Monday, September 21, 2009

Bojkoti dhe opozita që na duhet


Bojkoti i Parlamentit nga PS është një rast shumë i mirë për të marrë në analizë procesin e transfromimit të realitetit tonë nga diktaturë në demokraci që është pazgjidhshmërisht i lidhur me procesin e transformimit (por edhe të krijimit) të atyre që quhen institucione demokratike të cilët janë njëherësh edhe mjetet e transformimit, por edhe treguesit më të qartë të arritjeve.

Teorikisht dihet roli i institucioneve në materializimin e asaj që mund të quhet fryma apo ideali demokratik, që gjen shprehjen e vet të artikuluar në Kushtetutë. Teorikisht është e qartë se midis idealit dhe realitetit, ku bën pjesë edhe institucioni që duhet ta materializojë atë, ka një hendek të pambushshëm, por është po ashtu e qartë se madhësia e këtij hendeku është ajo që dallon një gjendje që meriton të quhet demokratike nga një tjetër që nuk e meriton këtë cilësim. Në këtë rast, pra, me frymë/ideal, kam parasysh atë më të mirën, demokracinë si pushtet i popullit që realisht nuk ekziston as edhe në demokracitë më të zhvilluara, ose më saktë që edhe atje mbetet ideal/frymë, por gjithsesi e materializuar shumë më tepër.

Gjendja shqiptare është e tillë sa duket sheshit se të ashtuquajturit institucione demokratike, që ne kemi ngritur, janë larg, po, shumë larg, idealit që ata supozohet se duhet të materializojnë. Që të gjithë institucionet, pa përjashtim do të thoja, pasi ecja e tyre nuk mund të jetë veçse sëbashku me njëri tjetrin, në bashkëveprim të ndërsjelltë me njëri tjetrin, si në një flotë. Në realitetin tonë më të shpeshtën e herës ata funksionojnë si fasadë prapa të cilëve funksionojnë realisht institucione të tjera të një kulture tjetër nga ajo demokratike, të trashguara nga e kaluara. Ne vend te insitucionit të shtetit ligjor psh. ne operojmë me institucionin e mikut e të rryshfetit; në vend të institucioneve të drejtësisë ne operojmë me institucionin e më të fortit që kontrollon drejtësinë. Në vend të tregut të lirë ne kemi tregun e korrupsionit e klientelizmit. E me rradhë e me rradhë. Në këtë kontekst mendoj se duhet parë edhe bojkoti që po i bën PS-ja institucionit të Parlamentit, një ndër institucionet më të rëndësishme të materializimit të Kushtetutës.

Është e qartë se parlamenti ynë më shumë se një institucion demokratik ka shërbyer si fasadë e “institucioneve” të tjera të tilla si pushteti i partisë, i kryetarit të partisë e i klaneve rrotull tij, të trashëguar nga koha e komunizmit, por edhe e Zogut. Vendimet më të rëndësishme për jetën e vendit tek ne nuk janë marrë e nuk merren në Parlament nën syrin e kamerave që ia përçojnë publikut, por në të tjera tryeza që janë larg kamerave. Shumica e vendimeve nuk merren në emër të interesave të pupullit, por në emër interesash të tjera. E shpesh herë bëhet fjalë për tryeza të tipit krejtësisht mafjoz. (Si mund të jetë demokratik një vend ku vendime të tilla si ai për rrugën Durrës – Kukës apo ai për ndërtimin e shtatë fabrikave të çimentos të teceve me qymyr e me rradhë e me rradhë, merren me të njëjtin stil siç ndërmerrte partia e Enver Hoxhës vendimet për planet pesëvjeçare për të cilët Parlamenti vetëm ngrinte dorën.) Megjithatë “fasada” e parlamentit ka qenë shumë e domosdoshme, askujt nuk i ka shkuar ndërmend ta eliminojë. Kjo sepse një heqje e tillë do të thotë ecje qartazi në drejtim të kundërt me idealin demokratik që propagandohet. Prandaj në shumë raste kemi pasur edhe një lloj hibridizimi të institucioneve të kulturës së vjetër me institucionet demoraktike herë më efikase dhe më demokratike se të parët dhe herë herë edhe më të shëmtuar e më të rrezikshëm.

Historia tregon se ka një kufi përtej të cilit mospërsosmëria e një institucioni apo degradimi i tij arrin shkallë të tillë që ai jo vetëm nuk punon në drejtim të idealit, por punon në drejtim të kundërt të tij. Me fjalë të tjera ka kontekste të tilla në të cilat nën fasadën e një parlamenti punojnë institucione të tjera që materializojnë një pushtet krejt tjetër nga ai i popullit, që bëhet gjithnjë e më i rrezikshëm për demokracinë, çka bën të lindë nevoja e mohimit të institucionit. E pra, çështja që shtrohet është pikërisht kjo: a është reduktuar hendeku, apo përkundrazi hendeku po thellohet? A jemi në një pikë ku Parlamenti ynë hibrid duhet bojkotuar apo duhet bërë zgjedhja që të qëndrohet brenda tij me synim luftën për përmirësimin e tij në emër të materializimit të idealit?

Sipas mendimit tim kjo çështje vlen të ngrihet shumë seriozisht dhe nuk më duket e lehtë të jap një gjykim të pa barsur me shumë ndërdyshje. Nëse perëndimorët e dhanë tashmë një gjykim në favor të idesë se hendeku është zvogëluar, por se duhet bërë ende punë për arritjen e një zvogëlimi të tij të mëtejshëm, ne që e njohim më mirë se ata realitetin na takon të ngremë ndërdyshje dhe dyshime për vërtetësinë e këtij pohimi.

Para së gjithash dua të përsëris se çështjen e bojkoti ose jo të Parlamenti nuk e shoh thjesht e vetëm në funksion të asaj nëse është vjedhur vota apo jo, por në funksion të asaj se ai është një institucion hibrid gjysma e të cilit shërben si fasadë për disa parti politike që në fakt janë shndrruar me kohë në banda grabitësish. Është e qartë se Parlamenti ynë nuk del si rezultat i votimeve, por si rezultat i ndeshjes së këtyre bandave e se fiton ajo që është më e forta jo ajo që përfaqëson më mirë interesat e njerëzve. E kam vështirë të besoj se njerëz që vjedhin paratë publike, apo që, për pushtetin e tyre, janë gati të sakrifikojnë edhe jetë njerëzish madje brezash, nuk vjedhin votën, por gjykoj se çështja e ndryshimit të Parlamenti nuk mund të reduktohet në çështjen e dy tre deputetëve më shumë apo më pak që krijojnë mundësinë e njërës prej bandave të jetë ajo fitimtarja dhe jo tjetra.

Sipas meje vlerësimi i veprimit të PS duhet parë në këtë kontekst çka në rastin konkret lidhet edhe me disa pikëpyetje: Së pari, cila është shkalla e mbrapshtisë apo e palegjitimitetit të institucionit në raport me përvojat paraardhëse; a mund të flitet për progres të hibridit në krahasim me të kaluarën apo me regres? Me fjalë të tjera institucionet prapa fasadës a po materializojnë një pushtet që vjen e bëhet gjithnjë e më i rrezikshëm apo Parlamenti po bëhet, sadokudo, ca më shumë se më parë pushtet i vërtetë i popullit, duke e pakësuar pushtetitin mafjoz prapa fasadës? Së dyti, cila është ndjeshmëria e njerëzve ndaj dozës aktuale të palegjitimitetit të Parlamentit që ka të bëjë me atë se sa mbështetje mund të ketë veprimi jashtëparlamentar për të imponuar ndryshimin e tij. Së treti, cila është forca që do ta udhëheqë veprimin jashtëparlamentar për ndryshimin e insitucionit.

Varësisht nga përgjigjet që mund t’i japim këtyre pyetjeve çështja mund të shtrohet: nëse do të duhet ta bojkotojmë këtë institucion e të ndërtojmë një tjetër apo duhert të punojmë që dalëngadalë ai të transformohet duke e zvogëluar hendekun që e ndan me idealin demokratik? E kam vështirë të jap një përgjigje me bindje për këtë punë. Siç e thashë varet nga konteksti. Në kontekstin aktual do të thoja se besimi tek institucioni i Parlamentit që ka dalë nuk ekziston po aq sa ç’nuk ekziston besimi tek institucioni i kësaj opozite që e konteston, por edhe tek insitucione të tjera si institucioni i Prokurorisë, i Presidentit etj. Prandaj ky Parlament meriton të bojkotohet, por jo nga ata që po e bojkotojnë. Parlamenti do të meritonte të bojkotohej nga të tjerë politikanë që do të kishin besueshmëri dhe do të ndiqeshin nga njerëzit në veprimin e tyre jashtëparlamentar. Pra, nëse në vend do të lindte një parti të re, që do të krijonte bindjen se përfaqëson frymën e idealeve të demokracisë, si qytetar do të isha i gatshëm të dilja përditë në protestë derisa të rrëzohej e tëra kjo klasë politike dhe institucionet e korruptuar që ata kanë ndërtuar. Por nuk gjykoj se është ky rasti ynë. PS dhe lideri i saj Rama janë larg së qëni një parti e tillë. Perceptimi i përgjithshëm i njerëzve, me të cilin bashkohem, është se kjo opozitë politike nuk mund të udhëheqë lëvizje të mëdha njerëzish pasi është përgjegjëse për situatën që po kalojmë po njëlloj si mazhoranca. Madje mendoj se edhe Rama vetë është i vetëdijshme për këtë. Ai është i vetëdijshëm se pas afro njëzet vjetësh kjo klasë politike gjysmën e njerëzve e ka nënshtruar kurse gjysmën tjetër e ka bërë indiferente për t’u mbrotur nga lodhja që i shkakton të jetuarit me ndjenjën e padrejtësisë. Prandaj bojkoti i Parlament duket sheshit se nuk bëhet më me mendimin se kjo do të zgjojë një lëvizje jashtëparlamentare që do ta vërë mazhorancën në krizë, por sepse, në këtë mënyrë, mendohet se do të vihet në krizë mazhoranca për shkak të ndërkombëtarëve. Pra është refleks i një politike që duhet të ishte bërë prej kohësh e vjetër sepse kanë kaluar jo pak, por afro 20 vjet, nga rënia e komunizmit dhe kemi mbetur ende në një politikë të vartësis së plotë nga jashtë. Dhe ata nga jashtë e kanë dhënë përgjigjen e tyre tashmë: përmirësimi i shkallëshkallshëm i institucioneve që kemi.

Një socialist i Ramës me të drejtë do të më thoshte se edhe PS nuk se ka shpallur bojkot të pakushtëzuar, por ka deklaruar se po u hapën kutitë kthehet në Parlament. Sipas mendimit tim në rrugën e përmirësimit të shkallëshkallshëm kërkesa e PS për të kontrolluar kutitë zgjedhore qëndron. Është një kërkesë që, nga sa di, është e drejtë e çdo qytetari. Kjo do të hapte një precedent që nesër do t’i bënte pushtetarët edhe më të kujdesshëm në trajtimin e votës së qytetarit. Mirëpo këtu del problemi i një institucioni tjetër, atij të drejtësisë, që provon atë që thashë më parë se asnjë institucion nuk mund të trajtohet i veçuar nga një tjetër. Për të vendosur për hapjen ose jo të kutive duhet të vendosë ky institucion. Dhe ky ka vendosur për të mos i dhënë të drejtë kërkesës së Partisë Socialiste për hapjen e kutive. Sipas meje edhe ky vendim tregon për hendekun midis insitucionit të drejtësisë së një vendi vërtet demokratik dhe insitucionit tonë që funksionon si fasadë e insitucioneve të kulturës klanore mfjoze. Dhe përsëri, si në një rreth vicioz, shtrohet çështja nëse duhet ta rrëzojmë këtë hibrid apo të punojmë për përmirësimin e tij të shkallëshkallshëm. Ky rreth vicioz tek e fundit të çon edhe në çështjen: a duhet t’i rrëzojmë partitë që kemi aktualisht apo duhet të punojmë që, nëpërmjet një procesi të shkallëshkallshëm, ato të shndrrohen nga banda që përfaqësojnë interesa mafjoze në parti që përfaqësojnë interesat e popullit.

Preferoj ta le këtë pyetje pa përgjigje sepse nuk jam i sigurt. Në një kohë që mjaft argumente të ushqyer edhe nga pasioni dhe diziluzioni më çojnë tek ideja e nevojës për ndryshim radikal, shumë vlerësime të tjera më thonë se rruga më e mundëshme e më realiste është ndryshimi i shkallëshkallshëm. Ndërkaq një gjë di të them me siguri. Vendi është në rrezik të madh sepse qeveria Berisha po i lejon vetes të marrë vendime që mund të quhen shitje përfundimtare e këtij vendi për interesa pushteti dhe përfitimi me karakter klanor e mafjoz me rreziqe edhe për lirinë dhe demokracinë. Ne kemi nevojë për një opozitë të fuqishme që t’i kontestojë ato atje ku merren ose duhet të merren këto vendime; madje edhe ndërkombëtarisht duke kontestuar qeveri perëndimore që s’është pa gjasë që e kanë mbështetur Berishën edhe për shkak të këtyre interesave. Një opozitë që në vend se të bëjë këto kontestime, duke shpresuar se Ilir Meta nuk ka vendosur të mbytet sëbashku me anijen e Berishës, qëndron e ngujuar në një kontestim të vetëm, atë të votës së vjedhur, nuk është opozita që na duhet. Madje vetë evitimi i kontestimit të këtyre çështjeve në emër të një çështje që ka të bëjë vetëm me pushtetin e bandës tjetër në pushtet dhe jo me fatet e vendit, është shenjë se nuk është kjo opozita që na duhet. (Korrieri, 21 tetor 2009)

5 comments:

Anonymous said...

Nje analize brilante.

Anonymous said...

class. Ndoqa debatin e fundit te Lubonjes ne TV Klan. Fatos, nuk terhiqet populli i Himares dhe i bregut nga vendosmeria e tij per te ruajtur ate qe e ka te shtrenjte, lirine dhe token. Po e provuan, ta dine mire se do ti rendoje keq shume keq.

Tjeter, e keni ndjekur debatin per enciklopedine? Opinionit shqiptar te semure i vjen keq se i quajne si barbare, qekane zaptuar me force toka dhe territore te sllaveve ne shekullin e 16. bukur shume, po ketej nga "shqiperia evropiane" qe malesoret tane sypatremnbur zaptuan nga 1991 gjithe shqiperine? Tiranen, Korcen, Vloren Durresin dhe deri ne Sarande, kete te fundit e pushtuan dy here duke ngritur me qindra gradacela pa vlere. po keta nuj jane barbare dhe pushtues qe kane ngritur 300 mije kasolle pa leje ne token e tjetrit?

Fatos ka ardhur koha qe forumi per demokraci te filloje prape i dashur. Nje ekspert i huaj qe kishte vezhguar votimet e fundit, u shpreh se ne kompjuterat e zgjedhjeve jane te regjistruar te gjitha votat, ndersa tjeter jane shkruasr ne procesverbalet e partive. Me thuaj deri kur do te ecet keshtu, pa votime te lira qe kure eshte formuar ky palo shtet.

altin said...

Zoti Lubonja, ne rradhe te pare dua te shpreh me sinceritet se ti je nje analist i shkelqyer dhe me nje seri njohurishe ne shume fusha dhe i kam ndjekur me shume kuriozitet shfaqjet tuaja ne emisionin opinion te Blendi Fevziut.

Une ne rradhe te pare jetoj jashte dhe vendi ku jetoj nuk mendoj se ka rendesi per ta treguar, por kam shtate vite qe jetoj jashte.

Desha te theksoja se ne rradhe te pare ne jemi nje shtet dhe komb me nje histori pake a shume te genjeshtruar per shkak sundimeve te nje pas njeshme. Gjuha shqipe eshte pak a shume e varfer per arsye se eshte relativisht e re ne kontekstin e formimit te gjuhes zyrtare. Nje gje qe me ben mua shume merzitur dhe disi te nervozuar eshte ajo qe shumica e gazetareve dhe politikaneve perdorin fjale nga gjuhet e huaja dhe mendojne se jane te zgjuar. Ti me ke lene shume pershtypje. Nje pyetje do te kisha per ty si nje analist i shkelqyer. Si e parashikoni te ardhmen e politikes dhe kombit shqiptare kur ne rradhe te pare shumica e intelektualeve nuk munden te flasin gjuhen e tyre?

Shume faleminderit

Anonymous said...

Analize e shkelqyer,si cdo analize qe beni.
Ne nuk vuajm vetem nga shkelja e ligjit,korrupsioni tek ne eshte i mbeshtetur ne VENDIME TE KESHILLIT TE MINISTRAVE.
Ne vitin 2007 Ministria E Punes aplikoi nxitje punesimi nepermjet formimit profesional(VKM 74) ne sektorin e parukerise per rreth 100 persona.
Kjo do te thote qe ne nje parukeri u cuan 15,20 apo 30 persona per te marr profesionin e parukjerit.
Per seicilin prej tyre shteti paguante cdo muaj:
1-7000 leke page per punonjesin qe specializohej,
2- 20000 leke i jepte parukjerit per ti mesuar profesionin ketij punonjesi
Pra harxhonte 27000 leke te reja per secilin punonjes ne muaj dhe ky formim profesional zgjaste 6 muaj pra harxhoi 162000 leke te reja per person.
Nje parukjer qe u mesonte zanatin ketyre punonjesve merrte kur kishte 15 veta 300000 leke te reja ne muaj,ne nje kohe qe profesorit te universitetit shtetror qe u meson studenteve mjeksi shteti u jep shume her me pak rroge mujore.
Eshte koha sot per te bere pyetjen nese ndonjeri nga mbi 100 punonjesit qe u formuan profesionalisht u be parukjer,jame e bindur se asnje,e thjesht ky ligj per formimin profesional u krijua qe te vidhej ne menyre te ligjeshme.
Jam e bindur se dhe kontrollet e ndryshme qe nga ai antikorrupsion e auditet e ndryshme jane perpjekur te gjejne ndonje date te gabuar ne zbatimin e ketyre ligjeve.
Ne vende te tjera keto ligje aplikohen kur ne vend hyne nje industri e re e huaj dhe shteti i ve ne dispozicion firmes qe hap vende punesimi qe te specializoj punonjesit qe do te punesohen.
Pra ne ashtu sic bejme sikur kemi institucione demokratike ,bejme dhe sikur zbatojme ligje per hapje vende pune te reja e te tjera genjeshtra si keto.
Aq shume e shtirur eshte demokracia jone sa duhet shume optimizem per te besuar ne te ardhme .........

Anonymous said...

analize e pa anshme e reale parti mafioze neokomuniste .fiton banda ma e forte.e banditi ma i forte.