Saturday, January 28, 2012

Në pamundësi të hetimit gjithëpërfshirës

Punët janë pleksur keq”, – ishte përgjigjja që i dhashë kalimthi një personi që më pyeti në rrugë për zhvillimet e fundit. E pashë që mbeti i pakënaqur, pasi ai, me dy fjalë, donte t’ia prisja shkurt se “cili do të fitojë?”. E futa menjëherë në kategorinë e militantëve. Ndërkaq, njoh shumë që janë vërtet të shqetësuar përtej këtij meraku, sepse ngjarjet janë të mbarsura me tension e të papritura. Në fakt, këto ngjarje janë si një nyje gordiane ku, paradoksalisht, pas çdo prerjeje shkurt riprodhohet një nyje edhe më e ndërlikuar. Prandaj, sipas meje, duhet një zgjidhje më e sofistikuar se sa rënia me sëpatë.  Kjo zgjidhje për mua kërkon dy humbës “të mëdhenj” në krahun e partive politike ndaj disa fituesve “të vegjël”, që duhet të jenë institucionet, shoqëria dhe politikanë më të urtë në këtë shoqëri. Edhe pse nuk besoj të ndodhë kështu, le ta shtjelloj arsyetimin e kësaj zgjidhjeje.
Dalja e prokurores së Përgjithshme në konferencë për shtyp duke pasur në krah ambasadorin amerikan për të bërë të njohur se një gjeneral i shtetit paska shtirë më 21 janar 2011 me dorën e vet kundër turmës, ka vrarë një person dhe se pastaj ka falsifikuar provat e se, po ashtu, janë zhdukur gjurmët e filmimeve në serverët e Kryeministrisë, është një skandal i frikshëm që, nëse nuk na trondit aq shumë, kjo ndodh vetëm pasi  jetojmë në një vend skandaloz. Por, megjithatë, kjo është e rëndë, shumë e rëndë, aq sa do të duhej të shkaktonte dorëheqje deri në rënien e qeverisë edhe në një vend skandaloz. Mosndodhja e një gjëje të tillë është tregues tejet negativ për zhvillimet e demokracisë shqiptare me rreziqe të reja në të ardhmen.

Konferenca për shtyp e kryeprokurores u dha të drejtë atyre zërave, sipas të cilëve, sulmi i nisur nëpërmjet videokasetave skandaloze të Priftit, të paraqitura në Klan disa ditë më parë nga Spartak Braho i LSI-së dhe i vazhduar në “Rilindja Demokratike”, kishin për shënjestër kryeprokuroren dhe institucionin e saj, si parapërgatitje për mbrojtje ndaj “sulmit” me arrestime që do të vinte nga Prokuroria pas ekspertizave nga FBI-ja. Mesazhi vetëmbrojtës i maxhorancës ishte se kryeprokurorja është palë me opozitën që kërkon ta rrëzojë nga pushteti. Për këtë arsye ajo procedon vetëm njerëzit e maxhorancës dhe nuk procedon kundërshtarët e saj, si të korruptuarin Prifti apo organizatorët e sulmit të 21 janarit, madje se ekzistojnë prova se ajo ka vepruar e vepron kështu jo thjesht e vetëm për afeksion ndaj opozitës dhe as pse, duke filluar nga skandali i Gërdecit, filloi të sulmohet nga maxhoranca që e zgjodhi, por edhe pse është paguar me shuma të majme. Pra, kryeprokurorja është edhe pjesë e puçit, edhe e korruptuar, e, duke qenë e tillë, s’ka se si të hetojë organizatorët e puçit. Në këto kushte, për maxhorancën, institucioni i Prokurorisë është i delegjitimuar deri në krim. Sikur të mos ishin amerikanët, ose më mirë të themi sikur Shqipëria të ishte e izoluar nga bota, siç ka qenë në kohën e Enver Hoxhës, ky “film” do të mbaronte me një arrestim të kryeprokurores, të Presidentit dhe të krerëve të opozitës si puçistë dhe në vend të tyre do të viheshin kukulla të bindura duke kaluar në një regjim të plotë autoritar. Mirëpo ja që ato kohë të arta për diktatorët nuk kthehen dot më. Këtë e di edhe Sali Berisha, prandaj dhe hedh deklarata me dy kuptime: edhe se ka respekt për pavarësinë e Drejtësisë shqiptare (veçanërisht kur ajo merr vendime në favor të tij), edhe se kryeprokurorja është puçiste dhe se për të bërë drejtësinë duhet një prokuror tjetër. Në fakt, edhe ai e di se ky hibridi monstruoz i diktaturës me demokracinë dhe krimin që kemi pjellë ne nuk është sistemi i arrestimit të njerëzve, por i blerjes dhe i korruptimit të tyre. Prandaj, me sa duket, në ëndrrën e PD-së për gjithëpushtetshmëri dhe paprekshmëri planet janë që, me hir ose me pahir, të lahen hesapet me disa pengesa si Presidenti, kryeprokurorja, duke respektuar disi fasadën demokratike e duke u mbrojtur, ndërkaq, fort nëpërmjet akuzave ndaj palës tjetër si shkaktarët e vërtetë të 21 janarit, të vazhdohet në rrugën e kapjes së mëtejshme të institucioneve dhe të bizneseve.

Sipas gjykimit tim, në këto momente, opozitarët, me në krye Ramën, edhe pse të shqetësuar për marrjen nën hetim të tre deputetëve të tyre si organizatorë të protestave të dhunshme, ndjehen më të fortë se maxhoranca. Me gjithë vështirësitë që u kanë dalë me provokimin skandaloz të 21 janarit e mund t’u dalin me videot e Priftit, skenari i tyre duket se ka funksionuar në favor të tyre jo aq për zgjuarsinë me të cilën u ndërtua, sesa për shkak të budallallëkut më të madh të Berishës me shokë që vranë njerëz. Ata bij k… që u thanë se, nëse doni ta bëni Sali Berishën t’i ikë truri e të bëjë gafa çojini njerëz t’i bëjnë shurrën në prag të Kryeministrisë, kishin pasur të drejtë. Ai e hëngri karremin. I vrau katër. Dhe ka një diferencë të pamohueshme, jo vetëm morale, por edhe ligjore, midis atyre që nxisin disa njerëz të shkojnë në protesta të dhunshme për të provokuar dhunë dhe atyre që, si kundërpërgjigje, i vrasin ata. Në fakt, sikur Berisha t’i kishte lënë të hynin e të thyenin ca xhama të katit të parë, krimi do të peshonte nga ana e opozitës dhe Edi Rama me shokë, edhe nëse nuk do të përgjigjej përpara ligjit, siç nuk u përgjigj Berisha kur organizoi “puçin” e ‘98-s, do ta shihte me dylbi pas asaj dite Kryeministrinë. Mirëpo historia nuk bëhet me “sikur”. Me ndihmën e Berishës duket se opozita po i bind gjithnjë e më shumë të huajt e fuqishëm, që para një viti nuk e hëngrën skenarin, se demonstruesit ishin tejet të zemëruar me videon e Ilir Metës, se abuzimi me pushtetin i njerëzve të tij ka arritur nivele të papranueshme. Katër të vrarët, fshehja e krimit deri me akuzat se i kanë vrarë vetë opozitarët, e pastaj pengimi i hetimeve duke akuzuar Presidentin dhe kryeprokuroren se janë pjesë e komplotit, e kanë lëvizur balancën e rrezikshmërisë nga ana e maxhorancës. Megjithatë, shqiptarët, që i njohin edhe më mirë se të huajt aktorët në skenë, e dinë se kjo që po ndodh është një maskaradë e fëlliqtë në të cilën opozita ka rolin e vet tejet aktiv, e prandaj rezervohen t’i japin asaj besimin dhe mbështetjen pa rezerva që kërkon. Ashtu sikurse nuk besojnë që Sali Berisha s’ka përgjegjësi për këto vrasje dhe fshehje krimi, ashtu dhe nuk besojnë në lotët e krokodilit që derdh Edi Rama në bulevard për viktimat, pasi ata njerëz u nisën qëllimisht në kasaphanë.

Në fakt, njerëzit e dinë shumë mirë se kjo është një lojë e egër për pushtet që i ka sakrifikuar e i sakrifikon ata pa mëshirë, e se prandaj, nëse do të kërkonim zgjidhjen me drejtësi gjithëpërfshirëse dhe të pavarur nga politika të shumë bëmave që ajo ka gjeneruar, sot shumica e emrave që shohim në krye të politikës sonë nuk do të ishin në krye të institucioneve, por në burg. Njerëzit, po ashtu, e dinë mirë se bashkëpërgjegjës për këto bëma nuk janë thjesht politikanët e korruptuar, por edhe shumë nga ata korruptuesit që përmenden nëpër tryezat ku ndahen paret, si ajo e Priftit, që japin aq e kaq milionë për t’ua kryer këtë apo atë punë. Njerëzit e dinë mirë se kemi të bëjmë me një sistem të kalbëzuar moralisht dhe ligjërisht që, si i tillë, s’mund të pjellë veçse politika kriminale që pastaj çojnë deri në skenarë me vrasje ku viktima janë gjithnjë ata, ndërkohë që politikanët, gjithsesi, ndajnë paret kush më shumë dhe kush më pak. Prandaj dhe kërkojnë zgjidhje përtej fitores së njërës apo tjetrës bandë.

Por le të ndalemi te zgjidhjet e mundshme të nyjës gordiane të zhvillimeve të fundit. Opozita i thotë Prokurorisë: hetime të plota deri te Sali Berisha dhe Lulzim Basha. Maxhoranca i thotë: hetime të plota deri te Edi Rama. Të dyja palët sikur e dinë që kjo s’mund të bëhet, prandaj e thonë këtë. Në fakt, duken kërkesa maksimaliste, të parealizueshme, por, po t’i bashkosh të dyja duke iu referuar edhe argumenteve që shpalosin palët kundër njëra-tjetrës, mund të gjesh zgjidhjen ideale të problemeve që na mundojnë me këtë klasë politike. Të dyja palët kanë të drejtë në mjaft nga akuzat që bëjnë ndaj tjetrit. Zgjidhja ideale do të ishte që më një anë të dënohen vrasësit e 21 janarit dhe zhdukësit e provave e, më anë tjetër, të mos shpërblehen provokatorët e asaj ngjarjeje, sepse, tek e fundit, ajo që ka bërë Berisha është diçka si vrasje në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme, çka assesi nuk e shfajëson agresorin, i cili ka kryer sulmin provokues. Pra, Berisha me shokë të proceduar, Rama me shokë jashtë politikës. Ja kjo do të ishte idealja. E po të ndodhte kjo, do të kishim një dobësim të partive politike, që prej kohësh sillen si banda apo si kartelet meksikane të drogës, dhe një forcim të institucioneve të tilla si Prokuroria apo Gjyqësori.

Por, ka pak gjasa që kjo mund të ndodhë. Hetimet s’mund të jenë as gjithëpërfshirëse dhe as të pavarura nga politika, pasi, që të ndodhte kjo, do të duhej që Shqipëria të ndihmohej jo vetëm me ekspertë vjaskash plumbi të FBI-së, por edhe me prokurorë e gjyqtarë të sjellë nga SHBA apo Europa. Shkurt, do të duhej të qeverisej nga Arvizuja apo Trojka. Por, që të ndodhte kjo, më së pari do të duhej të ndërronte Kushtetutën e të bëhej shtet i 51-të i SHBA p.sh., apo provincë e ndonjë shteti europian. Dikush do ta shtynte edhe më larg ironinë, duke thënë se do të duhej të kishim edhe një popull tjetër që të mos nxirrte në krye mujsharët e të dhunshmit, por njerëzit e urtë. Por, le ta lëmë mënjanë ironinë. Në mungesë të këtyre ndryshimeve kushtetuese e kulturore, ne na duhet të kërkojmë të mundshmen. Dhe kur flitet për të mundshmen, ajo mund të jetë dy llojesh; një e mundshme e mbrapshtë, siç ndodh rëndom në Shqipëri, dhe një e mundshme më e mbarë. E mbrapshta, që ka më shumë gjasa të realizohet, është “shdramatizimi” i situatës duke mbajtur për ca kohë në burg apo në arrest shtëpiak derisa të skadojnë afatet e procedimit disa nga emrat e lakuar (pak a shumë të veprojmë në stilin e Gërdecit apo edhe të procesit Meta) dhe ndërkaq të përqendrojmë forcat tona te fasada: integrimi europian, reforma zgjedhore, e cila është shumë, po shumë, shumë e rëndësishme për të ardhmen demokratike të vendit. Pastaj ndoshta të zgjedhim edhe Nanon President dhe t’i vëmë kapakun edhe një herë tenxheres deri në një vlim të radhës.

E mundshmja më e mbarë është që, në pamundësi të hetimit gjithëpërfshirës e të papolitizuar, t’i bëjmë presion Prokurorisë e gjykatave (për shkak të dobësisë së tyre të skajshme edhe me ndihmën e ndërkombëtarëve), që të bëjnë sa më shumë transparencë mbi këtë krim e krime të tjera të lidhur me të, çka, po qe se do të bëhej jo me mendimin për t’i shërbyer një pale, por drejtësisë, ndoshta do të shpejtonim sadokudo largimin nga skena të kësaj klase politike tejet të delegjitimuar. (Panorama, 28 janar 2011)

3 comments:

Autori: STALKER said...

Shkruan Lubonja :

"budallallëkut më të madh të Berishës me shokë që vranë njerëz"

Hej Fatos, eshte KRIM kur vret njerez, dhe jo budallallek !!

Endri said...

A jane keto institucione te denja per tu ruajtur dhe per t'ju bindur? A eshte ajo cka eshte ndertuar keto 22 vjet e denje per te mbijetuar? Pergjigjen ndaj ketyre pyetjeve mund ta jape sejcili vete.

Le te numerojme disa fakte te thjeshta per te mos humbur kontekstin.

1) Para 21 Janarit doli nje video qe inkriminonte rende per korrupsion Ilir Meten ne ate kohe zevendeskryeminister dhe element kyc ne koalicionin qeveritar.

2) Pas kesaj ngjarje opozita organizon protesta disa ditore qe kulmojne me 21 Janarin famekeq. A ishin te organizuara nga opozita provokimet gjate protestave qe cuan ne pershkallezim te dhunes dhe ne mbireagimin e gardes eshte dytesore. Faji mbi te vraret nuk eshte simetrik. Provokimet e inskenuara qe mund te kete ardhur nga turma nuk ishin te tilla qe te lejonin vrasje. Aq me teper qe protesta ne vetvete kishte nje shkak shume legjitim, pavaresisht se nga kush organizohej (C'u be ne Hungari ku doli nje video e kryeministrit socialist ku thoshte se gjate zgjedhjeve kishte genjyer?).

3) Se fundmi serverat e kryeministrise qenkan manipular dhe si per ti vene kapakun, gjykata e nxjerr Ilir Meten te pafajshem. Kjo e ben protesten, bile dhe ate me provokacione e dhune shume me teper legjitime se c'ishte me 21 Janar. Kur gjykatat nuk arrijne te japin drejtesi dhe per nje rast kaq te paster per dicka qe te gjithe e dine e per te cilen flasin, nuk ka me shprese.

Ekonomia eshte ne vend numero per te mos thene qe eshte ne renie te lire me vite, arsimi poashtu. Klima e pergjithshme nder te djathte e te majte eshte te ikim nga ky vend sa me pare. Praktikisht pra kemi nje kthim ne vitet 97-99. Kane kaluar 13 vjet dhe jemi kthyer po ne ate pike. Europa i ka kthyer shpinen me kohe Shqiperise dhe shqiptareve dhe intervistat e fundit nga ambasadori danez duhej te sherbejne si zile e fundit e alarmit per te gjithe ata qe kujtojne se Shqiperia gezon ndonje status te vecante dhe nderkombetaret do ta shpetojne ne minuten e fundit.

Institucione kyce si Gjykatat SHIK apo INSTAT jane te manipuluara direkt apo indirekt nga ekzekutivi. Monopolistet e lidhur me pushtetin kontrollojne te gjithe ekonomine dhe mediat. Keshtu nuk ecet. Ne nje kohe te tille nuk ka me vend per taktike duke fajesuar te dyja palet.

Shqiperia eshte ne nje kohe kritike dhe gjerat duhen thene ashtu sic jane. Qe institucionet kane deshtuar keqas. Qe nese "elitat" nuk levizin bythen per te prodhuar nje levizje ku te kanalizojne pakenaqesine e me arrogancen nga pushteti ndryshimi do te vije nga poshte, nga dhuna e paster, e paparashikueshme. Nen kete drite edhe levizje me nisma qesharake e kokeboshe si AKZ-ja behen te pranueshme. Te tjeret le te vazhdojne te fajesojne... te dyja palet.

Rita Strakosha said...

Si mund te behet Shqiperia me demokratike?

Ndoshta mund t'ju ndihmoje ne hetimin tuaj ky liber: "Economic origins of dictatorship and democracy"
ne http://www2.warwick.ac.uk/fac/soc/economics/pg/modules/ec928/details/arbdist.pdf.

Eshte i dy intelektualeve te shquar ne boten akademike. Ka shume matematike brenda, personalisht e pata te veshtire te orientohesha. Duket se autoret argumentojne se demokracia dhe diktatura jane gjendje qe ndikohen shume nga shperndarja e pasurise ne nje vend. Perqendrimi i pasurise ndikon ne rritjen e perpjekjeve per vendosjen e diktatures nga elita, dhe te demokracise nga te zakonshmit. Kur dhe kush e fiton lojen? Kete perpiqet te shpjegoje libri.