Sot po flitet shumë për mungesën e dialogut e
të konsensusit midis maxhorancës dhe opozitës si pengesë e zhvillimeve pozitive
në Shqipëri. Ajo që bije në sy është se flitet thuajse vetëm duke iu referuar deklaratave
të ndërkombëtarëve, duke i lidhur me statusin e Shqipërisë – a thua se e keqja
më e madhe që i vjen vendit nga mungesa e dialogut është mosmarrja e këtij
statusi të mallkuar. Së fundi Moore u bëri thirrje udhëheqësve politikë
shqiptarë të shohin se si u arrit dialogu midis udhëheqësve kosovarë dhe atyre
serbë duke synuar, kësisoj, në një farë mënyre, t’i verë në sedër politikanët
shqiptarë. Fyle nga Brukseli deklaroi, po ashtu, se e mirëpret vullnetin e
maxhorancës për dialog me opozitën.
Sipas mendimi tim mënyra se si po shtrohet
kjo çështje përmban një gabim të madh për të cilin po kontribuojnë edhe ndërkombëtarët.
Gabimi qëndron në dy aspekte: në atë se statusi dhe konsensusi apo dialogu po
mistifikohen shumë: a thua se arritja e statusit dhe e dialogut të jenë një
qëllim në vetvete dhe jo tregues të arritjeve të vërteta demokratike në
Shqipëri dhe, e dyta, se pikërisht duke u trajtuar kështu, në mënyrë kaq
sipërfaqësore, po bëhet gjithka për t’u inskenuar një lloj dialogu (nëpërmjet
psh. takimit Rama - Basha), që, do të thotë, duke ua ngarkuar këtë detyrë
liderëve të partive kryesore politike, pa kuptuar se e keqja e mosdialogut janë
pikërisht ata dhe se, prandaj, për të arritur dialogun e vërtetë politik në
Shqipëri, në mënyrë që vërtet të ndryshojë gjendja, duhen kërkuar rrugë të
tjera.
Them “rrugë të tjera” pasi kjo rrugë ka bërë
që politikanët tanë, të cilët në thelb nuk kanë asnjë interes që ne të hyjmë në
Evropë, përveç se që të fitojnë sa më shumë legjitimitet ndërkombëtar në bëmat
e tyre kundër interesit të shqiptarëve, të gjejnë mënyrat efikase për t’iu
shmangur rrezikut të hyrjes vërtet në Evropë, çka, për ta, do të thotë bërje e
Shqipërisë një shtet i së drejtës, që, po të funksiononte vërtet, do t’i
eliminonte bandat politike që kryesojnë ata.
Mënyra kryesore që kanë gjetur politikanët
tanë është kthimi i tyre në një kafshe politike që ka mësuar gjithnjë e më mirë
përdorimin e një gjuhe të dyfishtë: një për ndërkombëtarët, në sytë e të cilëve
bëjnë garë se cili është më demokrat, më i gatshëm për konsensus dhe dialog dhe
një tjetër, konfliktuale, për brendapërbrenda vendit. Kjo gjuhë është zhvilluar
në atë nivel sa vihet re edhe një “ndarje pune” midis pëllumbave dhe skifterëve
në partitë reciproke, ku të parët bëjnë të moderuarit, kurse të dytët vazhdojnë
të mbajnë ndezur ndjenjat e urrejtjes për kundërshtarin.
Në fakt gjendja në terren është e tillë sa që
t’u thuash shqiptarëve se dialogu është i mundur është njëlloj sikur t’u thuash
se është e mundur të ketë dialog midis tigrit dhe luanit se kush do ta hajë një
pre. Këtë askush nuk e beson sot me çfarë i kanë parë dhe i shohin sytë. Mjaft
të kesh parasysh “kacafytjet” midis Berishës dhe Ramës në Parlament për të
kuptuar se ku është niveli i mundësisë së tyre për dialog. Por ndërkaq nuk
mungojnë deklaratat si ajo e Ramës në Bruksel se qeveria ngulmon të përfshijë
edhe opozitën në reforma apo e Majlinda Bregut që deklaroi se PD-ja e mbështet edhe
ajo fort integrimin e Shqipërisë. Vini re gjuhën e dyfishtë. Kur bëhet fjalë
për vlerësimet e të dy palëve për qeverisjet reciproke nuk gjen karbon më të zi
se sa ai me të cilën e vizatojnë ata njëri tjetrin. Rama e të tijtë të
tmerrojnë kur i dëgjon të denoncojnë ato që ka bërë Berisha në vitet e qeverisjes
në të gjitha sferat me grabitjen e pasurive të shqiptarëve, me kapjen e
institucioneve e me radhë. Berisha e Basha nuk lenë gjë pa thënë kur denoncojnë
mashtrimet elektorale, lidhjet e maxhorancës me krimin, arbitraritetin dhe
arrogancën e saj duke parashikuar një të ardhme si e Greqisë për Shqipërinë. Atëherë,
kur gjendja për të dy palët është kaq katastrofike, le të na thonë të dy palët
se përse e meritoka Shqipëria statusin e vendit kandidat, për të cilin të dy
palët thonë se u qan zemra me konsensus?
Po polemizohet këto ditë mbi marrëveshjen që
ka bërë qeveria me FMN-në. Edhe një herë, si përherë, opozita po u bije kambanave
të alarmit me fjalët “rrënim” “shkatërrim” i së ardhmes së shqiptarëve. Edhe
një herë, si përherë, maxhoranca akuzon se këto po bëhen për faj të opozitës që,
kur ishte në pushtet, abuzoi sa mundi me shqiptarët dhe, sigurisht, po hesht
për premtimet që s’po i mban e që rezultojnë mashtrime.
Në këto kushte, pra, askush prej tyre nuk
ulet të shohë realitetin e të bëjë dialog për atë se si mund ta ndryshojmë gjendjen
që të dy palët e quajnë katastrofike. Sepse, që të bëjnë këtë, duhet që opozita
të njohë përgjegjësitë për atë se ka dështuar në qeverisjen e saj dhe
maxhoranca se ka mashtruar kur ka bërë premtime elektorale të pambajtëshme e
se, në shumëçka, po vazhdon të njëjtën rrugë të ishëve të tyre.
Dialogu do të duhej të fillonte pikërisht këtu:
në njohjen e kësaj përgjegjësie të dyfishtë. Por është pikërisht kjo që as u
shkon ndërmend bajlozëve tanë me gjuhë të dyfishtë. E kjo histori duket se do
të vazhdojë pa fund, gjithnjë me gjuhë të dyfishtë.
Prandaj gjykoj se problemi i vendosjes së
dialogut duhet nisur nga kërkimi i rrugëve të tjera, edhe nga ndërkombëtarët, për
ta ndërprerë këtë gjuhë të dyfishtë, që ata e stimulojnë duke e përdorur edhe
vetë. Dialogu mund të fillojë vetëm kur janë të qarta përgjegjësitë për këtë
gjendje dhe të vendoset drejtësia, dhe jo duke u bërë thirrje përgjegjësve me
shpresë se do tu vijë një ndriçim hyjnor e të kthejnë rrugë. Sepse historia e politikanëve
tanë tregon qartë se sa më shumë rrinë në pushtet aq më shumë ndjehen të
paprekshëm dhe të pandëshkueshëm, aq më shumë bëhen paranojakë, të
papërgjegjshëm dhe jashtë kontaktit me realitetin, aq më konfliktual brenda e
aq më hipokritë jashtë. Pra këtu qëndron problemi edhe me ndërkombëtarët. Edhe
ata nuk arrijnë t’i vënë politikanët tanë përpara përgjegjësisë pasi i
konsiderojnë interlokutorët e vetëm. Aq më pak u shkon ndërmend të nxisnin në
Shqipëri një përmbysje të këtyre interlokutorëve, pasi kanë frikë se edhe më
keq do të bëhej gjendja në një kohë kur punët në Evropën e Bashkuar po shkojnë
rrokopujë pasi fronti i antievropianëve po rritet dita ditës. Prandaj s’ka më
komod se sa me ta në këtë gjendje që është Shqipëria – në fakt siç e kanë
katandisur ata. Burokratët e Brukselit mbajnë hapur bisedimet e një procesi me
interlokutorë që flasin gjuhën që ata duan të dëgjojnë, kurse kusuret e gjuhës
tjetër të këtyre interlokutorëve, që ata i legjitimojnë përditë, i paguajnë
shqiptarët.
Kjo analizë të çon në përfundimin se para së
gjithash dialogun duhet ta imponojnë shqiptarët, dhe jo për statusin e hyrjes
në një Evropë, që s’dihet a do të ekzistojë kur t’u vijë radha shqiptarëve për
të hyrë, por për të zgjidhur hallet e tyre. Dhe që ta bëjnë këtë duhen së paku
tre gjëra të rëndësishme sa vetë demokracia:
Së pari, do të duhej një opinion publik që të
shprehej nëpër media, nëpërmjet shoqërisë civile, nëpërmjet protestave e të
gjitha mjeteve demokratike, deri edhe nëpërmjet akteve të mosbindjes civile,
kundër kësaj politike. E pamë forcën e një trysnie të tillë vetëm në protestat
kundër armëve kimike. Ajo duhet të zgjerohet në të gjitha fushat se rreziku dhe
e keqja që i ka ardhur dhe i vjen Shqipërisë nga ky lloj konfliktualiteti
irracional i klasës sonë politike është më i madh sesa ai i armëve kimike. Vetëm
nën trysni të tilla politikanët tanë do të ishin shumë më të përgjegjshëm,
prandaj dhe më të gatshëm për të pranuar përgjegjësitë dhe për të hapur dialog.
Së dyti, na duhet një drejtësi e pavarur që zbaton
ligjin dhe vetëm ligjin për të gjithë njëlloj. Një drejtësi e tillë do të eliminonte
konfliktualitetin shkatërrues midis partive politike, të mbetur gjithherë pa
ndëshkimin e fajtorit, duke i bërë politikanët shumë më të përgjegjshëm në ato
që bëjnë, dhe që s’bëjnë. Sepse, tek e fundit, edhe konflikti politik duhet,
madje është edhe i dobishëm e konstruktiv, por vetëm kur ka një arbitër që i
jep të drejtë njërit apo tjetrit.
Së treti, na duhet çlirimi i shteti dhe i
institucioneve të tij nga kontrolli i partive partitë. Një shtet me
institucione që funksionojnë në interes të qytetarit dhe jo të klientelizmit të
partive, nuk do të lejonte të ndodhte ajo që ndodhi psh. kur u arrit konsensusi
për administratën dhe, megjithatë, nuk u respektua pasi, gjithnjë duke përdorur
gjuhën e dyfishtë, të dy partitë e kanë si rregull të veprojnë më një anë duke
aprovuar ligje evropiane e më anë tjetër duke kapur shtetin për interesat e
klientelës së tyre.
Edhe ndërkombëtarët, me aq sa kanë mundësi e
ndikim, duhet të punonin shumë më fort për të rritur këtë trysni se sa për të
ulur Ramën e Bashën në tryezën e një dialogu të rrejshëm ku të bëjnë sikur e të
na thonë se, përsa i përket statusit, të dy palët janë në konsensus të plotë.
Kështu siç janë punët brenda vendit, shqiptarët duhet të mos manipulohen nga konsensusi
i partive politike pro statusit, por të ngrenë pyetjen: kujt i shërben më shumë
statusi, interesit të tyre apo atij të udhëheqësve politikë për tu legjitimuar në
mënyrë që të lehtësojnë, kësisoj, sundimin e tyre kundër interesave të shqiptarëve. (Panorama, 5 Prill 2014)
No comments:
Post a Comment