Në shkrimin e fundit me titull “Bëjnë sikur”, duke iu referuar rastit “Basha”, flas për sistemin e pandëshkueshmërisë të ndërtuar “nga” politikanët, “për” politikanët duke ngritur edhe pyetjen: a kemi bërë përpara apo jo në forcimin e një drejtësie të pavarur prej tyre? Megjithë dëshpërimin dhe pesimizmin shkrimin e kam mbyllur me një notë më pozitive: “Por, nga ana tjetër, - them - është pozitiv fakti se ndërgjegjësimi ynë për këtë të keqe është shumë më i madh dhe ndoshta ky do të sjellë edhe ditën kur, më në fund, do të shohim një politikan abuzues të dalë përpara drejtësisë, jo si rezultat i lojrave politike, por i këtij ndërgjegjësimi shoqëror në rritje.”
Një qytetar, që nuk e thotë emrin, pasi ka cituar frazën e mësipërme, më shkruan një koment që mu duk me vend t’ia sjell lexuesit të Korrierit thuajse të plotë:
“Per cilin ndergjegjësim e keni fjalën, zoti Lubonja? Kam ndërruar vend pune disa herë vitet e fundit, kjo si pasojë e levizjes nga një rreth në tjetrin, por kam parë se sa e njëjtë është mënyra jonë e të menduarit dhe, njëkohësisht, sa e pashpresë është gjendja. Çdo institucion funksionon njëlloj si një shtet i vogël, ku sejcili, sipas pozicionit, përpiqet të shqyejë, pa u fshehur, aq sa mundet, nga ajo që është e të gjithëve. Nese ti flet për atë që ndodh të shohin me çudi dhe kjo shërben si paralajmërim; nuk frikësohen, por të bëjnë të frikësohesh e të shohësh punën tënde.
Kur ti dorëzohesh dhe vendos të bësh punën tënde, duke mbledhur dokumentacionin me firmat e duhura, por duke e bërë këtë ashtu si qorri, përpiqen të të kujtojnë se mund të përfitosh edhe ti. Nëse ti vendos të mos e bësh këtë, të shohin me keqardhje. Nuk ka asnjë, po fare asnjë që të të kuptojë. Hahahaha, për të qeshur se nuk qan dot, por ti, i turpëruar se nuk vjedh dot, u thua atyre që ke afër e që përpiqen, për të mirën tënde, të të ndërgjegjësojnë se duhet të marrësh pjesën "tënde": Më vjen keq, por jam supersticioz e besoj se Zoti ta merr në formën më të keqe atë qe ti e merr padrejtësisht.
Zotërinj, nuk është kjo ajo që besoj dhe arsyeja pse nuk marr, por herë herë e ndjej se më mëshirojnë për budallallëkun tim dhe përpiqem të justifikohem.
Para disa vitesh besoja se mund të ndikoja te ndokush me mënyrën si veproja, por tani më ka kaluar shpresa. E vetmja gjë që ëndërroj është se, meqenese nuk shkoj në shtëpi e të them: këtë e bleva me paratë që përfitova në këtë apo atë formë të parregullt, do të kem me se të edukoj fëmijet e mi. Pasi është e pamundur të besosh diçka e të thuash me të afërmit e tu tjetër gjë. Ne i edukojmë fëmijët tanë me mënyrën si jetojmë. Dhe kjo bën që të ndodhemi brenda një rrethi vicioz dhe të vdesë shpresa.[...]
Eshte e neveritshme të shohësh se per sa pak shitet dinjiteti, sa i pa vlere është bërë.”
Çfarë të thuash për këtë koment? Së pari se përshkruhet një e vërtetë dramatike mbi gjendjen morale të shoqërisë sonë. Që të jem i sinqertë edhe unë kisha kundërthëniet e mija kur e mbylla shkrimin me nota shprese, nuk isha i bindur plotësisht se po thoja një të vërtetë, por më duket, nga ana tjetër, se nuk po ndërtoja iluzione krejt pa bazë. Vetë komenti i qytetarit e provon se ekziston një ndërgjegjësim. Çështja qëndron tek shkalla e ulët e këtij? Dhe këtu dalin, së paku, dy çështje të tjera shumë të rëndësishme. Së pari, mendoj se është e gabuar ta ndajmë shoqërinë në një grusht të vogël të pamjaftueshëm të mirësh dhe një masë e pafundme hajdutësh, abuzuesish, injorantësh, të pandershmish. Aktet e mira apo të këqija të një individi nuk janë thjesht e vetëm produkt i vullnetit të tij, ato janë edhe produk i rrathanave. Njeriu i ka të dyja brenda, të mirën dhe të keqen, varet se çfarë stimulohet tek ai. Dua të them se jo vetëm ata që pranojnë të quhen “budallallenj” e të mos vjedhin, por edhe shumë nga ata që tallen me këta budallenj, janë të ndërgjegjësuar për atë që po ndodh. Ndonjëherë pikërisht tallja me të ndershmit është maskë e brerjes së ndërgjegjes së tyre. Edhe ata do të donin të ruanin dinjitetin. Edhe ata duan të rrisin fëmijë të shëndetshëm jo vetëm fizikisht, por edhe moralisht. Shumica e njerëzve nuk janë gjenerues të këtij realiteti që jetojmë, por i janë adoptuar atij për të mbijetuar. Nuk mund të jemi të gjithë njëlloj përgjegjës për këtë katrahurë morale që kemi ndërtuar edhe pse, nga ana tjetër, është e vërtetë se ky sistem është i përhapur në formë kapilare në të gjithë shoqërinë dhe shpreh kulturën e saj. E rëndësishme është se kë kemi në krye dhe se çfarë stimulojnë ata. Janë ata që, të kapur nga ekonomija kriminale dhe duke u bërë shprehës të interesave të saj, në vend se të luajnë në vend rol ndriçues dhe udhëheqës drejt së mirës po na udhëheqin drejt së keqes. Janë ata që, duke zgjedhur fitoren e shpejtë të pushtetit e të parasë, kanë stimulur pjesën më të keqe të shoqërisë dhe pjesën më të keqe të njerëzve gjithashtu. Prandaj ngulmoj të përsëris atë që e kam thënë edhe në shkrimin “Bëjnë sikur” se nuk mund të ketë një drejtësi të ndershme e të pavarur në kushtet e pasjes së një klasë politike të korruptuar.
Çështja e dytë edhe më e vështirë është se si mund të ndryshohet kjo gjendje. Qytetari, në vazhdim të komenti të tij, thotë se po nuk u mblodhën njerëzit e ndershëm e me “kokë të ndërtuar mirë” të veprojnë kjo gjendje mund të vazhdojë deri në vitin 2500. Problemi është se si mund të arrihet masa kritike e këtyre njerëzve - e atyre, pra, që nuk pranojnë përshtatjen me realitetin, por që kërkojnë ndryshimin e tij - në mënyrë që të shkaktohet reaksioni zinxhir kundër këtij degjenerimi që të kujton Sodomën dhe Gomorrën. Pa kërkuar kësaj here dritën e shpresës që, gjithsesi, them se nuk mungon, do të thoja se Shoqëria shqiptare i ka shumë të dobëta mekanizmat e vetëkorrigjimit. Përkundrazi, tek ajo punojnë fort mekanizmat e degjenerimit. Shkaku është jo vetëm ajo që thotë qytetari se ne i edukojmë fëmijët tanë me shembullin që japim vetë nëpërmjet mënyrës se si jetojmë, jo vetëm tek sistemi i ekonomisë kriminale që synon të mbajë veten në këmbë duke mbajtur të kapur politikën, drejtësinë, mediat etj, por edhe se, duke qenë institucionet tona të ndërtuar me një strukturë tejet autoritare, të pushtetshmit kanë prirjen të rrijnë tërë jetën në pushtet duke konservuar kësisoj të njëjtat metoda. Le të kujtojmë se jemi i vetmi vend në tërë Evropën Lindore ish komuniste që nuk dënoi stalinizmin deri në fund dhe që, në atë sistem, shkoi nga “e keqja” në “më të keqen”. Prandaj, siç kam shkruar edhe herë tjetër, kam frikë se ndryshimi, më shumë sesa nga ndërgjegjësimi i brendshëm, që për fat të keq mbetet pasiv, (por, ngulmoj, edhe për shkak të tij), do të vijë më shumë nga rënia e ndonjë “muri tjetër Berlini” ose nga ndonjë pësim tjetër traumatik. (Korrieri, 21 prill 2009)
Wednesday, April 22, 2009
Përgjigje një “budallai”
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
-
Në Bibël ka një pasazh që është komentuar shumë: ai ku përshkruhet çfarë ndodhi në momentin para se Kaini të vrasë Abelin. Komentohet fakti...
-
Në mbyllje të 2005-sës, vit të cilin, në petkun e gazetarit, e kam ndjekur hap pas hapi me shkrime, kryesisht mbi jetën dhe zhvillimet polit...
-
Një her ë e një koh ë e kam dashur edhe unë Vaçen, por më duhet të them se kjo i përket periudhës së jetës kur njeriu ende beson tek m...
6 comments:
Kjo pune veshtire te ndryshoje deri sa shqiptaret nuk kane minimumin e moralit qe e jep feja. Plus pa u dy tre fishuar niveli ekonomik i jeteses njerezit do te jene te uritur dhe do grabisin ne mase.
Pershendetje zoti Lubojna. Te uroj per shkrimet dhe idete koherente qe na ofron ne media.
Do doja te te beja nje pytje dhe do doja nje pergjigje sa me te shpejt.
Cili eshte mendimi yt per iden e ndertimit te nje centrali berthamor, mendoni se mund te jet i vertet, apo eshte nje lajm falc?
Pasi po jetojm me nje shqetesim dhe mund te ndermarrim hapa fillestare siç eshte protesta keto dite ne Shkoder, dhe do te donim te dinim mendimin tend ne lidhje me kete gje.
Ne pritje te pergjigjes tende.
Respekte
Senadi Shkoder
I nderuar zoti Lubonja,
Me erdhi mir qe ju pergjigjet ketij "budallai"me nje shkrim.
Une jam autorja e komentit te shkrimit tuaj " Bejne sikur".
Emrin nuk e kam vendosur pasi mendoj se vendosja e emrit e bene ate qe shkruajta denoncim per ate qe ka ndodhur ne vendin ku une punoj,por mendoj se para se te beje nje denoncim duhet qe fenomenin ta beje prezent me goje e me shkrim aty ku punoj.
Mos mendoni se nuk do e beja po te kisha sado pak shprese se do ndryshoja dicka.
Thjesht vura ne dukje nje fenomen qe e njohin te gjithe,te pakten ata qe punojne ne sektorin publik.
Po ti sherbente dickaje emri im do e thosha pa problem.
Me e shumta eshte se do humbja nje vend pune te cilin shpesh mendoj se duhet ta le.
Po vazhdoj me komentin per shkrimin e sotem.
Ju zoti Lubonja mendoni se ne duhet te presim te bjere nje" mur tjeter i Berlinit",apo te ndodh "nje Grdec shume me i fuqishem" se ky nuk i hoqi asnje ashkel askujt.
Ndoshta gaboj por une mendoj se midis dy qeverisjeve te keqia kjo e sotmja eshte e keqja me e vogel dhe kjo me trishton.Ne librin "Edukim per demokraci" Alain Mougniotte ne kapitullin – Tundimet e pushtetit shkruan:Ne shoqerite ku rendi hierarkik eshte ne kontradite ose atje ku ai parfaqson faktor te pa qendrueshem ,ku bashkpunimi eshte i dobet ose i shkelur ,qeveria shpesh akuzohet e nuk pranohet ,deri sa ata qe jane pergjegjes per te behen te dyshuar dhe te refuzuar.Eshte vertet i gjithe faji i qeverijses? Nuk duhet ndoshta edukimi te krijoj ne te vertete ndjenje per ushtrimin e pushtetit ne menyre korrekte dhe te beje pregatitjen per nje ushtrim te tille te tije?........
Demokracia nuk eshte dicka e natyrshme, dicka qe kuptohet vet, ajo as i imponohet shpirtit si dicka e pa mohueshme, dhe as nuk eshte lehte ta vesh ne jete .
Kjo bene te domosdoshem edukimin per demokraci .
Ndoshta duhet filluar me femijet, ti mesojme, ti mesojme …..dhe jo te bejme sikur i dime te gjitha, sikur i bejme mire te gjitha. sano
Berthamori nuk besoj se do te behet, por jo per shkak te shqiptarev, Ndoshta ideja eshte hedhur me mendimin se shumica e shqiptareve do te entuziazmohen dhe do ta votojne me shume Berishen, por sipas meje edhe vetem ideja flet shume per nivelin intelektual dhe moral te klases sone politike. fatosi
zoti Lubonja ju falenderoj per pergjigjen, shpresoj qe te kemi se shpejti dhe nje analiz tuajen mbi perdorimin e ketyre fakteve ne menyre politike, sepse analiza juaj dhe mendimet tuaja jane nje perfitim i madh per ne ne kuptimin e realitetit tone politik dhe kulturor.
ps' kam shikuar ne shume faqe elektronike per te te gjet nje adres imeili ose nr kontakti por nuk kam arritur, do kisha patur deshir qe te kemi dhe nje takim me ju.
faliminderit
Senad Keroja
Shkoder
"Kjo pune veshtire te ndryshoje deri sa shqiptaret nuk kane minimumin e moralit qe e jep feja. Plus pa u dy tre fishuar niveli ekonomik i jeteses njerezit do te jene te uritur dhe do grabisin ne mase".
Oh vertet, moralin na e jepka vetem feja, frika e zotit!Te presim te behemi te gjithe besimtare se ndoshta mund te behemi me te moralshem! Sikur historia dhe jeta nuk kane treguar me dhjetra here se te ashtuquajturit besimtare kane bere krime nga me monstruozet ndersa individet besimtare kane qene thellesisht te korruptuar ne veprimet e tyre. Nderkohe qe na i bikerka qe ateistet duhet te jene patjeter te pamoralshem ngaqe nuk kane fe!!!Te pafete.
Ndersa per nivelin ekonomik te jeteses, dakord. Le te presim te ngrihet nja dy tri here, e pastaj do te zgjidhen te tera. Ata qe kane vjedhur do jene ngopur e nuk do duan me. Po si shpjegohet qe ata qe vjedhin me shume jane ata qe kane bere miliarda?
Post a Comment