Disa komente mbi librin e Del Pontes "Ndjekja: unë dhe kriminelët e luftës" dhe reagimin ndaj tij në shtypin shqiptar.
I intriguar nga shtypi shqiptar dhe nga disa reagime të tilla si deklaratat e fundit të ndonjë deputeti se po përgatisin padi për Del Ponten shkova të marr e të lexoj librin e Del Pontes që nuk se është i ndaluar, siç thoshte në mënyrë disinformuese News 24 para disa ditësh, por qarkullon i lirë në libraritë italiane. (Në fakt Del Pontes shteti Zviceran i ka ndaluar të marrë pjesë në promovimin e tij në Milano për shkak se, në petkun e përfaqësues së këtij shteti, si ambasadore, mund të krijonte reagime.)
Për hir të respektit ndaj së vërtetës para së gjithash, të drejtësisë më së dyti, të lexuesit shqiptar më së treti, por edhe të kësaj gruaje për të cilën, pasi mbarova librin, ndjeva respekt, mendoj se duhen bërë disa komente dhe sqarime për atë se si manipulohet publiku ynë nga gazetarë e politikanë shqiptarë, të cilët në emër të një vulgariteti nacionalist dhe për më tepër të rrejshëm, as nuk arrijnë, në syverbësinë e tyre, të kuptojnë se nga gjithë kjo zhurmë që duan të ngrenë në vend së të na venë vetulla, po na nxjerrin edhe sytë.
Duke lexuar komentet mbi autoren në Shqipëri sheh se ato përçojnë idenë se paskemi të bëjmë me një grua që paska humbur mendjen, qenka marrosur për shkaqe që nuk dihen, e prandaj i duhet ndalur hovi. Por në fakt nuk ndalin hovin e saj, por të shqiptarëve që të mendojnë e të kërkojnë të vërtetën.
Së pari duhet thënë se libri nuk ka autor vetëm Del Ponten, por edhe gazetarin e New York Times, Chuck Sudetic, libri i të cilit "Gjak dhe Hakmarrje" (Penguin 1998), që flet për masakrat në Bosnje, është përfshirë në librat më të rëndësishmë nga New York Times dhe është cilësuar si libri i vitit nga "The Economist" dhe "Washington Post". Kjo për të qetësuar sadopak histerinë kundër marrëzisë së Del Pontes.
Së dyti duhet thënë se libri nuk mbulon vetëm Kosovën, por është i ndarë në 12 kapituj ku përshkruhen përpjekjet e prokurores për të provuar fajësinë e kriminelëve të luftës në shumë vende të botës ndër të tjera edhe ato ballkanike si Serbia, Kroacia, Kosova e ku tregohet një paanësi e pamëshirëshme ndaj të gjthëve. E komenti i parë që mund të bëhet lidhur me këtë aspekt të librit dhe shtypin shqiptar është se ndërkohë që ne kemi qenë të prirur t'i pranojmë krimet e të tjerëve, madje duke e glorifikuar Del Ponten, kemi një refuzim total dhe krejt iracional kur këto na atribuohen edhe neve. E kuptueshme kjo nga një pikpamje naive nacionaliste. Ne Beograd tregon autorja, njerëzit që demostronin kundër i ulërisnin "kurvë!". Por jo kur bëhet fjalë për gazetarët. Atyre nuk u falet të harrojmë se vijmë të gjithë nga e njëjta histori dhe e njëjta kulturë. (Pa harruar se janë po ata që sapo kanë përshkruar me hollësi se si ne hodhëm në erë në Gërdec viktima të pafajëshme gra e fëmijë, për pesë grosh të qelbura).
Urrejtja ndëretnike gjeneron luftë dhe lufta gjeneron vrasje dhe krime që shtrihen edhe kundër të pafajshmëve. Nga ky realitet tragjik nuk mund të përjshtohet asnjë komb. Historia e ka provuar këtë. Prandaj duhet të hiqen syzet e nacionalizmit përballë realitetesh të tilla. Veçanërisht nga gazetarët kërkohet kjo, por edhe nga ata politikanë që shohin drejtë Evropës së ardhme dhe jo prapa drejt Holokausteve dhe Gulageve.
Së treti, libri në tërësinë e tij flet për një të vërtetë shumë tragjike: atë se drejtësia dhe pushteti politik shpesh nuk shkojnë së bashku, përkundrazi i zenë rrugën njëra tjetrës. Iibri i Del Pontes është një akuzë për të fuqishmit e kësaj bote që, në emër interesash politike, kanë sakrifikuar drejtësinë. Del Ponte flet për një "mur gome" të ngritur nga të pushtetshëm të ndryshëm të kësaj bote kur ajo u është drejtuar për t'u kërkuar ndihmë. Tregon për George Tenet i cili disa herë i ka premtuar ndihmë, dmth. se CIA do ta ndihmojë në hetimet e saj, por, më në fund, i ka thënë troç se nuk i intereson fare shqetësimi i saj. Del Ponte po ashtu ka akuzuar edhe Prodin e Dalemën për mbrojtje indirekt të kriminelëve serbë, gjithë në emër të të njëjtave interesa politike. E përsërit një qëndrimi të tillë edhe kur flet për takimin e saj me presidentin e Ruandës Kagame. Këtë e bën edhe ndaj UNMIK-ut kur flet për Hajradinaj, Thaçin, Çekun, Limajn etj. Mos të harojmë se janë po këtë interesa që mbron Tenet që një herë e kanë armatosur një diktator si Sadam Hysejni dhe herë tjetër e kanë varur si kriminel, që Arafatin një herë e kanë cilësuar terrorist pastaj e kanë pritur me nderime. Del Ponte thotë: mua këto interesa nuk më interesojnë, si prokurore më intereson drejtësia. Këtu mund të hapet një diskutim ndoshta edhe mjaft i thellë, për raportin e politikës me drejtësinë, apo për atë se sa mund të funksionojë normalisht një gjykatë ndërkombëtare kur ajo ka kundër interesa kombëtare, por duhet edhe të lexojmë me vëmendje atë që i ka mësuar asaj përvoja: se impuniteti i politikanëve që bëjnë krime, - impunitet për të cilin ajo flet aq shumë, - do të gjenerojë krime të tjera e, po ashtu, se vetëdija se ekziston një gjykatë krimesh, një drejtësi përtej pushtetit të tyre, ka penguar shumë nga këta njerëz, që kanë arrogancën të thonë në vendin e tyre se "ligji e drejtësia janë ata vetë", të kryejnë krime të tjera.
Por le të vijmë tek kapitulli i Kosovës që, si shqiptarë, na prek më së afërmi.
"Dhuna, frika dhe varfëria u mbyllin gojën dëshmitarëve" Me këto fjalë fillon kapitulli për Kosovën Shtypi shqiptar i paraqet publikut të vet vetëm historinë e trafikimit të organeve duke e manipuluar pabesueshmërinë e një akuze të tillë si një provë të marrosjes së Del Pontes. Por akuza e Del Pontes ndaj Thaçit, Hajradinaj, Limajt etj. në thelbin e vet është shumë më e gjerë. Zyra e saj ka marrë raporte të shumta për aktivitetin e këtyre personave dhe grupimeve që komandonin ata - në vitet 1998 - 1999 dhe veçanërish pas bombardimeve të NATOS - se kanë rrëmbyer serb, romë, shqiptarë, ndër ta edhe gra, të cilët janë mbajtur në kushte çnjerëzove robërie në burgje të improvizuara, janë torturuar, përdhunuar, vrarë dhe se ka një numër jo të vogël të zhdukurish, ndër të cilët edhe shumë shqiptarë kosovarë që, sipas raporteve që i vijnë Del Pontes, janë ndër ata që UÇK i konsideronte tradhëtarë apo jo mbështetës të saj. Ajo akuzon ndërkombëtarët, e mbi të gjitha UNMIK ,se nuk e kanë lejuar dhe as ndihmuar, përkundrazi e kanë penguar, të thellojë hetimet e saj në këtë drejtim pasi njerëz si Hajradinaj kishin shumë fuqi në Kosovë dhe se, sipas llogjikës së tyre, dëmi që mund të sillte në rajon dënimi i tyre ishte i madh sepse mund t'u destabilizonin rajonin. Ndërkaq në libër ajo sjell prova të shumta se këta dhe njerëzit e tyre kanë frikësuar dhe vrarë dëshmitarë për t'i shpëtuar ndëshkimit nga drejtësia. Gjer këtu besoj se nuk çuditet askush. Janë gjëra që i dimë me kohë si këtej edhe andej kufirit. Dhe për më tepër në libër ajo sjell edhe pohimin e Thaçit i cili ia ka pohuar se ka shqiptarë që kanë bërë krime, por se ata nuk kanë qenë të UÇK, por "civilë të veshur me uniformat e UÇK". Këto krime janë justifikuar apo mbajtur në heshtje në emër të "çështjes së Kosovës" apo "çështjes kombëtare", ndonëse Del Ponte thotë se "nuk ka pasur asgjë fisnike apo heroike në këto krime." e ngulmon se mosdënimi i tyre mund të jetë burim luftrash të reja.
Tani le të vijmë tek shtëpia e verdhë në Mat për të cilën flitet në libër se janë bërë heqje organesh për trafikim dhe për barakën prapa saj ku mbaheshin viktimat. Nuk mohoet se kjo është më spektakolarja nga pikpamja mediatike. Por në libër ajo nuk ka peshën që i kanë dhënë mediat - edhe ato ndërkombëtare. E lexova dy herë se, të them të drejtën, edhe mua më duket e pabesueshme. Më rezulton se Del Ponte nuk ka bërë asgjë që del jashtë detyrës normale të një prokurori. Thotë se sipas burimesh që identifikohen si gazetarë ka ardhur ky informacion. Se dy nga burimet deklarojnë se janë marrë edhe me varrosjen e këtyre viktimave kurse njëri me transportin e një organi. Kaq është e mjaftueshme që një prokuror të fillojë hetimet. Sepse zyra e saj ka të dhëna për serbë, rom, shqiptarë etj. të zhdukur që nuk gjenden e që kërkohen nga familjarët e tyre pasi nuk u gjinden as varret. Si prokurore asaj i duhet ta hetojë edhe këtë mundësi. Dhe, kur flasim për hetime, nuk bëhet fjalë sikur këto i zhvillon Del Ponte. Del Ponte iu referohet gjithmonë atyre që i quan "hetuesit e prokurorisë" që janë marrë me grumbullime provash e faktesh. Dhe provat për këtë rast ajo i quan "të pamjaftueshme" ndonëse nuk e fsheh zemërimin që nuk ka mundur t'i shkojë deri në fund kësaj historie. Këtë ia shton, sëbashku me dyshimin, edhe vetë prokurori që shteti shqiptar u ka dhënë si shoqërues hetuesve kur u thotë këtyre: "këtu nuk ka varre serbe, por nëse kanë sjellë serb këtej kufirit dhe i kanë vrarë mirë kanë bërë." (faqe 298)
Libri i Del Pontes duhet lexuar nga të gjithë ballkanasit. Veçanërisht nga ata që mendojnë se populli i tyre është i vetmi popull i mirë dhe i drejtë i Ballkanit. Ai është një kontribut i madh për paqen dhe të drejtat e njeriut kudo në botë, pasi është një përballje kurajoze e të drejtës me krimin i cili bëhet edhe më i rrezikshëm në luftë, kur vishet me arogancën e pushtetit apo me fjalën atdhe.
Kush ulërin sot për atë se na paska prishur imazhin e ftoj të kujtojë atë kohë kur ne ishim të izoluar me tela me gjemba nga një bandë kriminale si ajo e Enver Hoxhës dhe kërkonim me aq ngulm nga perëndimorët të vinin t'i zbulonin e denonconin këtë krime sepse ishim të pafuqishëm të çliroheshim vetë. (Situatë që e kemi provuar edhe në demokraci më duket). Në fakt zbulimi e denoncimi i tyre nuk prish imazhin e popujve, por prish imazhin që pushtete të korruptuar apo vrastarë duan të mbajnë në emër interesash që janë e kundërta e interesave të qytetarëve të tyre. Kush përballë këtyre fjalëve do të më verë fjalën "atdhe" do t'i përgjigjesha me fjalët e Durrenmarttit: "Mbi të gjitha dysho tek atdheu, sepse askush nuk është më i prirur për t'u bërë vrasës se atdheu." (Korrieri, 19 prill 2008)
Monday, April 21, 2008
Del Ponte dhe shtypi shqiptar
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
-
Në Bibël ka një pasazh që është komentuar shumë: ai ku përshkruhet çfarë ndodhi në momentin para se Kaini të vrasë Abelin. Komentohet fakti...
-
Në mbyllje të 2005-sës, vit të cilin, në petkun e gazetarit, e kam ndjekur hap pas hapi me shkrime, kryesisht mbi jetën dhe zhvillimet polit...
-
Ajo që po ndodh në Shqipëri këto ditë i ka ndarë njerëzit në dy kampe të mëdha. Në njërin kamp bëjnë pjesë ata që mendojnë se kjo që po ndod...
5 comments:
Z. Lubonja,
ju, me te drejte, keni permendur se Zvicra i ka ndaluar del Pontes pjesemarrjen e saj ne provomin e librit ne Milano. Ashtu si ju, edhe une kam vene re se shtypi shqiptar, por edhe ai serb e rus, kete raport te shtetit zviceran me del Ponten e kane interpretuar sipas interesit te vet: nese ruset e komentojne regimin e shtetit zviceran ndaj librit te del Pontes si nje perpjekje te zvicres dhe perendimit per te fshehur te verteten e per te ruajtur imazhin e keq te serbeve per te justifikuar nderhyrjen e NATOS (e duke ruajtur keshtu imazhin e viktimes per kosovaret), shqiptaret e interpretojne kete si reagim i drejte i shtetit zviceran ndaj genjeshtrave te del Pontes.
Eshte shume interesante per mua, tashme me shume se nje dekade ne Zvicer, te shoh keto (keq)interpretime. Sepse, mbi te gjitha, raporti del Ponte vs Shtet Zviceran eshte nje raport qe ka nje histori dhe ngjyra shume lokale. Qe ti ve pikat mbi i qe ne fillim:
1. Askush nuk dyshon se del Ponte genjen. Ne nje shtet me nje kulture demokratike si kjo zvicerane te gjithe jane te ndergjegjshem se lufta ka nje tjeter fytyre nga ajo qe kerkohet te shitet ne filmat e hollywoodit: nuk ka vetem viktima dhe agresore; keta shpesh ja nderrojne vendin njeri-tjetrit.
2. del Ponte ju ishte referuar te dhenave te gazetareve ne terren. E mirenjohura NZZ botoi para disa ditesh nje artikull ku analizohej ky paragraf i librit te del Pontes nga ana e gazetareve te implikuar ne ate kerkim. Asgje qe ka shkruar del Ponte ne liber nuk eshte e genjeshter, thone gazetaret. Problemi eshte ne nje nivel tjeter: mungesa e fakteve, mungesa e kerkimeve, gjetja e proves vendimtare; trupat e te vdekurve (per te cilen gazetaret akuzojne direkt del Ponten sepse nuk i coi hetimet deri ne fund), beri qe keta gazetare me eksperience ne Ballkan te mos e benin kete ngjarje publike, sepse sipas fjaleve te tyre: eshte ne historine e ballkanit ndertimi i miteve dhe fryrja e tyre ne zjarre urrejtje nderetnike. Per kete grup gazetaresh qe hetuan kete histori, del Ponte me publikimin e kesaj historie me shume se i ka ndihmuar se vertetes ka hedhur zjarr ne mitin e trafikut te organeve, nje mit qe qarkullon prej kohesh ne BAllkan, edhe pse ka qene teper e veshtire te provohej ndonje gje.
3. del Ponte eshte nje figure shume interesante. Eshte femer, eshte ticineze dhe, mbi te gjitha, nje njeri qe nuk ka turp te qendroje ne podium e te terheqe vemendjen. Ne nje vend si zvicra qe udhehiqet nga principi i demokracise direkte dhe konsensit te pergjithshem roli i individit nuk duhet te dale mbi ate te konsensit. Cdo njeri qe terheq me shume vemendje se e mira e perbashket eshte nje njeri qe e ben veten te dyshimte dhe ne nje fare menyre distancohet automatikisht. del POnte eshte nje individ i tille, politikani Christof Blocher gjithashtu. Christof Blocher u hoq me nje Coup spektakolar nga qeveria. del Ponte ka pasur nje fat edhe me interesant. Duke qene se askush nuk e donte ne Zvicer e cuan ne gjykaten e Hages. Kur mbaroi sherbimin atje, nuk e donte asnje ministri dhe e gjeten zgjidhjen duke e derguar si ambasadore ne Argjentine. Tek botimi i librit te saj, politikanet zvicerane (dhe po kaq shume nje pjesee madhe e popullsise, e mbi te gjitha gazetaret, gjeten justifikimin e te gjitha paragjykimeve per kete individ me nje nevoje protagonizmi me te madh sesa mund te trese mentaliteti zviceran. Per diplomacine Zvicerane eshte e papranueshme qe nje zyrtar i saj te akuzoje pa prova, prandaj asaj ju kerkua te mos marre pjese ne promovimin e librit si nje event i papajtueshem me rolin e saj te diplomates. Nderkohe, qe rasti i del Pontes nxerr para institucionit Zviceran te ministrise se jashtme nevojen, ne rastin e individeve si del Ponte, te nenshkrimit te kontrates per mos botimin e asgjeje personale per sa kohe qe keta individe jane pjese e trupit diplomatik.
Por, sic e thashe, reagimi i ashper zviceran shpreh antipatine kolektive per individin del Ponte, per protagonizmin e saj, por nuk ve fare ne diskutim vertetesine e atyre qe ajo ka thene.
Kjo sa per te sqaruar pak interpretimet ne nivel deshire te shtypit shqiptar dhe serb te raportit del Ponte - Shtet zviceran.
Se fundi, ne nje komentar dhene Swiss Info nje politikane zvicerane tha ate qe praktikisht keni thene edhe ju: eshte ne interes te se vertetes, eshte ne interes te historise qe ngjarje si keto te hetohen deri ne fund. Dhe, per hir te se vertetes duhet thene, qe kjo politikane shpreh mendimin e gjithe spektrit politik zviceran.
Z.Lubonja,
Është e tepërt ma do mendja të theksoj se, personalisht besoj që nëse ka në Shqipëri ndonjë zë ose penë publike që "dezerton" nga mediokriteti dhe nacionalizmi i sëmurë, padyshim duhet kërkuar fillimisht tek Ju. Lutem, këtë të mos e merrni për elozhe. Nga ana tjetër, disinfrormimi i mediave shqiptare, kultivohet së fundi me mjaft bereqet, edhe për faktin se, auditori i tyre është i gatshëm të kapërdij gjithçka, mjafton kjo ta bëj të ndihet superior apo të "fryhet" përpara gjitonëve.Qofshin këta veriorë apo jugorë.
Del Ponte, gënjen ose jo, është diçka që ne nuk e njohim mirë.Por le të pyesim pak veten(mediat): kjo zonja Del Ponte, është simpatizuese dhe e besueshme vetëm kur me ngulm kërkonte dhe arriti dorëzimin e Millosheviçit në Hagë?
Nëse me të vërtetë ka një mit në shtjellimet publicistike të Del Pontes,më së paku ato nuk duhen parë në prizmin e "keqdashjes ndaj shqiptarëve". Do na bjerë tavani mbi kokë, nga një pretendim i tillë. Sidomos prej Dep Pontes,Hagës,Evropës,Zvicrës. Thamë të marrim si të qenë gjithçka amerikane po, nuk besoj se Del Ponte ka luftuar shqiptarizmin.Mëshirë!
Dhe natyrisht, le të hetohen më parë këto pretendime të prokurores.Konkluzionet le të dalin kur të jetë shtruar "pluhuri përtokë".
gjithe thelbi i cestjes, mendoj une( mbi reagimin e opinionit publik dhe te mediave shqiptare), eshte se kemi frike te shohim nder sy vetveten.
kemi krijuar nje imazh -te rreme, tere llustra dhe shkelqim fals- te vetes ne koken tone, dhe e kemi teresisht te pamundur te veshtrojme boten, apo edhe brendine tone pa pranine e kesaj maske shtirese.
s'kemi kuptuar ende se e mira dhe e keqja lulezojne brenda cdo krijesa, cdo organizmi, dhe se edhe ne prekemi nga ky fenomen.
vetem kur te perpiqemi te luftojme tumoret nacional - shovinist( dhe gjithcka tjeter qe na tkurr, na semur, dhe na zvogelon si njerez) qe gjallojne brenda nesh, nga qenia jone, vetem atehere do te kemi mundesi dhe shanse per te ecur perpara si shoqeri civile, apo si popuj.
There is not enough proof and witnesses, because all of them (also Albanians) were already killed, exept two. One of them is untraceable and the other doesn't want to testify because, like he said, he would put himself and his family in danger. In a war there is always criminals on both sides, western media made it look like there were only on one side, there should be also some more of the other side in the tribunal... for the credibility of this tribunal and for justice.
Nese z.Del Ponte kishte fakte për një gjë të tillë, pse s’i nxori në kohën dhe vendin e duhur?
Post a Comment