Për Ilir Metën po
flitet shumë kohët e fundit. Ka ndikuar ndoshta edhe një lajm që nuk u pasqyrua
shumë, ose u pasqyrua keq në media por që, edhe për shkak të kësaj, përflitet edhe
më shumë në korridoret e saj, e më gjerë. E kam fjalën për festimin e ditëlindjes
së tij para disa ditësh. U tha se kishte ndonja 600 të ftuar nga të gjitha
llojet: kryesisht politikanë, (të maxhorancës dhe të opozitës), gazetarë (afër
maxhorancës dhe opozitës), biznesmenë (afër maxhorancës dhe opozitës) dhe
shoqëri civile (afër maxhorancës dhe opozitës). Ashtu sikurse edhe peshqeshet u
tha se qenë të të gjitha krahëve.
Ka shumë komente
lidhur me qëllimin pse e festoi me kaq madhështi këtë ditëlindje Iliri.
Normalisht në një shoqëri ku mezi gjen dy tre miq të sinqertë për t’i ftuar me
rastin e ndonjë feste të tillë, që sipas meje duhet të jetë intime, me njerëzit
më të afërt, afërmendsh s’mund të mendosh se këta 600-tët qenë miq për kokë të
cilët ai s’kishte si bënte pa i ftuar, që të gjithë.
Sigurisht festimi
kishte kuptim tjetër; po çfarë kuptimi? Dëgjova hipotezën se Iliri, realist dhe
pragmatist, po sëmuret nga mania e madhështisë, se ka humbur sensin e realitetit
dhe se ndërsa deri dje nuk kishte shumë qejf ta tregonte pasurinë tani ka qejf
ta tregojë edhe pse jetojmë në një situatë të tillë, ku festa të tilla
kontrastojnë dramatikisht me varfërimin e shqiptarëve. Dikush tjetër tha
pikërisht të kundërtën: se edhe kjo ditëlindje, e festuar kështu, bën pjesë në
pragmatizmin e Ilirit. Me fjalët të tjera se ai po aspiron për presidentin e
shqiptarëve ngaqë është figura që, më mirë se kushdo, mund t’i bashkojë të
gjithë, kur ke parasysh edhe Edi Ramën e Berishën që dinë vetëm të ndajnë e
përçajnë. Nuk di të them se cila është më e vërtetë edhe pse mendoj se njëra
hipotezë nuk përjashton tjetrën. Në fakt kjo elita jonë ka filluar t’i kthejë
si çështje statusi, ashtu si edhe shtrenjtësinë e makinave, këto festimet private
ku çdonjëri i bën karshillëk tjetrit, aq më tepër kur ka përballë vetëm
vetveten dmth. njerëz që s’kujtohen e s’guxojnë t’u kërkojë se me çfarë parash
i kanë ngritur këto pasurira në mes të kësaj varfërie, por që presin, me ankth,
të dinë nëse i kanë ftuar apo jo edhe ata në festë. Në mungesë të këtyre skrupujve, festa fare
mirë mund të përdoret për të mikluar vanitetin e, njëherësh, të ndihmojë në
lojën e pushtetit; në rastin e Metës, pra, për të “bashkuar” sa më shumë njerëz
në rrethin e tij. E vura në thonjëza fjalën bashkim pasi me të dua të shpreh
ato kuptime të shumta të atyre nuancave “soft” apo “hard” të punës së Ilirit
për të bërë sa më shumë njerëz për vete dhe që qëndron në bazën e suksesit të
partisë së tij. Prandaj, në komentet për ditëlindjen, “bashkimi” u përfol më
shumë se sa fakti se disa nga personazhet e tryezës kryesore ishin ndërruar:
ndërsa tre vjet më parë - me rastin e ditëlindjes së të shoqes - në tryezën
kryesore kishte familjarë të Berishës tani ishte Edi Rama me të tijtë. Jo, më i
rëndësishëm ishte fakti se aty, simbolikisht, ishin bashkuar të gjithë: me në
krye Ramën e gazetarët e Topit që kanë dashur t’i bëjnë varrin Ilirit më 21
janar e se, prandaj, përballë këtij “bashkimi”, zor se del kush të guxojë të
thotë ndonjë fjalë të keqe.
Prandaj ky “bashkim”
rreth Ilirit, për mendimin tim, ka rëndësi politike, jo thjesht personale. Ditëlindja
e tij për mua tregoi se ai është shtylla e sistemit që kemi ngritur, ku, siç e
kam shkruar edhe herë tjetër, me “sistemin” kam parasysh dy anë të së njëjtës
medalje: mënyrën se si funksionon oktapodi shumëkëmbësh i pushtetit politik,
ekonomik, mediatik, gjyqësor në Shqipëri dhe elitën që lëviz tentaklat e këtij
oktapodi. Me fjalë të tjera: më një anë klientelizmin, monopolet, korrupsionin,
dhe, më anë tjetër, klientizuesit, monopolizuesit, korruptuesit.
Shkurt, Ilir Meta
mund të quhet sot për sot edhe njeriu më i fuqishëm i Shqipërisë. Nëse sistemi
do të vazhdojë të funksionojë kështu ai do të bëhet vërtet president i ardhshëm
i vendit, siç parathonë ata që ishin në ditëlindje. Sa më shumë kalon koha aq
më shumë forcohet Ilir Meta “që i di mirë punët e veta”, njeriu që “politikën e
konsideron maratonë dhe jo sprint”, siç thanë të majtë dhe të djathtë për të me
rastin e ditëlindjes.
Megjithatë,
paradoksalisht, Ilir Meta është edhe njeriu më i dobët i Shqipërisë pikërisht
pasi është njeriu më i fortë. Le ta shpjegoj këtë dobësi që disa nuk e shohin,
por që është aty, si hija e Ilir Metës, që e ndjek atë hap pas hapi në
maratonën e tij.
Në të dy krahët e
Ilir Metës janë dy parti që, po t’u ndjekësh retorikën, që të dyja nuk bëjnë
gjë tjetër veçse sulmojnë sistemin për të fituar simpatinë e munguar të asaj që
mund të quhet shumica e shqiptarëve. Edi Rama kur premtoi “rilindjen” a nuk na
premtoi goditjen e sistemit, eliminimin e monopoleve, një drejtësi të pavarur
që do të dënojë krimin dhe korrupsionin, pavarësimin e medieve nga pesha e
rëndë e pronarëve etj. etj.? Tani që ka dalë në opozitë a nuk po bën të njëjtën
gjë edhe Berisha dhe Lulzim Basha.
Ja pikërisht kjo
është edhe dobësia e Ilir Metës. Shqipëria nuk mund të bëjë dot përpara – edhe
në sytë e Evropës – pa ndryshuar sistemin shtyllë e të cilit, me të drejtë apo
pa të drejtë, konsiderohet pikërisht Ilir Meta.
Po të dëgjosh se
ç’thuhet në prapaskenë për Ilirin, që sot për sot në skenë nuk e godet thuajse askush,
do të dëgjosh një muzikë krejt tjetër nga ajo e ditëlindjes. Nga ish aleatët, opozitarët
e sotëm, ai trajtohet si shkaku i humbjes së zgjedhjeve. Ishte aleanca me një
parti të korruptuarish, si ajo e Ilir Metës, që prishi edhe imazhin e PD-së së
pastër me Saliun, njeriun e ndershëm, në krye të saj. Në anën tjetër është
shumë i madh numri i atyre socialistëve që, kur flasin për Edi Ramën, njeriun
që me idealizmën e tij, punon vetëm për historinë, kur vjen puna për mashtrimet
e tij të shumta, prapë alibinë e gjejnë tek Ilir Meta, “plehra” me të cilin
duhej bashkuar për të rrëzuar Berishën, e që përsëri po bëhet pengesë për të
realizuar premtimet tona. Ja pra, paradoksi:
dy partitë tona mbijetojnë politikisht me fjalime kundër sistemit që me vepra e
kanë ngritur vetë (sëbashku me Ilir Metën sigurisht); e, në këtë lojë i vetmi
që s’ka shans të ndahet nga sistemi, sepse ka qenë vazhdimisht në pushtet,
është Ilir Meta, që me zgjedhjet që ka bërë është i destinuar të qëndrojë si
shtyllë e palëkundur e sistemit.
Sigurisht as Edi
Rama, as Sali Berisha, as Lulzim Basha sikurse as Ilir Meta e festexhinjtë e ditëlindjes
së tij nuk kanë interes të bjerë sistemi. Mjaft të shohësh heshtjen thuajse
totale të gazetarisë ndaj skandalit të ditëlindjes së tij. Interes për këtë
kanë vetëm shqiptarët që, sa më shumë festa të tilla shohin, aq më shumë i gjykojnë
këta festexhinj siç gjykonin dje nomenklaturën komuniste. Mirëpo problemi është
se këta shqiptarë janë shumica dhe, çka është më e keqja, ky sistem nuk mund të
qëndrojë dot gjatë më këmbë kështu siç është ndërtuar pasi këta e kanë ndërtuar
shumë shumë keq, edhe kundër interesave të tyre afatgjata. E në momentin që do
të bjerë të gjithë do të turren, me të drejtë apo pa të drejtë, kundër Ilir
Metën si shtylla e urryer e sistemit. Ja kjo është hija e dobësisë që e ndjek
hap pas hapi Ilirin në maratonën e tij drejt presidencës. Në fakt është hija që
prodhon drita e së vërtetës që vonon, por nuk harron. (Panorama, 29 mars
2014)
No comments:
Post a Comment