Saturday, June 16, 2012

Presidenti dhe zakoni i akrepit



A ju kujtohet ajo përralla që tregon se si akrepi i tha bretkosës ta nxirrte matanë pellgut? Ajo i tha: “Jo, se do të më ngulësh thumbin”. “Po unë s’mund ta bëj këtë, – iu përgjigj akrepi, – se do të mbytemi të dy”. Dhe bretkosa e besoi, por, në mes të rrugës akrepi e pickoi që e pickoi. “Ç’bëre? – i tha bretkosa. – Kështu do të mbytemi të dy”. “Nuk mund të mos e bëja. Është zakoni im”, – iu përgjigj akrepi. Ja, kjo është përralla e zgjedhjes së Presidentit. Ajo çka ndodhi ishte një dështim i pritur; rrjedhojë e një klase politike që është rob i zakoneve, veseve dhe mëkateve të veta prej të cilave nuk çlirohet dot. Fakti që njerëzit shpresonin se akrepi nuk do ta mbyste bretkosën dhe bashkë me të edhe veten, ishte shprehje e asaj që thuhet rëndom se shpresa vdes e fundit. Por, në zyrat e Sali Berishës, Edi Ramës, Ilir Metës dhe të më të shumtëve që i rrethojnë, duhet shkruar: “Lini çdo shpresë, o ju që hyni te këta!”. Kush kërkon një Shqipëri ndryshe, që s’mbytet në pellg, qoftë edhe një President ndryshe, duhet të lëvizë, e jo ta presë ndryshimin nga ambasadorët e botës.
E megjithatë, njerëzit s’reshtin së pyeturi se cilët janë humbësit dhe fituesit e kësaj mbytjeje të radhës.
Sipas meje, ishte e qartë që në fillim se aksioni politik i aktorëve tanë kishte për synim arritjen e disa “fitoreve” në rrugën e parapërgatitur të mbytjes së radhës. Më kryesorja e fitoreve që kërkohej të arrihej ishte ajo se kush do t’ia ngecte tjetrit përgjegjësinë; apo se cilin do të penalizonin – veçanërisht të huajt – si shkaktarin kryesor të mbytjes. Sipas gjykimit tim, mbytësi i parë ka dalë Sali Berisha. Ai kishte një zgjidhje shumë të lehtë përpara: t’ia linte Presidentin si propozim opozitës, gjithë duke ruajtur të drejtën që të zgjidhte në një listë njerëzish të arsyeshëm të propozuar prej saj. Por, “natyra” e akrepit nuk e la. Ai donte të pickonte medoemos. Dhe kështu siç veproi, thelloi imazhin negativ të një maxhorance që kërkon të kontrollojë të gjitha institucionet duke u bërë kërcënim për lirinë. Por nuk mund të thuhet kurrsesi se Rama ka dalë pa përgjegjësi në sy si të të huajve, edhe të shqiptarëve. Edhe ai si mbytës shihet, dhe po për shkak të “zakoneve” të akrepit.
Në manovrat e të dyja palëve binin në sy pikërisht ngritja, njëra pas tjetrës e grackave për njëri-tjetrin. Nga ana e Berishës, më e forta ishte ajo me kandidimin e Zaganjorit, që edhe pse ishte i tiji, garantonte shumë më tepër paanësi dhe seriozitet se Nishani. Nga ana e Ramës ra në sy loja me fjalën “proces”, që të kujtonte një lojtar që e mban topin te qoshja e kornes derisa të bjerë fërshëllima e arbitrit, pasi i intereson rezultati i momentit. Në këtë luftë grackash, Berisha dhe Meta bënin sikur po kryenin një proces, kurse Rama, duke përdorur vetëm fjalën “proces”, bënte çmos të mos kishte asnjë proces. Si pasojë, nëse Berisha ra në grackën e Ramës me zgjedhjen përfundimtare që bëri, edhe ky pësoi jo pak dëmtime nga manovrat e Berishës, sepse ky e shtrëngoi të jepte shenja të qarta se atij nuk i interesonte as konsensusi, as Presidenti, por vetëm rrëzimi i qeverisë, duke ia përforcuar jo pak imazhin e një politikani bllokues, që s’arrin të negociojë e të bëhet pozitiv as me të vetët dhe që kërkon të fitojë me bizantinizma, komplote e takime nate, jo me procese transparente të ndara me publikun.
Në fakt, kryetari i PS vuante, siç ka vuajtur edhe më parë, disavantazhin e nisjes, sepse Berisha është në pushtet, ka 71 vota, kurse ai jo. Kjo, sipas meje, e bënte që, më shumë se sa një Presidenti konsensual, qoftë edhe nga të tijtë, t’i trembej vetë konsensusit, pasi ky do të nënkuptonte paqe, dialog, ndërkohë që ai e di shumë mirë se kjo do t’i jepte më shumë pikë Berishës jo vetëm pse Shqipëria do të merrte statusin e vendit kandidat, çka Berisha në stilin e tij do ta trumbetonte si arritje të vetën, por edhe pse do t’i hiqte Ramës një nga kuajt e rëndësishëm të betejës: akuzat ndaj Berishës autoritar që po dëmton me këtë marrjen e statusit. A duhet t’i vuante këto aq shumë? Unë them se jo. Opozita ka plot mundësi për të dalë më lart se maxhoranca në kushtet ku është katandisur qeverisja e saj. Por akrepi mbetet akrep, s’bëhet dot tjetër gjë.
Berisha, nga ana e tij, e vuante jo pak faktin se, duke qenë në pushtet, përgjegjësia më e madhe e mbytjes do të binte mbi të, prandaj dhe ndryshoi disa herë deklarimet e tij të prera. Por akrepi mbetet akrep, përsëri. Ai është i aftë të luajë vetëm në atë pellgun e vogël të interesave të tij meskine e të interesave vetjake deri në pickimin dhe mbytjen e radhës. Ai e ka tashmë përvojën se si e rrëmbeu Bashkinë e Tiranës dhe zhurma zgjati pak, ndërkohë që “përfitimet” e kapjes së kështjellës kanë dalë më të mëdha kur ke parasysh paratë publike dhe pushtetet financiare e mediatike që kontrollohen. Nuk mund të mos mendojë se kjo zgjedhje e Nishanit, e përshëndetur menjëherë nga ambasadorët, pasi u hoqi një bela edhe më të madhe, do të ndikojë që të zgjidhet një prokuror i tij dhe se ky prokuror mund të bëhet lojtar i rëndësishëm në lojërat e tjera, deri në fushatën e ardhshme elektorale. Po kështu, me këtë lëvizje ai e tërhoqi edhe një herë Metën në krahun e vet, sepse edhe këtij e të tijve kështu u intereson më mirë, gjithë për interesa vetjake. E, në këtë aspekt, Rama është më i humburi, sepse i mbeti hija e një të kalburi në opozitë, që s’arrin dot të bindë se mund të fitojë ndaj një putinizmi në rritje. Por, kështu, gjithsesi, atij i mbeten shumë alibi e mundësi për ta vazhduar jetën politike në stilin e zakoneve të akrepit në një pellg të ndotur keqas nga politika, ku fitorja mbështetet kryesisht në zullumet e kundërshtarit e, veçanërisht, në mbytjen përfundimtare.
Si përfundim do të thosha se vështirësia më e madhe e të dyja palëve është se ato, me zakonet e fituara tashmë, nuk arrijnë as ta konceptojnë se mund të ketë fitore të të dyja palëve, pasi çdo qelizë e tyrja politike është ndërtuar në funksion të luftës për asgjësimin e të dyja palëve. Edhe unitetin e popullit ata nuk mund ta konceptojnë si bashkëjetesë të diversiteteve në respekt të ligjit, por si sundim të patrazuar të tyre dhe të vlerave të tyre. Në këtë kontekst ata as që mund ta imagjinojnë një President që s’do të mund ta përdorin për hesapet e tyre. Në fakt, që s’janë të vetmit që ushtrojnë këtë kulturë akrepi, të trashëguar nga babai i tyre Enver Hoxha. E provoi këtë edhe një i kuotuar për President, Ismail Kadareja, që paska propozuar për President një ushtarak dhe skënderbegolog të vetëshpallur anonim, i cili paska meritën kryesore që i ka dalë këtij në krah në sulmet nacional–staliniste ndaj specialistit europian të historisë së Arbërisë së Mesjetës, Oliver Schmitt dhe mbështetësve të tij në Shqipëri. Sa qesharake, por edhe sa tragjike! Bëhet edhe më tragjike kjo kur mendon se propozimi përçohet në publik nga Edi Rama, që e nisi jetën publike dhe e fitoi reputacionin bash si një i angazhuar kundër kulturës nacional-komuniste. Miku i tij, Ardian Klosi, me siguri ka lëvizur në varr kur e ka marrë vesh, por s’ke ç’bën, Edi Rama s’mund të dalë jashtë natyrës së tij prej akrepi.
Sa për Shqipërinë, i dashur lexues, dhe fjalët e mëdha në emër të integrimit të saj europian apo fitimit të statusit të vendit kandidat, s’ishte nevoja e maskaradës së Presidentit për të parë se këto nuk kanë asnjë përmbajtje në jetën e këtyre njerëzve: në kuptimin e përpjekjeve të sinqerta për ta bërë Shqipërinë vend me dinjitet në gjirin e komunitetit ndërkombëtar në përgjithësi e atij europian në veçanti. Këta i ha meraku për këtë përpjekje po aq sa ç’e hante Enver Hoxhën, i cili, për pushtetin e tij, e izoloi Shqipërinë për gjysmë shekulli. Integrimi është vetëm një medalje boshe për të cilën, gjithë në funksion të luftës, në thelb kudër vlerave më të mira europiane, këta janë në garë se kush t’ia rrëmbejë tjetrit, për t’ia tundur pastaj popullit si nuskë për shpëlarje trush. Prandaj do të jemi të dënuar të pësojmë pickimin e tyre sa kohë që do t’i mbajmë mbi shpinë me shpresën se nuk do të na pickojnë, se njëri na pickon/mbyt më pak se tjetri, apo pse nuk jemi zot të bëjmë gjë tjetër përveçse të mbytemi, – gjithë duke mbetur jashtë vlerave më të mira europiane. (Panorama, 16 qershor 2012)

2 comments:

Anonymous said...

z.Lubonja, na duhen veprime, ide, megjithate faleminderit per konstatimet e argumentuara!

sokol said...

Z. Lubonja pershkrim me te qarte nuk besoj se mund ta bente tjeter kush per keta drejtore partish.
Mendoj se nje nga problemet me te medha te ketij vendi eshte mungesa e njerezve te "lire". e thene ndryshe njerez ne rolin e bretkoses, qe megjithse e dine qe do helmohen perseri shkojne per te shpetuar akrepat...
S. Behaj