Thursday, July 15, 2010

Trashëgimia kulturore - kur mirëpasja shkatërron mirëqënien*

Këto ditë po lexoj një libër, nëntitulli i të cilit është: "si të kalojmë nga shoqëria e mirëpasjes, në atë të mirëqënies". Janë dy terma këta (mirëpasja dhe mirëqënia) që sot përdoren shpesh nga ata ekonomistë perëndimorë (ekonomistët e lumturisë i quajnë një pjesë syresh) që prej kohësh kanë ngritur çështjen se rritja e prodhimit, rritja e pasjes, nuk do të thotë automatikisht rritje e mirëqenies dhe e lumturisë, se kurba e asaj që quhet kurba e zhvillimit, e matur me prodhimin bruto (GDP) që, së paku deri tani, ka qenë në rritje dhe kurba e cilësisë së jetës nuk përkojnë; nëse në fillim kjo e dyta është ngjitur së bashku me të parën, tashmë, ndërsa GDP ka vazhduar e vazhdon të rritet cilësia e jetës ka filluar të bjerë. Dhe kjo matet jo vetëm me shkatërrimin që i ka bërë natyrës i ashtuquajturi zhvillim i mbiquajtur "i paqëndrueshëm", në armiqësi me ekosistemin, apo me polarizimin që ka krijuar ky lloj zhvillimi, por edhe me përjetimin subjektiv të individit perëndimor. Ka kohë që studimet në këtë fushë tregojnë se mirëpasja individuale gjithnjë e më shumë po bëhet instrument kompensimi i keqqënies shpirtërore të individit perëndimor. Njerëzit kërkojnë të kenë sa më shumë pasi u mungon gjithnjë e më shumë ajo që këta ekonomistë e quajnë "e mira relacionale", me fjalë të tjera e mira që buron nga dimensioni shoqëror i qenies njerëzore, Dhe kjo keqqënie në rritje dhe nevoja e kompensimit të saj, në një rreth vicioz, rrisin konsumizmin. Ne blejmë më shumë sende që të kompensojmë të mirën relacionale të munguar, pa arritur ta kompensojmë atë sepse këta sende nuk kanë shpirt, nuk na japin dot shpirtëroren që na mungon. Tema nuk është e re, ka shkruar Eric Fromi, një libër shumë të bukur lidhur me këtë: "To have or to be" (Të kesh apo të jesh).
Shoqëria jonë mund të shërbente si shembulli më grotesk i një vendi ku mirëpasja individuale është identifikuar me mirëqenien shpirtërore, ku prirja e individit shqiptar për të pasur sa më shumë për vete dhe shtëpinë e tij të vogël ka shkaktuar pasoja katastrofike në shtëpinë e tij të madhe, atje ku dhe zhvillohet ajo që ekonomistët e lumturisë e quajnë "e mira relacionale".
Gjykoj se fati i trashëgimisë kulturore është ilustrimi më domethënës i kësaj që thashë më lart. Nuk ka dyshim se trashëgimia kulturore është një nga burimet e asaj që e quajta e mira relacionale, e mira shpirtërore e njeriut. Muzeumet, qendrat e sheshet historike të qyteteve, kishat, xhamijat, por edhe shtëpitë private që kanë një histori edhe peisazhet apo parqet natyrore, edhe ajo që quhet trashëgimia kulturore e luajtshme, siç është trashëgimia muzikore etj., bëjnë pjesë në atë të përbashkët që prodhon të mira relacionale. "Çfarë është e shenjta?" - pyet Gëtja. "Ajo që bashkon shumë shpirtra", - përgjigjet. Trashëgimisë kulturore i shkon shumë ky përkufizim i së shenjtës.
Sot nuk ka më kurrkush dyshim se çfarë ka ndodhur ndaj kësaj të shenjte në Shqipërinë tonë është një masakër e vërtetë. Trashëgimia në të gjitha format e saj, të lëvizshme dhe të palëvizshme, është sulmuar me babëzinë përdhosëse të njeriut të ri të kapitalizmit shqiptar, që kujton se i mjafton të ketë mirëpasjen e tij private, që të jetë i lumtur.
Kur shtrohet pyetja se çfarë mund të bëjmë për të shpëtuar çfarë ka mbetur pa u shkatërruar, ne ballafaqohemi me mendimin se kjo është një punë kulture të mangët: këta janë shqiptarët, se, po të ishin shqiptarët të tjerë, nuk do të bëhej kjo masakër. Unë gjykoj se nuk është tamam kështu. Ndaj pyetjes: a kemi pasur ne një vetëdije për vlerat e trashëgimisë sonë kulturore, do të jepja një përgjigje kontradiktore. Do të thosha, edhe "po" edhe "jo". Për të argumentuar këtë, dua të sjell ndërmend se para dhjetë vjetësh, kur unë dhe Artan Shreli kemi shkruar librin që u përmend këtu, "Trashëgimia kulturore shqiptare në rrezik" kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, i fitoi zgjedhjet e para duke pasur në qendër të parrullave të fushatës së tij "kthimin në identitet". Kam gjithashtu parasysh edhe se në atë fushatë elektorale, kundërshtari i tij, kandidati i Partisë Demokratike, Besnik Mustafai, kishte në program ruajtjen e shtëpive të vjetra të Tiranës. A do ta kishin këta kaq të rëndësishme frymën e ruajtjes së trashëgimisë në fushatën e tyre, sikur tiranasit të ishin të pandjeshëm. Them se jo. Le të kujtojmë edhe se, kur filloi të duket sheshit ajo që quhet masakra urbane në Tiranë, Sali Berisha, atëherë në opozitë, filloi të fliste për vlerat kulturore, deri shtëpitë me qerpiç që duheshin ruajtur, çka e harroi shumë shpejt kur mori pushtetin. Prandaj them: po, ka pasur, një vetëdije për këtë trashëgimi, se përndryshe nuk do të përdoreshin këto argumente në fushata elektorale. A ka qenë kjo e mjaftueshme? Jo. Gjykoj se dëshira për mirëpasje materiale ka qenë shumë më e fortë sesa ajo për mirëqenie kulturore e shpirtërore te shqiptarët, sa për shkak të varfërisë materiale që u la komunizmi aq edhe të izolimit. Megjithatë, problemi sipas meje mund të shtrohet më drejt kështu: pse në vend të "po"-së triumfoi "jo"-ja dhe pse sot e kësaj dite, në vend që të rritet "po"-ja, po rritet "jo"-ja për të ardhur pastaj tek çështja se si të ndalojmë rritjen e mëtejshme të saj. Për të gjetur përgjigjen, duhet të ndalemi e të flasim për rolin negativ dhe përgjegjësinë e institucioneve në këtë rritje të "jo"së. Shkaku kryesor i shkatërrimit të trashëgimisë kulturore, sipas meje, nuk është mosvetëdija, por stimulimi dhe inkurajimi dhe manipulimi nga institucionet i pjesës më të keqe të vetëdijes së njerëzve. Kanë qenë institucionet që në vend se të zhvillojnë këtë vetëdije e të mbrojnë shpirtëroren që përfaqëson trashëgimia kulturore i vunë kazmën asaj e bashkë me këtë ulën edhe më nivelin e kësaj vetëdije. Dhe kjo u bë nëpërmjet kapjes së tyre nga një kategori, që ishte një pakicë e gatshme të shkatërronte çdo gjë për hir të fitimit, mirëpasjes individuale. Një pjesë e kësaj kategorie u vu direkt në krye të institucioneve, të tjerë i kapën ata indirekt nëpërmjet forcës së parasë së bardhë dhe të zezë, por ku, sipas gjykimit tim, ka dominuar paraja e zezë e ekonomisë kriminale.
Pazolini, në vitet '50, duke paralajmëruar për rrezikun e shkatërrimit të trashëgimisë kulturore italiane, nga bashkëkombasit e tij, injorantë e në kulmin e kultit të modernitetit të atyre viteve thoshte: kemi vetëm një shpëtim, varfërinë, pasi gjykonte se, me atë gjendje të italianëve dhe institucioneve të tyre, po të kishin para, ata do të shkatërronin shumëçka. Fjalët e tij sot konsiderohen profetike për vetë Perëndimin, në kuptimin e pasojave që ka shkaktuar përsa i përket trashëgimisë kulturore dhe asaj natyrore, me homologimin që ka prodhuar, moderniteti kapitalist, shoqëria e konsumit. Dhe ne s'kemi të krahasuar me Italinë. Kur ke parasysh se sa para e zezë e prodhuar nga ekonomia kriminale mafioze është derdhur në Shqipëri, për të shkatërruar dhe jo për të ndërtuar këtë vend, mund të thuash pa frikë se vendi ku profecia e Pazolinit është manifestuar në mënyrën më tragjike, është Shqipëria. Dhe për fat të keq procesi s'ka mbaruar. Të kap tmerri kur dëgjon se do të hapen rrugë se në vend të mirëqenies ato sjellin shkatërrim. Kur dëgjoja për zgjerimin e rrugës në Jug, më kapte tmerri sepse përfytyroja shkatërrimin që do t'i sillte vendit ai që na e shesin si zhvillim i turizmit. Me mbarimin e saj ju siguroj se bukuria e fshatrave të Jugut, sëbashku me vlerën e tyre kulturore e turistike, do të varroset nga çimentoja e betoni i ri që do të ngrenë rrotull këtyre perlave, por edhe brenda tyre edhe në peizazhin e virgjër të ruajtur deri më sot pasunarët e rinj me të ashtuquajturit fshatrat dhe hotelet e tyre turistike. Ja, sapo mësuam se vazhdimi i kësaj rruge në formën e një autostrade do të shkatërrojë edhe Parkun e Butrintit. Para disa ditësh bëra një udhëtim në të ashtuquajturën autostrada e Kombit. Ajo është një ilustrim, për mua, se si ideja e zhvillimit shkatërron mirëqenien e njerëzve ku kalon ky zhvillim. U tmerrova nga pandjeshmëria që është treguar ndaj shkatërrimit të peizazhit e të fshatrave anës saj. Male të tëra të gërryera që të kujtojnë peizazhin marsian, pa llogaritur pastaj se sa shtëpi e kulla të vjetra kanë përfunduar nën trasenë e saj e sa të tjera dukeshin të pikërruara në bukurinë e tyre përpara stërmadhësisë së saj homologuese. Dhe e keqja është se numri i atyre që kanë një lloj vetëdije për këtë problematikë bëhet gjithnjë e më i vogël, në krahasim me ata që i gëzohen këtij çimentifikimi e homologimi mu për shkak të triumfit të kulturës që promovojnë institucionet që marrin vendimet që këto bëma të kryhen.
Kështu, kur na lind nevoja të përcaktojmë nëse është vetëdija e kultura e dobët që na pjell të keqen që materializohet nëpërmjet institucioneve vendimmarrëse apo është kjo e keqe institucionale që gjeneron këtë vetëdije e kulturë të dobët vijmë, sipas meje, në një rreth vicioz. Është i njëjti rreth vicioz që përjetojmë edhe kur shtrojmë çështjen e mungesës së moralit në krejt sjelljen tonë në përgjithësi. Ne e dimë se nuk duhet të vjedhim se nuk duhet të bëjmë korrupsion, se nuk duhet të japim e marrim ryshfet e megjithatë e bëjmë. Nuk është thjesht çështje vetëdije kjo, por sepse kemi krijuar një sistem ku nuk jeton dot pa vjedhur, pa bërë korrupsion dhe ky sistem, pastaj, në rreth vicioz, krijon një bjerrje edhe më të madhe të vetëdijes e të moralit.
Megjithatë, vlera e kësaj tryeze organizuar nga Lamja nuk do të qëndronte aq në analizën pse erdhëm deri këtu sesa në atë se ç'mund të bëjmë për të shpëtuar, ç'mund të ketë mbetur e që mund të shpëtohet. Personalisht ndjehem në këtë takim si një ushtar i dorëzuar. Para dhjetë vjetësh, kur bëja luftë me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të Tiranës, Lamja shkroi një shkrim ku më krahasonte me atë ushtarin japonez që jetonte në xhungël dhe nuk e dinte se Lufta e Dytë kishte mbaruar dhe bënte pyetjen se ku do ta gjenin gjeneralin që t'i thoshte ushtar Lubonjës të dorëzohej. Në fakt kishte të drejtë. Lufta kishte mbaruar: e kishin fituar ushtria e mirëpasjes. Fakti që këtu nuk kanë ardhur institucionet është shenjë se ne nuk llogaritemi më si zëra në kapitull. Edhe kjo është shenjë e degradimit të vetëdijes.
Megjithatë, mendoj se ia vlen të luftohet edhe si i dorëzuar, qoftë edhe për të shpëtuar një pemë të vetme apo një shtëpi të vjetër të vetme. Fati që janë mbledhur aq njerëz këtu tregon se puna ka arritur atje ku s'mban më, se ata që pandehin se kanë fituar luftën ndoshta po vetëdijësohen se kanë fituar vetëm një betejë si të Pirros.
Gjykimi im lidhur me atë çka mund të bëjmë synon të përqendrohet tek institucionet. Pra, sipas meje, duke pasur parasysh atë që thashë më lart, duhet tentuar të ndryshohet diçka në mënyrë të atillë që të goditet rrethi vicioz i institucioneve të mbrapshta që prodhojnë kulturë të mbrapshtë dhe anasjelltas, që institucionet, pra, të mos sillen vetëm si pasqyrë e pjesës më të pandërgjegjshme të kësaj shoqërie. Propozimi që u hodh këtu, që të bëhemi palë akuzuese si shoqëri civile në ndonjë gjyq, për të mbrojtur nuk di se cilin objekt të trashëgimisë kulturore në rrezik do të ishte gjëja më e mirë që do të mund të bëhej për të rritur presionin mbi këta institucione, që ata të pasqyrojnë edhe shqetësimin tonë. Do të ishte një shembull frymëzues e inkurajues. Problemi që shoh është se me hapin e parë që do të hidhet, do të lindë përçarja: pse këta zgjodhën këtë apo atë objekt, sepse duan t'i shërbejnë Berishës apo Ramën? Kështu do të ndodhë, siç ka ndodhur që shumë individë ndryshe flasin kur janë shoqëri civile e ndryshe kur marrin pushtet. Kjo tregon se sa e rëndësishme është që shoqëria civile të mos jetë pjesë e pushtetit, të mos blihet nga pushteti, qendror apo lokal, siç ka ndodhur fatkeqësisht tek ne. Por besoj se, megjithatë, mund të gjenden raste apo të zgjidhen objekte që të na bashkojnë përtej interesave të lidhura me njërën apo tjetrën forcë politike. Jo më larg se njëqind metra në vijë të drejtë prej këtu,ku jemi mbledhur, ndodhet një nga të vetmet monumente që mund t'i tregosh ende me krenari si bukuri të këtij qytetit, Sarajet e Toptanasve, për mua më e bukura ndërtesë në mënyrë absolute e Tiranës. Ajo edhe është edhe nuk është monument kulture. Ose më saktë në letër është monument kulture, kurse në realitet është monument i injorancës së institucioneve tona sepse, po të hysh brenda, do të shohësh se ajo po rrënohet dita-ditës. Thuhet se institucionet shtetërore i pengon privatizimi, sepse ajo tashmë i është thyer pronarëve. Por, kur ke parasysh se sa pallate janë ndërtuar në këtë kryeqytet, jam i bindur se vetëm me një pjesëz shumë të vockël të taksave të marra prej tyre do të mund të ishte blerë nga shteti kjo ndërtesë e të bëhej një muze etnografie a i historisë së Tiranës, a ku di unë. Për mua ajo është lënë ashtu në degradim, pasi institucionet po punojnë që ta pushtojë ushtria e mirëpasësve për të na ndërtuar ndonjë monstër tjetër si këto që ka ndërtuar e po ndërton rreth e rrotull saj. A mund të bëjmë gjë për ta shpëtuar atë?
Dy fjalë edhe për ligjin që po hartohet mbi trashëgiminë për të cilin, nga sa kuptoj, askujt prej nesh, si përfaqësues të shoqërisë civile dhe si njerëz që kemi shfaqur interes e shqetësim publik për trashëgiminë kulturore, nuk i është marrë ndonjë mendim. Për mua edhe kjo është provë se janë institucionet që e promovojnë të keqen. Ligji i ri thuhet se do ta centralizojë vendimmarrjen lidhur me trashëgiminë kulturore. Kjo ngre çështjen e debatuar e të debatueshme centralizim - decentralizim. Për mua të dyja kanë të mirën e vet, ashtu sikurse rrezikun e vet. Varet nga konteksti. Centralizimi të krijon përshtypjen se nëpërmjet tij mund të mbrohet më mirë trashëgimia, pasi nëpër rrethe feudalët e vegjël injorantë mund të bëjnë kërdinë në mungesë të kontrollit nga lart, siç dhe ka ndodhur. Por, centralizimi mund të ketë edhe të këqija të mëdha: së pari, se po u vu një idiot apo i korruptuar në krye të institucionit qendror, ky mund të bëjë hatanë në shkallë kombëtare. Së dyti, sepse është antidemokratik sepse nuk kultivon përgjegjësinë e njerëzve në terren, të cilët, po ashtu, mund të jenë edhe më të ndjeshëm e më të kujdesshëm ndaj pasurive të tyre lokale. Në kontekstin ku ndodhemi sot vë re se maxhoranca po ka një prirje centralizuese, në funksion të forcimit të pushtetit të vet, që kam frikë se do të politizonte edhe trashëgiminë kulturore me pasoja të rënda edhe për këtë. Prandaj jam më shumë për një decentralizim, të cilit nuk do t'i mungonin mekanizmat kontrollues nga qendra përsa i përket zbatimit të ligjit e ruajtjes së atyre vlerave të trashëgimisë për nevojën e regjistrimit e klasifikimit të të cilave në nivel kombëtar, u fol me të drejtë në këtë takim.
A do të na pyesë kush edhe për këtë ligji. Kam frikë se jo apo se do të ndodhë siç ka ndodhur: individë të shoqërisë civile nuk thirren për oponencë, por si gjethe fiku për të mbuluar të keqen. Megjithatë le ta forcojmë edhe ca projekt promemorien që ka hartuar Lamja, duke e bërë sa më denoncuese dhe le t'ua nisim sa më parë institucioneve. (Panorama, 14 korrik 2010)

*Tekst i ndërtuar mbi fjalën e mbajtur në tryezën "Trashëgimia kulturore e rrezikuar", si dhe diskutimet e bisedat gjatë e pas saj (5 korrik, 2010).

2 comments:

Glen Llaçi said...

Duke ditur mire rendesine e kesaj teme doja te shtroja nje pyetje rreth problemit qe trajtohet ne shkrimin ne fjale. Ne radhe te pare dua te theksoje qe nuk jam kunder idese qe duhen forcuar apo ndrequr institucionet te cilat do te forcojne vetedijen e shoqerise per vlerat shoqerore si dhe per ruajtien e trashegimise kulturore.
Por ajo qe me shqeteson mua dhe qe me bene te ngre pyetje eshte qe sipas meje shoqeria shqiptare ka patur prirje per te mbajtur qendrim dualist gje qe e ka reflektuar edhe ne institucionet e saj, sepse tek e fundit keto institucione do te drejtohen nga pjesetaret e kesaj shoqerie.
Le ta shpjegoje me qerte se per cfare dualizmi e kam fjalen: Vete fakti i permendur ne shkrim se politikanet ne fushatat elektorale kan perdorur nje gjuhe ku therritet per vlerat historike si kthim ne identitet, apo ruajtie te trashegimise tregon per ndjeshmerine e shoqerise, por ne te njejten kohe ne e dime mire se keto thirrje emocionale mund te tregojne dicka me fatale dmth shume simpatizante te nje partie apo qofte edhe populli vete mund te therrasin per keto vlera duke i'u kundervene pales se kundert, por nese ne nje gjendie post zgjedhore do te paraqitej nje situate ku shkaterrimi i nje nga keto vlera te proklamuara do te sillnin nje "progres" vetiak ose shoqeror jam i bindur se do te heshtnin. E harruam debatin per zogun e zi apo per sheshin Skenderbe? Ky dualizem sipas meje shprehet me predispoziten tone si shoqeri per tu paraqitur si te ndjeshem apo pasionante ne keto probleme, por thelle thelle keto probleme nuk na shqetesojne i flasim ashtu thjesht per hir te debatit apo per te treguar nje nivel kulturor, por realiteti brenda nesh eshte ndryshe.
Dhe madie nese do ti kthehem shembullit te kurbes se mirepasies dhe mireqenies te cilat nisin te rriten bashke, por me pase kurba e mirepasies rritet me shume dhe mireqenia nis te biere. Po eshte e vertete qe keto kurba kane rritje te ndryshme pas nje fare kohe, por sipas mendimit tim renia apo ngjitja me me ngatale e kurbes se mireqenies nis ta frenoje kurben e mirepasies ne menyre qe ti afrohen nje sinkronizimi. Dhe ja pikerisht ku i kthehemi dualizmit ne shoqerine tone. Eshte pikerisht ky dualizem qe e minimizon efektin frenues te kurbes se mireqenies ndaj asaj mirepasie. Prandaj une shtroje pyetjen a eshte dualizmi ne shoqeri apo institucionet dualiste qe gjenerojne probleme?

Unknown said...

Per te kuptuar dukurine e mirepasjes dhe mireqenies, mjafton te ndalesh tek shpjegimi marksist i fetishit te mallit. Shpjegimet e tjera jane dekoracion.