomane dhe ka qenë korrekt me regjimin përsa i përket pjesës nacionaliste në libër ku shqiptarët e perandorisë i ngre më lart se turqit.
Prandaj, ngulmoj se i vetmi shpëtim në këtë rast për të shprehur këtë konflikt është letërsia e sirtareve shembulli më heroik i së cilës është Kasem Trebeshina. Por vazhdimi në një kohë të gjatë i një krijimtarie që nuk shpreson të shohë dritën e botimit është një punë e vështirë, që mund të vijë duke u topitur në vitet, pasi mungesa e kontaktit me lexuesin dhe me kritikën mund ta demotivojë një autor sado i pasionuar të jetë ai.

Le dur desir de durer-
“Le dur desir de durer” - përgjigjet Paul Eluari ndaj pyetjes pse shkruan – çka lidhet me një shtysë të brendëshme të autorit për të mposhtur ankthet e vdekjes për të lënë gjurmët e ekzistencës së tij. Por a mundet një autor të mendojë se po fiton përjetësinë duke thënë gënjeshtra që nuk mund t’i rezistojnë kohës? Po ashtu problemi i “Le dur desir de durer” lidhet ngushtë edhe me atë se cilit lexues i drejtohet autori. Sepse mbijetesa e një autori sigurohet pikërisht falë vlerave të veprës së tij që e bëjnë atë të lexohet edhe në kohët kur autori nuk jeton më. Autori i drejtohet njëherësh një lexuesi bashkëkohës dhe një lexuesi të së ardhmes. Ai i drejtohet një lexuesi mendjemprehtë dhe të ditur, por edhe një lexuesi injorant. Kjo e bën edhe më të koklavitur problemin. Lexuesi që kërkon të manipulohet dhe lexuesi mendjemprehtë nuk janë e njëjta gjë. Kur unë isha i ri kujtoj se kam pasur një dashuri të madhe për poema të Kadaresë apo Agolit që i dedikoheshin Partisë së Punës sepse asokohe e doja edhe partinë. Problemi është kur nuk e do më partinë a mundet ta duash përsëri poezinë e shkruar “bukur” për të. Me syrin e tanishëm – në rastin më të mirë i vlerësoj si naive edhe veprat edhe autorët edhe lexuesin që kam qenë atëhere.

Lidhur me shtysat krijuese ka edhe shpjegime të tjera që kanë të bëjmë shumë më pak me nevojën që shpreh Eluari e shumë më tepër me një nevojë të brendshme për të krijuar, instiktin konstruktivist të njeriut: “krijoj ashtu siç këndon zogu apo siç ndërton bleta”. Pra me faktin që njeriu e ka kreativitetin substancë të shpirtit të tij, e që, nga një pikpamje psikanalitike, konsderohet si “korolar i erosit”.
Mirëpo ky lloj kreativiteti është i lidhur ngushtë me të qënit të njeriut të lirë. Krijimi artistik si çlirim i energjive krijuese në një sistem të lirë, në një shoqëri jo alienuese, si korolar i erosit, do të ishte tjetër, po krejt tjetër gjë. Arti i krijuar në diktaturë nën presionin e cenzurës vetëm këngë e lirë nuk mund të ishte, vetëm art i pastër, jashtë çdo funksioni tjetër, nuk mund të ishte sepse diktarura nuk paguante për këtë loj arti, madje e dënonte atë. Diktatura e kthente krijuesin nga artist në artizanat, nëse me këtë të fundit do të kuptojmë një zanatçi që punon me porosinë e atij që e paguan. Pra, përsa i përket këtij lloj arti, afërmendsh që një diktaturë ideologjike, që i përcaktonte temat varësisht nga nevojat e propagandës së saj, ishte tejet më shterpëzonjëse.


Shterpësia dhe e sotmja

Kur flitet për shterpësi letrare kuptohet një letërsi që nuk është e aftë të lindë një letërsi tjetër. Ja pse mendoj se cenzura e djeshme, si faktor shterpëzonjës, duhet diskutuar lidhur ngushtësisht me problemet e krijimtarisë së të sotmes.
Sipas mendimit tim një nga dëmet më të mëdha të socrealizmit ka qenë pengimi i krijimit të personaliteteve dhe individualiteteve sa të autorëve aq edhe të lexuesve: ajo që gjetkë e kam quajtur “kultura e manipulim simulimit” – që krijon modele për të imituar dhe jo instrumente për të ndërtuar personalitetin, vullnetin dhe dashurinë tënde. Mjafton të kesh parasysh se sa pak personazhe vërtet të gjalla, të besueshëm, ka krijuar ajo letërsi për shkak se ishte e angazhuar në krijimin e modeleve që tipizonin pozitivisht punëtorin, fshatarin, komisarin… dhe, negativisht, kulakun borgjezin, priftin…. Thuhej se vetëm personazhet negativë nganjëherë dilnin më të qëlluar sepse atje autori kishte dorë më të lirë. Por edhe ata ndërtoheshin tek e fundit sipas logjikës manikeiste të bardhë e zisë ideologjike. Në krijimtarinë tonë socrealiste edhe fëmija i një borgjezi do të ishte domosdoshmërisht personazh negativ në kundërshtim me fëmijët e punëtorëve apo revolucionarëve. Kemi të bëjmë para me një rreth vicioz ku autori nuk nxirrte apo nuk zhvillonte dot asgjë nga vetvetja individuale dhe lexuesi merrte prej tij modelet e stisura e bajate të këtyre personazheve. Kuptohet se një gjysëm shekulli komunikim i tillë shkrimtar - lexues nuk mund të mos ketë lënë pasoja të rënda përsa i përket mungesës së kulturës së ndërtimit të individualitetit në shoqërinë shqiptare. Kjo mungesë individualiteti, ose më saktë e instrumenteve për ta krijuar e zhvilluar atë, ndjehet fort edhe në krijimtarinë e sotme e më gjerë në shoqëri. Vazhdojmë të jetojmë ende në një shoqëri kur njeriu nuk ka mësuar të krijojë subjektivitetin e vet. Vakuumi i lënë kësisoj nga “objektiviteti” socrealist, mungesa e instrumenteve për të ndërtuar individualietin, shpesh ka bërë që të vërehet një humbje orientimi i cili ka sjellë fenomenin e zëvendësimit të së vërtetës objektive soc-realste me të vërteta të tjera “objektive” që merren si modele të padiskutueshme. Shpesh vendin e atij “objektiviteti” të modeleve soc-realiste e zënë modelet perëndimorë, pra imitimi në këtë rast i perëndimores që pranohet objektivisht si vlerë, për shkak të autoritetit që i jepet së jashtmi, pa u tretur në subjektivitetin e autorit. Kjo pjell imitimin që është një formë e shterpësisë që vërehet aq shumë sot. Në thelb ai është shprehje e paaftësinë për të krijuar një kulturë që t’i përgjegjet realitetit që jetojmë – e vetmja kulturë e vërtetë, me origjinalitet dhe personalitet.

Jusuf Vrioni si “dëm”

Një aspek tjetër i mungesës së kësaj kulture të vërtetë është ai që do ta quaja: Jusuf Vrioni si “dëm”. Siç thashë, vakuumi i lënë nga rënia e sitemit të vlerave socrealiste ka bërë që kriteri kryesor i vlerësimit të mbetet vlerësimi i bërë së jashtmi. Kjo ka bërë që një pjesë e mirë e krijimtarisë të mos synojë t’i drejtohet publikut shqiptar më së pari, por që të krijojë duke patur parasysh publikun e huaj dhe mundësinë e një suksesi atje. (Këtu nuk duhet injoruar edhe aspekti komercial). Një orientim i tillë, sipas meje, sjell një motivim të mbrapshtë, pseudokulturor, një tjetërsim të krijimtarisë sepse deformon si zgjedhjen e tematikës, ashtu edhe trajtimin e saj. (Mjafton të kujtoj kërkesën e lexuesit perëndimor për ekzotikën shqiptare, se sa shumë është trajtuar tema e gjakmarrjes psh.. Apo edhe superbollëkun e bunkerëve në krijimtarinë tonë si një çudi shqiptare.). Një aspekt i tjetërsimit që sjell ky orientim i shkrimtarit apo krijuesit në përgjithësi drejt sukesit jashtë dhe autoriteti që të jep ky sukses është edhe tjetërsimi i rolit të krijuesit në shoqëri. Në vend se të shërbejë si një qënie më e ndjeshme, më e mprehtë, që komunikon me publikun e tij përvojat, shqetësimet dhe ndjeshmërinë e veta, një krijues që vështrohet nga publiku si krenari identitare shërben për t’i dhënë lexuesit atë që do të quaja identiteti i munguar individual. Një raport i tillë me krijuesin bën që lexuesi në vend se të rritet nëpërmjet shkrimtarit të mbetet në rolin e atij që William Reich e quan “njeri i vogël” i cili “sa më pak i kupton gjërat aq më shumë i beson ato” e që “krenohet me gjeneralët e vet dhe jo me veten e tij”.
(Për ta ilustruar idenë po tregoj një rast që ka të bëjë me një përvojë timen. Para disa kohësh kërkoi të më takonte një person që kishte qenë në një kurs post universitar në Londër. Kërkoi të më takonte sepse në një nga leksionet profesoresha kishte hyrë në klasë duke pyetur se kush ishte shqiptar mes tyre. Pasi ajo ishte prezantuar si e vetmja shqiptare mes një sërë studentësh ajo kishte thënë se atë leksion do ta mbante duke komentuar një ese timen “Privatësia në totalitarizëm”, botuar në një revistë amerikane, e cila, sipas saj, ishte një nga esetë më të bukura që kishte lexuar mbi privatësinë në regjimet totalitare. I vetmi koment që dëgjova unë nga studentja për atë moment ishte se sa krenare ishte ndjerë ajo mes sdudentëve të tjerë të huaj në ato çaste – dhe pa dyshim kjo më duket një gjë njerëzore - por asgjë nuk dëgjova prej saj lidhur me ato që kisha shkruar në atë tekst e ishin komentuar – çka më duket se është vlera e parë dhe kryesore e tekstit dhe kënaqësia më e madhe për një autor.)
Pse e lidha këtë çështje me fjalën “dëmi” Vrioni. Sepse mendoj se modeli i suksesit dhe i autoritetit që ushtron Kadareja nisur nga suksesi i tij jashtë shtetit ka çuar shumë tek ky motivim pseudokulturor i krijuesve shqiptarë që lidhet edhe me kërkesën e gjetjes së një përkthyesi për të patur sukses jashtë shtetit.
Kuptohet nuk dua të fajësoj Vrionin këtu, por nuk mund të rri pa thënë se edhe fakti që këto takime kushtuar përkthimit marrin emrin Jusuf Vrioni janë reflektim i kësaj problematike. Sepse është zgjedhur emri i një përkthyesi që ka përkthyer nga shqipja në frëngjisht dhe jo nga gjuhët e huaja në shqip. Sipas konceptit që u përpoqa të shtjelloj më lart, nëse do të organizoheshin takime dedikuar përkthimit e do të duhej tu vihej atyre një emër, unë do t’i quaja takimet Lasgush Poradeci, Dhimitër Pasko, Gjon Shllaku, Petro Zheji etj etj. Pra, duke venë emra përkthyesish që i kanë shërbyer më shumë kulturës shqiptare nëpërmjet sjelljes në shqip të kryeveprave të pavdekshme të letërsisë botërore, madje duke refuzuar të merren me krijimtarinë soc-realiste. Janë ata dhe vepra e tyre, sipas mendimit tim, që kanë ndikuar më shumë se kushdo që njeriu shqiptar të mbijetojë në diktaturë, gjithë nëse mund të themi se kemi mbijetuar, e që letrat shqipe të mund të mos mbeten sterile.

1 comment:

Anonymous said...

Eshte ora 1.37 e nates dhe jam shume i gezuar qe lexova dicka te tille--e ftohta qe morem ne 50 vjet do shume kohe te largohet. Enveri vrau dhe burgosi shtresen intelektuale dhe te pasur qe ishte krijuar me shekuj. Krijoi njeriun e ri--enveristat--qe do kohe te piqet. I riu si veriu thote populli. E kemi pare keto 15 vjet se cfare prodhon njeriu i ri (i ri nuk ka faj). Qe te maturohet njeriu i ri duhet vetem EDUKIM, EDUKIM dhe vetem EDUKIM. Ato pak mendje te ndricuar qe ka shqiperia duhet te vazhdojne ta thone fjalen e tyre dhe te prodhojne shkrime te tilla qe na EDUKOJNE.

shume faleminderit,