Saturday, October 13, 2012

A e meriton Zogu një monument


Le ta themi troç: gjithë  ky debat mbi figurën e Zogut nuk po zhvillohet për të kërkuar të vërtetat historike rreth tij, pra nëse i ka kryer apo jo të ligat për të cilat e akuzon një palë apo të mirat për të cilat e mburr pala tjetër, as për të nxjerrë dritë hijet e figurës së tij në mënyrë që t’i afrohemi sa më shumë të vërtetës së kohës kur ka jetuar e qeverisur e as për të thelluar, kësisoj, dijet tona në shërbim të së tashmes. Jo, ku debat po zhvillohet pasi Sali Berisha ka vendosur t’i ngrerë një monument me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë - mesa duket në kërkim të një politike që kërkon të na i mbajë mendjet dhe ndjenjat në të kaluarën dhe jo në problemet e të sotmes e në kërkim të identitetit të një Partie Demokratike, që, po t’i hiqet ai i komunistëve të kthyer në antikomunistë, i mbetet pako gjë.
Pra debati duhet bërë nëse  meriton Zogu apo jo një monument. 
Sipas meje, nëse ajo puna e parë, dmth e analizimit të dritë hijve për t’iu afruar sa më shumë të vërtetave historike, duke i pastruar ato nga instrumentalizimet e komunistëve dhe zogistëve, është e vështirë, kjo puna e dhënies së një përgjigjeje nëse e meriton Zogu një monument apo jo mua më duket shumë më e lehtë.  Po e them mendimin tim shqeto që në fillim: Kurrsesi nuk e meriton!
Personalisht bëj pjesë në atë brez që e ka përjetuar shumë keq kohën e Enver Hoxhës dhe kjo ka ndikuar që Zogu të mos jetë për mua një figurë e urryer, siç e paraqiste propaganda komuniste. Dhe kam përshtypjen se i tillë ka qenë për mjaft shqiptarë, mu për shkak të diktaturës. Në një farë mënyre pra urrejtja për diktaturën me bëmat e saj, edhe duke e demonizuar kohën e para vitit 1939,  e ka mbrojtur figurën e Zogut sepse prirja e shumë njerëzve ishte të idealizonte atë që dënonte diktatura, të mos i besonte ato që thoshte ajo. Dhe kjo ka ndikuar shumë që të mos kemi një njohe të vërtetë të kohës së tij dhe figurës së tij, por vetëm emocione bardhë e zi, që janë forma foshnjore e njohjes.
I thashë këto paraprakisht për të venë në dukje se gjykimi im se pse Zogu nuk meriton një monument nuk ngrihet mbi emocionet e paraqitjes së Zogut në kohën e diktaturës dhe as në instrumentalizimin e sotëm të figurës së tij nga Berisha, (meqë ra fjala ky i detyrohet opinionit një shpjegim se pse në 1994 e nxorri jashtë Shqipërisë Zogun II dhe sot i ngre monument Zogut I) por në përpjekjen për njohje dhe kuptim të asaj kohe si përpjekje për të kuptuar edhe më mirë si komunizmin që erdhi pas Zogut edhe kohën që po jetojmë.
 Po rendis pra disa nga argumentet se pse sipas meje Zogu e nuk meriton një monument.
Së pari, në këtë rast pyetja që shtrohet është: a e meriton klasa politike që ka qeverisur Shqipërinë këta 100 vjet t’i ngrihet ndonjë monument – pasi Zogu është një nga përfaqësuesit e saj më të spikatur. Për mua jo, pasi dihet se të këqijat më të mëdha i kanë ardhur Shqipërisë pikërisht prej klasës politike që e ka qeverisur. E thotë edhe Konica këtë. Kush mendon se duhet t’i ngrihet monument kësaj kategorie, duhet të përgatitet që nesër do t’i ngrihet një monumet Enver Hoxhës dhe pasnesër një monument Sali Berishës e pas - pasnesër ndonjë tjetri si këta. Lexoni ç’thoshte ish kryeministri socialist Pandeli Majko para disa ditësh: “Unë hyj tek njerëzit që refuzoj të pranoj që në 100 vjet shtet jemi drejtuar nga një hajdut dhe kolaboracionist (!) dhe nga një diktator i dyshuar për homoseksual(!)…Unë besoj tek gjakftohtësia që koha na këshillon të vlerësojmë me qetësi. Ahmet Zogut t’i jepet ajo që i takon duke ja vlerësuar aktet dhe analizuar gabimet. Enver Hoxhës po ashtu. Dhe pa dyshim edhe për cilindo tjetër nesër, duke krijuar kështu “simfoninë” e munguar të historisë sonë kombëtare dhe paqen me të kaluarën tonë të përbashkët.” Nuk e di se si e merr lexuesi këtë, por unë e mora kërkesën e Majkos si thirrje për “paqe” me Zogun dhe Enver Hoxhën”, madje jo vetëm si një thirrje për të bërë “paqe” me politikanët që na kanë masakruar deri më 90-tën, por edhe me ata që po vazhdojnë të na masakrojnë që nga 90-ta e këtej. Në fakt, s’do shumë njohje të historisë për të kuptuar se Zogu e Hoxha nuk hyjnë dot në një “simfoni të munguar” të popullit shqiptar, por janë protagonistë të një marrshi funebër pasi kanë qenë diktatorë, autokratë, të paaftë, injorantë, të korruptuar që meritojnë të kujtohen si një e keqe e popullit shqiptar me të cilën s’duhet të bijem kurrë në paqe. Ku ka parë Mjako që bota të bjerë në paqe me diktatorët e shumtë që kanë kryer krime? (Në fakt kështu është kur ve kryeministra aguridhe tridhjetvjeçarë – siç ka qenë edhe Zogu e Enver Hoxha – që kur rriten në moshë zbresin edhe më poshtë në mendim. Akoma s’e paska mësuar Majko se të jesh homoseksual nuk është ndonjë krim?)
Dikush do të thote se pse i kam vënë të dy në një kandar. I kam vënë sepse kanë një emërues të përbashkët, pavarësisht se kanë jetuar në epoka të ndryshme dhe sisteme të ndryshne: kujtimi që kanë lënë, trashëgimia e tyre politike është në thelb e njëjta: njerëz të poshtër që kanë vënë egoizmin e tyre, interesin e tyre mbi interesat e vendit, duke kryer deri vrasje politike; protagonistë shteti të dështuar që i ka mbajtur shqiptarët në varfëri, injorancë dhe fatkeqësi. Sigurisht Enver Hoxha është më i qartë si diktator, por, nëse Hoxha ishte një tiran dhe vrasës kjo nuk do të thotë që t’i ngremë një monumet Zogut për shkak se ai paska vrarë më pak se Enver Hoxha. Ta ndash njërin në përfaqësues të së mirës dhe tjetrin të së keqes kur të dy janë një vazhdimësi e historisë në shumë aspekte është një instrumentalizim që synon mbajtjen e mendjes së shqiptare në stad foshnjor. (Është e njëjta lojë që bën gazetaria jonë e llogoreve edhe me protagonistët e të sotmes: nëse Berisha është i mirë Rama është i keq apo e kundërta.) Ka shumë shqiptarë që kujtojnë kohën e fashizmit si kohën e begatisë më të madhe të shqiptarëve apo si kohën kur u ngritën disa nga ndërtesat më të rëndësishme të kryeqytetit. A mos vallë duhet t’i ngremë për këtë ndonjë monument Musolinit apo Jakomonit?
Së dyti, monument mund t’i ngrihet një figure përbashkuese kurse Zogu ka qenë një figurë përçarëse jo vetëm sot, por edhe në kohën e tij. Dhe këtu nuk kam parasysh vetëm komunistët. Por, meqë ra fjala për komunizmit, përpara se t’i ngremë monument Zogut, duhet bërë një refleksion i vogël se pse komunizmi ynë pati aq përkrahje dhe njohu aq pak rezistencë; por edhe pse ishte aq i egër dhe me pasoja aq tragjike? Nuk ka dyshim se shumë nga shkaqet duhet t’i kërkojmë tek urrejtja që kishte ngjallur tek rinia regjimi i Zogut dhe, po ashtu, tek injoranca që la ai regjim.
Por, siç thashë, nuk e kam fjalën vetëm për komunistët: E kam fjalën për figura të tilla si Gjergj Fishta, Mithat Frashëri, - për të përmendur vetëm këta të dy si ndër më të shquarit përfaqësues të atyre që i kanë urryer edhe komunistët. Mua nuk më rezulton se këta figura, që sot nderohen, si dhe dishepujt e shumtë që kanë pasur, të kenë ushqyer vlerësim dhe dashuri për Zogun, përkundrazi kanë qenë antizogistë. Fishta, simbol i shqiptarëve katolikë e jo vetëm, ka arritur deri atje sa t’u bëjë thirrje italianëve që ta heqin (meqë ra llafi siç u bëjmë ne thirrje sot amerikanëve që të na zgjidhin problemet që kemi me politikanët tanë). Mithat Frashëri, një nga figurat e ndritura të brezit të dytë të rilindasve shqiptarë, i qëndroi larg Zogut duke mbajtur gjatë gjithë kohës një librari të thjeshtë dhe, pikërisht për këtë, nderohej nga e gjithë rinia e asaj kohe, që u bë më vonë komuniste dhe balliste. Fakti është që edhe Balli Kombëtar, që ka pasur në gjirin e tij shumë figura të shquara të asaj kohe, ka qenë antizogist. Fakti që disa i bashkoi në emigracion antikomunizmi nuk do të thotë e kanë menduar se Zogut i duhet ngritur ndonjë monument.
Së treti, a ka ndonjë lidhje pozitive,  frymëzuese, figura e Zogut me kohën kur jetojmë, sepse monumentet që ngrihen në një kohë të caktuar nuk mund të mos jenë edhe reflektim i frymës së kohës kur jetojmë. Ne jetojmë në kohën e idealeve  të demokracisë dhe lirisë e Zogu vetëm me demokracinë dhe lirinë nuk ka lidhje. Në librin e Misha Glany-t “Ballkani”, në kapitullin që i edikohet Shqipërisë së  kohës së Zogut, ai e paraqitet këtë si një njeri që rrinte i ngujuar nga frika se mos e vrisnin për gjakmarrje ata që kishte vrarë. Bernd Fischeri i njeh disa merita, por kurrsesi nuk e ngre në piedestal. Kush do të mësojë për Zogun ca më shumë le të lexojë edhe librin e Xhelal Staraveckës. Nuk e kam fjalën për ato momente që mund të duken si armiqësi personale të një njeriu që u burgos nga Zogu, por tek atmosfera e mbretërimit të tij: një atmosferë korrupsioni që mua më kujtoi shumë atmosferën e Shqipërisë së Sali Berishës dhe Fatos Nanos këta njëzet vjet – e prandaj më duket edhe shumë e besueshme - me një klasë politike të babëzitur, që s’ka merak tjetër veçse të rrëmbejë ç’të mundë për vete dhe e ndërgjegjëshme që ka krijuar një situatë në vend krejtësisht të pasigurt dhe pa të ardhme prandaj edhe e gatëshme për ta lenë vendin në momentin e parë kur do të vihej në rrezik.
Të duash lirinë sot, çka do të thotë të jesh demokrat, të jesh kundër autoritarizmit, kundër korrupsionit, kundër injorancës do të thotë të jesh edhe antizogist. Atëhere me ç‘mend në kokë mund t’i ngrihet monument Zogut në kohën tonë? Për të frymëzuar çfarë?
Zogun dhe kohën e tij duhet ta studiojmë, ndoshta t’i japim edhe merita atje ku i ka, ashtu sikurse edhe t’i themi ato që ia kanë veshur me të padrejtë, por jo t’i ngremë një monument. Gjykimi im është se Shqipërisë nuk i kanë ardhur ende politikanë të tillë, idealistë, që ta meritojnë këtë nderim – dhe e vërteta është se edhe në botë janë të pakët politikanët që i meritojnë monumentet – prandaj ngritja e një momumenti Zogut është punë e gabuar që do të hyjë në bëmat e shumta të dënueshme të Sali Berishës dhe të atyre që e mbështesin. (Panorama, 3 tetor, 2012)

3 comments:

Anonymous said...

Ti perdorin per te blere ilace per spitalet leket e monumentit te Zogut se kemi spitale si ne Mali.

Anonymous said...

I nderuar z. Lubonja,

shkrimi juaj si zakonisht nuk le vend per kundershtime apo shtesa. Vetem se une kam frike dhe me vjen shume keq, se per shkak te asaj injorance te thelle dhe te gjere, qe ekziston edhe sot ne Shqiperi, shume pak shqiptare i lexojne shkrimet tuaja. Por nga ana tjeter shpresoj se zeri juaj per te verteten - se bashku me disa pak te tjere - do te ndikoje tek ndergjegjja e intelektualeve te tjere shqiptare, qe edhe ata te ndjekin shembullin tuaj. Por qe mendja e mases se shqiptareve te ndricohet - gje qe e kane kerkuar edhe Rilindasit ketu e 100 vite me pare - mbase do te duhen edhe 100 vite te tjera. ...

Erjona

NMEHALLA said...

Me ne fund gjeta nje faqe interneti qe diskuton probleme te nivelit akademik dhe tema shtrohet pa ndikimin e pasioneve dhe sheh nje menyre te menduari me koncept. Ne Shqiptaret kemi mangesi per te debatuar ose bashkebiseduar me njeri tjetrin me koncept. Per kete nuk mund te fajesosh individe por nje sistem te tere dhe nje shoqeri qe eshte autokrate ne mendime dhe veprime. Zoti Lubonja shikoje me dashamiresi dhe me syrin e nje obzervuesi programet televizive qe ju merni pjese.

Ne lidhje me temen te ti behet nje monument Ish-Mbretit Zog? Pajtohem me mendimet tuaja. Historia e vertete dhe per fate te keq e shkruajtur nga te huajte si gjithmon do te ndricoje dhe influencen e asaj kohe ne Shqiperi. Mbreti Zog i ka ngritur monumente vetes me ndertimet e tije ne Tirane dhe kudo gjate asaj periudhe qe ai ishte ne fuqi. Duke ardhur si vizitor ne vendin tim sot te vetmet ndertime qe jane me te vertete te bukura jane ato qe Mbreti Zog arriti te bente sigurisht me ndihmen e Italianeve. Te njejtat ndertesa i gjen sot ne Itali ku influenca e Musolinit eshte me e madhe. Mbreti Zog ashtu si ju mund te ta dini me mire se une trashegoje injorance dhe varferi dhe ishte thuajse plotesisht i varur nga Italianet ekonomikisht. Pa u zgjatur ne histori ndoshta historia do te ti jap vendin e vete kujtod por jo politikanet qe cdo gje e bejne qe te fitojne nje audience te caktuar per zgjedhjet e tyre ne pushtet.

Do te lexoje me padurim postet tuaja sepse mendoje qe njerez si ju mund te te influencojne dhe inkurajojne nje menyre te menduari te thelle nder intelektualet Shqiptare. Nje menyre te menduari qe duhet te perfshije nje bote me te madhe se tonen qe eshte aq e vogel. Nje menyre te menduari qe ka nje ndergjegje politike dhe jep kontributin e tije sado te vogel ne nje shoqeri qe nuk vuan per matematikane apo doktore por vuan per nje njohje te Humanizmit dhe nje shamngje te nje egoizmi te madh. Nje shoqeri qe duhet te shtije mendimin e saje rreth fqinjeve, plehrat qe hedh ne rruge dhe sjellje vulgare qe i sheh shpesh ne Shqiperi.