Sunday, June 10, 2012

Nano, kandidati dysheme - tavan


Mirë ca shqiptarë, që i dimë se ku hanë e si hanë, po ambasadorit amerikan Arvizu çfarë i thotë mendja? Kjo ishte pyetja e parë që më lindi duke parë se brenda disa ditësh ambasadori Arvizu paska takuar dy herë Nanon – çka nuk mund të mos e interpretoja, bashkë me shumë të tjerë, si mbështetje për kandidimin e Nanos president. A e ka idenë Arvizu se ç’është bërë e se ç’bëhet në këtë vend, që një dy dhe i ofron publikut fotot e tij me Nanon? Nuk paska arkiva fare në Ambasadë, as specialistë në Departamentin e Shtetit për Shqipërinë? – qenë disa pyetje të dyta që më erdhën. Pastaj vazhdova me një varg mendimesh gjithmonë e më të hidhura: Që ne jemi një popull që edhe pas 100 vjetësh pavarësi, vazhdon t’i lutet protektorëve të huaj që ta shpëtojnë nga shqiptarët që ka mbi krye, kjo dihet. Kështu kemi bërë me Zogun, kështu me Enver Hoxhën, kështu dhe tani. Por, ama, çdo lutje ka një sens, ta hajë dreqi! Edhe populli më i përunjur do të ndjehej i fyer në inteligjencën e tij nëse protektorët do t’i këshillonin si shpëtim një figurë si Fatos Nano që ka qenë tetë vjet në qeverisje e që e katandisi vendin aq keq, me papërgjegjshmërinë dhe sistemin e korrupsionit që ngriti, saqë solli në pushtet Sali Berishën, që mbante përgjegjësinë për shkatërrimin e shtetit dhe humbjen e jetës së mijëra shqiptarëve më1997-ën. “Come on, mister Arvizu!”. Kjo qe dallga e parë e mendimeve të zemëruara që ma mbuloi trurin. Kur më kaloi ajo, iu ktheva vetes pak më i qetësuar, por prapë shumë iracional: mos vallë na ka mbetur ende, megjithë përunjësinë tonë proverbiale ndaj të huajve, capak nga mëkati i krenisë që s’na lejon të kuptojmë se sa poshtë dhe me sa përçmim na shohin këta ambasadorët perëndimorë? Ndoshta. Në fakt, s’ka mundësi që ata të mos e mendojnë se edhe në më të humburin vend të botës, që edhe emrin nuk ia dimë, po të ndërhynin ambasdorët kaq hapur në punët e brendëshme do t’i deklaronin “persona non grata”. Atëhere, përse këta trajtojnë një popull të tërë sikur të jetë “non grata”? Sepse u është mbyllur bota në atë qerthullin e vogël të zyrave e koridoreve të kastës në pushtet ku Nano u duket se e flet anglishten edhe më bukur se Berisha e Rama? Nuk e kuptojnë këta se e keqja më e madhe na vjen nga sistemi që mundëson grumbullimin e tërë pushteteve në duart e këtyre personazheve (i të cilit Nano është arkitekti kryesor). Pse merren me sistemin kaq pak dhe me personat kaq shumë? Leksion demokracie është? Apo pse mendojnë se ne kaq meritojmë? Apo vazhdojnë me stilin me të cilin kanë bashkëpunuar me tërë gedafët e botës: interesi dhe stabiliteti i pari,  demokracia e fundit?
Më në fund i ndala këto përçartje delirante, u ktheva me këmbë në tokë dhe fillova të them me vete:  Leqë kjo puna e Nanos president  s’ka nevojë për specialistë kush e di se çfarë për t’u kuptuar. Mjaft të shohësh se ky njeri, s’ka turp, por ditën që i teket të bëhet president, shantazhon partinë e tij se, po nuk e kandiduan, do t’i hyjë ta përçajë, që të arrish në konkluzionin se vetëm simbol unitetit ky s’mund të jetë? Pastaj këta amerikanët sikur kanë burime informacioni serioze, gjithë atë CIA me famë; a nuk pyesin këta se me çfarë jeton në Vjenë, në një goxha vilë, ky njeri që kur ka qenë kryeministër ka pasur një rrogë jo më shumë se 1500 euro? A nuk e dinë këta se edhe ata të partisë së tij, kur ky i hyri katars-ziut, thoshin poshtë e lart “ka mbetur pa pare, prandaj bën kështu”, e se tani vazhdojnë të thonë se nga tryeza e pokerit të pushtetit ai u largua me nja 200 milion euro? Jo, këtu ka diçka që nuk shkon o me Ambasadorin, o me Ambasadën, o me këshilltarët e tij.
Këto isha duke menduar kur doli lajmi se ndoca 26 intelektualë paskan bërë thirrje për zgjedhjen e Nanos president duke iu bashkuar lëvizjes së re politike ”Nano hajde!”. Atëhere thashë: s’paska faj ambasadori. Ia fus kot unë, e ca si unë, që mendojnë se Nanua është kandidati dysheme poshtë të cilit nuk shkohet dot. Kur dalin gjithë këta akademikë, e shkencëtarë, e historianë, e ekonomistë, e artistë me tituj doktorë e profesorë që kërkojnë Nanon president pse të mos mendojë Ambasadori se Nanua është kandidati tavan?
Nejse, si gazetar s’mund ta le pa e komentuar kandidaturën e Nanos racionalisht, prandaj po rrekem t’i bëj një analizë një çikë më racionale, që t’i pëlqejë edhe ambasadorit, paçka se e shoh që kjo temë më shumë sesa nga analiza më çon për kah satira. Por do të përpiqem. Ja për shembull: lexova në një të përditshme se Nano paska deklaruar se, po të bëhet ai president, Berisha dhe Rama do të takohen çdo javë. Të them të drejtën unë e besoj këtë. Bile besoj edhe më shumë: se Nanua do ta emancipojë politikën tonë; se do t’ua heqë psh. Berishës dhe Ramës atë gjuhën prej çakalli e prej neperke, të mbushur me vrer e helm, që përdorin ndaj njëri tjetrit e me të cilën kanë helmuar të gjithë shqiptarët. Pse do të thoni  ju? Sepse, duke dhënë konsensusin për të bërë president kryetarin e klanit të Zemunit, të baronëve të drogës, bllokqenin Fatos Nano, kryeministri s’ka çfarë të thotë më, do ta mbyllë gojën. Imagjinoni të tjerët që ka prapa. Por edhe Edi Rama do ta mbyllë gojën. Sulmin që i bën Berishës se do të kapë të gjitha institucionet  do ta reshtë, se do të ketë në presidencë ish kryetarin e partisë së tij. Edhe për korrupsionin e Berishës do ta myllë që çke me të, madje unë them se, për t’i bërë qejfin Nanos  President, do ta përjashtojë nga partia edhe Erion Velinë që e ndërsente me tenxhere e me kapakë poshtë kryeministrisë, kur Nano ishte kryeministër, duke e akuzuar si të korruputuar. I humbur do të dalë sigurisht, do ta qajë Zaganjorin, madje edhe Jozin, por një humbje me nder ama, që e ul në tryezë si të barabartë mes të barabartësh. Por edhe gazetarët që kanë rrotull, të specializuar vetëm në luftë e llogoreve, pa qenë në gjendje, njëlloj si ambasadorët, të artikulojnë një fjalë kundër sistemit të Nanos e të trashëgimtarëve të tij, do të dalin më në fund nga errësira e llogoreve në dritë e s’do të dinë më ku t’i hedhin granatat që kanë nëpër xhepa. Kështu që edhe zhurma mediatike do të pushojë. Nga ana tjetër edhe populli do të heshtë, sepse, me Nanon president, do të mbetet pa gojë, i shkreti.  E kështu, vendi do të bjerë në qetësi. Do të bjerë në qetësi edhe trojka Arvizu – Sequi – Wolfart.
Po si thua ti, i dashur lexues, çfarë do të bëjnë në këto kushte të mbeturit pa punë Berisha e Rama që s’dinë të bëjnë gjë tjetër veç të shajnë njëri tjetrin? Do t’ia fillojnë pokerit në Presidencë ku, me  siguri, për të bërë katërshen, do të ftojnë edhe Metën. Dhe kështu do të takohen, siç tha Nanua, një herë në javë, minimumi. Edhe prokurori i ardhshëm, ju siguroj unë, mbi palët do të jetë. Ka shumë mundësi të zgjedhin atë që do t’u ndajë fishat e do t’ju përzjejë letrat në tryezën e pokerit. Hajde bordello që do të bëhet Presidenca, hajde! Jo, jo, kanë të drejtë ata që thonë se Nano është mbi palët, madje edhe se presidenti duhet të jetë medoemos politik, njeri që i njeh rregullat e lojës, jo si Zaganjori, që turpërohet, a thua se e duan atje për virgjëreshë.
Sigurisht do të ketë nga ata llapaqenë që do të thonë: ky s’është uniteti i popullit, por uniteti i hajdutëve. Do të ketë nga ata zuzarë që do të thonë se me Nanon president tavani dhe dyshemeje puqen duke zgërlaqur  shpresat tona për një Shqipëri ndryshe. Por unë them se me kohezionin dhe unitetin e madh që do të krijojë Nanua president e me mbështetjen ndërkombëtare që do të ketë kjo zgjedhje, veçanërisht kur të fitojmë edhe statusin e vendit kandidat (për çfarë ishte kjo “kandidat” se nuk më kjtohet?),  zor se do të gjendet pronar gazete e televizioni që të guxojë t’i bëjë publike këto broçkulla. Dhe, fundja,  edhe këta zuzarë e llapaqenë s’kanë pse ankohen se po u merret fryma mes tavanit e dyshemesë të bëra një. Kanë bodrumin, kanë çatinë, po deshën, në demokraci jetojmë; kanë edhe ambasadën amerikan ku mund të ankohen sa të duan. (Panorama, 10 qershor 2012)*

*Shënim: ky është versioni i fundit që autori i ka derguar për botim redaksisë, por për arsye teknike ajo s’ka mundur ta marrë duke botuar versionin e parë.

3 comments:

peace w said...

bravo zoti Lubonja.Nano president do te thote kthim 20 vjet mbrapa.sa per ate se pse e mbeshtet ambasadori amerikan zotin Nano,eshte ajo se amerikanet dhe evropianet na shohin shume poshte.
pse?
nuk e di por ndoshta kjo pyetje duhet te na preokupoje.mos ndoshta edhe ne me mbeshtetjen pa kufi qe u kemi dhene lidereve me merita shume te diskutueshme ose me sakte inekzistente kemi ate pjesen tone te fajit secili nga pak.sepse e gjej pa shpjegim qe Sali Berisha si lider te ekzistoje akoma ne skenen politike mbas gjithe atyre katrahurave qe ka prodhuar sic nuk shpjegoj dot mbeshtetjen e elektoratit ndaj PS-se pa marre parasysh se kush lider eshte ne krye se cfare perfaqesojne ata me idete apo veprimet e tyre.
ne e shohim politiken me tifozllekun e nje tifozi ultras dhe nuk ndryshojme kollaj mendim vec nese ndodhin katastrofa,por edhe atehere gjejme ne subkoshiencen tone menyra per ti falur lideret tane sepse fajin me te madh e kishin ata te kampit kundershtar…..
faleminderit zoti Lubonja!

P.S:kete koment e kam derguar edhe tek gazeta Panorama por nuk e kane publikuar .nuk e kuptoj pse.besoj se do te donit ti dinit komentet e te gjitheve.

Bonì said...

I Nderuar zoti Lubonja.
Më lejoni të përdor këtë koment si urë komunikimi shpresoj te qëndrueshme për vetëm nje "afersisht pyetje".
Duke ndjekur zhvillimet e fundit ne këtë lojë ( që më ngjason si loje Ragby pa albitër , në vënd që të ishte loje Shahu ) , janë vënë nën riflektorë emra , ndër të tjerët Z.Artan Hoxha . Pyesja veten në qoftë se cilado anë politike , cilado figure ne fushen e shahut të përmendte emërin tuaj a do ishte teknikish/kushtetueshtmërisht e mundur që të arrihej në nje "RREMI" për sa i përket ketij problemi !?
Personalisht mendoj se një zgjedhje e tillë do ishte , jo vetëm eficente dhe efikase dmth duke bëre nje hap perpara (ashtu sic po mundohen te gjithë gabimisht), por do të ishte nje zgjidhje që do te konsiderohej si DY hapa përpara duke bërë të mundur që ne ajrin tashme pak a shumë te ndotur te shqiperisë të ndjehet prezeca e nje filtri .
Për te mos përmendur sinjalet e zhvilimit kulturor , duke zgjedur nje person me curriculiumin si te tuajin !
Pyetja në të vërtetë lind edhe per faktin që kam perceptimin se nuk është se shquheni për ndjenja "atdhedashurie".
Ju faleminderit , duke shpresuar në një përgjigje sa do të shkurtër , e mbyll duke ju uruar punë te mbarë.

studenti Albion Hystuna

Glen LLaçi said...

Zoti Lubonja kete situate une nuk e quaj me proces konsensual, por proces sharlatan. kjo e Nishanit i vuri kapak gjithe kesaj "tragjikomedie". Po besoj se Arvizu ne realitet i sheh gjerat te pakten po aq mire sa gjith shqiptret. Mos valle shqiptaret nuk e kan kuptuar gjithe kete farse?! dhe gjoja nderkombetaret i inkuraojne keta bebushat tane qe te zgjedhin nje president konsensual! keto politikanet tane jane ne nje nivel aq te ulet sa qe as fasaden e nje politike per intergrim e me the te thashe nuk jane te zotet ta mbajne ne kembe!ja pse edhe fasada e arvizut stonon aq shume ne te njejten kohe.