Tuesday, September 14, 2010

Në Llogara, njeriu qen, rruga, bunkerët

(shënime udhëtimi)

Në Llogara më ranë në sy disa ndërtime prej druri që rrinin më mirë me natyrën malore përreth, ndonëse ndjehej edhe aty prirja e rrezikshme për t'i shtuar e për t'i nxjerrë përmbi lartësinë e pishave. Tek lokali ku ndalëm për të ngrënë mëngjes na ofruan një kos delje, traditë e zonës, që më çoi thellë në kujtesë: në kohën e fëmijërisë, kur në Tiranës kishte do dyqane kosaxhinjsh që bënin një kos, nëpër disa tava të mëdha, për të cilin thuhej se "pritej me thikë". Pjesa tjetër e menusë së mëngjesit ishte e zakonshmja që gjetëm gjithandej: djathë, gjalpë, mjaltë, vezë omlet, qumësht, çaj.
Dy tryeza përtej nesh më tërhoqi vëmendje një grua e re, shumë e bukur, që fliste gjermanisht me partnerin e saj - mjaft më i madh se ajo në moshë - por që, kur erdhi kamerieri, i foli shqip. Provova kuriozitetin për të ditur më tej historinë e lidhjes së tyre, që mbeti i pashuar. Ndërkaq, një i njohur, që po hante edhe ai atje, erdhi na përshëndeti në tryezë dhe na tha, me kënaqësi, se atë natë kishte fjetur në një dhomë aty dhe se ishte detyruar të mbulohej me batanije.
Debora, që është një ecëse dhe zbuluese e palodhur, e pyeti pronarin nëse kishte në Llogara shtigje për të ecur nëpër pyll. Ai na tregoi se poshtë rrugës kishte një shteg që të çonte në një çeltirë. Pasi mbaruam së ngrëni mëngjesin u nisëm në kërkim të tij. Bëra habi kur gjetëm një shteg ku dukej se ishte vënë edhe dorë njeriu. Ishte i shtruar edhe me gurë për ta bërë më të ecshëm. Dukej që kjo punë qe bërë prej kohë të kohërave. Ndoshta pse atje ka pasur një kamp punëtorësh  në kohën e komunizmit, thashë me vete, apo ndoshta duhet ta kenë shtruar për turistët lindorë që vinin deri në fillim të viteve '60. Megjithatë, ai nuk zgjati shumë ashtu, i shtruar me gurë. Dhe nuk na nxorri në ndonjë çeltirë.
Na u desh të kthehemi mbrapsht për të gjetur atë që na kishte treguar pronari i lokalit. Më shumë se shteg ai dukej si një rrugë e vjetër e pyjorëve e mbuluar vende vende me hala pishash të thara e me një myshk të butë.
Po provoja vërtet një ndjenjë paqeje dhe harmonie me natyrën duke ecur në atë shteg në mes të pyllit me pisha. Bëhej edhe më stimuluese kjo ecje kur prisje të dilje në një çeltirë e cila, kur mbrritëm, doli më e vogël nga ç'e imagjinoja, por shumë intime. Po shijonim  kësisoj kënaqësinë e zbulimit, e përjetimit të natyrës së bukur të Llogarasë, Luna harbohej mbas fluturave manushaqe, të verdha të murrme të vogla të mëdha, Davidi fotografonte nga afër disa lule gjembi në ngjyrë të kaltërt në blu dhe Debora me Yurin seç bisedonin. Ndërkaq, në një cep të mendjes më pulsoi ajo drita e zanatit të mallkuar. Vërejta faktin se nuk pashë një këmbë shqiptari nëpër dy shtigjet ku kaluam që më bëri të mendoj se duhet të shkruaja diçka për këtë mungesë që kemi ne shqiptarët të shijes së ecjes nëpër natyrë, veçanërisht nëpër male, edhe pse jemi një vend me male shumë, e të bukur. Madje edhe për faktin se këtë sport e kemi pasur disi më të zhvilluar në kohën e komunizmit kurse tani sikur na është zhdukur fare, ndoshta edhe ngaqë kemi zbuluar makinat. E pse duhet ta mendoja këtë ndërkohë që ndjehesha aq mirë - thashë me vete - është ky një deformim i zanatit apo është një nevojë e qënies sime sociale? Duke shkruar për të a do ta pasqyroj realitetin apo do ta manipuloj atë duke u bërë predikator i një realitetit tjetër?
Në fakt, përveçse në Theth, ku kanë investuar të huajt, s'kam dëgjur të punohet për të hapur shtigje të tilla nëpër të cilët të shijosh kënaqësinë e të ecurit nëpër pyje e male. Populluesit shqiptarë të Llogarasë që pashë atë paradite ishin të shumtë. Por thuajse të gjithë zgjaheshin me shishen e birrës përpara në lokalet anës rrugës ku kishin parkuar edhe makinat e tyre. Njëri bile se nga kishte lidhur një zorrë të gjatë që e nxirrte ujin lumë e po lante me të Benzin e zi 4X4 të lartë sa një mushkë e madhe. Të na shkulësh ne nga tryezat e bar kafeneve dhe sediljet e makinave e të na bësh të shijojnë kënaqësinë e ecjes nëpër male mu duk një punë e madhe, e rëndë, gati e pamundur. Edhe vetë nuk do ta kisha marrë atë shteg sikur të mos më kishte tërhequr Debora. Por tekefundit, thashë me vete, të shkruash se kjo është për t'u provuar për t'u zbuluar besoj se është edhe një nga mënyrat se si njerëzit shkëmbjenë përvojat e kulturat, duke pasuruar  e stimuluar kësisoj njëri tjetrin.

Njeriu qen

Ka disa studiues të ekonomisë që thonë se shpikja me e madhe e njeriut nuk është rrota siç thuhet rëndom. Por cila? Qeni, thonë ata. Me një fjalë zbutja e qenit. Ç'domethënë kjo do të më pyesin ata që nuk e njohin këtë teori. Le të tregoj historinë që na ndodhi në Llogara për ta ilustrua,  pasi ishte ajo që ma kujtoi.
Duke u ngjitur nga shteku i çeltirës për të dalë në rrugë, ku kishim lënë makinat, afër një lokali, u gjendëm pranë një farë kolibeje qeni në natyrë ku kishte një bushtër dhe tre këlyshë të vegjël. Këlyshët ishin të mrekullueshëm. Disa klientë të lokalit kishin zbritur aty dhe po luanin me ta. I merrnin në krahë dhe i përkëdhelnin, pastaj i lëshonin dhe ata u afroheshin. Luna u lëshua mbi ta e entuziazmuar. Filloi të luajë e të gëzohet. Edhe bushtra që ishte e lidhur me një zinxhir në trungun e një peme aty afrohej e kërkonte të përkëdhelej. Nuk kish si bëheshin qënie më të dashura.
Por, pasi kishin kaluar ndonja dhjetë minuta që po u gëzoheshim, na erdhi nga lokali një djalosh, që nuk di a kishte mbushur të pesëmbëshjetat, me një pamje të vrejtur dhe serioze. Dukej se i kishte mësuar tashmë ato qëndrimet e një kategorie meshkujsh shqiptarë që me krejt pamjen e tyre, të trupit e të një fytyre që s'di se ç'është buzëqeshja, të transmetojnë mesazhin se duhet t'ua kesh frikën, se janë meshkuj të fortë e të pamëshirshëm. "Che horrore di uomini" thotë Debora shpesh, kur i sheh veçanërisht duke ngarë fuoristradat.
Djaloshi as nuk begenisi të na përshëndeste, sepse kjo s'bënte pjesë në kodin e tij, përkundrazi na u drejtua menjëherë kërcënueshëm:
"Mjaft luajtët me qentë! Nuk i kemi për atë punë. Po ju  pash më aty do të kemi llafe."
Tani le të shpjegoj teorinë e qenit si "shpikja" më e rëndësishme e njeriut. Sipas historianit të ekonomisë North, problemi i arritjes së mundësisë që njerëzit të pengohen të përdorin ato që në gjuhën e ekonomistëve quhen "të mira materiale", kur këto nuk u përkasin, ka qenë, për mijëra vjet, një frenim i rëndësishëm ndaj zhvillimit të pronës private mbi tokën dhe mjetet e prodhimit që është faktori kryesor që ka sjellë zhvillimin e madh ekonomik që kemi në dhjetëmijëvjeçarin e fundit. Një nga kushtet e shkëmbimit të mallrave apo të të mirave materiale është që mbi ta të ekzistojë e drejta e pronësisë. Dhe kjo kërkon që ata të jenë të ruajtshëm, pra, krijimin e mundësisë që kush nuk është pronar i një të mire materiale të mund të përjashtohet nga përdorimi i saj. Por, në shumë raste, kjo nuk mund të jetë kaq e thjeshtë. E tregojnë edhe sot burimet e ujit, deti, ajri etj. Prandaj "shpikja" e qenit ka qënë kaq e rëndësishme. Qeni ka shërbyer për mijëra vjet si instrumenti kryesor i mbrojtjes së pronës private. Ai është pararendësi i mureve rrethuese, i sistemeve të alarmit, i kodeve elektronike të hapjes së një dere e me rradhë, me një fjalë faktori më i rëndësishëm i zhvillimit që kemi sot.
Është e qartë, pra, se pse na u afrua me egërsi ai djali i lokalit. Sepse pronarët donin t'i edukonin qentë për të ruajtur pronën e tyre private. Dhe për këtë qentë nuk duheshin afruar nga njerëzit e tjerë dhe as të përkëdheleshin prej tyre. Ata ishin të destinuar për t'u bërë qen nga ata që kemi parasysh ne, njerëzit, kur shajmë ndonjë të llojit tonë "qen": me një fjalë nga ato qëniet që i lehin kujtdo përveç padronit të tyre dhe që, po hyre në territorin e padronit, të kafshojnë. E për t'u bërë të tillë ata duhet të kenë frikë prej njerëzve e jo të kërkojnë dashurinë dhe përkëdheljet e tyre.
Mirëpo, po të shihje se si silleshin ata qen, se sa nevojë kishin për dashuri dhe përkëdhelje, mund ta mendoje edhe krejt ndryshe këtë historinë e zbutjes së qenit nga njeriu. Mund të thoje psh. se afrimi i njeriut me qenin nuk ka ardhur nga njeriu, por nga qeni, sepse është ky që i është afruar i pari njeriut. E kam vënë re këtë edhe me qentë pa zot në rrugicën time në Tiranë që jetojnë aq të qetë mes njerëzve, që s'lehin kurrë po s'i keqtrajtove, ndoshta mu pse bredhin të lirë, pa zinxhir, e s'kanë ndonjë pronë private për të ruajtur. Mund të thoje, pra, se ai qeni roje, që u leh të gjithëve, përveç padronit, nuk është qeni normal, por një tjetërsim i qenit që ka shumë mundësi të ketë ardhur nga tjetërsimi i padronit të tij, njeriut. Me një fjalë një pasqyrë e njeriut qen, siç mu duk se po mësonte të bëhej edhe ai djaloshi që erdhi të na përzërë nga prona e tij. Historia e indianëve të Amerikës, që kanë një raport krejt tjetër me kafshët, mund të na hedhë pak dritë mbi këtë.
Mirëpo hajde t'ia shpjegoje Lunës gjashtëvjeçare, thellësisht e dëshpëruar pse e shkëputëm nga këlyshët e saj të dashur, këtë teori të kapitalizmit e të pronës private. "Po pse si duan t'i bëjnë qentë?" pyeste një e dy pa marrë aspak përgjigjen shterruese. Në fakt ishte e vështirë t'i shpjegoje se pronarët nuk donin t'i zbusnin, por t'i egërsonin qentë.

Rruga

Në reportazhin ese të dhjetë vjetëve më parë kam përshkruar bukurinë e rrugës që zbret nga Llogaraja duke e lidhur këtë edhe me historinë e ndërtimit të saj gjatë Luftës së Parë, por dhe me rrezikshmërinë e saj. Kam uruar të bëhet investimi për ta rikonstruktuar, për ta mbrojtur nga ana e humnerës dhe për ta zgjeruar nga ana e shkëmbit, pa ia humbur karakterin, pa ndërtuar anash saj karburante dhe lokale betoni.
Mund të them se deri në atë pikë të udhëtimit gjëja e vetme pozitive që gjeta në krahasim me dhjetë vjet më parë ishte rruga. Ajo vazhdonte të mbetej "një tarracë e mrekullueshme gjarpëruese mbi mal" që të befason me pamjen që të nxjerr: poshtë saj bluja e kulluar e Jonit, sipër  saj madhështia e egër e maleve.
Para dhjetë vjetësh ajo për mua ishte tërheqëse edhe për ndjenjën e rrezikut që të ngjallte me ngushtësinë dhe me faktin se vende vende qe e pambrojtur nga ana e humnerës që zbriste me një thepësirë marramendëse. Tashmë i mungonte adrenalina e ndjenjës së rrezikut dhe kjo mund të konsiderohet një humbje për ata që kanë ndjenjën e turizmit aventuresk, por, nga ana tjetër, humbja e saj kompensohej me mundësinë për ta kundruar më mirë pejsazhin dhe me ndjenjën e sigurisë me të cilën kaloje mbi të; për të mos folur për atë se ajo, mbi të gjitha, është për t'u shërbyer vendasve të cilët nuk janë turistë, por kanë nevojën të lëvizin nëpër të për nevoja nganjëherë edhe të përditshme.
E megjithatë me gojën e asaj të vjetrës që kam në kujtesë ajo sikur më thoshte: jo isha më e bukur ashtu, kisha edhe ato mbrojtëset prej muri të ulët guri vende vende që më bënin të veçantë e që i shkonin aq shumë këtij mali, kurse këto prej alumini i gjen në çdo rrugë të botës. Tani më kanë bërë si gjithë rrugët e tjera.
* * *
Anës njërës prej kthesave të saj pashë se vazhdonte të qëndronte, me të njëjtën pamje siç ka qenë edhe para dhjetë vjetësh, një ndërtesë dykatëshe me një kullë katrore vrojtimi mbi taracën e saj. Në kohën e diktaturës kjo ka qenë repart ushtarak. Tani ishte nga ato ndërtesat që vazhdojnë të qëndrojë, edhe pas njëzet vjetësh ndryshim i sistemit, si një tokë e askujt, aty diku midis pronës shtetërore të komunizmit dhe privatizuesve grabitës të kapitalizmit. Janë ato ndërtesat e ushtrisë që thuhet se u ka ardhur koha të privatizohen. Dera e murit të saj rrethues ishte e mbyllur gjysma me kangjellën e vjetër të shqyer të hekurit dhe gjysma me tela me gjemba. Në murin e ndërtesës, që shihte nga rruga, ishin të shkruara me gërma të mëdha fjalët ATDHEU NDERI DETYRA, poshtë të cilave vazhdonte të qëndronte, në një cep, grafika e zezë e një ushtari me qëndrimin me pushkë në gjoks. Kurse në murin e jashtëm rrethues koha kishte ecur. Qenë ngjitur postera koncertesh e këngëtarësh, reklamoheshin emra diskosh, - ndër të cilët MEXICO, i shkruar me spray në ngjyrë të kuqe, nuk na u nda gjatë gjithë udhëtimit, - qenë shkruar numra celulari bri fjalës "qira" dhe nuk mungonin mbivendosjet e inicialeve të dy partive kryesore PS - PD të shkruar të parët me të kuq e të dytët me blu. Por kurioziteti im u përqendrua tek gjurmët e asaj kohe të kaluar që po vijnë duke u zhdukur, siç ishte parrulla. Në fillim, nga stili i përdorur, qeshë i sigurt se kishim të bënim me një parrullë të mbetur nga komunizmi dhe me këtë sy besoj se e kam parë edhe para dhjetë vjetësh. Por tani s'di pse sikur më kërcitën pak ato dy fjalët NDERI dhe DETYRA, ose më saktë prania e tyre krahas fjalës ATDHE në vend të fjalëve simbole të atij regjimi si "Parti", "Enver", "Popull". Ndoshta gabohem, thashë me vete, edhe ushtari sikur ka atë qëndrimin që quhej "Për nder arm!", por prap më lindi ideja se parrulla mund të qe mbivendosur edhe nga ndonjë oficer i pas komunizmit në ato vitet e para, kur ndërtesa kishte vazhduar të ishte repart ushtarak. Oficeri që imagjinova, kishte lënë atje vetëm Atdheun, duke zëvendësuar (simbolet komuniste "Parti", "Popull" me fjalë të pranueshme edhe për kohën e re, si "Nderi" dhe "Detyra" pa a ditur se po zëvendësonte kësisoj një parrullë të ideologjisë së dikurshme nacional - komuniste një një parrullë fashiste.

* * *
Kush e di kush ia ka vënë syrin kësaj ndërtese, thashë me vete, për ta bërë hotel, motel a restorant. Me siguri dikush bën kujdes që të mos hiqen këta tela me gjemba dhe, s'ka dyshim, jo që ta ruajë si pronë publike, për interes publik. Nuk besoj t'i ketë shkuar kujt ndërmend se atje mund të bëhet një muzeum me objekte të ushtrisë së kohës së komunizmit apo ku di unë se çfarë tjetër. Dhe atë parrullën e interpretova si fashiste, gjë që s'ma ka shkuar ndërmend dhjetë vjet më parë, ndoshta i ndikuar nga bindja në rritje se rrezikun e fashizmit, si diktaturë e të pasurve, sot e kemi më të madh se dhjetë vjet më parë, pasi këta dhjetë vjet e kanë rritur polarizimin dhe fuqizuar kastën në pushtet.

* * *
Pak më poshtë qëndruam në atë që e quajnë belvederja e qafës së Llogarasë, një anë rruge e zgjeruar sa një shesh i vogël, e shtruar vetëm me çakull. Nga ajo pike, ndoshta më mirë se nga cilado tjetër e rrugës së Jugut, vështrimi rrok si një të tërë kontrastin madhështor midis maleve që ngrihen lart përpjetë dhe detit blu poshtë. Ndaluam edhe ne aty për të shijuar atë pamje e për të bërë foto. Aty kishte edhe dy shitës nën çadra që shisnin kryesisht mjaltë e sherebel. U kujtova se në atë vend para dhjetë vjetësh sikur kisha parë një si memorial të pavarësisë a të Luftës së Vlorës në formën e një masivi paralelpiped prej guri apo betoni me relieve. Nuk ma zunë sytë.
Ndërkaq, sa më gjatë të rrije tek belvederja dhe të ngopeshe si të thuash me bukuritë që shiheshn prej andej aq më shumë do vëreje se ajo vetë ishte ndoshta i vetmi vend ku nuk të shihte syri gjëra të bukura, një dëshmi e asaj se sa pak ndjeshmëri për ambjentin, që nuk është shtëpia e tyre e vogël, kanë umanët tanë. Ana e prapme e një si kabinë elektrike në anë të saj ishte përdorur si nevojtore. Atje ku fillonte rrëpira e saj, që zbret deri poshtë në det, nuk kishte as edhe një  parmak të thjeshtë mbrojtës - duke menduar qoftë edhe për fëmijët. Ndërkaq mungesa e tij sikur e kishte lehtësuar edhe më që nëpër të të hidheshin plasmase, kanoçe alumini, gota plastike, copa tullumbacesh të shpuara pa numër që shirat do t'i çonin drejt detit a thua se malet të qenë një kosh i madh plehërash dhe deti fundi i tij.
Investimi publik për ta shtruar atë me rrasa guri, për të bërë një parvaz, prej guri apo hekuri, dhe për të vendosur atje dy tre kosha plehërash është minimal. Sa ç'mund të jetë shtrimi i dyshemesë së ndonjërit nga bar restorantet e panumërt që gjeje anës bregut të Vlorës. Mund t'u ishte kërkuar fare mirë shtruesve të rrugës ta kishin bërë një gjë të tillë. E megjithatë, thashë me vete, më mirë të mbetet kështu siç është sesa t'u shkojë ndërmend t'ia japin ndonjë privati me lejen që të ngrerë aty ndonjë lokal nga ata të shumtit që kanë shëmtuar rrugët e Shqipërisë.
Bunkerët
Vendosëm të shkojmë të bëjmë plazh në gjirin poshtë Palasës që dukej edhe nga belvederja. Dikur ky ka qenë i paarritshëm me makinë, por tani kishin hapur një si rrugë që zbardhëllente nëpër brinjat e rrëpirës. Ishte një rrugë e gjerë, e pashtruar, që nuk merrej vesh pse ishte hapur e kush e kishte hapur. Kur mbrritëm në plazh dikush na tha se e kishin hapur pasi atypari kishte një gurore, dikush se atje po përgatiteshin të ndërtonin. Nuk di të them më shumë. Madje nuk di të them edhe nëse në këtë vendin tonë hapja e rrugëve është një punë për të cilën mjafton të kesh një buldozer apo një punë që bëhet me lejen e shtetit.

Deti aty dukej i mrekullueshm, sepse kishte pak njerëz, por përpara se të shkoja për banjë u ndala tek një grup bunkerësh të ngritur atje ku mbaronte brezi i gjerë i rërës. Ishin tre bunkerë të lidhur me njëri tjetrin me një si tunel të vogël. Me sytë e tyre katërkëndësh tashmë të qorruar ata qëndronin aty midis detit dhe malit si të hutuar pasi kishin reshtur me kohë së kërkuari në det armikun imagjinar. Vura re se mbi njërin dukej e shkruar ende me gërma të mëdha në ngjyrë të kuqe, nga ato të antiruxhos, KUKES, në tjetrin ELBASAN - me siguri qytetet prej nga vinin ushtarët që i kishin ndërtuar.
Është e habitëshme se si ndryshon këndvështrimi i gjërave me kalimin e viteve. Fillova t'i fotografoj me shumë interes dhe me një reflektim tjetër.  Ne kemi folur e shkruar aq shumë për tmerrin e bunkerëve, për shëmtirën që kanë krijuar ata, se çfarë duhet bërë me ta, se si mund t'i heqim prej andej. Tani, pas njëzet vjetësh, ka ndodhur një fenomen i çuditshëm. Një pjesë e tyre janë shkatërruar nga ndërtimet e shumta, një pjesë i ka mbuluar natyra. Ata janë pakësuar dhe në pakësinë e tyre sikur kanë marrë një tjetër vlerë. Tani po i shihja si qënie të veçanta, diçka midis grupit skulpturor dhe dokumentit të një kohe. Madje madje edhe ai tuneli që i lidhte tani m'u duk si një kapje e tyre dorë për dore për t'u mbrojtur nga shkatërrimi. Për mua, vende vende, siç ishte edhe ky, ata duhet të ruhen, të bëhen pjesë e trashëgimisë sepse historia e diktaturës nuk mund të kuptohet pa ta. Diku më përtej më tërhoqi vëmendje një i vetmuar që dikush e kishte lyer të tërin me ngjyrë portokalli dhe kishte shkruar ne të "Orange". Dukej si një gjysëm portokalli i madh i zhytur në tokë, që kontrastonte bukur me malet gri e jeshil prapa tij e me qiellin blu, gjithë duke ruajtur identitetin e tij prej bunkeri që ia jep veçanërisht ajo dritarja e vogël e zezë. Edhe ata pak që janë lyer e pikturuar, pas rënies së komunizmit, me idenë "ç'të bëjmë me ta?" janë pjesë e historisë që duhet ruajtur.
Mjaft të rregulloje minimalisht vendin rreth atyre të treve në gjirin e vogël të Palasës, t'u bëje një si rrethim të vogël që të vinte në dukje se ishin një gjë më vete, që ata të merrnin një rivlerësim.  Kam frikë se kjo nuk do të ndodhë, siç kam frikë se nuk do të ruhet virgjëria e atij plazhi dhe karakteri i tij publik. Privatizuesit e rradhës, me qen të egërsuar nëpër duar, do të mbërrijnë edhe atje, do ta rrethojnë edhe atje tokën dhe rërën e do t'i thyejnë e shkatërrojnë edhe tre bunkerët për t'i përdorur për të çimentizuar ndonjë sheshpushim hoteli a moteli e fshati turistik. Pa u shkuar as nëpërmend se ajo që po bëjnë mbi plazhin s'është tjetër veçse një formë e sëmundjes që mbushi Shqipërinë me bunkerë, një mutacion i të njëjtit virus, dhe se ruajtja e kujtimit të tyre, vende vende, do të ishte ndoshta vaksina më e mirë kundër kësaj sëmundjeje. (vijon nga Panorama 4 shtator 2010)

Vijon

No comments: