Friday, December 16, 2011

Për një histori pa heronj


E prita me interes një emision “Shqip” të Rudina Xhungës të datës 28 nëntor, pasi e dija se atje do të transmetohej një intervistë e historianes Nathalie Clayer lidhur me shpalljen e pavarësisë dhe figurën e Ismail Qemalit. Isha kureshtar të dëgjoja historianen, të cilën e njoh dhe e vlerësoj për kontributin e paçmuar që ka dhënë në shkrimin e historisë sonë, veçanërisht me librin “Në fillimet e nacionalizmit shqiptar” (botime “Përpjekja”, Tiranë 2009). Mirëpo u zhgënjeva pasi u ndodha përpara disa befasish të njëpasnjëshme.
Befasia e parë ishte titulli i emisionit: “Heronjtë e Shqipërisë”. Ende nuk e paska mësuar gazetarja se termi “hero” është tejet romantizues, ideologjizues (“heronjtë e Luftës Nacional-Çlirimtare”, “heronjtë e komunizmit”, “të ndërtimit të socializmit”, “heronjtë e heshtur”, “heronjtë e burgjeve”) e se, prandaj, duhet përdorur me kujdes e me kursim në përgjithësi, e jo më kur duam të flasim për shkencë – thashë me vete – pasi kështu lehtësisht do ta humbasim njeriun Ismail Qemali dhe historinë e tij të vërtetë prapa heroit Ismail Qemali.
Befasia e dytë ishte se ndërkohë që prisja intervistën e historianes franceze, më dolën tre të ftuar shqiptarë të Xhungës: Arben Puto, Paskal Milo dhe Artan Lame, që filluan një avaz të vjetër për Ismail Qemalin, themeluesin e shtetit të parë shqiptar, aktin e tij historik – gjëra për të cilat m’u duk se s’kishte nevojë të ftonte historianë në atë tryezë. Mendova se, për të mos “prishur festën”, Xhunga e kishte hequr intervistën e Clayer pasi e merrja me mend që historiania do të ishte larg gjuhës nacional-romantike që po përdorej aty. U bëra disa herë gati ta kaloja në ndonjë stacion tjetër, por ishte e thënë të provoja befasitë e tjera. Pasi e kishte ngarkuar mirë publikun me ndjenja të larta patriotike, Xhunga futi intervistën e Clayer duke e prezantuar me një lloj mënyre sikur po na paralajmëronte se kishim të bënim me një lloj diversioni ndaj të cilit tre të ftuarit duhet të rrinin në beft që të reagonin në mbarim të intervistës dhe të reklamave pas saj.
Nëse do ta sintetizoja atë çka tha Clayer, do të veçoja disa ide që, sipas meje, qenë të reja e të rëndësishme për publikun e gjerë:
Së pari, se shqiptarizmi nuk është vepër e disa heronjve, por se për lindjen e tij (që fillon me arbëreshët) kanë ndikuar shumë faktorë, ku përveç zhvillimit të helenizmit (nacionalizmit grek), ka pasur edhe faktorë të tjerë, si zhvillimi i shkollës, i leximit të shtypit, politikat e Austro-Hungarisë e Italisë, por edhe (vini re!) politikat e Perandorisë sepse autoritetet osmane në vitet 1860 vendosën të krijojnë më shumë shkolla dhe në këtë mënyrë, niveli i edukimit mes shqiptarëve myslimanë, por edhe të tjerë, u zhvillua, u lartësua dhe ideja e nacionalizmit apo kombit bëhet kështu më e pranueshme te të rinjtë që shkonin nëpër shkolla.
Së dyti, e pyetur nëse i duket normale të kërkohet rishikimi i historisë sonë me Perandorinë, Clayer u përgjigj se “patjetër, duket normale”, madje se e gjithë historia e Shqipërisë duhet të rishikohet, pasi deri tani kjo histori ka qenë shumë e ideologjizuar dhe është shkruar duke mos shfrytëzuar teorinë e shkencave sociale.
Së treti, kur u pyet mbi rolin e Ismail Qemalit, Clayer vuri në dukje se ky ka qenë një burrë shteti osman dhe se nacionalizmi shqiptar për të, në fillim, ka pasur më shumë qëllime osmane, sesa shqiptare dhe se ai zgjodhi pavarësinë në një moment ku nuk kishte zgjedhje tjetër. Po ashtu, Clayer u tregua “e kursyer” në dhënien e meritave për themelimin e shtetit shqiptar vetëm këtij “heroi”. Duke vënë në dukje se ai ka qenë në krye të qeverisë për një kohë të shkurtër (e këtu ajo bëri një lapsus, sepse me shqipen e saj tha “disa ditë” në vend se “një kohë të shkurtër”), Clayer nënvizoi rolin e Komisionit Ndërkombëtar, i cili ka ndikuar më shumë se Ismail Qemali për krijimin e Shqipërinë duke vënë gjithashtu në dukje se ai ka qeverisur vetëm Vlorën dhe rreth Vlorës, pasi në Durrës ishte Esad Pasha, i cili mund të kishte qenë edhe ai një hero i pavarësisë për shembull. Pra, ideja e saj në thelb ishte se ka pasur shumë aktorë në atë kohë dhe se, ndër ta, Austro-Hungaria dhe Italia ndoshta kanë luajtur rolin më të rëndësishëm nga të gjithë.
Së katërti, e pyetur për nacionalizmin dhe raportin e tij me shtetin, Clayer tha se ai ka qenë dhe është një nga mënyrat për të mobilizuar popullin, por se nuk është e sigurt nëse ai i bën më mirë ndërtimit të shtetit apo atyre që e përdorin. Sepse, gjithë sipas saj, shoqëria në përditshmërinë e vet jeton dinamika të ndryshme, që nuk janë vetëm kombëtare ose shtetërore, por edhe transnacionale, edhe krahinore, familjare etj. Pra, se gjërat (edhe kur bëhet fjalë për studimet historike) nuk duhen parë vetëm në prizmin e nacionalizmit, pasi ky është një vizion shumë i kufizuar i botës.
* * *
Befasitë e tjera jobefasuese për mua erdhën nga reagimet e historianëve tanë pasi mbaroi intervista. Arben Puto, pasi tha disa fjalë pozitive për librin e Clayer të botuar në shqip, u kap te lapsusi gjuhësor “disa ditë” dhe tha se, si duket, historiania nuk e njeh mirë figurën e Ismail Qemalit, duke lënë të kuptohet se s’ia vlente të merreshe edhe me çka tha ajo. Pastaj e mori fjalën Paskal Milo dhe tori një retorikë të tërë, sipas së cilës, ne nuk duhet t’i mbivlerësojmë këta të huajt, nuk duhet të kemi komplekse inferioriteti ndaj tyre, duke shtuar se historinë tonë e dimë ne më mirë se ata pasi ne “e kemi në gjak” atë.
Shkurt, historiania franceze, e cila ka punuar dhjetë vjet për të shkruar një libër si “Fillimet e nacionalizmit shqiptar”, u fut në një emision ku s’kishte as të drejtën e replikës dhe u masakrua në stilin tashmë të njohur të “shkollës” sonë që merret me denigrimin e personit, dhe jo me analizën e argumenteve të tij. Dhe kjo, sipas meje, jo për shkak të lapsusit – që në fakt i përkiste gazetares që e kishte intervistuar ta sqaronte që gjatë intervistës, – por duke e shfrytëzuar këtë lapsus që, sipas meje, historianët tanë do të duhet të ishin të parët që ta kuptonin, duke u nisur vetëm nga fakti se një studiuese që ka punuar dhjetë vjet mbi nacionalizmin shqiptar, nuk mund të mos e dinte se për sa kohë ka qëndruar në krye të qeverisë Ismail Qemali. Në fakt, Clayer ka shkruar një tekst të tërë mbi rolin e figurës së Ismail Qemalit, të titulluar: “Të rimendojmë nacionalizmin ballkanik: – rasti i figurës së Ismail Qemal beut dhe i nacionalizmit shqiptar”, ku trajton gjithë aktivitetin e tij para dhe pas shpalljes së pavarësisë.[1]
E vërteta është se prapa lapsusit dhe keqpërdorimit të tij, problemi i emisionit ishte se ai qe një ballafaqim dydiskursesh: atij të historianit shkencëtar dhe atij të historianit ideologjizues që u shfaq qartë në një moment të intervistës ku Xhunga e pyeti Clayer: “Pra, sipas jush, do të na duhet të çlirohemi nga simbolet dhe heronjtë në historinë tonë? Nuk paskemi nevojë për to?”. Dhe Clayer u përgjigj se ajo është historiane që përpiqet të shkruajë historinë apo të japë një interpretim të saj, të kuptojë se cilët janë aktorët që kanë vepruar dhe si kanë vepruar ata – duke nënkuptuar se ky rol nuk përkon me atë të që synon ta përdorë historinë dhe protagonistët e saj si mjet për aktivizim ndjenjash popullore. Kurse qëndrimi i historianëve tanë, veçanërisht me shprehjen e Milos, se ne historinë tonë “e kemi në gjak”, e kësisoj, gati-gati s’paskemi as nevojë ta mësojmë atë, e jo më të na e mësojnë të huajt, ishte një ilustrim par exellence i asaj që studiuesi serb, Slobodan Naumoviç, e quan double insider syndrome (sindroma e dyfish të brendshmit). Kjo është sindroma e atij historiani, antropologu, etnologu, shkrimtari, intelektuali që ka prirjen ta ideologjizojë diskursin pasi është dyfish i brendshëm: së pari, pasi i përket grupit që studion për shkak se ndan me të të njëjtën gjuhë, tradita, vlera, interesa dhe, së dyti, pasi bën pjesë në atë nëngrup special shoqëror që historia e ndërtimit të shtetit komb i ka vënë tradicionalisht si detyrë të studiojë, krijojë, mbrojë “çështjen” e grupit. Ky ideologjizim, thotë Naumoviç, mund të jetë i vetëdijshëm dhe i pavetëdijshëm, por të dyja variantet nuk e përjashtojnë njëri-tjetrin dhe bash kombinimi i tyre është tipik për studiuesit ballkanas. [2]
Për ironi të fatit, këto ditë Puto e provoi si bumerang mbi kurrizin e tij këtë metodë ideologjizimi të diskursit që, në thelb, e ka origjinën te shërbimi ndaj grupit e që mund të aplikohet edhe brenda vendit kur bëhet fjalë për ballafaqim grupesh me histori të ndryshme. Kohët e fundit Puto ka nxjerrë një libër mbi luftën italo-greke, ku, mes tjerash, ka botuar edhe një dokument që tregon se at Gjergj Fishta ka qenë mbështetësi i fashizmit e se paska thënë për Hitlerin dhe Musolinin se kanë qenë gjeni. Antikomunistët që sot e përdorin Fishtën me të njëjtën metodë mendimi, e sulmuan aq egër historianin për këtë sa ndonjëri arriti deri t’i urojë vdekje të shpejtë. Ndërkaq, duhet thënë se nuk ka pikë dyshimi që ky dokument është i vërtetë, madje ka edhe dokumente të tjera që provojnë lidhjet e Fishtës me fashizmin, që nga faktet e njohura se ai ka qenë akademik i fashizmit dhe antisemit, deri te dokumente që tregojnë se u ka bërë thirrje italianëve të vijnë e t’i “presin duart” Mbretit Zog. Nuk është as i pari, as i fundit, kemi të bëjmë me një figurë që ka jetuar në një kontekst të caktuar social historik, jo me një hero të pacenuar e të pacenueshëm. A duhet t’i dimë ne këto, a duhet të na i shkruajnë historianët këto fakte, apo duhet të heshtin e të vazhdojnë të idealizojnë sipas parimit të mbrojtjes dhe glorifikimit të grupit? Sipas meje, ka ardhur koha që shkenca jonë e historisë të çlirohet nga diskursi ideologjizues, në emër të  kalimin tonë në një fazë më të lartë vetëdijeje, e jo të degradojë edhe më tej duke e konceptuar rishkrimin e historisë si heroizim të figurave që ka demonizuar komunizmi.
Po me heronjtë ç’duhet të bëjmë? A mos vallë duhet t’i heqim ata nga piedestalet ku i kemi ngritur? A nuk paskemi ne nevojë për t’u frymëzuar, për të idealizuar, për të besuar në diçka? – do të nxitojnë të më pyesin, së bashku me Xhungën, një pjesë që, kur kam trajtuar kësi temash, më kanë akuzuar për mohues, rimohues, shkatërrues mitesh, renegat, tradhtar, joshqiptar. Duke mirëkuptuar kompleksitetin e pyetjes po e lë përgjigjen e asaj se ç’duhet të bëjmë me heronjtë për një herë tjetër. Por, nxitoj, megjithatë, të vë në dukje se ky shkrim nuk synon të trajtojë temën nëse na duhen apo jo heronjtë dhe ideologjitë që ata simbolizojnë, por të vë në dukje se me rishikim të historisë së shkruar nga komunizmi duhet të kuptojmë një histori që respekton teoritë shkencore të kohës, dhe jo diskursin ideologjizues të historianëve nacionalistë që vuajnë sindromën e double insider-it.
Po ç’duhet të kuptojmë me diskurs shkencor mbi historinë tonë? Sipas meje, një diskurs (që na e inspiron edhe leximi i librit të Nathaile Clayer), ku historia nuk shpjegohet nëpërmjet heronjve tanë të pagabueshëm të shoqëruar me epitetet “i madh”, “i fuqishëm”, “i lavdishëm”, por ku ka një analizë të hollësishme të të gjithë faktorëve që sjellin një ngjarje historike, pa fshehje, manipulim, instrumentalizim faktesh; një diskurs ku vendlindja jonë, apo bindjet tona, apo interesat tona e të grupit ku bëjmë pjesë nuk na bëjnë të humbasim etikën profesionale, ashtu që të veçantën tonë ta trajtojmë me tjetër peshë e masë me të cilën trajtojmë të përgjithshmen. Sigurisht, kjo nuk është e lehtë. “Mund të jetë e vështirë, gati e pamundur, për shkencëtarët e shkencave sociale të jenë objektivë, që shpresat dhe frikat e tyre të mos ngjyrosin bindjet e tyre, – shkruan Naumoviç në esenë e tij duke cituar Alan Rayan -  por, ama, ka një diferencë të madhe sa bota midis qëllimit për të bërë diçka shumë të vështirë dhe atij për bërë diçka që s’ka kuptim".[3]


[1] « Repenser les nationalismes balkaniques. Le cas de la figure d’Ismail Qemal bey et du nationalisme albanais », dans Paruševa D., Valčev G., Voillery P. (eds.), Alexandre Exarh et les routes bulgares vers l’Europe. XIXe-début XXe siècle, Stara Zagora, 2007, p. 122-133.
[2] "Romanticists or Double Insiders? An Essay on the Origins of Ideologised Discoursesin Balkan" EthnologyEthnologia Balkanica, vol 2 (1998)
[3] Ryan, Alan 1970: "Science, Social Science and Ideology." "The Philosophy
of the Social Sciences". London: MacMillan, 220–242.

8 comments:

Anonymous said...

Ne as nuk kemi arritur ta kemi shtetin komb, si mund te kerkojme qen ne kuader te zhberjes se miteve, te vene ne pikepyetje cdo gur themeli mbi te cilen ngrihet vetedija jone kombetare.
Le te shohim shtetet perendimore sec bejne: gjithmone emisionet historike ne Britani vertiten rreth Luftes se 2 Boterore dhe rolit te paarritshem britanik ne mundjen e Gjermanise Hitleriane.
Gjeja tjeter: si e shikojne britaniket rolin e tyre si kolonizues dhe ekzistencen e perandorise britanike? Si zotesi te madhe sigurisht, pavaresisht atyre cfare propagandojne nga ana tjeter per barazi e drejtesi.
Shiko Ameriken. Shiko pastaj c'behet ne Ballkan. Perse duhet te na vardisen ne historiane si Shmiti apo Klejer e te na bejne lavazh truri per historine tone. Ne si komb nuk kemi vuajtur ndonjehere nga nacionalizmi, perkundrazi ne e kemi pesuar ne pergjysmim te trojeve dhe humbje te jetes se njerezve nacionalizmin shovinist te shteteve fqinje.

Anonymous said...

Zoti Lubonja,
lexova me vemendje shkrimin "Per nje histori pa heronj" ne blogun tuaj, te cilin e kam abonuar.
Me lejoni fillimisht t'ju them se ju vleresoj si nje iluminist modern per shqiptaret, si nje intelektual evropian me plotekuptimin e fjales. Shqiptaret menyra juaj e mendimit i ka pasuruar me tipin e intelektualit dekonstruktues. Intelektuale te tille ka pak, ose aspak ne Shqiperi. Nje intelektual i tille do te kishte „probleme“ pranimi nga ambjenti rrethues, ne kuptimin e kundershtimit te skajshem nga disa dhe kuptimit nga nje grup jo i gjere njerezish, ne cdo vend. Kujto Roland Barthes ne kohen e tij, Michel Foucault e shume te tjere. Ne Shqiperi ka edhe faktore te tjere, historike dhe sociale qe ndikojne ne veshjen e shikimit, kur ndeshesh me nje menyre mendimi si juaja.


Pres te lexoj me vemendje elaborimin e idese suaj te historise te historise pa heronj. Ju shkruani qe nuk doni te pozicionoheni per faktin nese duhen apo nuk duhen heronj, titulli i artikullit tuaj te fundit megjithate sinjalizon qendrimin tuaj.

Sidoqofte, i ngacmuar nga titulli juaj, e duke qene vete nje intelektual i lidhur me kulturen e mediat, e duke jetuar me shume se 20 vjet jo ne Shqiperi, por ama i lidhur thuajse perdite me diskursin e saj politik, social e intelektual, kam arritur ne perfundimin, se vec dekonstruktimit, qe ne thelb rrit kuptimin permes iluminimit, rendesi ne perballjen me intelektuale te kombeve te tjera, ka edhe mbrojtja aktive (ne kuptimin qe te mos mendohet se ajo qe mbetet pas zberthimit eshte e verteta dhe si e tille ajo eshte me e forta, e qendrueshmja, qe flet vete), afirmimi pozitiv i keshtjellave mbrojtese te kultures. E beni ju kete? Po, padyshim ne menyren tuaj, po energjia juaj kryesore, per mendimin tim eshte perqendruar ne zberthim e sqarim rrenjesor.

Po a eshte me vlere, i dobishem dhe i nevojshem mendimi i historianeve e sociologeve te tjere, me pak evropiane e kozmopolite se ju, pra qe shkendijen fillestare te linjes se tyre te mendimit e marrin dhe e ushqejne zakonisht jo ne mendesine e Evropes „pa kufij“, po ne kombin e tyre me „kufij“, te pikepyetur me mjete kulturore moderne nga kaq fqinj elokuente dhe nga mbeshtetes evropiane te tyre? Pra te tipit Puto, ne nje rast mungese te historianeve si Puto (nuk para shoh te tjere si ai), qofte edhe te tipit Milo? (me asnjerin nuk kam ndonje lidhje personale!) Mendoj qe po.

Kuptohet, argumentimi me korset ideologjik nuk eshte gjuha e komunikimit perballe historianeve (sic i quani ju)shkencore, e edhe me gjere. Po ketu vjen diskutimi nese kombetarja eshte e barabarte me ideologjine. Te dyja paraqesin „ngushtime“ e „seleksionime“ te pikepamjeve alternative, po kane dallime.

Gjithsesi, perballe „dashamiresve te paditur“ te huaj afirmimi pozitiv i identitetit, te ngjizur edhe permes heronjve, pra i „se vertetes tende“ eshte i nevojshem.

Edhe historianet „me popullore“ ideologe dhe mobilizues te opinioneve e veprimeve jodashamirese antishqiptare, te perkapshme nga nje mase e gjere njerezish, impresionohen me gjuhen e tyre.

E verteta, po, ajo i kupton te gjitha gjuhet.

Nje shqiptar nga Gjermania
(mirakovaci at web.de)

B said...

Zoti Lubonja, si ndjekes i rregullt i shkrimeve tuaja mbi kete teme, ju lutem te elaboroni me tej qendrimin tuaj ndaj asaj se c'duhet te bejme ne shqiptaret, apo c'duhet te beje nje popull me mitet. Do t'ju isha mirenjohes nese perdorni edhe referenca autoresh a veprash relevante mbi kete teme, apo qofte edhe nese i permendni ne nje post scriptum!

Per te qene me i qarte se c'do te prisja une si lexues, po kopjoj ketu nje koment qe ju kam lene edhe tek Panorama: "Ka kohe, ne fakt, qe pasi lexoj shkrime tuajat a ndjek debate mbi kete ceshtje a te tjera te lidhura, me mbetet derri mac ne dore, apo dobici ne dere, si me thene. C’t'i bejme heronjte? A nuk kemi nevoje per heronj? Si e qysh duhet t’i qaset populli heronjve? Nderkohe qe fqinjet tane, por jo vetem ata, fryjne ende tollumbace mitesh njesoj si ne, a nuk eshte e rendesishme balanca e forces mitike ne rajon per te ruajtur paqen? Dmth a nuk ka hic mundesi qe te rrezikohen interesat tona ne rajon, apo qofte edhe sovraniteti ne nje te ardhme hipotetike, nese i ulim batarete e miteve dhe nderkohe maqedonet, serbet e greket i shkrepin ende? C’pune i prish popullit shqiptar nese elita politiko-kulturore i nderton te plote edhe mitin e Nene Terezes, psh? C’problem kane mitet per popullin dmth, pertej konsideratave tuaja qe prekin shkencetaret perballe se vertetes? A nuk mund te jete e vertete nje e vertete mitologjike? Nese pergjate nje shekulli e kemi forcuar bindjen tone se pallen e Skenderbeut mund ta ngrinin pese ose shtate persona, c’vlere i sjell nje qytetari a fshatari te thjeshte shkermoqja e ketij besimi? Shkurt, dmth, shpresoj te lexoj se c’mendim keni per keto pune."

Feniks said...

Te "Gazeta Shqiptare" e dates 28 nentor besoj se jane dhe konfirmimet mbi I.Qemalin dhe vertetesine e ketij shkrimi.Atje jane publikuar dy intervista te I.Qemalit,mjafton te lexosh ate te 27 gushtit per te sqaruar shume aspekte.

Anonymous said...

I nderuar z. Lubonja,
Te nderuar lexues (te te dyja gjinive) te bloger-it „Perpjekja“,

ne padurim per te lexuar artikullin Tuaj te radhes, z. Lubonja, si dhe ate, ne te cilin Ju do te shtjelloni qendrimin Tuaj ne lidhje me pyetjet: „Po me heronjtë ç’duhet të bëjmë? A mos vallë duhet t’i heqim ata nga piedestalet ku i kemi ngritur? A nuk paskemi ne nevojë për t’u frymëzuar, për të idealizuar, për të besuar në diçka?” (cituar nga artikulli ne diskutim), une deshiroj te permbledh me pak fjale mendimin tim ne lidhje me kete ceshtje, duke marre shkas nga “frikerat” qe ngjall “historia pa heronj”, te shprehura keto ne komentaret e disave prej Jush, lexues te artikullit ne fjale:

Une jam e bindur ne idene, se nje shoqeri mund te perparoje dhe te behet me e mire per te gjithe, vetem nese pjesetaret e saj (sa me te shumte ne numer aq me mire) jane individe te shkolluar dhe me interes te panderprere per njohjen e botes, te emancipuar, d.m.th. te lire ne menyren e tyre te te menduarti dhe te te vepruarit, dhe me vlera njerezore. Dhe nga ky kendveshtrim une jam kunder cdo hipoteze ne mbrojtje te heronjve te rreme si domosdoshmeri per legjitimizimin, ne kete rast, te shoqerise shqiptare dhe shtroj keto pyetje:

A do quheshin shqiptaret te ditur, nese nuk do njihnin historine e vertete te vendit te tyre?!
A do te ishin shqiptaret te lire ne mendimet dhe veprimet e tyre, nese nuk do te njihnin dhe aq me keq nese nuk do t’u lejohej te njihnin historine e vertete te vendit te tyre?!
A do te perbenin shqiptaret nje shoqeri te drejte, nese per arsye “perfitimi” (qe per bindjen time ne kere rast sidoqofte nuk ka), sipas rastit, do te parapelqenin genjeshtren perpara se vertetes?!

Dhe per te perfunduar nje pyetje per Ju „te frikesuar“: C’mesime duhet te nxjerrim ne shqiptaret nga historia me e re e Shqiperise, ajo qe e kemi perjetuar dhe po e perjetojme vete, pra nga periudha e diktatures dhe kjo e postdiktatures?!

Qe nje shoqeri te perparoje dhe te behet me e mire per te gjithe, dhe ne kete menyre te legjitimoje krenarine per vetveten, une besoj me bindje se ajo ka nevoje per SHUME SHEMBUJ TE MIRE: njerez te ditur, te lire dhe me vlera njerezore, por jo domosdoshmerisht per heronj, edhe nese keto i kuptojme si njerez, qe per hir te interesave te mbare shoqerise, guxojne te sakrifikojne gjithcka nga vetja. Fundja heronjte, sic e tregon edhe historia, jane te pakte ne numer dhe te vdekur a te vetem nuk mund te bejne shume ....

Dhe ketu, qe te mos zgjatem, le te pashtjelluar mendimin tim ne lidhje me pyetje dhe nenpyetje te tjera, qe dalin nga diskutimi dhe te cilat lidhen me konceptet "komb" dhe "nacionalizem". Nje pergjigje me e sakte per keto pyetje mund te jepet sidoqofte vetem nga studiuesit e mirefillte dhe njohesit e mire te historise se vertete te njerezimit.

Erjona

Nermin said...

Pershendetje Z. Lubonja, ju falenderoj shume per shkrimin dhe i vleresoj shume mendimet tuaja, sidomos lidhur me kete teme. Shqetesimi im, nuk lidhet fare me ' ku ti cojme e cfare ti bejme heronjte' po me ' kur do ndryshojne tekstet dhe kur do kete nje instruktim ndryshe te historise, sociologjise e antropologjise, te pakten ne universitete'. Nese pedagoget e historise e sociologjise jane zoterinjte e programit te Xhunges, studentet shqiptare nuk do te dijne ta vleresojne kurre nje studiuese shume te mire si Clayer, vetem po ju degjuan a ju lexuan juve...

Anonymous said...

Kam nje pyetje per ju zoti Lubonja, cfare kupton me fjalen heronj? E beje kete pyetje se mos doshta ne me kete nenkuptojme dicka qe nuk ekziston. Per heronjte tane (une mendoje qe edhe ne kemi) do thoja qe edhe ata kane patur te metat e tyre si cdo individ. Nuk kane qene dhe ata te persosur si nuk eshte asnje. Por ata quhen heronj se me dashje apo pa dashje, per zotesi te tyre apo se u ndodhen ne kohen e duhur ne vendin e duhur apo per shume arsye te tjera, ata bene dicka qe pati pasoja shume pozitive. Ne kete prizem duhen pare dhe vleresuar. Eshte shume e thjeshte te besh historine me vone dhe te gjeshe te meta dhe gabime por te besh dicka dhe te parashikosh pasojat e saj mbetet gjithnje e veshtire...

Anonymous said...

Meqenese veq paskemi historian te huaj qe po i nxjerrin ne shesh te vertetat mbi historine tone, kisha qene e lumtur po qe se edhe historianet tane qe kane aq shume qejf te jene realist, te mirreshin me mohimin e lavdise se popujve te tjere e ta mbronin te tyren, sikur te gjithe popujt e botes.
Po qe se s'mund te mbrojne, se paku le te heshtin.. :)