Tuesday, April 15, 2008

Përgjigje një lexuesi mbi "ushtar Berishën"

Ndaj shkrimit tim "Gjeneral Berisha i rrethuar…" ka pasur disa komente që meritojnë përgjigje në emër të zhvillimit dhe qartësimit të ideve që kam shprehur mbi situatën që po kalojmë. Ato më kryesoret janë të përmbledhura në një koment që i bën shkrimit një lexues/e me emrin apo pseudonimin Eni në blogun (www.perpjekja.blogspot.com) që po e jap të plotë:

" Duke lexuar këtë artikull, më erdhi në mend një debat televiziv i para shumë muajve ku Mustafa Nano dhe Fatos Lubonja "u grindën" ca si ashpër nëse është Berisha apo "shteti i kapur" burimi i të këqijave për Shqipërinë. Zoti Lubonja atëherë mendonte që s'duhet t'i jepnim kaq shumë peshë ndikimit të një individi të vetëm, ndaj çuditem ca sot (megjithëse pozitivisht) që ai ka filluar ta pranojë që roli (ose rolet) që Berisha ka luajtuar gjatë 1992-2008 nuk mund të lihet jashtë ekuacionit. 

Në shkencë, një metodë shumë e përhapur për të zgjidhur probleme është ajo që quhet "trial-and-error" (provo dhe gabo). Nëse ke një problem, provo nje zgjidhje, nëse gabon, provo një zgjidhje tjetër, e kështu me rradhë, derisa të gjesh zgjidhjen e duhur. Për mendimin tim, karriera politike e Berishës në këto vite mund të përkufizohet si një seri e pafundme "trial-and-error" eksperimentesh në kurriz të demokracisë dhe popullit shqiptar. Berisha çdo disfatë e ka shikuar vetëm si një zgjidhje që nuk ka funksionuar, dhe ka vazhduar në aplikimin e një varianti të ri. Ose, duke përdorur metaforën e këtij shkrimi, sa herë që Gjeneral Berisha ka humbur një betejë, ai më pas është veshur si ushtar me një uniformë të re e flamur të ri, të cilin e ka tundur derisa është ribërë gjeneral. Ju keni të drejtë (megjithëse ca me vonesë, po më mirë vonë se kurrë), nuk ka pasur ndonjëherë një Ushtar Berisha të çiltër. Ka pasur vetëm një kamaleon që gjatë gjithë jetës së tij, ka ndërruar lëkura pa fund, gjithnjë duke projektuar në sipërfaqe atë çka të tjerët donin të shihnin. 

Si të shpëtojmë Ushtar Berishën që militanti i shkrimit ëndërron? Shumë thjesht. Të fillojmë me përmbysjen e çdo kulti individi si shpëtues i kombit. Të ndërtojmë një shoqëri ku çdokush është thjesht një "Ushtar i Panjohur" që lufton aq gjatë derisa humbet një betejë, dhe më pas ua lë vendin ushtarëve të tjerë. Dhe Gjenerali i vetëm të cilit i binden të gjithë, gjithmonë, është vetëm një, LIGJI." Eni

Znj/Z Eni,
Për saktësi, në debatin e përmendur me Mustafa Nanon çështja nuk është shtruar se cili është "burimi i të këqijave", por se cili është rreziku më i madh apo e keqja më i madhe për momentin: autoritarizmi i Berishës, siç pretendohej nga Nano, apo shteti i kapur. Edhe në shkrimet pas Gërdecit edhe në atë të fundit të komentur prej jush, unë ngulmoj përsëri në idenë se e keqja më e madhe është shteti i kapur - e jo Berisha apo cilido individ qoftë. Sipas meje vendi ynë, si në kohën e atij debati edhe tani, ka nevojë pikë së pari për heqjen e pushtetit nga duart e delijorgjëve (oligarkëve) dhe vendosjen e autoritetit të shtetit, kurse ata që e reduktojnë çështjen tek Berisha, pa e përmendur sistemin e shtetit të kapur, në thelb i bëjnë një shërbim këtij sistemi. Me fjalë të tjera faktin që Delijorgji e ndërtoi fabrikën në Gërdec në kohën e Berishës e konsideroj vetëm si një nga shfaqjet - sigurisht ndër më tragjiket - të një fenomeni të kondicionuar prej kohësh nga sistemi i shtetit të kapur. Nuk kam asnjë të dhënë që të më bëjë të mendoj se Delijorgji nuk do të mund ta merrte lejen nga eksponentët socialistë Nano, Majko, Meta, Rama etj., përkundrazi kemi prova se ai e ka filluar grabitjen e pronës publike me ta dhe se delijorgjët (në shumës) kanë lulëzuar në kohën e socialistëve të 1997 - 2005. Mbetet ideja, e pretenduar nga ndonjë, se socialistët, megjithatë, dinin t'i bënin gjërat duke i "kopsitur" më mirë. Edhe unë e kam shprehur idenë se Berisha do të bënte mirë të mos tentonte ta ngiste makinën e korrupsionit sepse nuk do të ishte i aftë ta ngiste ashtu si socialistët, sëbashku me frikën se demokratët, duke qenë më të babëzitur nga agjërimi i gjatë, do të lëshoheshin më paturpësisht dhe më papërgjegjshmërisht. Megjithatë sot nuk di të them nëse Gërdeci është tregues i kësaj paaftësie kombinur me babëzi më të madhe të demokratëve apo rezultat i daljes gjithnjë e më jashtë kontrollit të makinës. Gjithsesi, duke iu kthyer të kaluarës, mund të them se në vitet e fundit të qeverisjes socialiste arrita në përfundimin se kjo makinë po bëhej gjithnjë e më e rrezikshme dhe çështja numër një ishte shkatërrimi i saj, dhe jo gjetja e marifeteve për ngarjen e saj të mëtejshme.
Në vitin 2005 Berisha më fort dhe Meta ca më pak ishin ata që premtuan ta shkatërronin atë makinë duke përmendur edhe emra e duke denoncuar edhe afera. Unë, në rolin e gazetarit dhe qytetarit e mbështeta fitoren e tyre ndaj PS. Në komentin tuaj ju i denonconi premtimet e Berishës si kamaleontizëm duke më akuzuar se nuk e paskam kuptuar këtë apo se e paskam kuptuar vonë. E vërteta është shumë më komplekse. Personalisht mund të them se e kam mbështetur disa herë "kamaleontin" e veshur me "uniformën" dhe me flamurin e antikorrupsionit që na është paraqitur me fytyra dhe emra të ndryshme. E kam mbështetur tek fytyra e Nanos kur nisi luftën kundër Metës dhe të tijve në emër të katarsisit atëhere kur denoncoi këta për korrupsion dhe si të lidhur me trafikantë gjithfarësoj. E kam mbështetur nën fytyrën e Ramës kur ky denoncoi masakrën urbane të kryebashkiakëve demokratë dhe premtoi planin urbanistik e kthimin në identitet. E kam mbështetur kur u shfaq me fytyrën e Metës që krijoi LSI në emër të ndarjes nga një parti super të korruptiuarish. E kam mbështetur me fytyrën e Berishës kur ky denonconte baronët e krimit dhe premtonte të kthente autoritetin e shtetit.
Dë të isha hipokrit nëse do të thoja se, kur i kam mbështetur, nuk e kam ditur se kjo kategori nuk e ka për gjë t'i ndezë një qiri Djallit sapo që Zoti u del kundër interesave të tyre. Sigurisht nuk kam qenë aq naiv. Mbështetja ka qenë gjithnjë e më me skepticizëm e duke bërë gjithnjë e më të qartë se ishin parimet që mbështesja jo personin, gjithë duke qenë i bindur se pala që ata akuzonin nuk meritonte më mbështetje. Kjo ka qenë e vetmja mundësi zgjedhjeje politike që na është dhënë - nëse me politikë do të konsiderojmë artin e së mundurës. Ka dy forma për të gjykuar fjalët dhe punët e mira. Njëra, sipas së cilës e mirë është vetëm një gjë që niset nga qëllime të mira; tjetra, se mund të bësh mirë edhe duke u nisur nga qëllime të këqija - sipas asaj thënies "rruga për në Parajsë kalon nëpërmjet Ferrit." Personalisht bëj pjesë ndër ata që besojnë fort në të parën, por në pamundësi të gjetjes së qëllimmirëve, veçanërisht kur gjykoj politikanët, i referohem ndonjëherë edhe të dytës. Në këtë kontekst kam besuar edhe në një mekanizëm të ngjashëm me atë atë "provo dhe gabo" që përmendni ju, të bazuar në faktin se në më të shpeshtën politikanët janë hipokritë, e bëjnë gjithshka në emër të pushteti të tyre por, për të kapur e ruajtur këtë pushtet, ata, gjithsesi, përqafojnë një frymë të kohës. E duke qenë se fryma e kohës, ajo që u jep votën, të paktën që nga koha kur ra autoritarizmi i Berishës më 1997 dhe u ngrit rreziku i sistemit të korrupsionit, ka qenë lufta kundër këtij të fundit, kam menduar se ata që e morën votën nga kjo frymë gjithsesi diçka do të bënin e ndoshta kështu do të hidhnim një hap të vockël përpara. Dhe pikërisht për mbajtjen gjallë të presionit të kësaj fryme të kohës kam ngulmuar që nuk duhej folur aq për të keqen e individëve sesa për të keqen e fenomenit që ata përfaqësojnë. Mendoj se nëse është bërë pak ose aspak kundër kësaj të keqeje një nga arësyet ka qenë pikërisht reduktimi i politikës në luftë kundër personave dhe jo në luftë kundër fenomeneve që pjellin të keqen. Kësisoj për hir të së vërtetës, mund të them se kam shumë dyshime nëse kemi hedhur ndonjë hap të vockël përpara apo jo me këtë metodë, se "e mira" e rrugës së dytë për mua ka dalë gjithnjë e keqe. Koha apo "prova", siç e quani ju, tregoi se Nano erdhi në pushtet dhe bëri një korrupsion galopant. Rama erdhi në pushtet dhe e thelloi masakrën urbane të Tiranës, Berisha me Gërdecin sikur provoi përfundimisht se ky sistem po forcohet dhe nuk po dëbësohet me këtë klasë politike. Kjo sepse, në rastin më të mirë, edhe sikur ta kenë siqerisht, ata bijen në rrethin vicioz se për të luftuar korrupsionin u duhet të marrin pushtetin dhe për të marrë pushtetin u duhet të korruptohen dhe, në rastin më të keq, - siç duket se është më shumë ky i yni - sepse ata nuk kanë asnjë ideal, asnjë vizion, asnjë qëllim të sinqertë, por i hyjnë politikës pikërisht me idenë që të na mashtrojnë për përfitime banale. Duhet ta pohoj se në rastin e Berishës kam menduar se ky bënte pjesë ndër ata që gjakimin për pushtet e lavdi e kishte më të fortë sesa atë për para (çka nuk mund ta them për Nanon psh.) e se, në kontekstin në fjalë, këto gjakime mund të viheshin në "provë" në luftën antikorrupsion. Por "prova" tregoi se ai zgjodhi rrugën më të shkurtër për kënaqjen e gjakimeve të tij: kalërimin e sistemit të korrupsionit, pa mohuar faktin se ai apo familjarët e tij, nuk përjshtohen nga tundimi i parave aq më tepër në një shoqëri ku statusi që të jep paraja ka mbetur e vetmja vlerë. Por kjo provë provoi gjithashtu tezën time se rreziku më i madhe mbetet sistemi dhe jo Berisha apo cilido qoftë. Ngulmoj në idenë se, në fakt, këta individë, ndonëse duken kaq të fuqishëm, nuk janë tjetër veçse kukulla në duart e sistemit, sepse, pa këtë sistem, ata nuk mund të qëndrojnë dot asnjë minutë në pushtet.
E këtu vijmë tek pyetja e fundit që shtroni duke i dhënë edhe përgjigjen: Si të shpëtojmë "ushtar Berishën" dmth. shpresën tonë për një ndryshim të këtij sistemi: "Të fillojmë me përmbysjen e çdo kulti individi si shpëtues i kombit. Të ndërtojmë një shoqëri ku çdokush është thjesht një "Ushtar i Panjohur" që lufton aq gjatë derisa humbet një betejë, dhe më pas ua lë vendin ushtarëve të tjerë. Dhe Gjenerali i vetëm të cilit i binden të gjithë, gjithmonë, është vetëm një, LIGJI." Përgjigjes suaj nuk i heq asnjë presje. Kur e mbylla shkrimin me pikëpyetjen se kush do ta shpëtojë "ushtar Berishën" jo se nuk e mendova një përgjigje. Madje edhe e shkrova me frazën: "Të zgjojmë e mobilizojmë ushtarin qytetar brenda nesh." Por pastaj e hoqa. Pse? Sepse mu duk shumë patetike. Së pari sepse kjo përgjigje është implicite në shkrim, nuk ka nevojë ta thuash. Së dyti, sepse e kam thënë aq e aq herë sa më duket banale, për më tepër duke parë se e thonë edhe horrat përditë. Së treti, sepse realisht nuk e gjej situatën e kthimit të "gërdecarit" në "qytetar" brenda nesh. Kjo sepse, sikurse thotë Hannah Arendt, "Çdo strukturë politike karakterizohet nga fakti se gjeneron pushtet (fuqi); kurse uria, varfëria dhe analfabetrizmi gjenerojnë pafuqi." E shqiptarët, të zhytur në një varfëri dhe injorancë të frikëshme, i shoh krejt të pafuqishëm përballë strukturave politike - mediatike - financiare që ka ngritur sistemi i korrupsionit. Mjaft të shihje se ku dhe si punonin gërdecarët. Së fundi, e hoqa sepse, siç duket se bini dakort edhe ju, mendoj se nuk mund të mohoet roli i individëve në histori. E këtu nuk mund të mos i referohem edhe një herë një ideje të Havelit kur komenton pyetjen nëse është e vërtetë se çdo popull ka qeverinë që meriton apo jo. Sipas Havelit kjo është vetëm gjysma e së vërtetës. Politikanët - thotë ai - janë vërtet pasqyrë e popullit që i ka zgjedhur, por edhe populli është pasqyrë e politikanëve të vet. Nëse politikanët janë të virtytshëm ata zgjedhin të promovojnë virtytet e popullit të tyre, me fjalë të tjera njerëzit me vlera e ndershmëri. Të pavirtytshmit priren të zgjedhin të ngjashmit e tyre. Prandaj mund të thuhet edhe se populli është pasqyrë e virtyteve apo veseve të politikanëve të vet. Fakti që deri tani poltikanët tanë kanë zgjedhur delijorgjët nuk duhet të na heqë shpresën që ne, sigurisht duke zgjuar e fuqizuar qytetarin brenda nesh, do të nxjerrim një ditë politikanë që do të promovojnë virtytin dhe jo vesin në shoqërinë tonë. (Korrieri, 14 prill 2007)

4 comments:

xixa said...

Pas leximit të shkrimeve të tilla, largohem me një ndenjë difuze faji.
Cfarëdo të themi mbi "gjeneralin" Berisha ose edhe mbi "ushtarin" Berisha - sikundër dhe "gjeneralin" Nano (pêr tê qêndruar vetêm mbi kêto dy figura), nuk duhet tê harrojmë se dikur, çdonjeri ishte një "civil" i thjeshtë. Kam parasysh periudhën kur ata ishin pedagogë, bile të nderuar, të një Universiteti si ai i Tiranës.
Ja pra edhe pyetja e brendshme qê bezdis:
- êshtê vetë Pushteti i gjithëfuqishëm qê "infekton" njeriun-intelektual të përzgjedhur nga trilli i Epokës me virusin e korrupsionit, duke pêrshpejtuar shpêrthimin e tipareve tê brendshme personale si autoritarizmi, megalomania?
- apo, êshtê vetê Njeriu, i banuar fillimisht me "dhunti" të tilla, që forcon Fatin dhe qê krijon Pushtetin, duke favorizuar me këtë rast korrupsionin?
Pasi, dikur, edhe vetë Xixa qê komenton ka qenë pedagog i po atij Universiteti....

Anonymous said...

Dikur ne nje koment te nje psikologu gjerman per formimin e karakterit te njeriut si qenje shoqerore qe komunikon dhe shkemben, thoshte ne mes te tjerave qe; "kur edukatorja ne kopesht shperndan lodrat dhe i hedh ne mes te rrethit te femijve te gjithe sulen, dhe cdonjeri do te marri me shume se nje. Atehere mesuesja u thote me qetesi qe u takon vetem nga nje sepse pastaj, dikush nga shoket do te ngelet pa loder. Dhe me pas u kujton edhe ndeshkimin". Dhe te nesermen vazhdon po keshtu sepse duhet bere edukate. Njeriu eshte grykes dhe mesimi mbi norma dhe edukacjon te ligjit te shkruar, dhe moralit te pashkruar dhe te trasheguar, formon mardhenje te drejta ne mes te individeve ne nje shoqeri te civilizuar.
Me duhet te kujtoj edhe nje rast te vogel nga gjyqesori yne; Nje gjykates, miku tim, me thoshte qe dikush mbas nje gjyqi korrekt erdhi dhe i kishte dhene 3000 euro. Ai u habit dhe i tha perse. -Per nderin, qe e denuat fajtorin me denimin minimal ne hapesiren ligjore,- u pergjigj tjetri. Gjyqtari nuk i pranoi dhe i tha qe aq i takonin si denim. E pyes gjyqtarin se ne kete korrupsion te madh "ti po ben engjellin e pa korruptushem". Me kujtoi qe vinte nga nje familje 200 vjecare me emer te degjuar ne jurisprudence. Kishte nje emer te cilin nuk mund ta degjeneronte.
Atehere po ti shikosh "kingat" tane ne prejardhje. Si mund te kete nje elite politike ose dhe juridike e moralshme kur vjen nga nje apo dy breza pa prejardhje nga eliata te formuara nder vite. Katapultimet e shpejta ne rangje te larta te drejtimit,politikes, edhe pasurimi ne menyre te menjehereshme japin ose trasmetojne trauma tek shoqeria pasi vete individi eshte plot ngarkese ekcentrike.
Te marrim me radhe emrat: Nano - u deformua ne nje mbledhes parashe ndaj "shokeve", dhe degradoi ne pijanec. Moral??? Berisha nje maniak pushteti pa skrupull, demagog, i cili shfrytezon injorancen ne popull. Te jep pershtypjen e nje autokrati por ne thel permban anarshine. Moral??? Edi Rama, gjysem psikopat, i mbytur ne korrupsion dhe mund te beje cdo gje, vetem te shpetoje nga ankthi i te ruajturit te parase dhe protagonizmit. Moral???
Po e le me kaq qe te vendosim me pas emrat ne grupet e pasuesve ose pjellat e tyre. Ashtu si i blejne edhe i shesin, sepse ashtu sic blihen edhe shiten. Vijne nga hici dhe nuk kane skrupull te perfundojne ne hic.

Eni said...

Zoti Lubonja,

së pari ju falenderoj që keni shkruar këtë artikull për t'iu përgjigjur komentit tim. Eshtë një përgjigje shumë më e hollësishme dhe e sinqertë sesa mund të kisha parashikuar (në fakt, nuk parashikoja asnjë përgjigje). Më vjen keq që ju e keni ndjerë veten të akuzuar prej meje, kur shkruani: "Në komentin tuaj ju i denonconi premtimet e Berishës si kamaleontizëm duke më akuzuar se nuk e paskam kuptuar këtë apo se e paskam kuptuar vonë.", në përgjigje të fjalisë sime: "Ju keni të drejtë (megjithëse ca me vonesë, po më mirë vonë se kurrë), nuk ka pasur ndonjëherë një Ushtar Berisha të çiltër." Unë po shprehja kënaqësinë time që ju më në fund pranuat haptas zhgënjimin tuaj ndaj Berishës, ndërkohë që konstatoja dhe keqardhjen, që pse kjo nuk kish ndodhur që më parë.

Sigurisht që ju besoj kur thoni që nuk doni të jeni hipokrit. Ajo çka më ka shqetësuar mua në daljet tuaja televizive (të paktën në ato që kam parë, sepse unë nuk jetoj në Shqipëri prej 10 vitesh (atëherë s'kishte TV privatë), dhe juve ju kam parë për herë të parë në TV në vjeshtë 2006 - pranverë 2007) është që ju nuk keni lënë vend për dyshime, ose më mirë, nuk e keni nxjerrë në pah ambivalencën tuaj. Për shembull, prindërit e mi kur ju dëgjonin ju në emisionin "Opinion" nuk kishin pikë dyshimi që ju ishit një berishist i flaktë dhe anti-Ramë i betuar, një nga ata opinionistë/gazetarë që kishin influencuar opinionin publik në 2005 që Berisha është i sinqertë në luftën e antikorrupsionit dhe e meriton votën e shqiptarëve. Unë nuk e kam ndjekur fushatën e 2005 dhe s'mund të gjykoj, por ndjesia ime nga debatet e 2006/7 është që ju i keni mëshuar fort vetëm temës të antikorrupsionit (që pa diskutim është tepër e rëndësishme), duke anashkaluar/minimizuar tema të tjera si autoritarizmi i Berishës, retorika përçarëse dhe vulgare e Berishës, mungesa e demokracisë brenda Partisë Demokratike, mbushja e administratës me militantë, humbja e kohës me çështje vitrinash (NATO, presidenti, kryeprokurori, KLD, KQZ, KKRT, asociimi, kushtetuta, reformat, etj. etj.) duke lënë mënjanë varfërinë, inflacionin, infrastrukturën e gjymtuar, shëndetësinë, arsimin publik e privat, pensionet, krimin ndaj grave dhe fëmijëve, gjakmarrjen e larjen e hesapeve, etj. etj.

Ndaj jam e gëzuar që në këtë artikull, ju keni shprehur qartë që kush kanë qënë motivet e brendshme (që për shikuesit ose lexuesit nuk janë gjithnjë të dukshme) që ju kanë shtyrë juve të mbani pozicionet që keni mbajtur. Dhe në fakt, kanë qënë shkrimet tuaja që kam lexuar në këtë blog në javët e fundit që më kanë bërë të tres dozën e paragjykimit që kisha ndaj jush dhe të filloj të bindem që ajo që ju ka motivuar ju është pikërisht dilema: "mes dy të këqijave, zgjidh atë më pak të keqen" (ju e quani më bukur, politika si arti i së mundurës).

Sidoqoftë, ndoshta duhet të reflektojmë në mënyrën se si e percepton publiku shqiptar debatin politik. Ju, si shumë shqiptarë të tjerë, keni besuar në "ndershmërinë" e Berishës (e kam dëgjuar shpesh, "Berisha nuk blihet si Nano"), ndaj lufta antikorrupsion në publik u kuptua si "Berisha-i-ndershmi ndaj Nano-i-shituri". Si rezultat, një debat i rëndësishëm për ndryshim, që ishte shumë më i thellë dhe i koklavitur, sepse kërkonte ndërhyrje në sistem, u kthye sërish në një betejë dy individësh, që ju personalisht e shikonit thjesht si simbolikë të betejës, por që pjesa më e madhe e publikut e shikonte si të vetmen betejë. Dhe publiku shqiptar nuk ka shumë faj. Nga do ta fitonte ai kulturën e nevojshme për të gjykuar në situata të tilla? Fenomene të tilla janë të reja për shqiptarët. Ndaj besoj që ju zoti Lubonja, si dhe analistë/gazetarë të tjerë, ndoshta kanë një obligim moral (megjithëse termi "obligim" është ca i tepruar) që t'i shprehni publikut qoftë ambivalencën, qoftë procesin e arsyetimit që ju çon ju në një pozicion apo tjetër, në mënyrë që publiku të fillojë të kuptojë që gjërat nuk janë kurrë bardhezi (dmth, Berisha apo Nano). Që nuk mjafton të hedhësh një votë dhe të presësh 4 vjet që gjërat të ndryshojnë si me magji. Që qytetarët mund të ushtrojnë presion (përmes deputetëve të zonës, pushtetit lokal, prokurorisë dhe gjykatave, medias, si dhe organizimive qytetare dhe protestave) kur shohin që gjërat nuk ecin si duhet.

Ju thoni që menduat që do të ishte patetike po të kishit shkruar: "të zgjojmë ushtarin qytetar brenda nesh", dhe se një gjë e tillë ishte implicite në artikull. Unë jam 'computer scientist', dhe në programim ne kemi një shprehje: "Explicit is better than implicit". Ndoshta një pjesë e publikut mund të ju akuzojë që po përpiqeni t'i patronizoni (nëse shkruani në mënyrë eksplicite), po ju nuk po shkruani vetëm për të ashtë(vetë)quajturat elita që janë të trajnuara në nuancime dhe aluzione. Një pjesë tjetër (ndoshta shumica?) nuk shkojnë përtej asaj që është e zezë mbi të bardhë (jo gjithnjë për fajin e tyre, por besoj që mund të keni pasur rastin të lexoni disa nga komentet që ju adresohen në forumin e gazetës Korrieri). Këta njerëz meritojnë ndershmëri, pikërisht sepse janë (ose ndjehen) të pafuqishëm. Nëse publiku kupton që ju jeni në anën e tyre, dhe jo në anën e politikës dhe politikanëve, besoj që do të fillojë të reflektojë më shumë në ato që ju shkruani. Të paktën, kjo ishte ajo çka më ndodhi mua personalisht. Duke ju bashkuar shpresës suaj që nuk duhet ta humbin shpresën për Shqipërinë, më lini të shpresoj gjithashtu që ju do t'i dedikoni më shumë të kohës dhe mendjes suaj, zgjimit dhe trajnimit të "ushtarit qytetar". Ju falenderoj dhe njëherë për shkrimin, dhe ju uroj shëndet e punë të mbarë.

P.S. Emri im është vërtet Eni, jam një lexuese e blogut tuaj, dhe kur të vizitoj ndonjëherë familjen në Tiranë do të kaloj të ju përshëndes personalisht.

Anonymous said...

fatos vellai! duket se ke bere dy gabime.

1. ke lene veten rehem te metafora, ose thene me sakte: te ka marre osh e bran metafora. gerdeci te ka cuar te ushtari, ky te ushtari i mire rajan, pastaj ushtar berisha e mandej gjenerali. ne vend qe nga rajani te merrje sarkazmen e hidhur, ke marre vetem kapoten e metafores per t'ia veshur saliut. po thelle thelle kjo mund te kete ndodhur nga qe ke dashur t'i perdoresh metaforat e misiperme per t'u sublimuar, dmth per te mos thene troc: lexues i dashur me fal, bera ate qe eshte atribut i mendjes njerezore: gabova ne parashikimin e te ardhmes me berishen kryeminister.

2 gabimi i dyte, qe me sa te kam ndjekur, nuk e ke vetm ne kete shkrim, eshte se ben ish kur nuk ke pula. si lexues i kuptoj ca analiste te cilet me qe kane hall te marrin tapine e nje trualli a lejen e nje pallati, bejne hem analistin hem politikanin. ty te kritikojne e te thone se je moralist. ne kete kritike une lexoj edhe faktin qe je nder analistet me te moralshem, nga qe nuk ngaterron interesat e tua me ato te publikut. po ne iluzionin qe pate per sanitetin qe do te sillnin ne shqiperi berisha e meta ne nje koalicion donkishotesk, duket se kalove nga pozicioni i analistit, qe eshte pozicioni i nje misonari, qe lufton per te verteten e tij pavaresisht se sendertohet sot a pas nje a dy dekadash; e pra nga pozicioni i analistit kalove ne pozicionin e politikanit qe kerkon sendertim ne 2-3 vite. S'e ka keq i gjori politikan, makina punon me nafte, politikani punon me vota. Po ti c'te hyn ne pune si mund te krijohen koalicionet antikorrupsion. kam frike se ne kete rast ta ka qorollespsur logjiken, qe zakonisht e ke qiqer, urrejtja per ramen. ka te ngjare qe kjo urrejtje eshte forcuar shume brenda koshientit e nenkoshientit tend ndaj hera heres del si shemer e te vertetes. mbase ben mire te mbash nen catine tende vetem te verteten, urrejtjen per njerin a tjetrin perpiqu qe. se paku ta besh zap. ne te kundert demton veten si figure publike qe i falet vetem faktit dhe te vertetes.