Në një artikull të datës 12 tetor me titullin “Gazetari zëdhënësash”, të botuar në Panorama, Blendi Fevziu shkruante: “ajo që shohim çdo ditë në edicionet qendrore të lajmeve, pra produkti i një armate të tërë drejtorësh, gazetarësh, kameramanësh dhe regjisorësh, është thjesht mizerabël, jo për faj të tyre, por për faj të gjithë shoqërisë shqiptare, përfshi edhe mua personalisht.”
Konstatimi është i drejtë përsa i përket produktit, asaj që shohim në televizione, por më duket shumë i padrejtë përcaktimi i fajtorit të kësaj gjendjeje: “gjithë shoqëria shqiptare”. Nuk mund të mos thuash se kjo është pjesërisht e vërtetë. Ashtu sikurse edhe për korrupsioninin nuk mund të mos thuash se korrupsioni është i shpërndarë në një rrjet kapilar në të gjitha qelizat e shoqërisë. Por, sipas meje, ta quash krejt shoqërinë shkaktare/fajtore të kësaj gjendjeje është një gjysëm e vërtetë dhe, madje, tingëllon si një alibi për përgjegjësitë dhe fajet e individëve të veçantë. Shumica e njerëzve ndjejnë neveri nga lajmet që shohin në televizonet tona dhe do të donin tjetër lloj lajmesh. Këtë e konstaton kudo ku takohesh me njerëz. Mjafton të kesh parasysh këtë për të shtruar pyetjen: a është e drejtë të fajësohet gjithë shoqëria për këtë gjendje të mediave tona?
Po të shohësh pak më thellë këtë çështje, sipas meje, arrijmë në një përfundim tjetër. Shoqëria shqiptare, më shumë sesa prodhuese e së keqes, është viktimë e një sistemi të ngritur keq, për qëllime të këqija. Kurse shkaktarët e vërtetë të së keqes, në të cilën ndodhet ajo, janë ata që e kanë ngritur sistemin dhe e mbajnë shoqërinë të ngërthyer brenda tij. Me fjalë të tjera ata që kanë pushtetin. Mund të thuash se, duke bashkëpunuar me të, shumë vetë shtrëngohen të bëhen përgjegjës e fajtorë; apo se, sikur e gjithë shoqëria shqiptare të kishte kurajon e mjaftueshme të ngrihej ta denonconte, ky nuk do të mund të mbahej më këmbë. Por ama, ajo që shohim historikisht të ndodhë është se një pushtet i caktuar, që në fillim mund të vijë në krye të punëve edhe me mbështetje të shoqërisë, kur devijon nga e drejta, krijon dhe përpunon instrumentet e tij të mbajtjes së pushtetit me të cilët pastaj ushtron presion e lavash trush mbi mbarë shoqërinë duke e bërë atë të nënshtruar apo edhe bashkëfajtore. Dhe ka një dallim shumë të qartë për të ndarë fajtorët nga viktimat: dallimi është midis atyre që përfitojnë dhe atyre që humbasin nga ky sistem.
Përse emisionet e lajmeve janë “mizerabël”? Çdo të thotë mizerabël? Sepse në vend së të bëjnë informacion në interes të publikut ato bëjnë lavazh truri dhe manpulim të publikut në emër të interesave të atyre që kanë pushtetin e kontrollojnë sistemin mediatik. Nuk them një gjë të re – personalisht e kam thënë që para dhjetë vjetësh – nëse pohoj se tek ne është krijuar një përqendrim i pushtetit politik, ekonomik dhe mediatik në pak duar që kontrollojnë vendin dhe përfitojnë në kurriz të shumicës që është e pafuqishme për ta ndryshuar këtë gjendje, madje viktimë e saj. Këtë sistem e kam quajtur “regjim mediatik” në kuptimin se, nëse në të ashtuquajturit regjime ushtarake apo policiore përdoret policia e shëbimet sekrete apo ushtria për të mbajtur pushtetin, ky i yni përdor mediat. Mediat pra, kësisoj, janë tjetërsuar në rolin e tyre. Ato nuk janë pushtet i katërt, por zgjatim ose më saktë instrumente të pushteteve politike e ekonomike, qendrore e lokale.
Problemi është se, ashtu siç e reflekton edhe shkrimi i Fevziut, mizerabiliteti i mediave kohët e fundit ka degjeneruar në shkallën sipërore. Kjo sipas meje sepse kemi arritur në një pikë kulmore të degjenerimit të sistemit ose, thënë ndryshe, të tjetërsimit të rolit të mediave në një demokraci. Shkaqet e këtij degjenerimi janë disa. Do të doja të ndalesha më shumë tek degjenerimi që u sjell gazetarëve ky sistem. Duke punuar në një sistem të tillë çdo gazetar, dora dorës, në vend se të zhvillojnë artin e profesionit të tij, zhvillon artin e shërbimit dhe adoptimit ndaj kërkesave të pronarëve, që me fjalë të tjera mund të quhet edhe arti i skllavit: gënjeshtra. Në vend se t’i impostojë lajmet apo emisionet e veçanta me synim të vërtetën ai i imposton me synim shërbimin ndaj një interesi. Tashmë kush punon në media i di rastet e shumë gazetarëve të njohur që, duke u transferuar nga njëri televizion që i shërbente Ramës në një televizion që i shërben Berishës, kanë kthyer krejtësisht edhe qëndrimin e tyre politik. Ky boshllëk bindjesh personale nuk mund të mos nënkuptojë edhe një zbrazësi pasioni për profesionin. Roli i shërbëtorit nuk kryhet me pasion përveçse në rastet psiqike. Ai bëhet për mbijetesë ekonomike. Një produkt i tillë pune nuk ka se si të mos vijë duke u bërë gjithnjë e më mizerabël. Ai bëhet gjithnjë e më mizerabël edhe pasi, në një sistem zinxhir, gazetarët që duhet të mbushin lajmet zgjidhen që të mos kenë tjetër aftësi veç aftësisë së shërbimit e nënshtrimit. Katandisja e emisioneve të lajmeve në kaseta të dërguar nga shtabet e partive apo në transmetime deklaratash të zëdhënësve të partisë, për çka flet Fevziu në shkrimin e tij, nuk është tjetër veçse rrjedhojë e këtij degjenerimi, ku, në rastin më të mirë, gazetarët heqin çdo përgjegjësi nga vetja. Ajo që realisht mungon në lajme është zëri i gazetarit të pavarur që shpreh opinionin e tij dhe të publikut ashtu siç e njeh ai. Por edhe në debatet politike të Fevziut - e jo vetëm - ky zë i pavarur ka kohë që mungon. Gjithnjë e më shumë në debatet politike televizive njerëzit janë të detyruar të dëgjojnë ose të vërtetën e zëdhënësit të njërit pushtet ose atë të tjetrit, pa pasur mundësinë të dëgjojnë kritikën e njërës ose tjetrës palë nga zëra jashtë intresave të tyre.
Gjithë duke mbetur tek gazetarët, do të thoja se një shkak tjetër i rritjes së degjenerimit të mediave tona është se, nëse disa vjet më parë, ndër gazetarët ende funksiononte bindja se ata po mbështesnin njërën palë kundër palës tjetër pasi kishin bindjen se kjo ishte e drejtë, sepse ajo që ata mbështesnin ishte e keqja më e vogël, tanimë është bërë e qartë se kemi të bëjmë me të njëjtën të keqe të ndarë më dysh. Sot të pretendosh se po mbështet të keqen më të vogël kundër të keqes më të madhe është thjesht vetëgënjim; të bësh alibinë e shërbimit ndaj njërës së keqe sepse tashmë është bërë e qartë se e keqja më e vogël, sapo ka ardhur në pushtet, është bërë më e madhja. Nuk mund të mos përmend këtu zhgënjimin që solli Sali Berisha edhe përsa i përket ndryshimit të gjendjes në media. Sikurse dihet themelet e regjimit mediatik që vuajmë sot i hodhën socialistët, veçanërisht dyshja Meta - Rama. Duke shfrytëzuar i pari pushtetin qëndror që kontrollonte privatizimet, tenderat e rrugëve, reklamat e me rradhë dhe i dyti lejet e ndërtimit dhe investimet e rrugëve në Tiranë ata hodhën themelet e këtij sistemi. Nuk është rastësi që shumica e pronarëve të mediave janë pasuruar nëpërmejt privatizimeve dhe lejeve të ndërtimit e tenderat. Shumë media madje lindën që në fillim me këtë synim të mbrapshtë. Të gjithë i kujtojnë protestat e Nikoll Lesit asokohe që e pa veten të fundosur si pronar i një gazete që nuk kishte biznese të tjera, si dhe propozimet e tij për një ligj mbi konfliktin e interesave në media. Sali Berisha erdhi me premtimin se do ta ndryshonte këtë gjendje, por në vend se të bënte këtë ndërtoi strategjinë se si ta kthente në krahun e tij sistemin mediatik. Sipas mendimit tim ky ishte momenti i fundit ku gazetarët ende mund të shpresonin se do të mund të punonin në media të tilla ku ata do të informonin dhe kritikonin në emër të interesve të opinionit publik. Sali Berisha bëri kauzë të përbashkët me pronarët e mediave që do ta mbanin e mbështesnin atë në pushtet duke u ofruar atyre përfitimet që më parë ua kishte ofruar Meta e Rama. Kjo e mbylli ciklin. Kjo politikë hoqi çdo mundësi për gazetarët që të shpresojnë se mund të mbijetojnë si gazetarë duke i bërë kritikën të dy palëve, dmth. sistemit, çka do të thotë, me fjalë të tjera, t’i shërbejnë opinionit publik. Si gazetar mund të mbijetosh veçse nëse vihesh në shërbim të njërës palë. Rast kuptimplotë është ai i Mero Bazes. Pasi ka goditur për disa vjet me rradhë Edi Ramën si themelues të këtij sistem mediatik, në emër të luftës politike që i bënte Berisha këtij sistemi kur ishte në opozitë, sot kthehet e akuzon për kalërues të sotëm të tij Sali Berishën (deri këtu jam dakort), pa thënë asnjë fjalë për përgjegjësitë e Edi Ramës, madje duke kthyer gazetën e tij në zëdhënëse të politikave të Ramës, ndonëse ai e di se shumica e gazetarëve më serozë ndajnë mendimin se Rama përbën një rrezik po aq të madhe sa Berisha në mos më të madh, për lirinë e medias, dhe se kjo frikë prej tij ishte ndoshta arsyeja kryesore që ai nuk i fitoi dot zgjedhjet. Pamundësia për të goditur sistemin në tërësi, thënë ndryshe nevoja për t’i shërbyer një palë duke fshehur gjysmën e së vërtetës, tregon për grackën që ka ngritur sistemi për gazetarët që synojnë të jenë të pavarur.
Dikush mund të më bëjë vërejtjen se për gazetarinë, gjithsesi, është më mirë të kemi disa grupe të këqij interesi sesa një të keqe të madhe të vetme interesi - çka mund të parashikohet të ndodhë me humbjen e Bashkisë nga Edi Rama. Pajtohem deri diku me këtë mendim. E vetmja hapësirë për të thënë disa të vërteta që krijon ky regjim mediatik janë interesat e ndryshme të pronarëve të ndryshme të mediave të lidhura me partitë e ndryshme politike, pavarësisht se ata funksionojnë brenda të njëjtit sitem ku shumë të vërteta, që janë në kundërshtim me interesat e të dy palëve, nuk i thuhen publikut. Edhe unë mendoj se kur të mos mbetet më pronar mediash që të ketë interes të mbështesë partinë e Ramës për shkak të humbjes së Bashkisë, atëhere i gjithë sistemi mediatik do të mbetet në dorë të pushtetit qendror dhe kjo do ta rrisë edhe më rrezikshmërinë e regjimit mediatik. Mediat do të kthehen të gjitha në propagandues të sukseseve dhe arritjeve të një pushteti të vetëm dhe atëhere, ndoshta, do të kemi nostalgji për “mizerabilitetin” që përjetojmë sot. Por, ngulomoj se në vend të nostalgjisë së nesërme është më mirë të kuptojmë që sot se kjo është e ardhmja e një sistemi mediatik të ndërtuar keq dhe me synime të këqija e se, duhet të punohet që sot për ta ndryshuar atë si nga brenda ashtu edhe nëpërmjet mediash altarnative, në mënyrë që gazetarët të çlirohen nga shpërdorimi i punës së tyre për qëllime të tjera nga ato të interesit publik.
Gjithsesi jam i bindur se ky “regjim mediatik” një ditë, jo shumë të largët, do të bjerë, si çdo gjë e ngritur mbi principet e së keqes dhe padrejtësisë. Dhe shumë pronarë mediash e gazetarë duhet ta dinë se ata do të mbeten në histori jo si emancipues e zë i së vërtetës, por si përgjegjës e përfitues të së keqes. Shëmbëllyeshëm me atë si konsiderohen shefat e sigurimit apo shefat e ushtrive në regjimet policore apo ushtarake, paçka se dëmi që i bëjnë shoqërisë mund t’u duket më i vogël. (Korrieri, 15 tetor 2009)
Friday, October 16, 2009
Mbi mizerabilitetin e mediave
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
-
Në Bibël ka një pasazh që është komentuar shumë: ai ku përshkruhet çfarë ndodhi në momentin para se Kaini të vrasë Abelin. Komentohet fakti...
-
Në mbyllje të 2005-sës, vit të cilin, në petkun e gazetarit, e kam ndjekur hap pas hapi me shkrime, kryesisht mbi jetën dhe zhvillimet polit...
-
Një her ë e një koh ë e kam dashur edhe unë Vaçen, por më duhet të them se kjo i përket periudhës së jetës kur njeriu ende beson tek m...
9 comments:
I dashur Lubonja
Pashe qe kishe vizituar Londren per te inaguruar perkthimin e librit tuaj, te cilin doemos qe e kam. Akoma nuk e kam lexuar.
Ne lidhje me shkrimin, dhe ne lidhje me komentimin qe ju beni, vazhdoni te jeni mahnites, shum i thelluar ne mendime qe nganjehere mendoj se askush nuk i kupton, per fajin e tyre se jane te trashe dhe jo per fajin tend.
Ju uroj nje fundjave te kedeshme.
Alban Bytyqi
Duke qene dakort me shkrimin ne fjale, por edhe me shume ide te parashtruara nga z Lubonja rreth mediave nuk mund te rri pa shprehur nje tjeter shqetesim timin po ne lidhje me mediat. Shqetesimi im ka te beje me intervista qe japin ne mediat tona ish lider te komunizmit. Rasti me i fundit ishte ai i zotit Alia ne "Top Story" te S Balles apo te Nexhmie Hoxhes ne "Shqip". nuk jam kundra ketyre intervistave thjesht per faktin se ato kan qene dhe jane pergjegjes per ato qe kemi kaluar dhe po kalojme. problemi eshte me i thelle se kaq. ne radhe te pare ato nuk reflektojne asnje lloje keqardhje apo pranese faji per te gjithe ato qe kan bere ose te tjeret kan bere nen urdhrat apo pergjegjesine e tyre. perkundrazi flasin gati si me brenge qe i iku pushteti nga duarte. Se dyti pervec intervistave dypaleshe qe me teper i ngjajne apologjive te tyre ato nuk kan bere kurre nje ballafaqim te vertete publik me intelektuale, artiste dhe politikane te cilet e kan vuajtur mbi shpine sistemin e ndertuar nga vete ata. Me kete nuk dua te mohoje se gazetaret te cilet i kan intervistuar nuk i kan pyetur per pergjegjesite e tyre. Por eshte dicka krejt tjeter ballafaqimi ne nje emision me nje gazetare nga nje ballafaqim ku ti ke perballe te gjithe ata qe kan jetuar nen vuajtie dhe qe jane me te kthjellet dhe koherent me pikat kruciale te periudhes se komunizmit. Kjo tregon se keta persona nuk eshte se thjesht kan ruajtur te njejten ideologi, perkundrazi ato tregohen disi te moderuar per sa i perket ideologjise (gjithmone nese vertet kan patur nje ideologji), por ajo qe nuk ka ndryshuar tek ta eshte morali i tyre i mbrapshte. Pra tani 20 vjet pas renies se Murit te Berlinit, ne i ftojme keto persona me te njejtin moral te pandryshuar te japin opsionin e tyre te fakteve historike gjate viteve 45-90. Dhe pervec ceshties se amoralitetit po te vesh re intervistat e Alise apo Hoxhes thelle thelle ato ruajne te njejtin stil komunikimi me publiku si para 90es po ashtu edhe tani. Thone te vertetat e tyre, por qe tek e fundit jane te verteta gjysmake. Per hire te se vertetes ka goxha shqiptare qe as qe i besojne atyre qe ato thone (sidomos nje pjese e brezit te vjeter), por nga ana tjeter ka edhe te rinje te cilet duke degjuar keto te verteta gjysmake te Alise ku del si personazh qe solli dale ngadale demokracine, jo qe kerkonte mardhenie te mira me fqinjet, apo se hoqi denimin me vdekie per kalimin e kufirit rrezikon te krijoje nje steriotip ambig te ketyre personazhe te diktatures si te keqinje nga halli por te mire ne parim apo thelb!
Dhe pikerisht qe te shmangim keto fenomene te cilat per vendet e tjera ishkomuniste mund te konsiderohen si skandale do te na duhet nje media vertete te lire, me kete nuk dua te them se mediat jane te kapura nga ish "komunistat" (qe mbase per disa edhe media edhe mund te jete e vertete) Fakti eshte se po nuk pati gazetare te lire ose skllave sic permendet me larte. Nuk mund te kete profesionalizem dhe koopetence te vertete gje qe do ta ndryshonte profilin e mediave edhe per sa i perket diktatures apo moralit te saje te cilen aq sa e shajme po aq e aplikojme.
Glen LLaçi
Shkrimi juaj natyrisht qe ka shume te verteta. Gjithsesi mendoj se nuk mund te perdoret nje simetri e tille e frikshme sic perdorni ju kur cilesoni mediat dhe gazetaret e ndryshem qe mbeshtesin mazhorancen dhe te tjeret qe mbeshtesin opoziten. Media per nga percaktimi duhej te ishte opozitare per sa kohe qe media duhet te jete ne pararoje te luftes per persosmeri. Ne kete sens une mund ta kuptoj dhe ta mirepres medien opozitare nderkohe qe me frikeson shume me teper dhe ma neverit njekohesisht media zedhenese e mazhorances, servile, manipuluese dhe padyshim e skllavezuar. Kur i referohem medias opozitare natyrisht qe kam ne mend edhe median qe sulmon tenderat e bashkise se tiranes, te kuptohemi per kete. Por sidoqofte ajo qe me duket me e frikshme eshte mungesa e gazetareve rebel, opozitare qe thone ate qe mendojne e qe nuk lepihen para pushtetin apo te behen shtojca e zyrave te pushtetit sic emisioni i mikut tuaj qe i referoheni kaq shume ne kete shkrim. Kjo e keqe nuk ka pse me patjeter te kerkohet te pushteti i cili ne cdo vend te botes kerkon te korruptoje sa kohe qe do te qeverise i qete, po ne rradhe te pare tek formimi i dobet i gazetareve te cilet funksionojne per t'u bere medeomos vasale te pales qe sjell me shume perfitime. Fatkeqesisht si ne shume fusha edhe ne kete lame kemi mungese te modelit te gazetarit qe eshte ne funksion te opinionit publik. Ne te vertete ne kemi si model gazetare qe kane fuqi te ftojne ne emision edhe persona qe prokuroria ka veshtersi ti ndaloje apo te tjere qe kur shajne me apo pa te drejte absolute qeverine, iu hidhet ne ere makina.
I nderuari Lubonja,
Si gjithmone na pickoni me reflektimet e juaja mbi trupin e shoqerise shqiptare. por verej gjitmone e me shume se kur shpjegoni disa fenomene kaloni ne siperstrukture, duke fajesuar politiken qe krijon servila kampingjesh partiake, e kehstu duke asfiksuar debatin publik. e delegoni te gjithe te keqen ne sistem dhe jo ne elementen e saj te korruptuar...nuk jam perkrasitje morale, por aty ne hyrje mund te thoni fare haput se Fevziu ka krijuar nje gazetari alla Bruno Vespa ku pushteti himnizohet jo per merita po per shirita...
nejse e shikoj edhe vete se kam shume mendime te ngacmuar nga shkrimi i juar prandaj po rezervohem sa t'i perpunoj e ti rafinoj aq sa Ju..
Ju pershendes...
Z. Lubonja,
Jeni padyshim nga te paktit, per mos te thene i vetmi ne profesionin tuaj qe jeni i lire!
Per kete ju shpreh konsideraten time!
Kete Z. Fevziu nuk mund ta kuptoj lehte...
Ka ngritur nje makine qe me se miri i sherben klasave politike, por mund te them me shume individeve te preferuar te "tij"!
Ky gazetar me emisionin e tij i ngjan nje lavozhoje apo nje servisi ku mjeshterat e pastrimit apo llamarinistet qe do ta pastroje dike ose ti japin nje luk te ri jane pseudoanalistet dhe dhe pseudoopininistet qe shume here i mistifikojne gjerat thjesht sepse nuk ju pelqen ti thone troc!
Ky duhet te beje nje introspection per veten pastaj te shkruaj per gazetarine!
Sokol
I NDERUAR ZOTI LUBONJA.
Vertet mendoni se do te jete keq qe pushtetin lokal ta fitoje e djathta.
Ju thoni se do shuhen dhe ato pak zera opozitare dhe mendoni se kjo do te ishte nje humbje e madhe .
Jo zoti lubonja per sa kohe mediat tona i sherbejne apo jane skllave te politikes me mire te jene te se njejtes pale,pasi keshtu ne do kuptonim se kemi shkuar aty ku ishim 20 vjete me pare.Do ishte qesharake por ndoshta edhe vetshkaterruese.
Kur flasin mediat kunder njeres apo tjetres pale,une degjoje te njejten gje (Sherbim ndaj xhepave).
Pse te ishte keshtu e maskuar ca xhepa blu e ca te kuq.
Uroj me gjithe zemer qe medjat te flisnin per te njejtet xhepa qofshin keta te Saliut apo te Edit.
sano
Pershendetje
Plotesisht pajtohem me elaborimin dhe spjegimin e lidhjeve te interesave Pronarmedie-Pushtet.Nje gje nuk mu duke fajesim i drejte i Berishes me ate se ai duhej ne nje fare menyre t'i jepte fund Mizerabilitetit Mediatik (Politizimit te mediave), dhe nuk e beri.Ne kete rast nuk dua ta shfajsoj Berishen 100% por mendoj se une ne rastin e Berishes nuk do te kishta edhe shume zgjedhje.Nese Rama tere kohen do te godiste Berishen me media te politizuara, heshtja e Berishes (dmth.qendrimi larg mediave i Berishes) nuk do te ishte ne sherbim te se vertetes.Pasi ne kete rast RAma do te tregonte me te zezen nga Qeverisja-Berisha dhe moskunderthenia e Berishes ndaj Rames , duke treguar me te bardhen nga qeverisja e vet, do te linte shikuesit (lexuesit) e mediave te shohin vetem te zezen nga Qeverisja-Berisha.Ne kete rast nuk mbroj/fajsoj asnjerin, ne vend te emrave te politikaneve mund te lexoni x-y; pozita-opozita etj.Mendoj se nje faj me te madh e kane Pronaret e Mediave te cilet nuk do te preferonin ne asnjemenyre te mbeteshin te 'paushqyer' nga o/pozita.
'The Insider'- nje film based on true story qe tregon nje lufte shume e rrallebere nga nje gazetare i NBC. Ky film me le te kuptoj , dhe te bie ne kundershtim me perfundimin e z.Lubonja se do te behet me mire ne mediat Shqiptare; njekohsisht me le te kuptoj se pasi ne vendet me demokratike ne bote existon ky problem, patjeter se te ne do te jete akoma edhe me evidente.
Pra nje pyetje e imja drejt z.Lubonja do te ishte , cila eshte zgjidhja (cka do te duhej te bente Berisha-nderlidhe me rastin lart)?
Shkrimi eshte i bukur po do te ishte dhe me i bukur sikur te ishte tonuar me efekte fjalesh me te ekspresive si : Horrori- Dhuna - Helmi i mediave dhe jo Mizerabiliteti i mediave. Mizerabiliteti i mediave vjen te une si dicka e formes pasive ku ne te gjithe e dime problemin dhe ndjejme keqardhje per mjerimin e mediave. "Regjim mediatik" Helmi mediatik, Dhuna mediatike, Anestizia mediatike, Horrori mediatik ose Regjimi kriminal mediatik. Pa e tepruar disa me ndergjegje disa nga trushplarja militantiste, disa nga mbijetesa, disa nga medriokriteti injektojne helmin te i gjithe populli me nje mase e cilesi agresive, prandaj mendoj qe dhe vaksinimi kunder ketij virusi mediatik duhet te jete me te njejtin intesitet agresiv qe te tunde e te shkunde ndergjegjen e te gjitheve
Duke iu pergezuar per shkrimet tuaja te thella me duhet te merrem me dy pika qe nuk mendoj se juve nuk i ngrini drejt.
1- Paralelizmi qe beni kundrejt Berishes me Ramen.
Berisha me Ramen nuk jane njelloj dhe ju e dini kete.(Rama nuk mund te krijonte 97 apo jo?)
Me vjen keq qe gjithe gjykimet e tua i lidh me kete barazim qe ne nje fare menyre justifikon qendrimin asnjeanes ndaj asaj lufte per pushtet qe po ndodh ne Shqiperi.. dhe lidhur me kete eshte edhe debati per hapjen e kutive qe ne fakt mund te prodhoje tjeter fitues..
Ju e dini qe kauza e kutive eshte e drejte por e justifokoni abstenimin tuaj .. he mos se keta njelloj jane..
Ne shkrimin tuaj si zakonisht nuk jepni zgjidhje praktike te problemeve qe ngrini .. po ju a jap une nje ...tek kutite qendron ilaci i atyre mediave te felliqura qe po flisni dhe po harxhoni kohen sot. Aty fillon dinjiteti njerezor dhe gazetaresk..
Me Ramen e di qe keni aresye personale qe te mos puqeni(megjitehse mendoj qe sot duhet te ishit ne kraun e opozites)
Sa per ato media te kontrolluara nga Rama te pakten kemi ca te mira:
1-ne sot nuk jemi bere kazani i plehrave te italise
2-kemi nje debat per kufirin detar.
..
Problemi tjeter eshte qendrimi kaq pothuaj cinik ndaj Mero Bazes..se demek po mban krahun e Rames..
Ai nuk eshte ai nga te vetmit gazetar qe u largua me deshire nga pjata e pushtetit? Nderkohe qe kercenohej edhe fizikisht? E keni ven endonjehere veten ne keto situata?
I dashur Lubonja qe te qetesoni ndergjegjet tuaja beni ate qe eshte me racionalia tani.. . mbani krahun e opozites dhe mos beni idealistin qe do sjelli ne Shqiperi sistemin nordik.
Post a Comment