Saturday, October 24, 2009

Mbi thellimin e bojkotit nga PS

Nuk është shumë e qartë se ç’po bën Partia Socialiste dhe ku po shkon me thellimin e bojkotit të Parlamentit edhe me mospjesëmarrjen në zgjedhjet e pjesëshme të 15 nëntorit. Kam përshthypjen se këtë ndjenjë paqartësie ndajnë edhe shumë të tjere, madje se as udhëheqësit e saj, me në krye Edi Ramën, nuk e kanë të qartë se ku po shkojnë. Intuita më thotë se kemi të bëjmë me një aventurë që po e çon këtë parti, dhe krejt vendin, në situata gjithnjë e më të paparashkikueshme.
Nëse do të kërkojmë shkakun e këtij veprimi besoj se ai mund të gjindet në një sëmundje të politikës sonë të paskomunizmit që e ka shoqëruar gjithë tranzicionin. Kjo sëmundje është kombinimi i dy të këqijave që janë si të thuash dy anë të së njëjtës medalje: prirja e atij që fiton për vendosjen e një pushteti absolut dhe padurimi i humbësit për të riardhur në pushtet e për ta vendosur ai pushtetin absolut. Të dyja janë sëmundje të së kaluarës jodemokratike të vendit. Kush kujton vitet 93 – 94 me siguri do t’i vijë ndërmend se pushteti i Sali Berishës konsiderohej shumë i përkohshëm në ato vite nga opozitarët e tij. Po ashtu kush kujton vitet 96 – 97 - 98 do të kujtohet se sa pak rëndësi kishin institucionet në krahasim me lojën e forcës. U duk se akti i fundit i kësaj faze u mbyll më 1998, kur Sali Berisha hyri me arkivolin e Azem Hajdarit në Kryeministri për të marë pushtetin. Të gjithë e kujtojnë se asokohe u deshën telefonata nga ndërkombëtarët që Berisha të urdhëronte tërheqjen e trupave të tij nga institucionet e pushtuara.
Pas asaj kohe politika shqiptare u duk se hyri në një hulli disi më normale. Marrja e pushtetit ka ardhur me zgjedhje që, edhe pse të kontestueshme, janë konsideruar gjithnjë e më afër të vërtetës së votës. Për këtë duhet të falenderojmë ndërkombëtarët sepse, siç e tregojnë edhe zhvillimet e fundit, politika jonë nuk është pjekur ende për të realizuar zgjedhje të ndershme dhe marrje ose lëshime demokratike e paqësore pushteti.
Sikur të prisnim një zhvillim normal të kësaj tendence sipas meje Partia Socialiste, edhe pse kontestuese e zgjedhjeve, do të duhej të ndiqte rrugët insitucionale për marrjen e pushtetit. Pra do të duhej të bënte një opozitë gjithnjë e më të fortë në Parlament e media e në rrugë, gjithë duke pastruar vetveten e pritur me durim t’i bjerë dardha në dorë, sepse, po t’i referohemi përvojës paraardhëse, pushtetet tek ne, pas tetë vjetësh, bëhen të padurueshëm për shkak të rritjes së pashmangëshme të korrupsionit më një anë dhe të megallomanisë së liderit më anën tjetër.
Po pse PS është kaq e paduruar? A është ky thjesht padurimi i etjes për pushtet të Edi Ramës? Mos kemi të bëjmë me një padurim më të madh sesa të një njeriu brenda mbështetësve të PS kurse Edi Rama është thjesht interpretues i tij? Mos vallë socialistët parandjejnë se, nëse e lenë edhe katër vjet në pushtet Berishën sëbashku me Ilir Metën, rreziku që ata të dobësohen edhe më keq është edhe më i madh? Apo mos vallë rreziku që paraqet tërheqja e Partisë Socialiste nga institucionet mund të rezultojë fatal për fatin e kësaj partie, ndoshta edhe për vendin?
Këto janë pyetje ndaj të cilave nuk kam ndonjë përgjigje të prerë sepse përgjigjet më dalin me plot kundërthënie. Do të dëshiroja të lexoja më shumë komente nga njerëz që nuk janë militantë të njërit apo tjetrit krah lidhur me këto çështje. Çuditem se sa pak debate gazetarësh të parreshtuar në njërin krah apo tjetrin ka për këtë çështje që më duket tejet e rëndësishme. Nuk mungojnë shprehje individuale mendimi, por mungon debati që e thellon të vërtetën.
Me siguri di të ripërsëris disa gjëra që besoj se në PS i dinë, por varet se sa dhe si i interpretojnë.
Së pari, bojkoti i insitucioneve ose, thënë ndryshe, ndjekja e rrugës jashtinstitucionale nuk mbështetet nga ndërkombëtarët që e kanë shoqëruar deri tani rritjen e politikës sonë. Dhe, paçka se kemi kohë që ndërkombëtarët na kanë lodhur duke na mbajtur në gjendjen e një protektorati ku protektorët nuk mbajnë as përgjegjësi për atë që ndodh, kjo më duket se është e një rëndësie të dorësë së parë duke patur parasysh realitetin, jo dëshirat tona.
Së dyti, sot nuk ka ndonjë ndjeshmëri të madhe popullore ndaj këtij bojkoti, siç ka pasur në vitete para, qoftë kundër Berishës qoftë kundër Socialistëve. Sot pakkush, përveç militantëve që presin të kenë përfitimin direkt nga lufta për pushtet, i ndjek politikanët tanë në aventurimin e tyre jashtinsitutcional. Kjo sepse njerëzit nuk bëjnë ndonjë dallim esencial midis njerëzve të Berishës dhe atyre të Ramës përsa i përket të keqes më të madhe që ata përjetojnë sot, që nuk është privimi i lirisë, si në vitet e para, por kapja e shtetit dhe përdorimi i tij për interesa që janë të kundërta me interesat e shumicës.
Ç’është e vërteta duhet të kemi parasysh se dhe në vite të tilla si viti 1997 - që duket sikur kërkon të imitojë paksa Rama me lëvizjen që kërkon të bëjë duke bashkuar në një front kundër Berishës të majtë e të djathtë - sikur të mos kishte ndodhur kriza e rënies së piramidave, zor se do të ishte krijuar situata që do ta detyronte Berishën të pranonte zgjedhjet e parakohëshme.
Pra, edhe nga përvoja e atyre viteve, më duket se del qartë se, sikur të mos ketë një kolaps të rëndë ekonomik, zor se dyshja Berisha Meta do të mund të largohej nga pushteti me rrugë jashtinstitucionale. Pa dyshim askush nuk e dëshiron një kolaps të tillë dhe as daljen e situatës jashtë kontrollit të institucioneve. Mendimi im është se dalja jashtë kontrollit është edhe e pamundur, për shumë arësye ndër të tjera edhe përvoja e 97-tës. Ndërkaq, edhe nëse kemi një krizë të rëndë, më duket se rruga më e lehtë dhe më pa dhimbje për ta detyruar qeverinë të dorëhiqet është ajo insitucionale. Në një rast krize të tillë jam i sigurt se në Parlament do të konfiguroheshin ndryshime që do ta detyronin Berishën të dorëhiqej. Mirëpo ndërkaq, lënia e institucioneve në dorë të Berishës dhe Metës e bën gjithnjë e më të pamundur ndryshimin e gjendjes me rrugë institucionale. Pra, sa më shumë njerëz të ketë Berisha dhe Meta në institucione dhe sa më pak opozita aq më vështirë mund të arrihet një fitore e opozitës me rrugë institucionale. Nëse psh. do të imagjinojmë një situatë ku PS nuk merr pjesë në zgjedhje parlamentare dhe e le Parlamentin të mbushur me deputetë të Berishës dhe Metës atëher del qartë se e vetmja mënyrë për ta ndryshuar këtë gjendje do të ishte ajo jashtinstitucionale, futja e vendit në një krizë të përgjithëshme. Sikurse e kam thënë edhe herë tjetër kjo do të mund të justifikohej – paçka se me shumë kundërthënie – sikur të bëhej nga një forcë e re politike që do të lindte me synim rrëzimin e sistemit të korrupsionit të ngritur nga e tërë kjo klasë politike, kurse PS, si një parti që ka kontribuar deri tani në ndërtimin e këtij sistemi e të këtyre insitucioneve me të mirat dhe të këqijat e tyre, nuk mund ta udhëheqë një lëvizje të tillë.
Në këtë kontekst thellimi i bojkotit të PS duke hequr dorë edhe nga zgjedhjet e pjesëshme lokale, me kërcënimin se do të heqë dorë edhe nga lokalet e përgjithshme, më duket një akt iracional një aventurë që e bën të ardhmen gjithnjë e më e paparashikueshme në kuptimin e keq të fjalës. (Korrieri, 22 tetor 2009)

8 comments:

Unknown said...

Edi Rama E ben protesten per te pare se sa e mbeshtet populli si dhe per te justifikuar humbjen ,

Unknown said...

analiza normale po rruge tjeter ne horizont per ate qe ne te gjithe e quajme shume te rendesishme, por asnjehere nuk i japim rendesine e duhur nuk ka....

Endri said...

Kam pershtypjen se Rama nuk po del dot nga rruga qe ka nisur nga njera ane e nga ana tjeter nuk eshte i afte te mendoje strategjikisht.

Perndryshe veprimi i daljes nga zgjedhjet lokale dhe pershkallezimit te protestes ne rruge joinstitucionale eshte krejtesisht i pamatur. Eshte po aq i pamatur sa cishte veprimi i tij per te mos rene ne ujdi me Meten qe para zgjedhjeve qe ne mos ne te njejtin koalicion, te pakten te mos humbisnin apo ti dhuronin vota kampit proberishian. Nje ujdi e domosdoshme per tu siguruar ndaj nje autokrati si Berisha qe (ashtu sic ndodhi realisht) ishte e qarte qe nuk do te bente loje te ndershme. Me nje autokrat si Berisha zgjedhjet nuk duhej te ishin lene ne dore te 4 apo 5 kutive. Aq me teper kur te gjitha palet kishin kohen e mjaftueshme per tja pershtatur strategjite kodit zgjedhor.

Rama edhe tani nuk ka nevoje te dale rrugeve. Aq me pak ja kane ngene shqiptaret piruetave te humorit te tij apo ceshtjeve personale me Meten. PS e Rama kane nevoje ti therrasin mendjes se keshtu nuk kane per te arritur gje por duhet te bien ne ujdi me Meten e te gjejne zgjidhje politike.

Anonymous said...

Z Lubonja a nuk mendoni se me shume se sa te behet presion tek opozita qe te futet ne parlament a nuk do te ishte me e udhes te behej presion tek mazhoranca te pranonte hapjen e kutive per te pare dhe jo per te ndryshuar rezultatet e zgjedhjeve te 28 qershorit? A nuk mendoni se ne te vertete eshte me e ndershme kjo e dyta?

Anonymous said...

Ju e dini shume mire se kush eshte e keqja me e madhe. Dhe ashtu sic thote konfuci turbullo kthjello. Ndoshta, jo ndoshta po eshte me mire te mos hyhet ne parlament. Ju vret ndergjegja dhe doni te beni ortakeri me komentuesit.

Fatos Islami said...

I nderuar Lubonja.
E verteta eshte qe nepermjet analizash eshte shume e veshtire te paramendosh politiken shqiptare, sepse asnjehere ajo nuk luhet nga politikane te mirefillt. Ajo qe ne sot e quajme politike ne Shqiperi eshte shume me e komplikuar se kaq. Ajo duket me shume si nje loje e bandave mafioze qe rivalizojne njera tjetren se sa si nje loje e paster politike. Te gjitha variantet qe ju permendni per partine socialiste qendrojne, por une do shtoja dhe nje. Partia socialiste e Edi Rames, me humbjen ne zgjedhje, tashme ndihet ne vakum politik. Ajo eshte nje parti e pa qarte dhe pa asnje program zhvillimi apo reformues. Kjo parti eshte e kalbezyer dhe e percare nga korrupsioni si te gjitha partite politike ne Shqiperi. Partia socialiste eshte ne panik per shkak te koalicionit te pozites me LSI dhe e vetmja rruge qe i ngelet per te bere te mundur nje fitore ne zgjedhjet e ardhshme te 2013 eshte vetem kontestimi i vazhdueshem nga ana e saj per zgjedhjet e 2009. Edi Rama duke e pare qe nuk ka rruge tjeter per te fituar si ne zgjedhjet lokale qe vijne ashtu edhe ne zgjedhjet e pergjithshme, gjen te vetmen rruge qe i ka mbetur kontestimin e vazhdushem te zgjedhjeve. Llogaritja e tij behet qe te terheqi vemendjen e nderkombetareve gjate ketyre 4 viteve te ardhshem, pasi ai e di shume mire qe ne zgjedhjet shqiptare me e rendesishme eshte c'mendojne nderkombetaret sesa vota e popullit. Nuk e di se sa do punoje kjo formule e Rames, por gjeja me e mire qe duhet te ndodhe do te ishte dobesimi deri ne shkaterrim i partise socialiste. Shkaterrimi i saj do te ishte i vetmi fillim i fitores se popullit shqiptar mbi eliten politike. Ju nuk duhet te shqetesoheni dhe bashke me ju te gjithe ne per shkaterrimin e kesaj partie, duke e konsideruar ate si humbje te opozites, pasi kjo parti ka deshmuar gjithe kohen qe nga krijimi i saj se nuk eshte opozite e vertete qe i sherben interesave kombetare. Shkaterrimi i saj do te thote nje bande me pak dhe sipas forces levizese te gjerave ajo pa dyshim do te bjere edhe renien e bandave te tjera me vone, sepse shkaterrimi i kesaj partie mund te hapte rrugen e krijimit te nje opozite te vertet qe mungon. Vetem me lindjen e nje opozite te vertete do te ishte i mundur shkaterrimi i bandave te tjera te krahut te djathte.

Ermal F. said...

Duke qene jurist po bej nje disclaimer qe ne fillim mbi mungesen e informacionit qe aktualisht kam apo evidences qe zakonisht perdoret per te mbeshtetur argumenta. Si te tille, keto qe po them jane thjesht mendime per te bere nje tip interpretimi te aksioneve publike te PS dhe c'fare mund te ekstrapolojme nga to. Po i referohem kryesisht pikes se fundit te shkrimit mbi vazhdimin e bojktotit.

Do te duhet ndonje veprim nxites dhe i forte ose i bredshem ose i jashtem qe ta detyroje PS te kthehet ne parlament, while saving face. Kthimi ne parlament dhe vazhdimi i te berit opozite te forte te kombinuar dhe me aksione jashte institucioneve nuk perben ndonje gje tmerresisht te re apo inovatore ne vetvete.

Nga ana tjeter, vazhdimi i bojkotit me idene e krijimit te nje kushti detyrues per mazhorancen ne grup ose edhe vetem LSI per t'u kthyer ne tryezen e negocimit do te varet ose nga gjetja e ndonje elementi kushtetues kur mazhorances do t'i nevojiten 85 vota dhe aktualisht nuk do t'i kete, ose kur me kalimin e nje kufiri hipotetik prej 6 muajsh, edhe vete ekzistenca e "mandateve" te PS do te vihet ne pikepyetje, cka do te sjelle nje de jure dhe de facto keqfunksionim te parlamentit. Kjo e fundit do te cenoje keq legjitimitetin e qeverise dhe do te mbetet gozhde per te. Sidoqofte, mbetet per te pare se sa kontroll do te jete i afte te ushtroje Rama ndaj grupit te deputeteve te zgjedhur qe ne rastin e vazhdimit te bojkotit mund te deshirojne kthimin individual ne parlament. Ne rast te mungeses te kontrollit, kjo do te krijonte veshtiresi per a) Ramen dhe b) vete PS-ne.

Xhavit Gasa said...

Edi Rama po shkaterron PS dhe po lufton integrimin e Shqiperise ne europe.