Dhjetë pikat e fundit të socialistëve si kusht bashkëpunimi me maxhorancën dhe sfida e Ramës për debat publik me Berishën po komentohen shumë ditët e fundit. Personalisht pajtohem me mendimin se në një farë mënyre ato janë hartuar me vetëdijen se do të refuzohen, pra se kemi të bëjmë me një “truk” apo “kurth”, siç e quan Shkullaku në një shkrim të tijin, ku qëllimi i vërtetë nuk është arritja e debatit, por refuzimi i tij nga ana e Berishës.Ajo çka dua të vë në dukje me këtë shkrim është një shqetësim që lidhet me pyetjen: Cili është targeti i kësaj politike, i këtij “truku”? Pra, kujt synon t’ia tregojë Rama këtë refuzim? Sipas meje, ky target janë ndërkombëtarët dhe “truku” shërben për t’u treguar atyre se aq antidemokratik është Berisha, sa edhe kur opozita e ul stekën poshtë, prapë ai s’pranon ta kapërcejë atë për të hedhur hapa demokratikë. Nuk ka qenë e vështirë për të kuptuar se edhe “steka” më të larta, si bojkoti edhe greva e urisë me çadra përpara Kryeministrisë, apo edhe 21 janari, u organizuan me të njëjtin/vetmin target: sensibilizimin e ndërkombëtarëve. Edhe mosvotimet e ligjeve me 3/5 po këtë synim kanë.Ku qëndron shqetësimi yt këtu? – do të më pyesin. Shqetësimi im është se e shoh në rritje, jo në rënie, thirrjen për rolin e ndërkombëtarëve. Madje, vë re se pak nga pak, vit pas viti, ne gati as nuk po arrijmë të dallojmë më paradoksin që qëndron në këtë lloj politike, faktin se ndërkohë që u drejtohemi ndërkombëtarëve në emër të vlerave demokratike, vetë pesha e madhe që u japim atyre në punët tona tregon se nuk i kemi këto vlera. Është e vërtetë se kemi të bëjmë me një sindromë të vjetër, se ndërkombëtarët në përgjithësi e ambasadori amerikan në veçanti kanë qenë gjithmonë të pranishëm e nganjëherë vendimtarë në zhvillimet politike shqiptare. Mjaft të kujtojmë se pasja ose jo e mbështetjes ndërkombëtare ka qenë jetike edhe në vitin ‘97, apo se në ‘98-n, sikur të mos kishin ndërhyrë ndërkombëtarët, Berisha ua mori pushtetin socialistëve me sulmin që bëri në Kryeministri. E, megjithatë, mua më duket se në atë kohë ka pasur fermentime të brendshme që ndërkombëtarët kanë ndërhyrë t’i qetësojnë në një farë mënyre, t’i kanalizojnë demokratikisht. Kurse sot, si ndjekës i vëmendshëm i politikës shqiptare, më rezulton se kemi një rritje si asnjëherë më parë të rolit të ndërkombëtarëve në politikën shqiptare në proporcion të zhdrejtë me uljen e sensibilitetit të shqiptarëve brenda vendit. Disa ia veshin këtë traditës së krijuar; disa faktit se Rama ka një varësi të sëmurë, një kompleks të madh ndaj ndërkombëtarëve e të kujtojnë intrigat që ka bërë për të fituar njohje e popullaritet jashtë. Sipas meje, këto mund të kenë një rol, por shkak kryesor për rritjen e rolit të ndërkombëtarëve është kriza e thellë morale e kastës politike shqiptare në përgjithësi, si pasojë e abuzimit të gjatë me pushtetin. Protagonizmi vitet e fundit i ambasadorit Withers në fillim dhe ambasadorit Arvizu së fundi i tejkalojnë të gjithë protagonizmat e ambasadorëve paraardhës jo pse këta të dy janë individë që u pëlqen më shumë se paraardhësve ky rol, por sepse politika shqiptare, sa më shumë dështon brenda vendit, në kuptimin e aftësisë për të frymëzuar njerëz e për të pasur mbështetje të gjerë, aq më shumë orientohet nga truke e skenarë për ndërkombëtarët e me ndërkombëtarët. Një PD në opozitë, sipas mendimit tim, do të vepronte po njëlloj sot. Në këtë kontekst, edhe qëndrimet e disa të “moderuarve” në PS, si Islami, Blushi, Malaj, që kanë ngulmuar e ngulmojnë thjesht e vetëm në kthimin e opozitës në rrugët institucionale, por pa i hyrë pyetjes se pse PS nuk i frymëzon më shqiptarët, sipas meje janë të orientuara edhe ato kryesisht për kah pëlqimi i ndërkombëtarëve.Me këtë nuk dua të them asesi se shumë nga problemet që u drejton opozita ndërkombëtarëve nuk qëndrojnë. Ato qëndrojnë që ç’ke me të, por ngulmoj se opozita duhet të ngrejë pikëpyetje të mëdha lidhur me atë se pse ajo nuk arrin të krijojë fermentim popullor me politikat e veta, përkundrazi, është viktimë e mendësisë së gjithëpërhapur se të gjithë njëlloj janë. Personalisht, sikurse e kam shprehur edhe herë tjetër, gjykoj se shkaku kryesor është “çështja morale” e pazgjidhur brenda PS, si pjesë e çështjes së krizës morale të të gjithë kastës. Opozita ka kaq kohë që i përmend Berishës vendet arabe, por pa qenë në gjendje të shohë se revolucionet në vendet arabe i bënë vendasit, dhe jo amerikanët e europianët, që deri më aty bashkëpunonin për bukuri me diktatorët e këtyre vendeve. Në pamundësi të kësaj qasjeje ajo punon me truket e Ramës për ndërkombëtarët dhe me ndërkombëtarët, duke inskenuar revolta popullore që përfundojnë në një furtunë, në një gotë ujë apo duke tentuar ta mbërthejë politikën në debate të tilla si ato mbi dhjetë pikat apo refuzimi i debatit nga Berisha. Madje, do të thosha se edhe debatet mbi nevojën ose jo të një reforme zgjedhore mbi një President të zgjedhur nga populli apo nga maxhoranca, mbi reforma në Drejtësi apo ku di unë, disa prej të cilave kërkojnë të përsërisin eksperimente të provuara e të dështuara disa vjet më parë jo për shkak të tyre, por të imoralitetit të politikës, tingëllojnë sot shumë të ftohta për të ngrohur zemrat e kallkanosura të shqiptarëve. Pa qasjen mbi “çështjen morale”, madje s’e teproj nëse do të thosha mbi nevojën e një revolucioni moral, që duhet të fillojë më së pari në vetë gjirin e opozitës, ato s’bëjnë gjë tjetër veçse i largojnë edhe më njerëzit nga kasta duke e reduktuar gjithnjë e më shumë jetën politike në një tragjikomedi të vogël, me politikanë dhe ambasadorë, që e ndjek një numër gjithnjë e më i kufizuar spektatorësh. (Panorama, 11 tetor 2011)
Sunday, October 16, 2011
Ndërkombëtarët dhe kriza morale e kastës
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
-
Në Bibël ka një pasazh që është komentuar shumë: ai ku përshkruhet çfarë ndodhi në momentin para se Kaini të vrasë Abelin. Komentohet fakti...
-
Në mbyllje të 2005-sës, vit të cilin, në petkun e gazetarit, e kam ndjekur hap pas hapi me shkrime, kryesisht mbi jetën dhe zhvillimet polit...
-
Ajo që po ndodh në Shqipëri këto ditë i ka ndarë njerëzit në dy kampe të mëdha. Në njërin kamp bëjnë pjesë ata që mendojnë se kjo që po ndod...
No comments:
Post a Comment