Para disa ditësh lexova një lajm mbi studimin që kishte bërë një OJQ shqiptare rreth integrimit social - ekonomik të ardhësve në qytetin e Tiranës. Studimi ishte ndërtuar mbi një pyetsor rreth çështjesh të tilla si banimi dhe legalizimi, shërbimet, arsimi, punësimi, gjendja ekonomike, cilësia e jetës, angazhimi dhe përkatësia në komunitet, raporti me institucionet vendore.Sipas lajmit, të dhënat e studimit kanë sjellë në përfundimin se banorët tiranas që kanë mbi 10 vjet që jetojnë në kryeqytet kanë një këndvështrim të ngjashëm rreth çështjeve të rreshtuara më sipër me banorët që kanë jetuar në Tiranë para vitit 1990. (nuk di pse në vend se "banorët" në njoftim thuhej "rezidentët".) Shkurt, pra, sipas këtij studimi, kush vjen në Tiranë ka nevojë për dhjetë vjet që të ndjehet Tiranas.Kaq ishte lajmi që më ngacmoi jo edhe aq pse mu duk si një nga ato punët sipërfaqësore që kryejnë rëndom OJQ-të shqiptare për të nxjerrë ndonjë lek, por sepse, përfundimi mu duk si pa qëllim. Pra, nuk kupova pse duhej ky studim. Ashtu siç lexohej lajmi dukej sikur bëhej fjalë se këtyre ardhacakëve, që të integrohen dmth. të ngrihen në nivelin e lartë të kryeqytetasit, u duhen të paktën dhjetë vjet. Ndërsa për mua çështja që shtrohet sot për tiranasit është krejt tjetër. Ajo ka të bëjë më së pari me pyetjen: çfarë do të thotë sot të ndjehesh "i integruar" në kryeqytetin tonë. Dhe kësaj i shtohet pyetja: a është e mundur që brenda dhjetë vjetësh një njeri apo familje që ka ardhur në Tiranë ta ndjehet njëlloj si qytetarët e vjetër të Tiranës? Ndoshta po, por në këtë rast duhet thënë: aq më keq për ardhësit.E them këtë pasi si qytetar i vjetër i Tiranës e që jeton e ndjek me vemendje jetën e bashkëqytetarëve të vet mund të them se përjetimi im është se qyteti është bërë thuajse i pabanueshëm qoftë në kuptimin e atyre që do t'i quaja nevoja primare të jetës që kanë të bëjnë me raportin tonë me ajrin, gjelbërimin, ujin, rrugët, pejsazhin urban etj. qoftë përsa i përket atyre nevojave që nënkupton "integrim social" që kanë të bëjnë me atë se sa ndjehemi pjesë e një komuniteti të caktuar ku hyn edhe raporti ynë me institucionet vendore të qytetit. Me një fjalë të vetme do të thoja se si qytetar i Tiranës ndjej jo integrimin, por pikërisht disintegrimin. Nëse studimi i OJQ-së në fjalë ka arritur në këtë konkluzion edhe për ardhësit që kanë kaluar dhjetë vjet qëndrim atëhere mund të them se ka arritur në një konkluzion të saktë. Përndryshe është një vërrë në ujë. Në fakt, ajo çka do të kërkoja sot nuk është një studim mbi atë se sa kohë duhet që të ndjehen ardhësit të integruar, por një studim serioz mbi dizintegrimin social të tiranasve, mbi shkaqet dhe pasojat e mbi atë se çfarë duhet bërë (e sa kohë mund të na hajë kjo) për të filluar procesi i integrimit të qytetarëve të Tiranës në qytetin e tyre që në një farë mënyre, ashtu siç është bërë, kërkon t'i disintegrojë e t'i flakë jashtë banorët e tij. Një studim që të merrej me atë se sa është rritur numri i të sëmurve nga kanceri, i të sëmurëve nga mushërit, apo ai i të sëmurëve psiqikë. Një studim që të merrej edhe me atë se si ndërtuesit që deri dje kanë shkatërruar kryeqytetin me betonizim sot po na dërgojnë vazhdimisht e-maile ku na bëjnë publicitet në forma të ndryshme duke na thënë: Tirana është bërë e pabanueshme, ju keni nevojë të dilni prej saj dhe të blini vilat që ne po ndërtojmë për ju në rrethinat e saj - që, tek e fundit, do të rezultojë edhe në një shkatërrim të rrethinave.Gjithsesi, kur flas për dizintegrim social të komunitetit të tiranasve e ndjej se më së pari më duhet të hap një parantezë që të çon në periudhën komuniste. Pse a kishte komunitet tiranasish atëhere? - mund të shtrohet me të drejtë pyetja. Si qytetar i Tiranës them se shteti komunist në një farë mënyre, duke uzurpuar të gjitha atributet e jetës publike, i shkatërroi komunietetet e vjetra e të reja të Tiranës dhe ko që po jetojmë sot është edhe pasojë e asaj periudhe. Por jo vetëm. Përsëri si qytetar i vjetër i Tiranës, mund të them se në Tiranë mbetën, sadokudo, ato të quajturat lagje apo mëhalla ku njerëzit kishin jetuar prej vitesh, mbeti një lloj solidariteti i lagjes/mëhallës, mbetën marrëdhëniet e njerëzve që e njihnin njëri tjetrin prej kohësh, që i kishte lidhur një kopësht apo një shkollë apo një fushë sporti me të tjerët. Është e vërtetë se institucionet vendore, aq të rëndësishëm për të ngjizur komunitetet, u imponuan nga lart dhe qytetarët nuk i ndjenin si të tyret; është e vërtetë po ashtu se regjimi mbolli një mosbesim të thellë tek njeriu që nuk e ndihmon sociabilitetin, por megjithatë mund të them se, ashtu si doli, Tirana në vitet 90 i kishte mundësitë urbane që të zhvillonte ato elementë komunitarë që i kishte ruajtur apo zhvilluar sadopak në komunizëm. Mirëpo në vend të kësaj filloi një shkatërrim që solli edhe një disintegrim të paparë social. Faktorët qenë të shumtë pa dyshim duke filluar që nga emigracioni i një pjese të mirë të tiranasve e duke vazhduar me dyndjet e ardhësve që u shoqëruan me një urabanizim të egër, me një masakër urbane me zaptime pronash publike e me privatizime abuzive në krye të të cilave u vunë institucione shtetërore që në vend se të bëheshin demokratike, në kuptimin që tiranasit t'i ndjenin si të tyret, filluan, në bashkëpunim me gjithfarë horrash, të ardhur e tiranas, të grabisnin hapësirat publike, të shkatërronin kujtesën kistorike e me rradhë e me rradhë çka, tek e fundit, ka rezultuar në shkatërrimin e çdo ndjenje komuniteti midis tiranasve duke e bërë tiranasin sot të ndjehet më shumë se kurrë i vetmuar në hallin e tij, pa ndjenjë komuniteti, pa ndjenjë se ka komshinj që mund t'i gjenden në një hall, pa institucione që mund t'i shërbejnë, pa shkolla e kopështe të atilla që të ndjehet i sigurtë se po edukojnë qënie njerëzore të shekullit XXI.Nuk po zgjatem në këtë histori depresive për të cilën kam shkruar shumë. Përkundrazi në këtë shkrim dua të sugjeroj diçka me idenë se nuk është kurrë tepër vonë, madje edhe duke patur parasysh faktin se sot kemi një kryetar bashkie të ri dhe një grup që po punon për planin urbanistik të qytetit. Ndoshta - them akoma - mund t'i lexojnë këto rreshta edhe nën dritën e katastrofës që kemi të gjithë përpara syve e nuk do të më përqeshin - siç kam frikë - duke thënë me njëri tjetrin me cinizëm se çka po them janë broçkulla të një jokompetenti ("urbanist popullor" më përqeshte dikur ish kryebashkiaku) pasi çka përshkruaj janë fenomene të kapitalizmit kudo në botë.Madje për ta sqaruar më mirë se ç'dua të sugjeroj po sjell shembuj pikërisht nga bota. Po e filloj me përvojën e Enrique Penalosa, kryebashkiak në filimvitet 2000 i kryeqytetit të Kolumbisë, Bogota, i cili është bërë i famshëm sot për projektin e tij. Në një kryeqytet dhjetë milionësh të mbytur nga nje trafik kaotik e nga një problematikë e krahasueshme në shumë aspekte me Tiranën Penalosa u nis nga ky parim: "Ne kemi nevojë të ecim ashtu sikurse zogjtë kanë nevojë të fluturojnë. Ne kemi nevojë të qëndrojmë sëbashku me njerëz të tjerë. Ne kemi nevojë për të bukurën; për kontakte me natyrën. Kemi nevojë mbi të gjitha të mos ndjehemi të përjashtuar. Kemi nevojë edhe të ndjehemi në një farë mënyre të barabartë." Mbi këtë parim pra, ai krijoi një projekt qyteti relacional me një impakt të jashtëzakonshëm në botë. Së pari ai ngulmoi se ekziston një konflikt midis vënies së qytetit në funksion të makinave dhe vënies së qytetit në funksion të njerëzve (e kush më shumë se ne tiranasit e provojmë këtë konflikt mbi kurriz). Kështu Penalosa i braktisi projektet e rrugëve të mëdha në periferi (kujtoni se ne po bëjmë një të tillë) duke i përdorur burimet financiare për të realizuar parqe të mëdha, pista bicikletash dhe "autostrada këmbësorësh". Ndërkaq, për të përballuar nevojën e transportit, ai u mbështet mbi transportin publik të cilin e bëri shumë të shpejtë dhe cilësor. Po ashtu ai zgjeroi trotuaret duke krijuar në to hapësira të mëdha publike dhe pista bicikletash. Kujtoj se Bogota është një qytet të varfërish (siç jemi ne) e kjo punë e kryebashkiakut mund të duket si një luks që e kanë qytetet e pasura perëndimore, veçanërisht ata nordike. Por, sipas Penaloses, pikërisht në një qytet të varfërish siç është Bogota sociabiliteti është një nevojë bazike, që madje mund të lehtësojë edhe probleme të varfërisë e deri të reduktojë kriminalittin. Si pasojë e vënies në jetë të këtij projekti urban, që i nxorri si të thuash njerëzit në rrugë si këmbëorë që takohen me këmbësorët, si popullsi që lëviz me biçikletë, (nga vetëm 0,2 % pas gjashtë vjetësh numuri i tyre arriti në 5%) në Bogota u pakësua në një të tretën numri i aksidenteve automobilistike, dhe ra ndjeshëm edhe niveli i vrasjeve. Sot disa nga arritjet e tij janë të pakthyeshme dhe shembull për gjithë botën. Të njëjtën filozofi ka aplikuar kryebashkiaku i njërit prej qyteteve evropiane më të njohur, Parisit. Parisianët kishin arritur një pikë të tillë lodhjeje nga zhurmat, ndotja e ajrit, bllokimet e trafikut saqë mbështetën planin e Kryebashkiakut Bertrand Delonoë për t'i rimarrë rrugët. Administra arriti deri atje sa mbuloi me rërë rrugën Pompidou, arterie e rendësishme qarkullimi makinash dhe vendosi aty çadra nëpër hapësira ku mund të pihej një birrë e të bëheshin aktivitete të ndryshme. Asfalti pra u kthye në rërë plazhi me sheshe të vegjë me hapësira për të kërcyer. Delanoë po ashtu e përmbyti qytetin me qindra mijëra biçikleta që përdoren falas. Për të vazhduar me shembuj gjithmonë në frymën e filozofisë së kryebashkakut të Bogotas kujtoj se në Suedi administrata publike ble terrenet rreth qytetit që i deklaron zona ku s'mund të ndërtohet.E di që dikush do të më thotë: çfarë po na thua, me kë po na krahason. Por nuk mund të mos mendosh se Tirana i ka pasur këto mundësi dhe i ka humbur e po i humbet me një shpejtësi dramatike. Dhe nuk mendoj se kjo ndodhi pasi ardhësit ishin katundarë e injorantë që donin të banonin ngjit e ngjit në ato kosheret gjigante të bletëve, apo se ishin të etur për makina e i urrenin biçikletat, deri edhe barin - siç thonë disa. Jo, ardhësit në Tiranë ndërtuan shtëpi me oborr ku mbollën edhe pemë në stilin si kishin banuar në fshat. I bënë të mëdha vërtet, të shëmtuara, e pa infrastrukuturë, por, sipas meje, masakrën kryesore e bënë "të diturit" e qytetit. Ishin ata që kryen betonizimin e qytetit duke përdorur sigurisht edhe një lavazh trush, por mbi të gjitha duke përdorur forcën e pushtetit, të parasë së zezë e korruptive e pandëshkueshmërinë nga ligji. Kësisoj Tirana u shndrua në një qytet në funksion të makinave e të pasurimit të një pakice që sot ua ka bërë të pamundur jetën qytetarëve jo thjesht në kuptimin fizik, por mbi të gjitha në kuptimin e zhveshjes së qytetarëve thuajse nga çdo mundësi relacionale, sociabiliteti. Një qytet pra ku vetëm për atë që quhet integrim social nuk mund të bëhet fjalë.Duke mos dashur ta mbyll këtë shkrim me pesimizëm po e mbyll duke uruar që teknikët e Bashës që po punojnë për planin urbanistik t'i njohin e studiojnë ca më shumë përvojat që përmenda në mënyrë që të mund të rekuperojnë ç'mund të rekuperohet në qytetin tonë të masakruar barbarisht nga njerëz shumë të këqij. (Panorama, 7 tetor 2011)
Saturday, October 8, 2011
Tirana - integrim social apo dizintegrim
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
-
Në Bibël ka një pasazh që është komentuar shumë: ai ku përshkruhet çfarë ndodhi në momentin para se Kaini të vrasë Abelin. Komentohet fakti...
-
Në mbyllje të 2005-sës, vit të cilin, në petkun e gazetarit, e kam ndjekur hap pas hapi me shkrime, kryesisht mbi jetën dhe zhvillimet polit...
-
Ajo që po ndodh në Shqipëri këto ditë i ka ndarë njerëzit në dy kampe të mëdha. Në njërin kamp bëjnë pjesë ata që mendojnë se kjo që po ndod...
No comments:
Post a Comment