Me një deklaratë
të tij të botuar në Gazetën Panorama më 3 shkurt Kryetari i Bashkisë së Vlorës
Shpëtim Gjika më sulmon si “pseudogazetar” e “pseudoopinionist” nisur nga
shkrimi im i datës 1 shkurt me titull “Ujkun e kemi prapa derës”. Në atë shkrim,
duke marrë shkas nga tmerret e atentateve me tritol të kohëve të fundit, them,
mes të tjerash, se për çfarë qëndron prapa tyre flet shumë edhe “kërcënimi” që
i është bërë prefektit të Vlorës, Dervishi, me vendosjen e tritolit në makinën
e tij. Sipas asaj çka di unë sot për sot
nga mediat, këtë bombë ia ka vënë një njeri që, deri në shtator 2013, ka punuar
në Bashkinë e Vlorës, që paska disa biznese në Vlorë dhe të cilit, së fundi, me
rastin e shembjeve në bregdet nga qeveria, i është prishur edhe një parkim ngaqë e ka
pasur pa leje. Sipas meje duhet të jesh fare pa tru që të mos mendosh se këtë
parkim ky e ka siguruar nga lidhjet me
pushtetin në Vlorë ku njeriu më i pushtetshëm dhe mbrojtës i parë i ligjit
është, apo duhet të jetë, ish prefekti dhe tani Kryetari i Bashkisë Shpëtim Gjika.
Kështu që, kur prefekti i kërcënuar me bombë, Dervishi, deklaroi se dihet se
cilit klan i përket bombëvënësi, se atentati është punë e krimit të organizuar
dhe se ai do të vazhdojë luftën kundër informalitetit, duhet të jesh dy herë pa
tru të mos mendosh se ai po aludon qartazi për Gjikën, i cili, për më tepër,
është edhe i akuzuar në Prokurori për lejimin e informalitetit në Vlorë. Pra, besoj
se është e drejta ime si gazetar që kërkon të vërtetën t’i bëjë këto arsyetime –
që, në fakt, i bën çdo qytetar - dhe të arrijë në konkluzionin se aksionet e
qeverisë me shembjet e ndërtimeve të kundërligjshme (ku fus edhe atë të
pallatit me pronar vjehrrin e kryetarit të PD-së Basha) “kanë prishur
ekuilibret e sistemit të ngrënies nga ujku dhe me ujkun në Vlorë”… e se, me
bombën në makinën e Dervishit, “kemi të bëjmë me mesazhin e krimit të
organizuar e të lidhur me politikën që kërcënon qeveritarët e rinj të mos u
prekin interesat sepse, përndryshe, i presin bombat.” Në hipotezat që ngre më
tej nuk mungon ajo se këtu mund të kemi të bëjmë edhe me zëvendësimin në Vlorë
të “klanit” të Gjikës me ndonjë “klan” tjetër të PS-së.
Përpara kësaj
analize, që më duket se është minimumi që mund t’i kërkohet një gazetari nga lexuesi
i tij që të mund ta quajë gazetar, Gjika shpërthen me akuza dhe epitete, pa
hyrë aspak në përmbajtje për ta kundërshtuar në mënyrë bindëse. E vetmja gjë që
thotë, përtej epiteteve fyese, është: o provojeni në Prokurori se unë jam
mafjoz ose mos flisni. Por unë nuk është se po flas (gabueshëm) si gazetar
investigativ që kërkon të provojë (pa fakte) se bombëvënësin e urdhëroi drejtpërdrejt Gjika.
Unë them - me plot gojën dhe me të drejtën time të fjalës – se, në këtë
histori, përgjegjësia, direkte apo indirekte, morale, politike, por ndoshta edhe
ligjore e Gjikës për lidhje me njerëz të tillë që janë të gatshëm të venë bomba
është evidente dhe se këto lidhje, që po na bëjnë të mos dallojmë më se ku
mbaron politikani dhe ku fillon bombëvënësi, e se cili është më i rrezikshëm, janë
fenomen i përhapur në krejt vendin që shtron pyetjen e madhe dramatike se
ç’duhet të bëjmë ne për të çliruar politikën dhe ekonominë nga kapja prej
krimit. Sikurse dihet, si për koincidencë, për këtë foli së fundmi edhe vetë
Kerry.
Për ilustrim,
shikoni se ç’po del nga vrasja dhe vrasja e mbetur në tentativë në Durrës. Një
i ashtuquajtur “bizmesmen” i fuqishëm i gazit nuk heziton të paguajë 120 000
euro për të hedhur në erë një biznesmen tjetër i cili i paska prishur biznesin
apo i bëka konkurrencë apo nuk i ka paguar para – një dreq e merr vesh pse.
Deri këtu jemi në nivelin e “nëntokës” mafjoze dhe mund të ishim të qetë sikur
në “mbitokë” të kishim institucionet tona që na mbrojnë nga këta biznesmenë.
Por ja që s’mund ta kemi këtë qetësi sepse, së pari, na del përpara pyetja: si
i kanë fituar të drejtat nga pushteti për të ushtruar aktivitetet e tyre këta
biznesmenë që kuptohet se, kur bëjnë këto gjëra, mund të kenë bërë edhe shumë
të tjera duke filluar nga mënyra e vënies së parave? Së dyti, na del se ky
biznesmeni na qënka kaq i fuqishëm saqë ka njerëzit e tij në polici që e
mbrojnë. E kanë mbrojtur deri në atë pikë saqë kjo mbrojtje bëri që t’i ikë
koka një tjetër biznesmeni pasi bashkëpunëtorit të vrasësit të paguar nga
biznesmeni nuk iu pranua në kohë denoncimi - çka bëri që shoku i tij të kryejë
edhe një vrasje tjetër. Sipas versionit të opozitës, që po e marr, gjithsesi,
me rezerva, por që pres të përgënjeshtrohet, lidhjet e besnesmenit bombëporositës
të çojnë që nga shefat e komisariatit në policinë e Durrësit deri tek Ministri
i Brendshëm.
Çfarë duhet të
bëj unë si gazetar dhe qytetar përpara këtyre fakteve të tmerrshme që dëgjoj i
pa ndihmuar as nga organet tona të drejtësisë e as nga politikanët tanë, madje
shpesh i dizinformuar prej tyre pasi o janë të lidhur vërtet me këta lloj
biznesmenësh o kanë vetëm hallin e
pushtetit apo parasë së tyre? Mos duhet të rri i qetë me mendimin se “ai
gjarpër që s’më kafshon mua rrnoftë 100 vjet.” Por kjo s’është çështje vetëm
personale. Ne jetojmë në një shoqëri dhe këto që po ndodhin kanë helmuar tërësisht
klimën e shoqërisë ku jetojmë, ndjenjën e sigurisë së jetës e të shpresës për
një të ardhme më të mirë për veten dhe fëmijët tanë. Disa, me ndihmën e
gazetarëve militantë, të sugjerojnë taktikën: “futu në njërën bandë e sulmo të
tjerët, që të jesh i mbrojtur.” Këtë bën edhe Gjika në deklaratën e tij kur i thotë
Dervishit: “Ke bërë gol në portën tonë.” Pra ai duhet të harrojë se iu rrezikua
koka mu në “portën e tij”. Ata të opozitës, nga ana e tyre, ulërijnë sikur i
gjithë ky krim të ketë mbirë e rritur për gjashtë muaj kur të gjithë e dinë se
ai është rritur e fuqizuar edhe gjatë tetë vjetëve që kanë qenë ata në pushtet.
Kush nuk i pranon
gjysëm të vërtetat e këtyre për të mos e quajtur veten as të shitur dhe as
budalla i mbetet të futë kokën në rërë
si struci. Por kjo do të thotë të jetosh me frikën e këtyre banditëve, si në
kohën e Enver Hoxhës: “Mbylle gojën se përndryshe…!” e të harrojmë se historia
na e ka provuar shumë herë atë thënin e vjetër tonën: “Ç’ka sheh në kodër,
prite në votër.”
Pastaj, më thoni,
si mund të jesh i qetë kur sheh që njeriu më i fuqishëm i vendit bën edhe ai
rolin e një struci që ka futur kokën në rërë si struci. E kam fjalën për
Kryeministrin. Në fakt po e krahasoj ironikisht me strucin sepse, për mua, ai
ka një përgjegjësi të madhe për “afrimin” e krimit në politikë dhe shndrrimin e
kësaj në luftë bandash. E them këtë duke
parë së fundmi edhe mosreagimin e tij përballë këtyre ngjarjeve tragjike apo kërkesën
që i ka bërë në grupin parlamentar deputetit
Frroku lidhur me kërcënimet dhe fyerjet që ky i ka bërë Jozefina Topalli. Vini
re: në një kohë kur në Shqipëri kanë shpërthyer bombat e vrasësve me pagesë, ka
dalë në shtypin belg një akuzë e rëndë: se deputeti Frroku, që bën pjesë në
maxhorancën e Kryeministrit, është një vrasës i kërkuar nga drejtësia belge. Ta
do mendja që një kryeministër i angazhuar në luftë kundër krimit të organizuar
do të duhej të alarmohej për këtë dhe të vinte në lëvizje të gjitha institucionet brenda dhe jashtë vendit
për ta sqaruar çështjen. Ta do mendja se përpara një akuze të tillë minimalisht
grupi parlamentar socialist t’i kërkonte atij dorëheqjen deri në momentin që të
sqarohej e vërteta. Mirëpo çfarë ndodh: jo vetëm që s’bëhet asgjë e tillë, por,
kur opozita kërkon sqarime për këtë çështje, deputeti i dërgon Jozefina
Topallit një sms me fyerje dhe kërcënime. Dhe ç’bën Kryeministri ynë? I kërkon deputetit
në mbledhjen e grupit parlamentar thjesht t’i kërkojë ndjesë Topallit për gjuhën
jo të hijshme që ka përdorur ndaj një gruaje. Ej, luani vendit! E kuptoni se ku
jemi katandisur? Kjo është si t’i kërkosh ujkut që të tregohet i kujdesshëm për
formën e hungërimave që nxjerr nga goja ndërkohë që ky të ka ngulur dhëmbët e
ka në plan të të shqyejë.
Jo, punët janë
shumë keq, të dashur bashkëqytetarë. E di se disa, të cilëve nuk u intereson
gjë tjetër përveç “shëndetit” të bandës së tyre, do të më thonë: po ç’bëri
Jozefina Topalli kur ishte në pushtet për të ndaluar këta njerëz? A nuk del
edhe nga sms-ja që i ka dërguar Frroku se edhe ajo paska bashkëpunuar me të? E
vërtetë, prandaj dhe them se punët janë keq, shumë keq. Ngjarjet që po ndodhin,
kërkesat edhe të miqve ndërkombëtarë,
kërkojnë që njerëzit e vullnetit të mirë të maxhorancës dhe opozitës të bëjnë
një pakt të rëndësishëm historik për pastrimin e politikës dhe ekonomisë nga krimi,
një pakt ku t’i japin mbështetje drejtësisë të veprojë pa marrë parasysh
përkatësi partiake. Por kjo u duket disave aq e pamundur, për shkak të fuqisë
që ka krimi mbi partitë, drejtësinë, mediat, shoqërinë, ekonominë, krejt
shtetin sa që këshilla më “e urtë” që të japin është: hani atë copë bukë dhe
mbyllni gojën ose ikni një sahat e më parë nga ky vend sa pa ju plasur ndonjë
bombë në makinë. Por kjo është një këshillë e gabuar. Krimi duket shumë i fortë,
por kjo ndodh vetëm për shkak të nënshtrimit, indiferencës dhe dobësisë sonë. Ai
përfaqëson gjithsesi interesat e një pakice që, sikur sejcili të ngrinte pjesën
më të mirë të vetes së vet e ta luftonte, ai do të futej shumë shpejt në
“nëntokën” ku i përket të jetojë. (Panorama, 5 shkurt
2014)
No comments:
Post a Comment