Nëse do t’i rendisja, pa u menduar gjatë, përshtypjet e para që më erdhën duke parë sheshin “Skënderbej” të mbaruar, do të vija, sipas radhës, shprehjet:
– Shyqyr që mbaroi dhe kemi një gjendje normale trafiku. – Po si paska dalë kështu, me këtë 8-n që ka në mes Skënderbeun?
– Mirë që u ka shkuar mendja të vendosin bar e të mbjellin pemë të paktën.
– Po gjithë kjo hapësirë e rrethuar brenda 8–s ç’kuptim ka?
– Kush ta ketë bërë projektin? A ka pasur ndonjë debat ndonjë oponencë, apo si gjithmonë vijat i ka hequr “shefi” vetë, kurse specialistët thjesht kanë hedhur në të pastër projektin e tij?
Nëse përshtypja e parë, e kthimit të sheshit në normalitet, s’ka nevojë të komentohet – e për këtë duhet falënderuar dhe inkurajuar Bashkia – për të tjerat mund të tirren gjatë argumente ku s’është e thënë të jenë të gjithë në një mendje. Po përpiqem të përmbledh shkurtazi ato të miat.
Përsa i përket estetikës, më duket se pamja që ka dalë nuk bën përjashtim në “rregullin” e vendosur tashmë se gjithçka apo thuajse gjithçka që është bërë në këta njëzet vjet e ka bërë më të shëmtuar Tiranën se çka qenë. Kur flas për sheshin si “më të shëmtuar nga çka qenë”, nuk kam parasysh tmerrin që na panë sytë një vit e gjysmë para këtij punimi, madje as degradimin e gjatë para tij, por tri pamje të tij që i kam në kujtesë pak a shumë të idealizuara. Pamja e parë është ajo e sheshit deri në vitin 1962, kur pjesa në vazhdim të lulishtes ovale ishte rrethore e përmbyllej ende nga Pazari i Vjetër, lokalet te fillimi i Rrugës së Dibrës, ish Bashkia dhe ishkafe “Kursali”; pamja e dytë është ajo që mori sheshi kur pjesën e Pazarit e zëvendësoi Pallati i Kulturës e më vonë u rrethua edhe nga hotel “Tirana”, ndërkohë që të tjerat mbetën pak a shumë siç kishin qenë; pamja e tretë është ajo që mori kur u kthye në katror me shkatërrimin e ish-Bashkisë, të kafe “Kursalit” dhe të rrethinave prapa tyre, për t’i hapur vendin Muzeut Kombëtar dhe pastaj monumentit të Enver Hoxhës.
Për mua nuk ka pikë dyshimi se këto operacione kanë ardhur duke e shëmtuar sheshin. Arsyeja është shumë e thjeshtë dhe ndoshta s’ka të bëjë edhe aq me aftësitë profesionale të arkitektëve që i kanë projektuar – ndonëse edhe kjo s’duhet të neglizhohet, – por me humbjen e koherencës që i kanë sjellë shkatërrim/ndërtimet e pjesshme, të urdhëruara nga lart, sa me kërleshjen e stileve arkitektonike, aq edhe me shpërndërrimin e historisë dhe të funksionalitetit të sheshit. Nga një shesh i konceptuar kryesisht për rrethqarkullim këmbësorësh, karrocash e pak makinash, ku mund të bëhej edhe ndonjë tubim, e që në tërësinë e tij lidhej në mënyrë shumë më harmonike dhe njerëzore si me ovalen në mes të ministrive, ashtu edhe me ndërtimet përreth tij, ai u shndërrua nga komunistët në një shesh pushteti, monumentaliteti, duke humbur dimensionin njerëzor që kishte. Ndërtesa e Pallatit të Kulturës dhe ajo e Muzeut, por edhe hotel “Tirana”, mbetën të palidhur arkitektonikisht me ndërtesat e ministrive e të Bankës. Ndërkaq, ndërtesat katër-pesëkatëshe që u ngritën prapa Muzeut e prapa Bankës e krijuan një lloj raporti me to, por në kurriz të shkatërrimit të shumçkaje nga historia dhe bukuria e zonës ku u ngritën. Vendosja e monumentit të Enver Hoxhës, krahas atij të Skënderbeut, e bëri edhe më monumental, më absurd e njëherësh më të shëmtuar sheshin.
Në këtë gjendje, por edhe të degraduar materialisht, e gjetën sheshin fillimvitet ‘90. Shëmtimi kryesor që bënte të nevojshëm një ndërhyrje pas viteve ‘90, sipas gjykimit tim, ishte ai që i shkaktonte hapësira e mbetur bosh tek ish-shtatorja e diktatorit. Operacioni rregullues duhej të përqendrohej vetëm aty. Kurse pjesa tjetër, mirë-keq, ishte për t’u restauruar, por jo për t’u ndryshuar. Ajo jo vetëm që kështu do të ruante historinë, qoftë edhe me shatërvanin katërkëndësh që zëvendësoi atë rrethor kur sheshi para Skënderbeut u kthye në katërkëndësh, por do të mbetej edhe më koherente pasi çdo ndërhyrje e re e rëndësishme rrezikonte ta bënte edhe më shëmtuar. Mirëpo në vend të kësaj, me vitet ‘90 sheshi filloi të shihet si një vend kryesor ku pushtetarët e rinj donin të vinin vulën e tyre.
Shëmtimin e mëtejshëm e filluan Kelmendi e Brojka me vendosjen e kioskave kudo ku mundën, deri edhe brenda ovales prapa Skënderbeut, e cila vdiq kështu si lulishte. Kioskizimi i gjithandejshëm sheshit i solli një degradim të madh që i hapi mundësinë edhe shpërndërrimit të tij. Më pas, Edi Rama, duke aplikuar teorinë “historia fillon me mua”, edhe pse votat i kishte marrë me premtimin e kthimit në identitet, kreu aksionin e prerjes së pishave dhjetëravjeçare në ovalen prapa Skënderbeut, si dhe ndryshoi planimetrinë që ajo kishte pasur brenda saj me pretendimin se do ta bënte këtë ovale sipas një modeli fjorentin, që rezultoi një shëmtim i mëtejshëm. E njëjta gjë ndodhi edhe me një si shtëpi kuti katërkëndëshe druri e xhami që u vendos në vend të shatërvanit. Ndërkaq, hapësira tek ish-monumenti i Enver Hoxhës ishte bërë e mbeti teatër i lloj-lloj banalitetesh edhe për shkak se, si pa gjë të keq, kjo ishte privatizuar dhe pronarët, me projektet e tyre potenciale, nuk lejonin ndërhyrjen. Në këto kushte u bë hartimi i një plani të ashtuquajtur francez që më rezulton se është bërë nën diktatin e pronarëve të trojeve brenda dhe rrotull sheshit, por që na u shit si modernizim i qendrës, si harmonizim i historikes me modernen. Sipas këtij plani, sheshi rrethohej me nja gjashtë grataçiela 25-katëshe dhe me një numër ndërtesash të tjera të larta. Tre prej grataçielave parashikohej të ngriheshin nga lindja prapa Pallatit të Kulturës. Tri të tjera nga perëndimi: njëra prapa Bankës, duke prishur ndërtesën katërkatëshe tashmë historike të Petraq Kolevicës, njëra në fillimin ku takohen Rruga e Durrësit me atë të Kavajës, e tjetra prapa ndërtesës katërkatëshe që bën njërin nga këndet e Rrugës së Durrësit. Përveç këtyre, sheshi rrethohej edhe nga veriu me disa ndërtesa të tjera të larta, ndër të cilat një 15-katësh që parashikohej të ngrihej në hapësirën katrore brenda Muzeut Kombëtar, nja dytri më të ulëta, por deri tetëkatëshe përpara 15- katëshit e mbi hapësirën e fillimit të bulevardit “Zogu I”, midis hotel “Tiranës” dhe Muzeut. Shtoi këtyre edhe një qendër biznesi tre-katërkatëshe midis Bankës dhe Muzeut Kombëtar, në vendin ku ka qenë monumenti i diktatorit. Nuk ka nevojë të kesh ndonjë imagjinatë të zhvilluar për të parafytyruar se këto ndërtesa me lartësinë, shpeshtësinë dhe kakofoninë e tyre të stileve do ta shëmtonin edhe më tej sheshin si në kuptimin e zhvleftësimit të ndërtesave historike rreth e rrotull tij, edhe si peizazh urban në tërësi. Efektin shkatërrues mbi peizazhin urban të ndërtesave të reja mbi ato të vjetra dhe të atyre gjigante mbi ato më të ulëta e sheh sot gjithandej në Tiranë. Nga ato më afër sheshit le të përmend Torre Drinin apo atë hinkën 25-katëshe të ngritur te tyrbja e Sulejman Pashës apo efektin shkatërrues mbi ndërtesat e ministrive të shpallura monument kulture që ka shkaktuar Kisha Ortodokse e ndërtuar në një hapësirë në të cilën dikur kishte një park që u jepte hapësirë e dritë e vlerë edhe këtyre ndërtesave.
Plani belg për sheshin u tha se “korrigjonte” apo “perfeksiononte” atë francez. Në fakt, me gjithë trumbetimin me aq bujë të francezit si gjë perfekte, belgu i hiqte atij dy-tre ndërtesa krejtësisht absurde përpara hotel “Tiranës” e linte vetëm një ndërtesë absurde midis hotel “Tiranës” e Muzeut Kombëtar, si dhe ndërtesën midis Bankës dhe Muzeut, duke e kthyer sheshin gjithashtu në një hapësirë pedonale ku qytetarët do të mund të ngjiteshin edhe në një piramidë të vogël që ta do mendja se do të kulmonte atje ku ishte dikur shatërvani. Mendohej se qytetarët do të shijonin edhe ovalen prapa Skënderbeut ku, me sa di, ka qenë ideja se mund të mbilleshin edhe pemë. Kjo hapësirë pedonale do të shtrihej edhe në zonën përreth Kuvendit.
Ideja për të pasur një shesh pedonal është pozitive, por ky projekt, sipas meje, kishte probleme të mëdha për t’u kthyer në një realitet që do të përmirësonte jetën e qytetarëve. Pa folur për efektin shkatërrues përsa i përket peizazhit urban që do të sillnin ndërtesat e reja që do t’i shtoheshin rrotull sheshit duke e kthyer në një pus të thellë që e bënte qesharake idenë e piramidës, në majë të së cilës qytetari do të ndjehej zot, le të ndalemi te problemi funksional. Sheshi do të humbiste me këtë projekt funksionin e tij si vend-qarkullim i trafikut të rrugëve kryesore që lidhin Tiranën perëndimore me atë lindore, verioren me atë jugore. Dhe ky nuk është problem i vogël. Një nga traumatizimet që kanë pësuar qytetet e vjetra kudo në botë është qarkullimi i makinave e, mbi të gjitha, këtë e kanë vuajtur sheshet. Historia e shesheve në qytetet e vjetra është e tillë që ata janë zhvilluar me rritjen e qyteteve si vende ku kishte më shumë grumbullim publik. Një shesh përbëhet zakonisht nga hapësira përpara një objekt kulti, kishë apo xhami, ku njerëzit mblidhen, nga ndonjë lulishte si dhe nga ndërtesa të tjera rrethuese ku ka edhe vende çlodhjeje dhe ngrënieje, edhe dyqane. Pra, në shekuj funksioni kryesor i shesheve ka qenë mbledhja e njerëzve të një distrikti apo të qytetit (kur bëhet fjalë për ndonjë shesh kryesor) për jetë publike e ku ata vinin, nga rrugët që konvergonin aty, më këmbë, shumë-shumë me karroca. Shtimi i makinave, veçanërisht pas Luftës së Dytë, i traumatizoi sheshet e vjetra të qyteteve. Përshtatja më e mençur që kanë bërë njerëzit për të pranuar makinat në pjesën historike të qyteteve, duke përfshirë dhe sheshet, është mbështetur kryesisht mbi tri gjëra: së pari, qendrën historike e kanë ruajtur të pandryshuar nga pikëpamja e ndërtimeve, duke mos shtuar pra dendësinë e ndërtimeve; së dyti, kanë stimuluar transportin publik; së treti, kanë vendosur kufizimin e qarkullimit të makinave duke e reduktuar atë vetëm për banorët e asaj zone. Kurse zhvillimi i mëtejshëm i qyteteve (gjithmonë sipas nevojës) është kryer në hapësira të tjera me rrugë më të gjera e ndërtime më të larta – krahas krijimit të hapësirave të tjera publike, ndër to edhe të shesheve të reja. Në Tiranë nuk është bërë asgjë e këtillë, përkundrazi, kryebashkiakët tanë i përqendruan ndërtimet e reja në qendër në një mënyrë të paparë, duke shkelur çdo normë të dendësisë për metër katror; po ashtu, në vend të stimulimit të transportit publik e të kufizimit të trafikut vetëm për banorët e zonës, ata u merakosën vetëm të zgjerojnë rrugët për të krijuar vende parkimi për makinat që u shtuan pa asnjë kontroll, duke ngushtuar kësisoj trotuaret dhe nuk krijuan thuajse asgjë më tërheqëse për jetën publike jashtë zonës së qendrës.
Në këto kushte, sheshi “Skënderbej” u shfaq i dënuar të përballojë një kontradiktë të pazgjidhshme: më një anë të bëhej vendi më tërheqës për këmbësorët e Tiranës, më anë tjetër, të mbetej vend-qarkullimi më i madh i makinave të kryeqytetit për shkak se rrotull tij ekzistonte dhe parashikohej të shtohej dendësia maksimale e banorëve dhe e makinave. Kjo e dyta, në fakt, e shkatërron të parën, duke e lënë një gjë virtuale sheshin pedonal. Sipas meje, sheshi do të mund ta kishte luajtur rolin e parë nëse brenda asaj që sot e quajmë Unaza, do të ishte ruajtur maksimalisht (duke u restauruar, sigurisht) Tirana e vjetër dhe nëse operacionet e ndërtimeve më të larta e me rrugë më të gjera do të ishin kryer jashtë kësaj unaze. Tirana historike do të merrte kështu një vlerë të jashtëzakonshme dhe sheshi, madje deri edhe bulevardi, do të mund të ktheheshin lehtas vetëm për këmbësorë dhe biçikleta. Në kushtet e krijuara në Tiranë dhe me ato që parashikonte plani franko-belg, kjo ishte, sipas meje, e pamundur, sepse do ta vështirësonte edhe më jetën e qytetarëve në zonën përtej ndalimit të qarkullimit për mungesë të infrastrukturës rrugore. Por, edhe sikur ta pranojmë për një moment se do t’i hynim aventurës së planit frankobelg, do të duhej të paktën që kjo të kishte filluar duke pas bërë më parë infrastrukturën rrugore me kalime dhe nënkalime që do të garantonin funksionimin normal të trafikut. Nuk mund as të fillonin punimet për sheshin pa qenë më së pari e ndërtuar kjo infrastrukturë. E, në këtë kontekst, le të mos harrojmë se qendra e Tiranës ka më se njëzet vjet që është shndërruar në një kantier ndërtimi që prodhon pluhur, ndotje dhe, ç’është më e keqja, edhe shëmtim. Plani franko– belg i Ramës na premtonte, minimumi, edhe njëzet vjet të tjerë kësisoj. Mjaft të përfytyrosh ndërtimet e parashikuara midis Bankës dhe Muzeut Kombëtar, midis Muzeut dhe hotel “Tiranës”, brenda vetë Muzeut apo gjashtë grataçielat që përmenda për të kuptuar se mundësia e një hapësire të qetë pedonale brenda sheshit do të mbetej një ëndërr që s’do të mund të bëhej realitet as për tokësorët e brezave që sapo kanë lindur, pasi një shesh i tillë i superngjeshur me ndërtime do të ishte i pabanueshëm.
Shpresoj se ideja për t’i realizuar këto ndërtime të jetë një makth që nuk do të na kthehet më kurrë e ne të fillojmë të mendojmë për sheshin në një kontekst më njerëzor.
Përsa i përket vlerësimit estetik të sheshit që ka dalë, mbetem i idesë se, në pamundësi për të kthyer pamjen e sheshit të para vitit ‘62 apo edhe atë me ish-Bashkinë e Kursalin të paprishur, ajo më e mira e mundshme që mund të kishte bërë ekipi i kryetarit të Bashkisë aktuale do të kishte qenë, së pari, kthimi i ovales prapa Skënderbeut në pamjen origjinale, që e bënte shumë mikpritës atë vend për qytetarin me shkallët hyrëse në veri dhe në jug; së dyti, rikthimi i shatërvanit katërkëndësh apo i një rrumbullaku varësisht nga ajo se cili mund të qëndronte më mirë; së treti, plotësimi i sheshit ku ka qenë monumenti i diktatorit, ndoshta me atë pyllin, që e kam propozuar edhe vetë në një shkrim, duke e imagjinuar si vend çlodhjeje dhe grumbullimi për vizitorët e Muzeut, ndoshta me baraka të çmontueshme, në rast festash, por kurrsesi me një ndërtesë që do t’i merret energji e pamje si Bankës, edhe Muzeut Kombëtar.
Ajo çka shqetëson më shumë, megjithatë, është aspekti funksional i sheshit që ka dalë. Pyetja që ngrihet është: a do të mund të bëhet ky shesh një qendër për këmbësorët, dhe jo të mbetet kryesisht një vend-qarkullim i makinave? A do të mund të bëhet ky një shesh i qytetarëve, dhe jo të mbetet një simbol ideologjik? Mua më duket se duhet bërë kjo përpjekje, por vetëm nëse konceptohet që Tirana brenda Unazës nuk do të rëndohet më me ndërtime, por përkundrazi, do të “ajroset” me hapësira dhe parqe të tjera të vogla brenda lagjeve, do të ketë nënkalime, transport publik dhe kufizime të qarkullimit të makinave vetëm për banorët e zonave, siç i ka gjithë bota. Atëherë ndoshta do të vinte një ditë kur sheshi të mund të mendohej të kthehej në pedonal, duke menduar njëkohësisht që disa nga ndërtesat e ministrive të shndërroheshin në muze apo qendra aktivitetesh kulturore që do t’i jepnin atij jetë. Duke e përfytyruar një projekt të tillë, e quaj të papranueshëm faktin që ajo hapësira e 8-s me një pjesë konkave më të madhe dhe një pjesë konvekse më të vogël, është konceptuar vetëm në funksion të madhështisë së Skënderbeut; kjo më duket një vazhdimësi e mendësisë komuniste që i trajtonte sheshet si simbole ideologjike, dhe jo si vende të jetës publike e ë shoqërizimit të qytetarëve.
2 comments:
Doli specialisti i bashkise se re ne tv dhe shpjegoi me autoritet sesi e kishte hedhur poshte projektin e nje prej studiove me te famshme arkitekture ne Europe.U bera kurioz thashe kush eshte ky gjeni shqiptar me emrin T.Z.Pasi kerkova ne internet pashe qe personi ne fjale tek CV e tij ishte marre vetem me ujesjellsa ne zona rurale.Pra ky u morr me sheshin kryesor te shqiptareve.
çuditerisht kalvarit te sheshit Skenderbe i ngjan pak a shume edhe projekti i qendres se Durresit. Me kujtohet para nje viti e gjysem kur u be projekti i qendres se Durresit, diskutohej qe te prishej shatervani ne qender te sheshit i cili eshte ndertuar te pakten 70 vjet me pare. te vetmin argument qe degjoja nga shume si dhe nga nje mik i imi i cili punonte edhe ne bashki ishte se s'ia vlente te ruhej madje nuk ishte ndonje shatervan pa piken e bukurise, si dhe kuptohet nuk shkonte me projektin e ri te qendres!Ne fakt ai mund te mos jete dhe aq i bukur sot pasi nuk eshte mirmbajtur dhe sa here i kan bere ndonje gjoja rregullim e kan bere edhe me te shemtuar, por po ta mirembanin sic duhej dhe mos e restauronin me pllaka argjili apo me beton, si dhe mos i vendosnin ca projektor me ngjyra do ishte goxha i bukur. Pastaj kur projektohet nje qender qyteti nuk projektohet gjoja qender moderne duke shperfillur ekzistuesen. nje shatervan 70 vjecar nuk mund te konsiderohet si nje orendi ordinere shtepiake qe e hedh thjesht se nuk kombinon me pllakat e reja. Dhe jo vetem kaq por edhe nga pikpamja shoqerore ai eshte ne nje fare menyre nje pike takimi dhe ndenjeje per qytetaret gjat veres.Nejse si perfundim shatervani shpetoi (ndoshta nga qe kryebashkut te Durresit i punon pak me mire shqisa e degjimit se sa e atij te Tiranes). Por ajo qe konstatojme fare lehte eshte menyra se si punojne qeveritaret tane kudo qe jane. Edhe kur ndertojne ndonje gje nuk e bejne si per qytetin e tyre, apo per te ardhmen e tyre ne kete qytet, por sikur jane te huaj ne kete qytet. Arsyet pastaj jane te shumta, por jo te veshtira per tu kuptuar.
Post a Comment