Friday, March 29, 2013

Pa rrip sigurie

Nuk mund të mos të të bjerë në sy se shumë shqiptarë që ngasin makinën apo ulen në sediljen e parë të pasagjerit, veçanërisht meshkujt, refuzojnë ta venë rripin e sigurisë; u duket si zhburrërim, si përtesë, si mungesë lirie a ku di unë. Shumë syresh, madje, për të evituar atë sinjalin "pi - pi - pi...", që bëjnë makinat e reja, e kalojnë rripin mbrapa sediljes, e fusin pastaj tek ajo kllapa dhe rrinë rehat për shtatë palë qejfe.
Megjithatë unë kam bindjen se shumica  e këtyre shqiptarëve nuk do ta blenin një makinë që nuk ka rripa sigurie sepse do t’u dukej e vjetër, e dalë mode, jo evropiane, jo në përputhje me statusin që kërkojnë të kenë etj..
Ky raport që kemi me makinat e reja dhe rripat e tyre të sigurisë më duket një metaforë e mirë për të shprehur raportin tonë me shtetin e së drejtës, për të cilin një politolog i njohur thotë se demokracia ekziston vetëm një ditë, atë të zgjedhjeve, kurse tërë periudha që e pason, deri në zgjedhjet e ardhshme, është (apo duhet të jetë) shtet i së drejtës.
Paradoksalisht shqiptarët, veçanërisht shoferët tanë, edhe nuk i duan rripat e sigurisë së makinës së shtetit të së drejtës edhe nuk duan një makinë pa rripa. Këtë paradoks e ndesh shpesh sot jo vetëm duke parë sjelljen e politikanëve tanë, por edhe kur dëgjon rëndom njerëz të të thonë se ne nuk jemi të pjekur për demokraci, prandaj na duhet një juntë ushtarake, se ne nuk jemi pjekur për heqjen e dënimit me vdekje, prandaj duhet ta rikthejmë atë, se ne duhet të presin edhe tridhjetë vjet për paradën gay&lesibian etj. e ndërkaq mbi 90% deklarojnë se duan të hyjnë në "makinën" Evropë ku ekiziston rripi i sigurisë/ligjet që të mbrojnë nga pushtetet e juntave, ku nuk aplikohet dënimi me vdekje apo që garanton të drejtat e hmoseksualëve.
Pasja e një makine me rripa sigurie do të duhej të na induktonte mënçurinë për ta përdorur rripin, duke menduar se ky është fryt i një përvoje. Të mësosh nga gabimet e të tjerëve i thonë kësaj. Ne nuk e kemi këtë mënçuri. Po ashtu, pësimi i një aksidenti duhet të na bënte të kuptonim se sa i rëndësishëm është rripi dhe, paskëtaj, ta vendosnim atë. Kësaj i thonë të mësosh nga gabimet e tua. Edhe këtë ne nuk e kemi. Duhet të punojë frika ose respekti për ligjin - sugjerojnë një pjesë. Ne as këtë nuk e kemi. Kështu që, edhe pas njëzet vjetësh, po vazhdojmë të aplikojmë variantin më të keq: ndonse kemi pësuar aq e aq aksidente ngulmojmë të mos e vendosim rripin.
Kësisoj, ndërkohë që ne kemi "blerë" një makinë të kohës, kemi gjetur "kompromisin" që ta ngasim atë sikur jetojmë në një kohë tjetër, pa i përdorur rripat e saj. E kjo, pa dyshim, na ka ekspozuar ndaj rreziqeve të shumta. Ja na erdhën zgjedhjet parlamentare, të shtatat që bëjmë në këta njëzet vjet. Shikoni si shkëlqen makina. Pjesëtarë të shtabeve elektorale të Tony Blairit dhe të Barack Obamës do të vijnë të organizojnë fushatat e partive tona. Shikoni pastaj delaratat e shoferëve tanë. Shpallin fitore të padiskutueshme, pa përfillur as edhe në një moment vënien në diskutim nga votuesi. Çdo humbje e konsiderojnë se mund të vijë vetëm si rezultat i veprimeve keqbërëse të kundërshtarit prandaj dhe të papranueshme dhe të panjohëshme. Sondazhet e besueshme do të duhej të ishin e vetmja pikë referimi. Por për këto as që bëhet fjalë. Vënia e arbitrit/rripave të sigurisë do të duhej të ishte garant i numërimit të saktë dhe mosvënies në diskutim të rezultatit. Por këta rripa janë prapa sediljes. Jo, jo këta tanët nuk duken sikur janë në një garë se kush të dalë i pari duke garuar në të njëjtin drejtim, me rripa sigurie shtrënguar fort. Ata shembëllejnë me shoferë që ngasin makina lluksoze në drejtime të kundërta e që po shkojnë drejt përplasjes jo vetëm pa rripa sigurie, por edhe pa mend në kokë.
Ka shumë shqiptarë që kësaj here kanë frikë se aksidenti do të jetë fatal. 
(Panorama, 29 mars 2013)

Tuesday, March 12, 2013

Lëvizja e Grillos dhe ne


Për t’ia prezantuar publikut shqiptar Grillon dhe Lëvizjen e tij Cinque Stelle (Pesë Yjet), do të zgjidhja më së pari refrenin e këngës së Lëvizjes,  me të cilën ai u prit në Piazza San Giovani, ku mbajti fjalimin e fundit elektoral. Non siamo un partito/ Non siamo una casta/ Siamo citadini/ Punto e basta, që me përkthim të lirë në shqip do të thotë: Nuk jemi një parti/ nuk jemi një kastë/ jemi qytetarë/ dhe vetëm kaq.

Ky refren shpreh njëherësh edhe qëndrimin e Lëvizjes mbi sistemin politik ekzistues në Itali, edhe propozimin e saj për një tjetër sistem. Lëvizja Pesë Yjet është kundër politikanit profesionist në karrierë që, pasi i delegohet pushteti, nuk pyet për ata që ia kanë deleguar, por abuzon duke u kthyer në një partitokrat e pjesëtar të një kaste të shkëputur nga realiteti. Ajo propozon si alternativë një demokraci direkte pjesëmarrëse në vendimmarrje, gjë që, sipas saj, sot e mundëson uebi. Sipas Lëvizjes, politikanët që do të hyjnë në Parlament apo në vendimmarrje të ndryshme do të mund të qëndrojnë atje vetëm për dy zgjedhje, d.m.th. tetë vjet. Këta tetë vjet do të konsiderohen si shërbimi që ata bëjnë për qytetarët dhe pastaj do të kthehen në profesionin e tyre. Dhe, gjithë sipas Lëvizjes, për këtë shërbim nuk kanë pse të kenë tërë ato lukse e privilegje që kanë politikanët deri tani në Itali. Pra, nga njëzet mijë euro që merr një deputet italian, deputetët grilistë kanë rënë dakord që do të marrin vetëm pesë mijë dhe pjesën tjetër do ta fusin në një fond që do të përdoret për të inkurajuar mikrobiznese e me radhë – gjithë duke pasur idenë se, sikur të ketë maxhorancë të mjaftueshme, Lëvizja do të votojë që të gjithë të marrin kaq.

Një tjetër pikë kyçe e rëndësishme e Cinque Stelle është se ata fusin në të njëjtin sistem tërë klasën politike, d.m.th. edhe qendrën e djathtë të Berlusconit që ka qeverisur në kohën më të madhe këta njëzet vjet, edhe qendrën e majtë, e cila, sipas grilistëve, ka bërë sikur ka bërë opozitë, pasi, në të vërtetë, ka qenë pjesëtare e së njëjtës kastë. Sipas grilistëve, këta duhet të ikin të gjithë në shtëpi, se boll i kanë bërë dëme Italisë, ndërkohë që për ata që kanë përfituar duke shkelur ligjin, Lëvizja do të kërkojë hetim dhe do të jetë “parte civile”.

Një tjetër karakteristikë kryesore e grilistëve është se te kasta dhe partitokracia ata fusin edhe tërë sistemin mediatik që është ngritur në Itali: pra si ato media e gazetarë që i kanë shërbyer Berlusconit, edhe ata që i kanë shërbyer qendrës së majtë, duke i quajtur propagandistë partiakë, dhe jo gazetarë. Për këtë ata kanë refuzuar të bëhen pjesë e debateve televizive qoftë të studiove të RAI-t, ashtu edhe të Mediaset-it të Berlusconit dhe kanë preferuar të krijojnë rrjetin e tyre të komunikimit nëpërmjet uebit.

Përsa i përket sistemit social ekonomik, grilistët janë kundër kapitalizmit që e mat cilësinë e jetës me rritjen e GDP-së, janë për një Itali që nesër mund të jetë më e varfër në disa aspekte, por më e vërtetë, më e pasur në vlera shpirtërore dhe në cilësi jete, janë për zbutjen e diferencave në fitime, janë për një sistem social që ndihmon qytetarin edhe kur mbetet pa punë, por gjithë duke i ofruar vende pune, janë për mbrojtjen e ambientit, për transportin publik, për ujin si pasuri publike, për energjinë e rinovueshme, kundër shpenzimeve për armatime etj.

Përsa i përket Europës dhe euros, grilistët deklarojnë se nuk janë kundër Europës, por janë për një Europë tjetër nga kjo që po ndërtohet, që, sipas tyre, është më shumë një Europë e kapitalit financiar dhe e interesave të të pasurve, sesa një Europë e qytetarëve të saj. Nga ky këndvështrim ata e vënë në diskutim qëndrimin e Italisë në euro.

Ka shumë analistë, jo vetëm në Itali, që duan ta karakterizojnë Lëvizjen Cinque Stelle si një lëvizje që artikulon vetëm zemërimin e italianëve, duke shtuar se ajo nuk paraqet alternativë. Nuk ka dyshim se ajo motivohet edhe nga një zemërim që e bën të ngjashme me lëvizjen Ocupy Wall Street, në Nju Jork, me lëvizjen e Indigniados (të indinjuarit) në Spanjë, me Syrizën në Greqi. Megjithatë, Lëvizja Cinque Stelle nuk mund të reduktohen thjesht në shprehjen e një zemërimi qytetar. Te Cinque Stelle nuk mungojnë idetë dhe propozimet për një botë ndryshe nga kjo e kapitalizmit degjenerativ të kohës së sotme – më sipër përmenda disa prej tyre – që e bëjnë atë edhe një shpresë të re. Edhe vetë fakti që ajo nuk jep siguri në zgjidhje, sikurse e komentoi edhe Dario Fo, një nga mbështetësit më të angazhuar të grilistëve, është i rëndësishëm. Por, sikurse thotë Grillo: “Meglio un salto nel buio, che una morte assistita”, që do ta përktheja: “Më mirë një hap i guximshëm drejt së panjohurës, sesa një vdekje graduale”.

Problemi më i madh që ka Lëvizja sot, sipas gjykimit tim, është se ndërkohë që ajo konteston sistemin me një frymë revolucionare, por paqësore, duke kërkuar t’i transformojë institucionet apo të krijojë institucione të reja duke shpallur fundin e të vjetërve, është e detyruar të punojë brenda tyre e nëpërmjet tyre, pasi ajo nuk ka një maxhorancë absolute që të bëjë ligje e të qeverisë e vetme. Pikërisht si rezultat i kësaj, Lëvizja deri më sot ka refuzuar të bashkëpunojë me tri forcat e tjera që nxorën këto zgjedhje, duke krijuar probleme të qeverisshmërisë së Italisë, që përkthehet në humbje të kredibilitetit dhe humbje financiare po ashtu. Megjithatë, paradoksalisht, sipas sondazheve rezulton se pas kësaj zgjedhjeje numri i mbështetësve të saj është rritur. Mbetet po ashtu për t’u zgjidhur pikëpyetja që lind nëse Lëvizja fiton 100% – sikurse kërkoi Grillo në një nga deklaratat e tij – se kush do t’ia bëjë opozitën apo se si do të ushtrohej kjo?


* * *


Nuk do të isha ulur të shkruaja tërë këto për Lëvizjen e Grillo-s, sikur të mos kisha ndër mend realitetin shqiptar, i cili për mua është një pasqyrim grotesk dhe njëherësh i formës më të keqe i problemeve të Italisë që denoncon Grillo.

Ne kemi nevojë urgjente të denoncojmë dhe ndryshojmë një sistem politik që ka tiparet më të këqija të partitokracisë italiane, një kastë e kaluar kastës që e ndarë në maxhorancë e opozitë, ka njëzet vjet që ndërron rolet në çuarjen e jetës sonë në një rrëpirë që vjen e bëhet gjithnjë e më e thepisur. Ne kemi nevojë t’u themi “shkoni në shtëpi” këtyre politikanëve, madje edhe në burg atyre që pas hetimeve do të rezultonin se na kanë vjedhur e grabitur. Ne po ashtu kemi nevojë të denoncojmë, siç kanë bërë grilistët, sistemin mediatik, i cili është pjesë e strukturave në shërbim të kësaj kaste.

Po ashtu, në aspektin e sistemit ekonomiko-social ne kemi nevojë për një rikthim te vlerat e publikes: për shkollat e mira publike, mjekësinë publike për sigurime shoqërore, që garantojnë  minimumin e dinjitetit për qeniet njerëzore. Kemi po ashtu të përbashkët me grilistët nevojën e denoncimit të problemeve të mëdha që na kanë krijuar politikat shkatërruese të ambientit që prapa shifrave të GDP-së në rritje fshehin një cilësi jete në përkeqësim dramatik.

Por çfarë na mungon për të pasur një lëvizje si ajo Pesë Yjet? Sipas meje, nuk është vetëm uebi që në Shqipëri nuk mund të krahasohet me rrjetin italian të internetit. Më së pari, duke bërë krahasimin, nuk mund të mos shohësh se sistemi ekonomiko-social në Itali krijon shumë më tepër mundësi pavarësie për individët. Pra, edhe pse Italia vuan nga abuzimi me pushtetin në formë korrupsioni, klientelizmi, bashkëpunimi me krimin e organizuar, kjo vuajtje te ne është shumë më e madhe. Te ne ata që presupozohet se mund të sjellin ndryshimin janë shumë herë më të varur nga sistemi:  intelektualët, studentët dhe pjesa me madhe e së ashtuquajturës shtresë e mesme janë të gjithë të punësuar brenda sistemit partitokrat oligarkik ose në punë shtetërore apo në mediat që janë pjesë e sistemit. Ndërsa në Itali, me gjithë të metat jo të vogla, Drejtësia funksionon si e pavarur nga politika, duke dhënë një siguri jo të vogël, te ne mungon edhe kjo siguri. Pra, mundësia për të krijuar institucione alternative ndaj sistemit është shumë herë më e vogël.

Një arsye e dytë është vetë kultura autoritare që mbizotëron në Shqipëri, e lidhur ngushtësisht kjo me mungesën e përgatitjes arsimore. Një lëvizje si ajo Cinque Stelle presupozon njerëz më me personalitet më të përgatitur, më të kulturuar. Edhe në këtë aspekt ne kemi krijuar një sistem që po inkurajon paditurinë dhe mungesën e personalitetit.

Mund të rreshtoja edhe arsye të tjera pse, paradoksalisht, mu pse ne i vuajmë shumë më thellë problemet që ka sot politika, shoqëria dhe ekonomia italiane, një lëvizje e tillë i ka shumë më të pakta mundësitë të lindë. Gjithsesi, mendoj se është shumë e nevojshme që ta njohim atë dhe të mund të marrim çfarë mund të marrim prej saj, duke pasur gjithnjë parasysh kontekstin shqiptar.  Shqipëria ka nevojë urgjente për një lëvizje të tillë që t’i japë rrugë paqësore ndryshimit. Përndryshe, situata e krijuar do të precipitojë duke bërë që “zgjidhja” të gjendet në rrugë të gabuara. (Panorama, 12 mars 2013)