Gjatë këtyre viteve kam dëgjuar shumë nga ata – madje
edhe intelektualë – që, kur u thoje se Shqipërinë po e mbyt ekonomia kriminale,
trafiku i drogës, i qënieve njerëzore, të thonin, direkt apo indirekt, se nëpërmjet
kësaj ekonomie, hyjnë edhe para e kështu bëhet edhe ndonjë gjë, hamë edhe ne. Vetë
fakti që nuk është bërë temë shqetësimi primar rreziku që mund t’i sjellë një
shoqërie qënia e pjesës më të madhe të ekonomisë së saj kriminale flet shumë. E
kam trajtuar këtë rrezik para disa kohësh në një shkrim të titulluar: “Të hash
nga ujku”
(Panorama, 1 shkurt 2013) ku flas për një
shoqëri ku “ujqit” dhe “njerëzit” e kthyer në “qenër” të tyre i sheh gjithandej
sëbashku. Sot besoj se jemi në momentin kur rreziqet e ngrënies nga ujku dhe me
ujkun po shfaqen në mënyrën më dramatike të këtyre njëzet vjetëve. Krimi po
kërcënon dhe po vret në mënyrën më spektakolare. Ujqit janë hedhur në aktivitet
të ethshëm. Pa u kapur mirë ujqërit në Vlorë ca ujqër të tjerë hodhën në erë
një makinë në Tiranë. Pastaj erdhën ca kërcënime të tjera për bomba. Dhe, kur
them “ujqërit”, nuk e kam fjalën për bombavënësit, por për mandatuesit e tyre.
Shkaku është se po u rrezikohet “ushqimi”. Njerëzit e
thjeshtë bëjnë të habiturin: ”çfarë po ndodh kështu!” - sepse i shtyn në këtë
miopi instikti i atij që nuk do të besojë se i ka ardhur e keqja në derë, por e
vërteta duhet parë në sy.
Besoj se për të vërtetën që duhet parë në sy flet
shumë “kërcënimi” që i është bërë prefektit të Vlorës Dervishi me vendosjen e
tritolit në makinën e tij. Ai na flet
edhe për shumë bomba e ujqër të tjerë. Leximi im për këtë ngjarje është ky: aksionet
e qeverisë me shembjet e ndërtimeve të kundërligjshme (ku fus edhe atë të
pallatit me pronar vjehrrin e kryetarit të PD-së Basha) kanë prishur ekuilibret
e sistemit të ngrënies nga ujku dhe me ujkun në Vlorë. Nuk do shumë mend për të
kuptuar se “klani” për të cilin foli Dervishi është klani i Kryetarit të Bashkisë
që, sipas meje, i ka lejuar ato ndërtime me parimin “të hash nga ujku”. Prandaj
dhe lëshimi para disa kohësh i Gjikës në duart e drejtësisë nga ana e
socialistëve nuk mund të jetë pa lidhje, direkte apo indirekte, me këtë
kërcënim. Kemi të bëjmë me mesazhin e krimit të organizuar e të lidhur me
politikën që kërcënon qeveritarët e rinj të mos u prekin interesat sepse,
përndryshe, i presin bombat. Është emblematik edhe reagimi i opozitës në këtë
kontekst. Deklarimet e saj se kishte të dhëna të sigurta se bomba ishte vënë
nga vetë Dervishi dhe të tijtë për të justifikuar blindimin e pushtetarëve, si
dhe për të larguar vëmendjen nga problemet e vërteta që ka vëndi, doli se ishte
një akt i pastër depistimi që, sipas meje, meriton jo vetëm një ndëshkim moral,
por edhe hetim ligjor. Kushdo që kërkon
të kuptojë në këtë histori pak më thellë sesa mënyrën si si i prodhonte bombat
i arrestuari Sinani, nuk mund të mos e lidhë këtë reagim të opozitës me faktin
se në pallatin që u shemb në Vlorë kishte një bashkëndarje interesash midis
kastës politiko ekonomike socialiste të Vlorës dhe njerëzve të ish-maxhorancës
kundër interesave të të cilëve qe angazhuar, me shembjen e pallatit, prefekti
Dervishi. Në këtë kontekst “bombëvënësit” dhe “shpërthimet” apo “mosshpërthimet”
e bombave të tyre nuk janë gjë tjetër veçse vazhdim i politikës me mjete të
tjera. Me fjalë të tjera kontrolluesit deri dje të sistemit të “ngrënies nga
ujku dhe me ujkun” ndjehen sot të kërcënuar dhe kërconëjnë.
Pyetjet apo hipotezat që
shtrohen në këtë kontekst janë disa:
E PARA: a kemi të bëjme me një përpjekje serioze
nga qeveria për të luftuar këtë sistem kriminal? Dhe, a mund t’ia dalë kjo
qeveri në këtë luftë apo do të dorëzohet përpara kërcënimeve me tritol? Në këtë
rast shtrohet edhe pyetja se çfarë duhet të bëjnë njerëzit e vullnetit të mirë
që kjo luftë të fitohet nga shteti dhe jo nga sistemi i krimit të organizuar.
E DYTA, (që e kemi në majë të gjuhës në bazë të
përvojës së deritanishme): Apo kemi të bëjmë me një fazë acarimi të luftës së
bandave, pasi banda e re, që sapo ka marë pushtetin, po përcakton kufijtë e saj
të territorit që kontrollon duke ngushtuar territorin e asaj tjetrës? Kam parasysh këtu edhe faktin se ajo që ka
ndodhur në Vlorë, bastion i socialistëve,
tregon se edhe PS ka vepruar me logjikën e bandës dhe, në këtë rast, ose kemi të bëjmë me një
luftë brenda bandës ku “klani” i Gjikës zëvendësohet,
ose me një pastrim që kërkon të bëjë qeveria në emër të luftës kundër krimit,
çka vihet në dyshim kur ke parasysh se disa ditë më parë maxhoranca u akuzua
për përfshirje të vrasëve të tjerë në krahun e vet parlamentar - përveç atyre
që ka pasur.
E TRETA: apo apo, kjo banda e
re që ka ardhur në pushtet është më “humane” apo më “inteligjente”, ka brenda
edhe njerëz të ndershëm, të pakomprometuar deri tani, dhe po përpiqet të bëjë
diçka më shumë edhe për njerëzit, pasi, tek e fundit, nuk mund të injorohen
ashtu krejt edhe kërkesat e njerëzve edhe
presioni ndërkombëtar. Prandaj dhe po ndërmerr disa aksione që i shërbejnë edhe legjitimimit të
saj në sy të opinonit edhe të ndërkombëtarëve, për çka po kërcënohet.
Përballë këtyre pyetjeve nuk mund të mos marrësh në
analizë edhe qëndrimin e opozitës. Është mëse e qartë, sipas meje, se opozita,
ose krahu më i lidhur me krimin i saj, po e inkurajon këtë terrorizëm me bomba,
pasi i intereson. Qëndrimi i opozitës se krimi po shpërthen nga paaftësia e qeveritarëvetë
rinj për të kontrolluar ujqit dhe prandaj vendi po futet në krizë apo se krimin
e ka nxitur qeveria me agresivitetin e saj duhet përkthyer. “Përkthimi”, sipas meje, duhet bërë duke pasur parasysh
se opozita i mshon pikërisht hipotezës
së dytë, se kemi të bëjmë me një revansh kriminal të bandës tjetër, çka ajo e
mbështet edhe me pastrimet masive në administratë nga njerëzit e saj dhe me
goditjet selektive në shembjet që po bën. Prandaj, sipas meje, “përkthimi” që
duhet të bëjnë njerëzit është: kur ishim ne në pushtet i linim ujqit rehat
prandaj duhet të kthehemi ne që të keni “qetësinë” dhe “sigurinë” që gëzonit më parë. Përndryshe
bombat do t’ju afrohen gjithnjë e më pranë pragut të shtëpisë. Nuk është
opozita konstruktive që flet kështu, por ajo që po sheh t’i shkatërrohen
interesat e lidhura me sistemin “të hash nga ujku”.
Ç’duhet të bëjnë në këtë situatë njerëzit e ndershëm e
të vullnetit të mirë, që, për hir të së vërtetës, duken të çorientuar, madje
edhe të frikësuar e të gatshëm për t’i bërë “naftën” këtij vendi? Personalisht mendoj
se ky sistem, që punon edhe me tritol kur nuk ia del me para, duhet refuzuar e
luftuar me çdo çmim. Jemi në një moment kur është bërë më e qartë dhe më
dramatike se kurrë se ku të çon bashkëpunimi me krimin dhe kriminelët. Ne duhet
të kërkojmë me ngulm një qeveri që të veprojë sipas hipotezës së parë: të
luftës pa kompromis dhe pa përkatësi partiake me krimin. Në fakt qeveria nuk e
ka ende kredibilitetin se mund ta bëjë këtë luftë. Duhet drejtësia mbi të
gjitha të dalë në krye. Duhet të bëjë diçka çdo njeri që nuk dëshiron të jetojë
si peng i krimit dhe i kriminelëve, i poshtëruar prej tyre, e që ka sadopak në
dorë, në cilëndo parti qoftë, në cilëndo strukturë të Prokurorisë apo Gjyqsorit dhe në cilëndo medie apo shoqatë të shoqërisë
civile qoftë. Dhe kjo diçka me një fjalë tjetër mund të quhet sakrificë dhe
kurajo, jo vetëm për të mos ngrënë me ujkun, por edhe për të luftuar me të. E
kjo nënkupton edhe sakrificën e jetës: mjaft të kesh parasysh se në Italinë
fqinje lufta me ujkun i ka kushtuar jetën shumë shërbëtorëve të shtetit, të ligjit
e të së vërtetës, qofshin politikanë, gazetarë, njerëz të drejtësisë, të policisë,
njerëz të thjeshtë. Rrugë tjetër s’ka. Përndryshe do të vazhdojmë (edhe pak
kohë) të jetojmë si ai gomari që i dukej se ishte në ëndërr kur po e hante
ujku. (Panorama, 1 shkurt 2014)
No comments:
Post a Comment