Nga sa na kap veshi dhe syri nëpër media dhe jo vetëm, një nga kandidaturat më të përfolura për President është ajo e Fatos Nanos. Janë të shumtë gazetarët që i kam dëgjuar të prononcohen se kandidatura Nano ka shanse më të mëdha se sa të tjerat për të dalë rezultante e veprimit të një sërë vektorësh politikë, ndër të cilët edhe një mbështetje që duket sikur i vjen nga amerikanët – ngase ka takuar ambasadorin Arvizu dhe ky ka thënë fjalë të mira për të.Intuitivisht, duke iu qasur kësaj mundësie, më erdhi të shtroj dilemën: “Nano: rilindje apo rivdekje?”. Kuptohet nga mënyra se si e kam shtruar se personalisht kam më shumë përjetimin e rivdekjes, sesa të rilindjes. Po ç’kuptoj me këtë? Së pari, më duket të them se bëj pjesë ndër ata që mendojnë se ne jemi në një gjendje kome. Pastaj, se me rivdekje kuptoj thellimin e komës, shuarjen edhe më tej të shpresave të daljes nga tuneli i errët ku jemi futur.Meqenëse “rilindjen” e kam marrë nga fjalori i retorikave të fundit të Ramës mbi programin e Partisë Socialiste për 2013-n, më duket se nuk është nevoja të zgjatem në argumente se pse pranimi i Nanos si President nga socialistët e Ramës tingëllon shumë si e kundërta e premtimit të tij për rilindje. Kjo pasi ky ka namin e themeluesit të sistemit të korrupsionit të ngritur në kohën e socialistëve në pushtet; të njeriut që ka tetë vjet që banon në Vjenë, sipas shtypit, në një vilë që do t’ia kishin zili edhe kancelarët vjenezë, dhe se me jetën dhe veprën e tij është inspiruesi i një klase të tërë politikanësh që e ka trajtuar shtetin dhe pushtetin si mundësi grabitjeje të të qeverisurve prej tij. Po në këtë linjë më duket po kaq evidente se propozimi apo votimi nga ana e PD për Nanon do të na sillte mesazhin se kjo parti e pranon edhe vetë se ka kalëruar kalin e korrupsionit që prodhoi Nano Kryeministër.Megjithatë ka disa zëra të besueshëm që thonë se do të jetë LSI propozuesja e Nanos si pjesë e maxhorancës, kurse PD-ja do ta pranonte si në heshtje kandidaturën e tij, për të vazhduar të rrijë e patrazuar në pushtet, ndërkohë që edhe PS-ja – ose një pjesë e deputetëve të saj – do ta votonin duke na u dhënë kësisoj ne, por edhe të huajve, sinjalin se po zgjidhet një President gati konsensual. Ok, mund të ndodhë kështu, por si do t’i përgjigjemi pyetjes se pse Ilir Meta në bashkëpunim me Berishën zgjodhën Nanon dhe jo ndonjë tjetër më pak të përfolur? Sigurisht, duke pranuar se bëjnë pjesë në të njëjtën tryezë “bixhozi”. Njerëzit që e dëgjuan Nanon duke folur në intervistën në Top Story të Sokol Ballës, thanë: “Ky njeri flet me vete dhe për vete, nuk flet me njerëzit dhe për njerëzit”. Në fakt, ai po flet me Berishën, Metën, Ramën, por, duke perifrazuar thënien e mësipërme, do të thosha se të flasësh me këta është si të flasësh me veten dhe për veten, jo me njerëzit dhe për njerëzit. Pa hyrë në përshkrimin e komës në të cilën ndodhemi, duhet pranuar se njerëzit flasin e përcaktojnë përgjegjësit e komës dhe i dënojnë ata ose kërkojnë/shpresojnë dënimin e tyre. E kur flasin për përgjegjësit, emrat sillen e vërsillen dhe ndalen mu te këta. Pra daljen nga koma thuajse të gjithë e lidhin me daljen nga skena të këtyre emrave. Për disa duhet të dalë Berisha e Meta, për të tjerë Rama, për disa të tre së bashku. Dhe për të gjithë thuhet se janë trashëgimtarë, apo kalërues, apo perfeksionues të sistemit të krijuar nga Nano. Personalisht mendoj se dalja nga koma më shumë se sa me emrat e këtyre, lidhet me lindjen e institucioneve të pavarura që do të duhet të kontrollojnë këta dhe zëvendësit e tyre si dhe tërë krimin e organizuar që qëndron prapa këtij sistemi. Dhe, sipas meje, zgjedhja e Nanos nuk premton as njërën, as tjetrën, pra as largimin e ndonjërit prej këtyre emrave dhe as lindjen e institucioneve të pavarura nga këta. Përkundrazi, siguron vazhdimësinë e pushtetit të tyre dhe vazhdimësinë e institucioneve të personalizuara prej tyre.Një nga qëllimet kryesore të rotacionit në demokraci është mundësia që ne të dënojmë përgjegjësit e gabimeve. Karl Poperi, pikërisht duke u nisur nga kjo ide, mbështet fort bipolarizmin e tipit anglo-amerikan, dhe jo pluralizmin shumëpartiak që lindin qeverisje të aleancave të shumë partive që lëvizin në aleancat e tyre. Ky sistem i dytë duket më përfaqësues dhe ka avantazhet e veta në këtë drejtim, por, sipas Poperit, ai ka një problem të madh sepse krijon shumë më tepër mundësi për shpërgjegjësimin e klasën politike. Nëse ne duam p.sh. të dënojmë qeverisjen e maxhorancës së këtyre afro tetë vjetëve, ne na duhet ta dënojmë atë me votë dhe ta nxjerrim në opozitë. Por, nëse ne e nxjerrim në opozitë Berishën nëpërmjet bashkëpunimit të PS-së me Ilir Metën, do ta kemi shumë vështirë të themi se e kemi dënuar maxhorancën, pasi një nga aktorët kryesorë përgjegjës për qeverisjen e keqe të tetë vjetëve do të jetë përsëri në qeverisje. Zgjedhja e Nanos President me propozimin e LSI-së mua më tingëllon si shprehja e pamundësisë së korrigjimit të së keqes. Si vdekje e shpresës për ndryshim.Kundër këtyre argumenteve mund të paraqisja ato të disave, sipas të cilëve, zgjedhja e Nanos në bashkëpunim me Ilir Metën ndoshta do të krijonte mundësinë që të dobësohej rreziku i përqendrimit të të gjitha pushteteve në duart e Berishës, çka është rreziku më i madh për momentin, pasi pas një viti mund të krijoheshin mundësitë e një aleance PS – LSI kundër Berishës. Por, një President nuk mund të jetë aktor politik që bashkëpunon me njërën palë për të rrëzuar një tjetër. Ai duhet të jetë simbol i institucionit që qëndron mbi palët, si mbrojtësi i Kushtetutës, simbol i unitetit dhe i shpresës për më mirë. Nëse ai ka dalë nga pazare, bëhet simbol i pazareve të palëve dhe kësisoj më shumë se “mbi palët” mund të rezultojë “nën palët”. Nano, duke qenë një nga ata të cilëve, mu për shkak të së kaluarës së tij, i intereson vazhdimi i komës, duke qenë pjellë e sistemit që ka krijuar vetë në vend të shpresës së ringjalljes, daljes nga koma, do të na përgatiste më 2013-n pazarin e radhës për të na mbajtur në gjendje kome. (Panorama, 27 prill 2012)
Thursday, May 10, 2012
Nano: rilindje apo rivdekje
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
-
Në Bibël ka një pasazh që është komentuar shumë: ai ku përshkruhet çfarë ndodhi në momentin para se Kaini të vrasë Abelin. Komentohet fakti...
-
Në mbyllje të 2005-sës, vit të cilin, në petkun e gazetarit, e kam ndjekur hap pas hapi me shkrime, kryesisht mbi jetën dhe zhvillimet polit...
-
Ajo që po ndodh në Shqipëri këto ditë i ka ndarë njerëzit në dy kampe të mëdha. Në njërin kamp bëjnë pjesë ata që mendojnë se kjo që po ndod...
1 comment:
Te lutem Fatos, beju president. Beje per shqiperine.
Jam i sigurt qe do jesh presidenti i vetem ne bote qe do vazhdoje te shkruaje neper gazeta (dhe ne blogun e tij). Daljet ne Opinion ke per ti rralluar, po kete une e shikoj si dicka pozitive.
Post a Comment