Saturday, August 16, 2014

Numri IMEI dhe qimja në tra


Lexova para disa ditësh, nëpërmjet rrjetit, një përgjigje shpjeguese që ka dhënë zëdhënësja e ministres Harito, pas kërkesës së gazetarit Gjergj Erebara, lidhur me projekt vendimin për të detyruar qytetarët që të japin numrin IMEI të celularit.
Ishte një shpjegim që nuk më bindi aspak ta jap numrin IMEI të celularit im. Po jap këtu disa nga argumentet që më lindën aty për aty.
Së pari më ra në sy se në atë tekst nuk denjohej, edhe për respekt të shqetësimit që përmban kjo kërkese e qeverisë, të thuhej qoftë edhe një fjalë e vetme për faktin se cënimi i privatësisë, gjithsesi, është një problem. Madje nga më të debatuarit sot pikërisht në botën që përmendet aty si argumenti i parë duke thënë se kështu bëhet edhe në Francë apo gjetkë. Nuk po hyj ta trajtoj këtu tematikën e privatësisë kaq pak të respektuar në Shqipëri, por me dy fjalë do të thoja se çështja përmblidhet në atë se duhet të ketë gjithnjë një raport bindës në favor të përfitimeve që kemi kur vendosim të japim diçka nga privatësia jonë. Dhe duke pasur parasysh se, siç shkruajnë mjaft autorë që janë marrë me këtë temë, dhënia e numrit IMEI-t bën që jeta jonë private të bëhet një libër i hapur për institucionin që do të ngarkojë qeveria me këtë punë, problemi nuk është i vogël. Sa për ilustrim po them vetëm një rast. Selman Ruzhdiu, edhepse i kërcënuar me jetë, bëri si bëri dhe e çliroi veten nga skorta që e shoqëronte gjithkund që të gëzonte privatësinë e tij. Kurse ne po na propozohet një "skortë" elektronike që supozohet se mund të na shoqërojë hap pas hapi për të na mbrojtur… nga çfarë?
E këtu vijmë tek argumentet që jep shpjegimi që lexova.
Argumenti i parë është se "Telefonat celularë smartphone kanë shumë vlerë në treg. Për rrjedhojë janë objekt vjedhjeje dhe vjedhjet krijojnë një treg informal e mbajnë gjallë rrjete kriminale."  Siç e kuptoj unë këtë frazë celularët mund të vidhen që të tregtohen dhe kjo mban gjallë me para hajdutët e celularëve. Mua më duket se ky argument mund të bëjë për të qeshur edhe vetë hajdutët e celularëve sepse kjo është vjedhja më banale që mund të ndodhë në këtë vend ku për të bërë para nga Veriu në Jug shqiptarët kanë regëtuar deri edhe njerëzit, kanë mbjellë marjoanë e çfarë nuk kanë bërë. Bën për të qeshur edhe më ata që celularët i ndërrojnë si fëmijët lodrat, për të blerë atë më të shtrenjtin e radhës. A nuk gjeti qeveria ndonjë regjistrim më të rëndësishëm sesa ky për të luftuar krimin? Psh. llojet e makinave që kanë në përdorim qytetarët apo numrat e shtëpive e apartamenteve që zotërojnë në mënyrë që t'i ballafaqojë pastaj me të ardhurat që fitojnë ligjërisht që të justifikojnë këtë pasuri si dhe taksat që kanë paguar mbi këto të ardhura?
Por, në parim, edhe sikur celulari e rrobat e trupit t'i kemi të gjitha prej ari a ia vjen të japim privatësinë tonë për t'i ruajtur ato nga vjedhësit? Për mua kjo është sikur, meqenëse ti ke në shtëpi sende të shtrenjta, qeveria të vendosë që nëpër të gjitha dhomat e shtëpisë tënde të ketë kamera që do të kontrollohen nga një ekip në Ministrinë e Brendshme në mënyrë që, nëse hyn e të vjedh ndonjë hajdut, ta kapë  që të luftojë kështu kriminalitetin. A ia vlen kjo mbrojtje kur ti jeton me idenë se gjatë kohës kur në shtëpinë tënde nuk do të shëtisin hajdutë këta të ekipit mund të kullosin sytë duke parë se çfarë stilesh përdori ti për të bërë seks, me kë e bën atë, me bashkëshortin/en apo me ndonjë tjetër, se si e ke stilin e urinimit, të dhjerjes e me radhë e me radhë. Dhe pastaj, me idenë se po pate ndonjë pretendim politik apo bën ndonjë punë që s'i pëlqen qeverisë ata e kanë atje filmin e mund të ta nxjerrin.
Pra, lidhur me argumentin e parë do të thoja se është më mirë të na e vjedhin celularin hajdutët për ta regëtuar sesa të hapim librin e jetës tonë private për të ruajtur celularin.

Një arsye e dytë që na jep shpjegimi është se regjistrimi i numrave IMEI ndikon ne pakësimin e tregut informal, i cili është mjaft i zhvilluar në Shqipëri. Sepse - thotë shpjegimi - "ne kemi njerëz sot që shkojnë për turizëm ose për punë në Amerikë dhe blejnë një telefon, ku siç dihet kushton më lirë se sa në vende të tjera, dhe mund të blejnë 10 a më shumë telefona të cilët i sjellin në Shqipëri dhe i shesin. Në këtë rast aparatet hyjnë të pa taksuar, shteti nuk përfiton asnjë qindarkë dhe konkurrohen në mënyrë të padrejtë  edhe bizneset e rregullta."
Mua edhe ky argument më duket për të qeshur. Po pse ata 10 celularët që sillka nga Amerika një person qenkan problemi më i madh me informalitetin që paska ky shteti ynë? Pastaj, për këtë punë a nuk ka të tjera organe që duhet të merren, siç janë kontrollet doganore si këtu edhe në SHBA.

Arsyeja e tretë qenka lufta kundër krimit të organizuar që kërcënuaka sigurinë tonë kombëtare. Sepse - gjithë sipas shpjegimit - "krimi i organizuar përdor gjerësisht komunikimet elektronike për veprimtaritë e veta joligjore."
Edhe ky argument çalon për të mos thënë se është pa këmbë fare. Sa për mjete elektronike krimineli i organizuar mund të përdorë kompiutera edhe në këtë rast jo të tij, por ata të shumtë që ndodhen në publik.
Nga sa di unë ne kemi të detyruar me ligj regjistrimin e numrit të celularit. Kjo krijon edhe mundësinë për të lokalizuar vendin se ku është ndodhur celulari në një moment të caktuar psh. pasi ka ndodhur ndonjë krim apo njeriu ka pësuar ndonjë aksident - e në këtë rast, megjithë problemin, mund të thuash se ia vlen barra qiranë. Po ashtu, sipas ligjit, në rastet kur për përdoruesin e celularit ka të dhëna që justifikojnë përgjimin e telefonatave të tij atij dhe mund t'i përgjohen telefonatat, me vendim të Gjykatës, pasi ai përbën rrezik për të tjerët. Por do të thoja se krijimi i mundësisë për të dëgjuar në çdo moment se çfarë po flet, siç duket se mund të ndodhë nëse ke dhënë numrin IMEI, më duket i tepërt edhe kur bëhet fjalë për një kriminel.
Këtu mbarojnë argumentet shpjeguese të zëdhënëses së Ministres, krejtësisht jo bindëse dhe të pamjaftueshme sipas meje.
Këtu për mua fillojnë disa kundërargumente që janë shumë të rëndësishëm duke pasur parasysh kontekstin shqiptar veçanërisht.
Së pari, në shpjegimin e dhënë harrohet se në këtë vendin tonë kemi mbi njëzet vjet që nuk gjejmë dot një gjykatës e prokuror të paanshëm, një kryetar të komisioni zgjedhor të paanshëm as edhe një drejtor televizioni publik të paanshëm. Harrohet se edhe armët e plumbat e 21 janarit Prokuroria i dërgoi në Amerikë për ekspertizë të paanshme, pasi ekspertiza, sipas ligjit tonë, duhet të bëhej nga Ministria e Brendshme që nuk ishte e besueshme, pasi në duart e maxhorancës së radhës. Harrohet se para ndonjë viti e ca kjo maxhorancë ka akuzuar Ministrinë e Mbrojtjes se ka përgjuar opozitën duke keqpërdorur teknologjinë që duhej për të tjera punë.
Pra pyetja që të vjen natyrshëm është: kë paska ndërmend qeveria të vendosë në krye të këtij institucioni që mund të dijë jetën private të të gjithë shqiptarëve e njëherësh të na japë sigurinë se maxhoranca e radhës nuk do të abuzojë në mënyrë selektive? Unë për vete nuk besoj se ka ardhur një moment i tillë. Dhe për këtë mbështetem edhe në faktin se ne sot kemi një maxhorancë që ka ardhur në pushtet me parullën: le të bashkohen të gjithë plehrat për të rrëzuar Berishën; një maxhorancë të cilës ka kaq kohë që i kërkohet se pse ka futur në Parlament kriminelë të dënuar nga gjykata dhe nuk jep shpjegime. A mund të ndjehemi ne të sigurt që të japim të dhënat e jetës private  në duart e ndonjë krimineli apo plehëro që është marrë me drogë e krim apo që e ka diplomën të falsifikuar siç po dalin sot shumë drejtues të maxhorancës së re? A nuk duhet të trembemi se nesër këta mund të thonë se duhet të përdorim çdo mjet që të mos rikthehet Berisha në pushtet dhe ndër këta mjete mund të jenë edhe përgjimet e cilitdo qytetar që është i pakënaqur nga qeveria? Dhe a nuk mund të na çojë kjo deri edhe tek përgjimet e vetë njerëzve të maxhrancës sipas një sindrome paranojake që e kemi të trashëguar nga regjmi i kaluar?
Po shtoj edhe më: shpjegimi i zëdhënëses së ministres harron se, jo më larg se dy javë më parë, u zbulua se njerëzit e institucionit që duhet të konsiderohej si më i sigurti, Banka Kombëtare, na paskan vjedhur paratë e thesarit. Mos harroni, o njerëz, se ne në celularet smartphone kemi të regjistruara edhe të dhënat a kartave të kreditit me të cilat blejmë on line. A do të donit ju t'ia jepnit mundësinë për të blerë me kartat tuaja të kreditit një institucioni qeveritar shqiptar? Personalisht jo. Po vazhdoj edhe më tej: ne kemi sot prokurorë e policë që, si pa gjë të keq, nxjerrin sekretet e hetimeve dhe ua shesin gazetave për lekë. A do të donit ju tua jepnit të dhënat tuaja private një ekipi që nesër mund t'ia shesë ato gazetës së parë. Personalisht jo.
Si përfundim
do të thoja se ky projekt vendim i qeverisë në rastin më të mirë më ngjan me një makijazh që kërkohet t'i bëhet përbindëshit që kemi krijuar këta njëzet e kusur vjet duke i prerë pak qimet e mjekrës, por duke ia lënë çatallët e kthetrat të paprekura kurse në rastin më të keq është djallëzia e vetë këtij përbindëshi, për të na sunduar e poshtërua e vjedhur edhe më keq.
Historia jonë e deritanishme ka treguar se krimi më i organizuar në Shqipëri, që e ka kërcënuar dhe kërcënon seriozisht tërë kombin, elektronikisht dhe jo elektronikisht, me celular dhe pa celular, ka qenë dhe mbetet shteti me në krye qeverinë e tij dhe kryeministrin e tij. Nuk mundet një maxhorancë që ka vetëm një vit që ka ardhur në pushtet të na bindë se paska ardhur momenti i fitores së drejtësisë në këtë vend e të na kërkojë kaq shumë. Përkundrazi ajo që ne na duhet urgjentisht është se si të kontrollojmë ne ministrat e kryeministrat tanë. Ajo që ne na duhet urgjentisht të kontrollojmë është financimi i partive tona. Meqë ra fjala Kryeministri i radhës ka bërë një goxha restaurim të Kryeministrisë nga brenda dhe të rrethinave të saj nga jashtë dhe thuhet se ky është bërë kundra ligjit se pa tender, jo nga para publike, por nga ndonjë oligark i radhës që pret shpërblimin e radhës, minimalisht të mos paguajë taksën e radhës. Dhe shuma e harxhuar me siguri është shumë më e majme sesa ato taksat që duhet të paguajnë ata që shesin 10 celularë të sjellë me valixhe nga Amerika. Le të na sqarojë më së pari Ministrja Harito apo Ministri Cani se si është kjo punë përpara se të na kërkojnë qimen në tra. Dhe më në përgjithësi le të bëjë më së pari kjo maxhorancë ligje që do të forconin kontrollet e konfliktit të interesave, ligje që do të forconin pavarësinë e institucioneve që duhet të jenë të pavarura prej pushteteve të tyre, le të tregojë me punë e vepra se paranë e taksapaguesit nuk e përdor për ta futur në xhepat e veta e për ta ndarë me oligarkët e vet, por për t'i shërbyer qytetarit dhe vetëm atëhere, kur të shohë se qytetarët kanë më shumë besim tek shteti, të kërkojë edhe gjëra që sot për sot ata i shohin me frikë dhe mosbesim të madh. (Panorama, 13 gusht 2014)

No comments: