Friday, April 17, 2009

Bëjnë sikur

Është sa e çuditshme aq edhe e natyrshme prirja e njeriut për të besuar e shpresuar tek e mira. Edhe kur ka të bëjë me persona dukshëm të këqij ai kërkon të gjejë anën e tyre të mirë; edhe kur gjykon situata të helmuara katërcipërisht nga e keqja ai ndan më një anë disa të mirë, me shpresën se këta do ta ndryshojnë situatën. Askush nuk i shpëton kësaj prirjeje fëminore. Edhe ata që janë lodhur nga zhgënjimet e, prandaj, e mbajnë veten për disi më të pjekur, shpesh vetëm në një moment të dytë i kthehen dyshimit.
Më duket se kjo ligjësi e psikikës njerëzore u shpalos edhe në këtë ngjarjen/skandalin e fundit: nxjerrjen pa lagur nga Gjykata e Lartë të ish ministrit të transporteve Basha për punë procedurash. Shpejt e shpejt dëshira njerëzore për drejtësi dhe për të mirën e gjeti të keqen tek Gjykata e Lartë dhe gjeti po ashtu heroin tek Prokuroria, e cila nuk po jepet në luftën me të keqen.
Do të kisha dëshirë ta besoja pak më gjatë nga ç’e besova këtë përrallë të bukur, por zhgënjimet e panumërta dhe përvoja e deritanishme më thonë se nuk është kështu. Ajo puna e procedurës është një gjetje e Prokurorisë për ta hedhur topin jashtë vetes, ashtu sikurse edhe Gjykata gjeti mënyrën për ta hedhur topin përsëri tek Prokuroria. Që të dyja, në këtë rast, treguan së paku impotencën e drejtësisë shqiptare përballë politikës në mos korruptimin e saj. Nuk do të çuditesha sikur, nëse Lulzim Basha do të ngulmonte të kërkonte me ngulm një gjyq, që të sqaronte përpara shqiptarëve pafajësinë e tij e të qeverisë së tij, këta mjeshtrat e drejtësisë do të gjenin ndonjë marifet tjetër për të mos e zhvilluar atë.
Në fakt ne prisnim nga Lulzim Basha të na hiqte dyshimet jo nëpërmjet fjalimeve apo konferencave të shtypit me akuzat politike se e gjithë kjo punë është një komplot i antishqiptarëve që nuk duan rrugën historike, por përballë ekspertësh seriozë ligjorë për të na vërtetuar se ai, apo qeveria e tij, nuk po ecën në traditën e politikanëve që u kanë shkatërruar shqiptarëve jetën me bëmat e tyre gjithë duke i mbuluar ato me fjalë patriotike. Në rastin konkret të na hiqte dyshimin se nuk na janë vjedhur apo abuzuar ato para me të cilat mund të ndërtoheshin më shumë shkolla, kopshte, spitale, rrugë, etj.; të bëheshin pra shumë e shumë punë të mira për shqiptarët që do të flisnin vetë për atdhedashurinë e këtyre politikanëve.
Mirëpo pushteti politik (indirekt edhe ai gjyqsor) edhe kësaj rradhe i dha një mësim të mirë atyre që shpresonin se pushteti gjyqsor mund të guxojë të ngrihet pa leje kundër politikës duke na treguar se rruga e nxjerrjes së politikanëve tanë para një drejtësie të pavarur është ende një rrugë e pashkelur.
Duke u distancuar nga emocionet që të ngjall kjo ndjenjë padrejtësie përpara ligjit, që e përforcoi edhe një dokument i nxjerrë në mediat sipas të cilit, po për të njëjtat “shkelje” proceduriale, të njëjtët gjykatës i kanë hapur udhë procesit për një qytetar tjetër, them se çështja duhet shtruar disi më gjerë. Nëse në këtë histori padrejtësie do të kërkojmë përgjegjës pa dyshim se nuk mundet kurrsese të vemë në krye të prëgjegjësisë Prokurorinë dhe as Gjykatën. Ato mund të kenë sa të duash mëkate, por problemi këtu është tjetër. Nëse në rastin e marrjes së rryshfeteve të çdo lloji për të dhënë vendime të padrejta kemi të bëjmë me korruptimin e një apo shumë gjyqtarëve këtu kemi të bëjmë me diçka tjetër, ndonëse jo pa lidhje me të parën. Kemi të bëjmë me sistemin e pandëshkueshmërisë për politikën që ne kemi ngritur.
Prandaj them se ngjarja Basha ngre një problem të madh ende të pazgjidhur në Shqipëri. Kur dhe si do të vijë ai moment? Kur, më në fund, pushtetarët politikë do të mund të akuzohen dhe gjykohen nga një drejtësi e pavarur? A mund të quhet kjo që bëri Prokuroria një tentativë e dështuar, por gjithsesi një tentativë, për të hedhur një hap në këtë drejtim, apo nuk kemi hedhur asnjë hap? Apo mos jemi duke bërë më prapa?
Përgjigja e këtyre pyetjeve, sipas gjykimit tim, përmban kundërthënie. Ka disa tregues që na thonë se në përgjithësi Shqipëria ka bërë disa hapa përpara përsa i përket kësaj çështjeje, ka të tjerë që flasin për hapa prapa. Dikush mund të na kujtojë se në kohën e fillimviteve ‘90 ministrat kishin më shumë frikë të bënin korrupsion duke na kujtuar dënimin e Nanos apo disa gjysëmdënime që morën disa ish ministra të Berishës. Do t’u përgjigjesha se nuk është kështu sepse ato procese nuk tregojnë atë që po dua të diskutoj: pavarësinë e sistemit tonë të drejtësisë nga politika. Ato ishin procese ku ky sistem kishte shtysën e politikës prandaj ishin më shumë punë politike sesa punë drejtësie, pavarësish se koha provoi se akuzat që janë ngritur asokohe ndaj Nanos mund të kenë qenë të drejta. Pra në kohën e Berishës së parë sistemi ynë i drejtësisë mbeti njëfarë rripi transmisioni i pushtetit, por që vihej në përdorim shumë më rrallë sesa në kohën e diktaturës dhe jo me egërsinë e saj
Në tetë vjetët e socialistëve me në krye Nanon ky sistem kaloi në një fazë tjetër. Ai u la më vete ose mund të thuhet se u përdor shumë më pak se në kohën e Berishës si instrument kundër kundërshtarëve politikë, por asesi nuk mund të thuhet se kaloi në fazën e gjykuesit të paanshëm të çdo krimi. Do të thoja se kjo është edhe periudha e zhytjes totale në korrupsion të vetë institucioneve të drejtësisë. Nëse më një anë mund të thuhet se sistemi ynë i drejtësisë u bë disi më i pavarur nga pushteti politik, varësia e tij nga klanet e korrupsionit dhe të fitimeve të paligjëshme u bë shumë më e madhe. Dhe në këtë aspekt mund të thuhet se një sistem drejtësie i kapur nuk mund të ketë fuqi pavarësie. Fakti që korrupsioni i socialistëve kaloi pa u ndëshkuar për tetë vjet ishte shenjë e bashkjetesës së korrupsionit në drejtësi me korrupsionin në politikë, por gjithnjë duke u ruajtur epërsia e padiskutueshme e pushtetit politika ndaj atij gjyqsor. “Gjyqin” për të vetët politika vazhdoi ta bënte vetë e për qëllimmet e veta. Kujtoni katarsisin e Nanos. Sistemi i drejtësisë preferoi të rrijë spektator në këtë fushatë.
Berisha i turbulloi disi ujrat kur erdhi në pushtet. Ai u mbërthye shumë shpejt nga një kontradiktë. Në vitet e fundit të Nanos, pas katarsisit, fjala korrupsion ishte hequr nga fjalori i socialistëve. Kurse Berisha bëri një fushatë të fortë elektorale me premtim goditjen e korrupsionit dhe ai e mbajti fjalën “korrupsion” në fjalorin e tij politik edhe pasi erdhi në pushtet. Duke u nisur nga çfarë ndodhi më vonë mund të thuhet se atij i duhej më një anë të bënte korrupsion e, më anë tjetër, të bënte sikur luftonte korrupsionin. A ishte kjo “bërje sikur” më mirë sesa heshtja e socialistëve, mund të ngrihet pyetja, duke patur parasysh rezistencën e sotme të Prokurorisë për t’u vënë nën pushtetin e tij. Edhe përgjegja ndaj kësaj pyetjeje ka kundërthëniet e veta. Në emër të kësaj “bërje sikur” PD ngulmoi të heqë prokurorin Sollaku që “flinte mbi dosjet e krimit”. Socialistët e mbrojtën Sollakun për aq kohë sa mundën, duke synuar më një anë të mbrohen nga një sulm fillestar i Berishës ndaj korrupsionit të tyre, më anë tjetër, duke pritur që sistemi i korrupsionit ta kapte mirë për fyti Berishën me shokë nëpërmjet delijorgjëve, xhillarëve etj.. Nuk vonoi shumë dhe opozita filloi sulmet për korrupsion ndaj qeverisë Berisha pikat kulminante të të cilit ishin pikërisht denoncimi i abuzimeve në rrugën Durrës - Kukës dhe Gërdeci
Rruga Durrës - Kukës dhe Gërdeci janë dy raste që mund të thuhet se e vendosën Prokurorinë e Ina Ramës përballë faktesh që vështirë se mund të mbuloheshin me mënyrën e Sollakut duke fjetur mbi dosjet e krimit. Ato gjithashtu i hoqën maxhorancës të drejtën morale politike për t’i kërkuar Ina Ramës hapjen e “dosjeve të krimit” të socialistëve. Madje balanca e të drejtës për të kërkuar drejtësi kaloi në anën e opozitës. “Bërja sikur” u duk se mund të çonte edhe në bërjen me tërë mend. Kishte disa arsye për të besuar në këtë: së pari për shkak se faktet janë kaq flagrante, së dyti sepse për më tepër kjo i intereson një pjese të politikës ku mund të fusnim edhe çarjet në PD, së treti, për shkak të prirjes së Berishës për t’i hequr institucionit edhe atë pak shkallë pavarësie, gjithsesi të kontrolluar, që i kishin lënë socialistët e Nanos. Megjithatë këto nuk kanë të bëjnë me pavarësinë e sistemit tonë të drejtësisë nga politika. Këto kanë të bëjnë me luftën politike. Ajo që ndodhi tregoi se sistemi ynë i drejtësisë mbetet i pafuqishëm ndaj saj, ose i adoptohet asaj, sepse, nëse ai ka nevojë për mbështetjen e opozitës apo të klaneve të ndryshme brenda mazhorancës për të hapur procese, nesër ai do të varet prej tyre. Dhe dihet se çështjen e drejtësisë edhe këta e përdorin siç përdori Nano katarsisin apo Berisha antikorrupsionin: pra duke “bërë sikur” e duan atë. Dënimin e vërtetë nuk e duan sepse fijet e korrupsionit i kanë lidhur të gjithë nëpërmjet shumë delijorgjëve dhe xhillarëve. Dialogu i brendshëm me ligjin i një prokurori tek ne, sipas meje, është ky: po të ndjekësh ligjin këta duhen futur të gjithë brenda. Po a mund ta bëj unë një gjë të tillë? E pamundur. Atëhere po shikoj të zgjidh hallet e mija duke bërë edhe unë sikur po punoj për të mirë të ligjit e shqiptarëve.
Si përfundim do të thoja se çështja e forcimit të pavarësisë së drejtësisë nga politika ka të bëjë me shkatërrimin e sistemit të pandëshkueshmërisë që ka ngritur politika për veten e vet i cili, në fakt, ka rrënjë të thella e të shumanëshme kryesisht të lidhura me sistemin e korrupsionit që funksionon në çdo fushë. Mirëpo kam frikë se kjo po bëhet gjithnjë e më e vështirë sepse politika jo vetëm e mban veten në pushtet nëpërmjet këtij sistemi korrupsioni e pandëshkueshmërie, por ajo madje është fuqizuar duke konsoliduar këtë sistem. Edhe vetë pluralizmin partiak ajo e ka adoptuar për të konsoliduar këtë sistem sepse çdo denoncim që i bëhet nga kundërshtarët, cilëtdo qofshin, e trajton, siç bëri Basha, si çështje të luftës politike, jo të ligjit. Në këtë kontekst përsa i përket pyetjes nëse kemi bërë hapa para apo mbrapa një kundërthënie e fortë në favor të ecjes prapa qëndron në faktin se kjo kastë është sot shumë më e fuqishme sesa dje dhe prandaj edhe më e rrezikshme. Sistemi i drejtësisë është pjellë e kësaj kaste politike, direkt apo indirekt ai zgjidhet e, prandaj, varet prej saj. Ky sistem e kërkon drejtësinë të “bëjë sikur”, të “flerë mbi dosjet e krimit” sepse të dy krahët e politikës janë të zhytur në shkelje dhe sot për sot janë në një ekuilibër forcash e interesash që më shumë i bashkon sesa i ndan edhe ata që duken si kundërshtarë të egër të njëri tjetrit. Prandaj çështja e një drejtësie të ndershme e të pavarur në kushtet e pasjes së një klasë politike të korruptuar, sipas meje, është një iluzion që ne na vjen nga prirja jonë sa e çuditshme aq edhe e natyrshme për të besuar tek e mira dhe e drejta. Por, nga ana tjetër, është pozitiv fakti se ndërgjegjësimi ynë për këtë të keqe është shumë më i madh dhe ndoshta ky do të sjellë edhe ditën kur, më në fund, do të shohim një politikan abuzues të dalë përpara drejtësisë jo si rezultat i lojrave politike, por i këtij ndërgjegjësimi shoqëror në rritje. (Korrieri, 13 prill 2009)

1 comment:

Anonymous said...

I nderuar zoti lubonja!
Ju gjithmon keni te drejte ,vec fundi i shkrimit tuaj eshte iluzion......
Ju thoni:Por, nga ana tjetër, është pozitiv fakti se ndërgjegjësimi ynë për këtë të keqe është shumë më i madh dhe ndoshta ky do të sjellë edhe ditën kur, më në fund, do të shohim një politikan abuzues të dalë përpara drejtësisë jo si rezultat i lojrave politike, por i këtij ndërgjegjësimi shoqëror në rritje. (Korrieri, 13 prill 2009)
Per cilin ndergjegjesim e keni fjalen ,zoti Lubonja?
Kam nderruar vend pune disa here vitet e fundit,kjo si pasoj e levizjes nga nje rreth ne tjetrin,por kam pare sa e njejte eshte menyra jone e te menduarit,dhe njekohesisht sa e pashprese eshte gjendja.
Cdo institucion funksionon njelloj si nje shtet i vogel,ku secili,sipas pozicionit perpiqet te shqyej pa u fshehur aq sa mundet nga ajo qe eshte e te gjitheve.Nese ti flet per ate qe ndodh te shohin me cudi dhe kjo sherben si paralajmerim,nuk friksohen por te bejne te friksohesh e te shohesh punen tende.
Kur ti dorzohesh dhe vendos te besh punen tende duke mbledhur dokumentacionin me firmat e duhura por duke e bere kete ashtu si qorri,perpiqen te te kujtojne se mund te perfitosh edhe ti.
Nese ti vendos mos e besh kete ,te shohin me keqardhje.
Nuk ka asnje ,po fare asnje qe te te kuptoj.
hahahaha per te qeshur se nuk qane dot,por ti i turperuar se nuk vjedh dot i thua atyre qe ke afer e qe perpiqen per te miren tende te te ndergjegjesojne se duhet te marresh pjesen "tende":Me vjen keq por jam supersticioze besoj se zoti ta merr ne formen me te keqe ate qe ti merr padrejtesisht.
Zotrinj nuk eshte kjo ajo qe besoj dhe arsyeja pse nuk marr,por her her e ndjej se me meshirojne per budallallekun tim dhe perpiqem te justifikohem.
Para disa vitesh,besoja se mund te ndikoja me menyren si veproja te ndokush,por tani me ka kaluar shpresa.
E vetmja gje qe enderroj eshte se meqenese nuk shkoj ne shtepi e te them kete e bleva me parat qe perfitova ne kete apo ate forme te parregullt do te kem me se te edukoj femijet e mi.
Pasi eshte e pamundur qe te besosh dicka e te thuash me te afermit e tu tjeter gje.
Ne edukojme femijet tane me menyren si jetojme .
Dhe kjo bene qe te ndodhemi brenda nje rrethi vicioz,dhe te vdese shpresa.
Nje e keqe e madhe e jona eshte se dhe kur dalin te rinje me karizem te cilet mund te ndiqen nga shume te tjere,keta te rinj i bashkengjiten shpejt politikes .
Shpesh mendoj se sa e dobishme do te ishte sikur te gjitha kokat e mbushura mir te hiqnin dore nga perfitimet qe te jep te qenit sherbetor i politikes e te rreshtoheshin perkrah apo perball zotit Lubonja.
Cfar investimi do ishte ,cfar sherbimi do ti benin vendit te vete e femijve te tyre,por sidomos pavdeksis se emrit te tyre.
Atehere zoti Lubonja do ishte e madhe shpresa se ndergjegjesimi do vinte para drejtesis ...
Ndryshe zoti Lubonja dhe ne vitin 2500 ju do te tingelloni aktual.
Eshte e neveritshme te shohesh se per sa pak shitet dinjiteti,sa i pa vlere eshte bere.sano