1. Z.Lubonja i fajësuat edhe
shqiptarët edhe serbët për atë që ndodhi në stadiumin ku u luajt ndeshja
Shqipëri –Serbi duke thënë se të dy palët do të marrin dënimin e merituar për
atë që ndodhi. A nuk filluan të parët serbët me racizëm me thirrjet
‘Vrite, vrite shqiptarin, dhe thirrjen tjetër ‘Vrite shqiptarin që kroati të
mbetet pa vëlla”?
Pyetja juaj më duket në vazhdën e thellimit
të konfliktit. Jam kundër një gjëje të tillë e prandaj edhe në atë që shkruaj
nuk merrem aq shumë me atë se kush e filloi i pari (ndonëse nuk e le pa vënë në
dukje se ishin serbët) por se edhe ne kemi përgjegjësi për atë që ndodhi e se
nuk po ndalemi as edhe një çast për të menduar për këtë, por vazhdojmë të merremi
sot e kësaj dite vetëm me temën se sa të
poshtër janë armiqtë tanë, se ata janë vetëm xhelatë dhe ne vetëm viktima që
vetëmbrohen. Ngjarja pati një pikë kulminante e cila e bëri edhe lajm botëror:
e ky ishte fluturimi i hartës së Shqipërisë së Madhe mbi stadium dhe incidentet
që e pasuan atë. Unë them se ai akt ishte i dënueshëm, duke patur parasysh
kontekstin ku jetojmë, dhe ne duhet ta dënonim e jo ta festonim me një ethe
nacionaliste revanshiste siç e festuam në Tiranë e Prishtinë.
2. Ju thatë se ata që kishin
përgatitur kundërpërgjigjen me atë fluturaken me flamur- hartë nuk kishin
menduar se kjo mund të nxisë një valë antishqiptare në Serbi, a duhet
tifozët, të cilëve nuk u interesojnë debatet intelektuale për nacionalizmin,
është dashur të mendojnë për diçka të tillë?
Më vjen keq, por unë nuk them se kjo do të
nxiste një valë antishqiptare në Serbi vetëm, por edhe në Greqi, Maqedoni, Mal
të Zi dmth. kudo ku jetojnë shqiptarë në rajon dhe po ashtu do të na vinte në
vështirësi edhe me Evropën. Dhe kështu ndodhi, apo jo? A duhet tifozët ta
mendojnë se një akt i tillë përkeqëson marrëdhëniet e shqiptarëve që jetojnë në këto vende me të
tjerët dhe në përgjithësi vonon normalizimin dhe demokratizimin e rajonit? Kjo
është njëlloj sikur të pyesësh: a duhet tifozët serbë të mendojnë se nuk duhet
të ulërasin "vdekje shqiptarëve" në fushë. Sigurisht duhet ta
mendojnë sepse, para se të jenë tifozë, janë qytetarë të një vendi. Dhe dua të
shtoj se sipas meje atë akt dhe ato festime ne nuk duhet t'i kryenim, ashtu
sikurse tifozët serbë nuk duhet të bënin ato që bënë, jo për të huajt, por për
respekt për veten tonë mbi të gjitha. E keqja është se këta tifozë kanë një
vetëdije politike dritëshkurtër dhe edhe më e keqja është kur politikanët
nacionalistë ndjekin frymën e tyre të stadiumit në vend se ta dënojnë atë në
emër të njerëzve që kërkojnë të jetojnë në paqe me njëri tjetrin, që jam i
bindur se janë më të shumtit, pa çka se kjo frymë agresive nacionaliste shumë
vetë i bën të heshtin e struken.
3. Sigurisht që nuk ka një
matës të nacionalizmit, për të matur urrejtjen ndërmjet shqiptarëve dhe
serbëve, por cili është opinioni juaj, i urrejnë serbët më shumë shqiptarët apo
e kundërta?
Urrejtja është një ndjenjë e të dobëtit
ndaj të fortit, që buron nga shtypja dhe frustrimi ndaj atij që të dhunon.
Është një ndjenjë individuale më së shumti por që mund të marrë edhe përmasa
kolektive, kur individët identifikohet me popullin e tyre të viktimizuar. Po ashtu, urrejtja
vjen edhe kur ndjehesh keq, i parealizuar, pa respekt për vetveten e për këtë
kërkon të gjesh një fajtor të cilit i vesh tërë fajet për gjendjen e keqe. Në
këtë aspekt ne jemi dy popuj të frustruar dhe në raste të caktuara, siç qe ky i
ndeshjes, bëhemi pasqyrë e njëri tjetrit.
Prandaj më duket e vështirë të mas se cili e urren më shumë tjetrin.
Varet nga periudhat historike. Ne në Shqipëri psh. kemi urryer diktaturën dhe
diktatorin Enver Hoxha dhe veglat e tij më shumë se çdo gjë dhe i kemi pasur
zili shqiptarët që jetonin në Jugosllavi. Atje shqiptarët kanë pasur të tjera
ndjenja urrejtjeje.
Unë mendoj se sa më shumë të realizohemi si
shoqëri dhe si individë, sa më shumë të fitojmë respekt për vetveten aq më
shumë do të çlirohemi nga kjo ndjenjë e, kur të vijë puna për të urryer, nuk do
të urrejmë popuj apo individë, por të keqen, ato fenomene, siç është
nacionalizmi psh., që prodhojnë dhunë
dhe shtypje të njeriut mbi njeriun dhe frustrim, kudo qofshin këto. Kjo do të
na bëjë të jemi edhe më të hapur ndaj njëri tjetrit.
4. A po e helmon Kosova me nacionalizëm
Shqipërinë, pasi disa në Kosovë po thonë se Shqipërisë ‘nuk po i shkon për
fytyre’ nacionalizmi?
Shqiptarët e Shqipërisë kanë qenë gjithmonë
nacionalistë sepse ideologjia e Enver Hoxhës ka qenë nacional stalinizmi që i
ka bërë shqiptarët të jetojnë - siç e kam shkruar në një ese - "midis
lavdisë së një bote virtuale dhe mjerimit të një bote reale". Kam parasysh
me këtë vetëmburrjet e asaj kohe, historitë e trimërisë së popullit shqiptar në
shekuj, nën shembullin e të cilave ne i rezistonim imperializmit dhe social
imperializmit, qëndronim si shkëmb graniti apo si kështjellë ndaj sulmeve të
armiqve… e të tjera si këto që nuk na linin të kuptonim se si, pastaj,
ndodheshim kaq poshtë nën thundrën e një diktature mizore e në një gjendje
varfërie ekstreme. Ka qenë një ideologji pushteti kjo që i shërbente atyre që
në fakt e kishin izoluar Shqipërinë nga bota. E kam quajtur këtë një
nacionalizëm vetëshkatërrues që vriste më së shumti shqiptarët brenda në emër
të atdheut sesa armiq të jashtëm. Dështimin e tij e tregoi eksodi tragjik i
shqiptarëve në vitet 90 - 91.
Nacionalizmi që shoh sot në Tiranë është
një variant i këtij nacionalizmi vetëshkatërrues. Ata që e promovojnë më së shumti janë njerëz
që, sikurse e them dhe në shkrim, nuk i kam parë të bëjnë një akt të vetëm
sakrifice për këtë vend, por veç çfarë t'i zhvatin atij. Duke tundur një flamur
e duke thënë "oh sa mirë me ken shqiptar" duan të na mbushin mendjen
se janë njerëz të mirë e që e duan atdheun. Por ju siguroj unë se janë teatralë,
se thellë thellë nuk kanë respekt as për këtë vend, as për njerëzit e tij e as
për veten e tyre se po t'i kishin këto nuk do të bënin bëmat që kanë bërë. E
keni dëgjuar besoj Berishën që shkoi e tha në Mynich se është e papranueshme që
shqiptarët të jetojnë në pesë shtete, duke lënë pa gojë kryeministrat
evropianë. Është e lehtë të lëshosh mufka të tilla, veçanërisht kur s'të marrin
as seriozisht. Por nëse ka pasur njeri që mund të bënte diçka për Shqipërinë në
këta njëzet e kusur vjet ka qenë Berisha dhe çfarë bëri. Në vitet 90, nga etja
e tij e shfrenuar për pushtet, e çoi vendin në greminë dhe shqiptarët të mbyten
në det. Në tetë vjetët e dyta nuk la lum,
e mal, e kodër të këtij vendi pa shitur nga etja e panginjur për para e
pushtet. Prandaj them unë se nacionalizmi
është streha e fundit e horrave. E këta horra nuk kemi pasur nevojë t'i
importojmë nga Kosova se kemi boll vetë. Sigurisht duke u bërë bashkë bëhen
edhe më të rrezikshëm për shqiptarët si këtej edhe andej kufirit.
"Atdhun do ta doni më shumë kur të
doni më shumë njëri tjetrin." Ja, kjo thënie e Nënë Terezës - që ia tha një gazetareje
shqiptare si përgjigje kur ajo i tha se "feja e shqiptarit është
shqiptaria" u duhet sot shqiptarëve dhe jo hartat me një Shqipëri të Madhe
të cilën, në realitet, po vazhdojnë ta braktisin këtej dhe andej kufirit
pikërisht nga kjo mungesë dashurie për njëri tjetrin. (Intervistë dhënë gazetës Ekspress, 23 Tetor 2014)
No comments:
Post a Comment