Tuesday, June 19, 2012

Masakra mbi Tiranën vazhdon



(Letër e hapur intelektualëve të “Nisma për Tiranën”)



Kur gjatë fushatës elektorale për kryetar bashkie Henri Çili më telefonoi dhe më kërkoi të bëhesha pjesë e “Nisma për Tiranën”, sipas së cilës nja 30 intelektualë të shquar të vendit qenë ftuar të merrnin pjesë në një debat të hapur mes dy kandidatëve kryesorë, i thashë se nuk do të merrja pjesë pasi, përderisa nuk i pranonte kandidati Rama, intelektualët e paraqitur në skenë ishin të paragjykuar si të Lulzim Bashës, dhe se, duke qenë kështu, unë do të dilja si mbështetës publik i këtij. Dhe problemi im nuk ishte se s’kisha dëshirë të mbështesja publikisht Lulzim Bashën – duke qenë dëshpërimisht i zhgënjyer me Edi Ramën – por sepse nuk kisha besim të vija fytyrën për të pasi kisha shumë frikë se edhe ai do të bënte të njëjtën gjë që kishte bërë Edi Rama. Dhe njeriu kur mashtrohet një herë mund të falet, por dy herë i mashtruar është ose budalla, ose batakçi, që bën sikur po mashtrohet për qëllimet e veta. Madje Çili duhet ta kujtojë se pas zhvillimit me sukses të “Nisma për Tiranën”, një ditë i thashë se po të fillonte Lulzim Basha të bënte ato që ka bërë Edi Rama, unë nuk do të shkruaja për Lulzim Bashën, por për 30 intelektualët e shquar që vunë fytyrën e tyre si mbështetës së tij.
Prandaj ky shkrim, letër e hapur, i drejtohet Çilit dhe atyre, më shumë se sa Lulzim Bashës apo Sali Berishës.
Para disa ditësh mësova nga mediat se në Rrugën e Elbasanit ndodhi një masakër mjedisore në Parkun e Tiranës, që është ndër të vetmet zona të gjelbra që i kanë mbetur kryeqytetit. Mediat thanë se u prenë me qindra pemë në të dy krahët e saj. Duke mos dashur t’u besoj atyre që shkruheshin nëpër media, shkova ta shoh me sytë e mi. Ajo që më bëri përshtypje më së pari ishte shëmtimi i shtuar i Tiranës. Një tmerr i ri, i zi. S’mund të mos më kujtoheshin mbresat që la para disa ditësh regjisori i shquar italian, fituesi i “Luanit të Artë” në Venecia, Marco Bellocchio, kur tha se “Tirana nuk është një qytet i bukur”, sepse, sipas tij, “zakonisht kur shkon jashtë shtetit shkon edhe për të parë bukuritë, bukuritë e së shkuarës, ato arkitektonike” dhe “thuajse në të gjitha kryeqytetet ka lagje të vogla antike, me një traditë të madhe”, kurse “në Tiranë pashë vetëm një monument antik: xhaminë e vogël…”.
Nuk ka qenë kështu Tirana. Të gjithë e kujtojmë. Ajo mund të kishte qenë një qytet shumë i bukur, por e shëmtuan injorantët dhe batakçinjtë e babëzitur. Edhe me Rrugën e Elbasanit kështu ka ndodhur. Ishte një nga rrugët më të bukura të kryeqytetit, që kishte historinë dhe bukurinë e vet, që kishte mbetur e bukur edhe në kohën kur Bashkinë e mori paraardhësi i Bashës, Edi Rama. Fillonte me vila qysh në krye të saj, pak përtej Lanës dhe vazhdonte kështu deri te ndërtesa e bukur e Fakultetit të Histori-Gjuhësisë.  Aty fillonte parku më një anë dhe konviktet e studentëve e vilat e gjermanëve më anën tjetër, dhe pastaj, më përtej, muri rrethues i Pallatit të Brigadave më një anë dhe Varrezat e Dëshmorëve në krahun tjetër, të mbuluara në të dyja anët me gjelbërim. Ishte një rrugë e mbyllur urbanikisht dhe ariktektonikisht, që nuk duhej prekur. Vetëm një restaurim i mungonte. Qyteti kishte mjaft hapësirë për t’u zhvilluar pa prishur vlerat urbanistike e arkitektonike ekzistuese. Por, të babëziturit i shembën vilat një nga një për të ndërtuar ato pallatet e shëmtuar dhe pa asnjë identitet. Pastaj zgjeruan rrugën që bën ferk me shëmtimin e saj. Pastaj i dhanë leje Ambasadës Amerikane që ta mbulojë me një mur sigurie ndërtesën e vjetër që rrëzëllente me bukurinë e saj prapa kangjellave të hijshme të hekurit, dhe të ndërtojë brenda edhe një ndërtesë që shëmbëllen si një kub betoni, duke e bërë atë pjesë të rrugës të duket si mur burgu që vetëm karakollët i mungojnë.
Kështu mbaroi Rruga e Elbasanit deri te Parku. Aty ajo, megjithatë, ruante pak nga hiri i vjetër, pasi më një krah kishte Parkun dhe murin karakteristik të Pallatit të Brigadave, kurse në krahun tjetër një copë gjelbërim të mirëmbajtur që ruhej ndoshta pse të babëziturit nuk guxonin ende të hynin deri në varreza. Por tani të babëziturit kanë vendosur të hyjnë edhe në varreza. Tani duket se projekti i shëmtimit të Rrugës së Elbasanit do të jetë përfundimtar, çka do të thotë – sipas disa zërave – se do të shembet edhe rrethimi i Pallatit të Brigadave, përveç atij të Varrezave të Dëshmorëve, që tashmë ka filluar.
Por, për këto gjëra nuk mund të flitet me estetët tanë të lekut dhe çimentos. Nuk ia vlen të zgjatesh as duke derdhur lot për pemët e shkreta apo duke u kujtuar këtyre se në botë njerëzit kanë hipur në pemë për t’i mbrojtur ato nga babëzia njerëzore.
Ajo që më bëri përshtypje, përtej shëmtimit – ku dua edhe të ndalem më shumë për të tërhequr vëmendjen edhe të intelektualëve të shquar, – ishin disa gjëra që kanë të bëjnë me minimumin e dekorit që duhet të paraqesë një projekt për të të dhënë përshtypjen se këtu kemi të bëjmë me shtetin që po vepron, dhe jo me banditë që zaptojnë toka pa leje, presin pyje, hapin gurore dhe bëjnë ç’të duan mbi këtë territor. Në çdo projekt ka një tabelë që të tregon se cili është projekti, se cili është projektuesi, se cili është zbatuesi dhe se si do të jetë pamja përfundimtare e projektit. Kërkova si në hyrje dhe në dalje të masakrës dhe nuk pashë asgjë. Ajo që pashë ishin shqyerje me dhëmbë ruspash të anëve të rrugës atje ku nuk është pronë e askujt, d.m.th. atje ku është prona jonë e përbashkët publike, dhe lënie pa prekur atje ku kishte pronarë privatë. M’u kujtua një shkrim i së dielës i Edmond Tupes që tregonte se si kishte mbetur duke fërkuar sytë përpara një muri të bardhë në kryeqytet, ku ishte shkruar me germa të zeza: “Mos hidhni mbeturina – Pronë private”, që sipas tij, nënkuptonte “hidhini mbeturinat në vendet që janë pronë publike”, e më erdhi ta parafrazoj: “Mos vidhni këtu – pronë private, – vidhni në pronë publike”.
U interesova të mësoj diçka më shumë për këtë projekt nga burime të mirinformuara. E para gjë që pyeta, është nëse bën pjesë kjo rrugë në territorin e Bashkisë apo jo. Po, më thanë. Po mirë, atëherë, a nuk ka thënë Lulzim Basha se do të bëjë Planin Rregullues të qyteti, madje se do t’ia paraqesë për aprovim me referendum tiranasve, pastaj do të fillojë aprovimi dhe zbatimi i projekteve? Pse ky mashtrim kaq i dukshëm? Ehu, dashke tepër ti, më tha njëri. Po unë ngulmoja se Basha s’mund ta bëjë kaq hapur këtë gjë, qoftë edhe për shkak të gjithë atyre intelektualëve të shquar që vunë fytyrën për ta mbështetur. Pastaj ai është një politikan i ri, që ka një jetë të tërë përpara, për më tepër i akuzuar se ka shkelur ligjet në të ashtuquajturën “Rruga e Kombit” për t’u kryer vjedhja më e madhe deri më sot e parasë publike; s’mund t’i shkelë ligjet kështu ditën me diell. Sepse po të shohim ligjet ekzistuese, pyetja e parë që shtrohet është se kush e ka aprovuar këtë projekt? Thuhet se është diskutuar në këshillin teknik të Bashkisë. Por ky këshill nuk ka tagër aprovues. Asgjë nuk quhet e aprovuar pa hedhur firmën kryetari i Bashkisë dhe pa e bërë publike këtë firmë, madje edhe duke bërë publik projektin për banorët e zonës. Jo vetëm kaq, por që të aprovohet një projekt i tillë, duke pasur parasysh se Parku i Pallatit të Brigadave është monument i kategorisë së parë, duhet që ky më së pari të shkojë në Institutin e Monumenteve, që normalisht duhej të shprehej kundër këtij projekti. Madje, meqenëse kemi të bëjmë edhe me Parkun e Liqenit, i cili është miratuar me vendim të KRRTRSH-së, çdo ndryshim brenda tij duhet të kalojë për miratim sërish në KKRTSH, d.m.th. nga Sali Berisha. As për këto veprime s’kemi ndonjë gjurmë.
Pastaj, cili është tenderi i shpallur për këtë projekt, kush e ka fituar atë, sepse pasi të jenë kaluar të gjitha këto faza, hapet tender për zbatimin e projektit? Të paktën Rama këto gjëra formalisht i bënte, pavarësisht se tenderët ua jepte pastaj miqve të tij. As për këtë nuk marrim përgjigje. Madje, dikush më thotë se, kur e kanë pyetur Lulzim Bashën, ai, si nëpër dhëmbë, ka thënë se nuk di gjë, paçka se një zëdhënës i Bashkisë deklaroi se u bënte thirrje këshilltarëve socialistë që të mos krijonin konflikt kur këta bënë të ditur se s’kishin asnjë dijeni për këtë projekt.
Por, edhe në mos qoftë shaka kjo se Basha nuk di gjë, këtu ka një të vërtetë të madhe. Problemi që del nga mënyra se si është kryer dhe se si po vazhdon të kryhet kjo masakër, është shumë i rëndë, pasi kemi të bëjmë me një privatizim të shtetit ose me një kapje të shtetit, siç do të thoshte Berisha më 2005-n, që s’ia gjen precedentin përsa i përket arrogancës dhe shpërfilljes së ligjit. Sepse seç ka një anomali në këtë rast. Duket sikur të jetë vepruar si në një zaptim territori publik pa leje, kur ai që e ka në dorë territorin u ka thënë atyre që zotërojnë ruspat dhe sharrat prerëse të pemëve të veprojnë, por ai s’di gjë. Sepse mund të pritej të bëheshin gjërat në rregull të paktën nga ana formale, e jo të veprohej kështu banditshe. Dhe pyetja që të vjen të shtrosh menjëherë është: Po mirë, kush janë këta kaq të fuqishëm që e paskan kapur shtetin në atë farë feje sa s’përfillin as ligjet e tij, se Shqipëria një pëllëmbë vend është dhe të gjithë i njohin të gjithë? Në mos sot, nesër do të merret vesh.
Zërat që dëgjova poshtë e lart për të më shpjeguar këtë masakër mbi publiken, të çonin të gjithë te disa privatë që kanë bizneset andej si dhe disa fshatra turistike të porsandërtuara në zonën e Lundrës që presin të shiten apo që synojnë të krijojnë “Bllokun” e ri të udhëheqjes. Këta paskan vendosur se kjo rrugë duhet të zgjerohet sa më parë dhe s’kanë pyetur askënd, pasi ata kanë edhe gurin, edhe arrën në dorë. Kur dëgjova këtë variant m’u duk i pabesueshëm, pasi – u thashë nja dyve që ma thanë – këta janë akuzuar se edhe Unaza e Madhe u devijua për të shkuar tek ata dhe s’ka mundësi – thashë – se nuk mund të shtohen klientët e TEG-ut apo blerësit në “Bllokun e Ri të Mulletit” për shkak se është zgjeruar një rrugë, madje shëmtimi i kësaj rruge e bën edhe më pak tërheqëse zonën. “Kështu thua ti, por hajde hyr në mendjen e tyre, – qe përgjigjja, – pastaj këta e dinë veten aq të fuqishëm, sa një herë kanë kaluar andej dhe u është dukur trafiku i bllokuar dhe kanë thënë se kjo rrugë duhet zgjeruar. Dhe ja, u bë”. Ndoshta, thashë me vete ndërdyshas, midis këtij varianti dhe atij se këtu mund të ketë edhe ndonjë pazar korruptiv për të ndarë ndonjë lek publik me ndërtuesin e rrugës.
Por, cilido qoftë varianti, më i madh se shqetësimi për pemët, është ai se ky akt tregon se kapësit dhe të kapurit e shtetit nuk po arrijnë të kuptojnë më jo vetëm se janë kthyer në një rrezik publik të paparë, por se, me arrogancën dhe babëzinë e tyre, po akumulojnë një urrejtje kaq të madhe te njerëzit, saqë nesër, në ndonjë krizë, që s’më duket e largët, kur të dalë ndonjë të lëshojë thirrjen: “Te Blloku!” nuk do të dalë dot më kush ta ndalojë turmën, pasi nuk jetojmë më në sistemin e bashkëfajtorëve dhe bashkëvuajtësve, por në një sistem kur njerëzit janë përgjegjës për zgjedhjet për të bërë mirë apo për të bërë keq në këtë jetë.
Uroj të mos jetë vonë tashmë, por një sqarim e duam për atë se kush e ka bërë këtë masakër në kundërshtim me ligjin. Në fakt unë e shkrova këtë shkrim, letër të hapur, kryesisht për Çilin dhe 30 intelektualët që vunë fytyrën e tyre për të mbështetur Bashën. Shpresoj se ndonjëri prej tyre do të kërkojë të informohet pas këtij shkrimi, do ta verifikojnë se ç’po ndodh dhe të na thonë mendimin e tij publikisht. Dhe e përsëris, nuk u kërkoj të prononcohen as për historinë e rrugës, as për shëmtimin e saj, ndonëse mes tyre ka edhe shkrimtarë, artistë e piktorë, por për këtë arrogancë të frikshme në shkeljen e ligjit. (Panorama, 19 qershor 2012)

4 comments:

Anonymous said...

"Shkurt në ditët e sotme në Shqipëri quhen intelektual ata që tezën marksiste, sipas së cilës qënia përcakton ndërgjegjien e interpretojnë në mënyrë origjinale (siçdo ide të përvetësuar në seminar partie ose në muhabet rakie): qënia individuale përcakton mungesën e ndërgjegjies qytetare"- Ndërgjegjia Qytetare dhe shitësit e Peshkut. Bashkim Shehu Revista Përpjekja nr 7.

Keto jane intelaktualet tone i dashur Fatos. Ju keni shume te drejte qe shprehni shqetesimin tuaj por si perher z. Basha do 'i fuse nje buzeqeshje dhe te gjithe do harrojme gjithcka, per dreq ai ka nje buzeqeshje shume ndjellese....me ndjellese se sa Molla e kopshtit te Edenit.

Anonymous said...

Kapitalizmi i monopoleve pak ndryshon nga komunizmi. Vetem nje rishperndarje pasurie qe do rikrijoje barazine midis qytetareve, keshtu do liroje median dhe partite nga kontrolli i te pasurve, mund te riktheje demokracine.Pra kur te vije ne pushtet nje qeveri qe te shtetezoje pa shperblim investimet me te medha private, te taksoje 100% llogarite bankare milionere, te rishperndaje tokat e perqendruara ne pak duar. Si mund te vije ne pushtet nje qeveri e tille? Historia na meson.

Anonymous said...

Me kujtohet protesta e Stuttgartit 21, sesi njerezit u ngjiten dhe flinin ne peme dhe e rrethuan parkun per te mos lejuar te priten pemet.
Kete duhet te bejne dhe Shqiptaret kesaj here, nese te pakten mendojne pak per femijet.
http://www.youtube.com/watch?v=dZ6q5U2SzQ4

s.behaj said...

Pothuajse ne te shumten e rasteve, urbanistet mesojne nga gabimet e paraardhesve te tyre; pra perfeksionojne planet urbanistike duke korrigjuar dhe duke mos perseritur gabimet qe jane bere ne te shkuaren...
Mire po ketu ka nje tjeter fenomen z. Lubonja; ketu perfeksionojme shkaterrimin duke bere gabimet qe te tjeret nuk i kane bere dhe dale ngadale qytetet po i shenderrojme ne te pa banueshme. Me kujtohet nje debat i juaji i koheve me pare ne emisionin "opinion" me nje ish drejtor te monumenteve te kultures i cili kishte dhene leje per prishjen e disa monumenteve me qellim ndertimin e pallateve shumekateshe. Ky person sot del dhe na mbron murin e pallatit te brigadave dhe varrezat e deshmoreve; shpresoj te jete ndergjegjesuar por nuk besoj. Thjesht ky njeri tani eshte ne rolin e te mirit. Neser jame shume i sigurt qe ky do jete ne anen e "arrogances dhe shperfilljes se ligjit". Ju solla nje shembull por ketu jane shume si ky, te cilet tani kritikojne dhe bertasin dhe neser me tu nderruar pushteti do ju zbehet deshira per te mbrojtur qytetin e tyre dhe do marin timonin e eskavatoreve shkaterrues... Menjehere ne rolin e mbrojtesve te qytetit do jene ish shkatrrimtaret, e keshtu me radhe derisa te mos ti leme ketij qyteti asnje peme, lulishte, park, oborre shkolle, apo trotuar...