Saturday, February 2, 2013

Të hash nga ujku

Para disa ditësh shtypi dha një lajm që joçuditërisht nuk u komentua fare në median shqiptare. Ishte një vendim i Gjykatës së Tiranës që vendosi sekuestrimin preventiv për pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme të një personi me mbiemrin Deliu, që është vrarë para disa vjetësh së bashku me nënën e tij, si dhe të pasurisë së ish-shoferit të tij, me mbiemrin Sako, i vrarë edhe ky kohët e fundit. Sipas vendimit dilte se kjo pasuri ishte vënë me rrugë kriminale, kryesisht trafiqe droge. Nuk dihet se kush i ka vrarë, por flitet për grupe rivale që, kuptohet, nuk janë zbuluar. Kuptohet gjithashtu se gjyqi i sekuestrimit është bërë pasi tashmë të gjithë të lidhurit direkt me ato prona janë të vdekur.
Ishte i paimagjinueshëm numri i pronave të sekuestruara. Qenë 34 troje ndërtimi – nuk e kam gabim, tri-dhje-te-ka-tër – troje për vila e pallate me një sipërfaqe gjithsej 47 000 metra katrorë, të gjitha të hipotekuara. Ishin 5 (pesë) makina të tipave “BMW”, “Mercedes”, “Audi”, “Chrysler”, “Mitsubishi Pajero” (i blinduar), si dhe, vini re, 20 llogari bankare (një-zet) në bankat më të njohura të Shqipërisë. Ishte edhe një apartament.
Kur u interesova për historinë mësova se disa kohë përpara se të vritej, Deliu kishte qëndruar, së bashku me të ëmën, gati i ngujuar në shtëpi ngase ruhej. E kishin ditur të gjithë në pallat (pa dyshim edhe policia), sepse banorët paralajmëroheshin të mos hipnin në ashensor se mund të pësonin ndonjë hedhje në erë me telekomandë. Mësova gjithashtu se pas vrasjes së Deliut dhe të së ëmës avokatët më në zë të vendit qenë angazhuar për të zgjidhur çështjet e pronësisë së tyre.
Shkurt, ajo që më rezultoi duke menduar këtë histori është se me ato paratë e tij të krimit e të drogës kush nuk është ushqyer: fshatarë që kanë shitur tokat, noterë që kanë bërë akte noteriale, hipotekarë që kanë regjistruar pronat, punonjës të bankës, avokatë, gjyqtarë. Këta më erdhën ndër mend si të lidhurit direkt, se pastaj në listën e atyre që kanë përfituar indirekt: më del se mund të futemi të gjithë: ndërtues që kanë shitur apartamente, shitës makinash, tregtarë gjithfarësoj mallrash që personi ka blerë, shteti që ka marrë taksa prej tyre e ka paguar funksionarë, pronarë restorantesh ku ka ngrënë e ka pirë, kamerierë, lavapjatës, kompani telefonike që kanë shitur celularë e kanë dhënë shërbim telefonik, media që kanë marrë reklama nga këto kompani, e me radhë, e me radhë. Nuk po llogaris këtu paratë që janë shpërndarë nën dorë, ku dyshoj se edhe policia duhet të ketë marrë shuka të mira për të bërë shurdhin dhe qorrin.
Po ky është realiteti ynë, të thonë, pse çuditesh, kjo është vetëm maja e ajsbergut; ne me para droge e krimi kemi bërë çfarë s’kemi bërë: vila, pallate, markete, supermarkete ete… ete; bare, restorante ante… ante…; hotele, motele, ele… ele…; kartodrome, velodrome drome… drome…, pishina ina… ina…; televizione, one… one… e çfarë s’kemi bërë. Një ditë, madje, njëri më tha: “Nuk thua shyqyr që janë këta, se përndryshe çfarë do të hanim ne?”.


Pikërisht lidhur me këtë ngrënie e kam fjalën, të dashur vëllezër shqiptarë, ndryshe të dashur bashkëngrënës shqiptarë. Dhe për të shpjeguar efektin e këtij ushqimi, po ju tregoj një histori që lidhet me një zbulim të fundit shkencor për të cilin dëgjova para disa ditësh. Ishte një lajm sipas të cilit, shkencëtarët kishin arritur të zbulonin mekanizmin se si ka dalë qeni nga ujku gjatë evolucionit. Zbulimi kishte nisur nga konstatimi se sistemi tretës i ujkut dhe ai i qenit qenkëshin të ndryshëm dhe këtë ndryshim, që ka ndodhur në një moment të caktuar të evolucionit, e përcaktuakan disa gjene të caktuara. Sipas shkencëtarit që po intervistohej, në një moment të caktuar të evolucionit paska ndodhur një ndryshim i sistemit tretës ndër kopetë e ujqërve që kanë pasur fatin të jetojnë në zona ku jetonte edhe njeriu. Një pjesë e tyre, dora-dorës, nga bashkëjetesa e afërt me njeriun, filluan të hanë ushqimin që hante edhe njeriu. Kuptohet se kjo u krijonte lehtësi mbijetese, pasi njeriu ishte më i zoti për të gjuajtur. Kjo bëri që me evolucionin sajë mutacionit, këtyre lloj ujqërve t’u krijohej tjetër sistem tretës – të bëhen pra qen – kurse ujqit që nuk e pësuan këtë ndryshim në ato zona u zhdukën.

Ky ishte zbulimi me dy fjalë. Dhe a e dini se ç’më shkoi në mendje, të dashur vëllezër njerëz? Se këtej nga pylli ynë ka kohë që po ndodh e kundërta. Këtu jemi ne që po hamë nga ujqit e që po ndryshojmë sistemin tretës. Tani bëheni hesap vetë: ata që nuk po e ndryshojnë do ngordhin, kurse të tjerët do bëhen, siç janë bërë një pjesë tashmë, qenër të ujqërve. (Panorama, 1 shkurt 2013)

No comments: