Wednesday, October 22, 2014

Të mbytesh në një fushë futbolli



Ndeshja Serbi-Shqipëri më gjeti në Britani, ku sapo kisha mbërritur, i ftuar me rastin e botimit atje të librit tim “Nëntëdhjeteshtata - Apokalipsi i Rremë”. Të tjera mendime pra më silleshin në kokë nga ato të tifozëve kuq e zi. Megjithatë, edhe pse i zhytur në punët e mia, e nuk mund ta ndiqja ndeshjen, isha kurioz dhe, sapo u ktheva në hotel, hapa një faqe interneti shqiptare për të parë rezultatin. “Serbi –Shqipëri 0-3”…ishte titulli. Paska ndodhur mrekullia, thashë me vete, u paskemi shënuar serbëve tre gola në fushën e tyre!
Klikova për të parë se si kishte shkuar ndeshja dhe, ç’të shihja. Ajo nuk kishte përfunduar, por sapo kishte filluar. Nisa kështu të ndjek lajmet dhe videot nëpër internet. Pashë ato që i kanë parë të gjithë, por që nuk i kemi përjetuar njëlloj më duket. Personalisht, sa më shumë mësoja, aq më shumë më kapte një ndjenjë ku pleksej habia, befasia me zhgënjimin. E them këtë pasi ka vite që e konsideroj veten ndër ata që punojnë për të ndërtuar në Shqipëri dhe në Ballkan një realitet ku personaliteti, dinjiteti dhe mirëqenia e njeriut, respekti për tjetrin, afirmimi nëpërmjet punëve të mira të jenë më të rëndësishëm sesa identiteti apo krenaria boshe kombëtare e shprehur në një fushë futbolli. Kurse ajo që pashë ishte mbytja e të gjithëve në një fushë futbolli – nëse mund të perifrazoj shprehjen: “të mbytesh në një gotë ujë”.
Sa më shumë ndiqja lajmet e komentet, aq më shumë ndihesha si një humbës i pafuqishëm përpara një mase të madhe të ekzaltuarish, të çmendurish, të izoluarish, të vetizoluarish nga bota që kishin pushtuar jo vetëm Beogradin, por edhe Tiranën e Prishtinën, jo vetëm shkallët e stadiumeve, por edhe rreshtat e gazetave e të rrjeteve sociale. Jo se nuk i njoh ndjenjat e urrejtjes nacionale, të mburrjes nacionale apo të frustrimeve nacionale të ballkanasve, por e mendoja të tejkaluar mundësinë e një ngjarjeje të tillë. Dhe, s’kam parasysh vetëm fushën, por, më së shumti, atë që ndodhi e po vazhdon edhe pas saj. Nuk mund të gjesh shembull më të mirë për ta ilustruar thënien e Jaspersit: “Tragjedia fillon atje kur të dyja palët e identifikojnë veten me të vërtetën”. Mund të ishte edhe më e saktë po të thuhej: kur të dyja palët e identifikojnë veten me gënjeshtrën dhe manipulimin që u bëhet.


Dy popuj të frustruar
Është më e lehta të rreshtoj në këtë shkrim ato që janë thënë për tifozët serbë dhe politikanët serbë. Mund të ndihesh rehat i rreshtuar në numrin e panumërt të shqiptarëve patriotë. Prandaj nuk dua të zgjatem me ta e përgjegjësitë e tyre për këtë që ndodhi. Në fakt, që kur u hap lajmi se serbët kishin kërkuar që të mos kishte tifozë shqiptarë, u bë e qartë se ata nuk u trembeshin shqiptarëve, por tifozëve të tyre; çka flet shumë për atë që serbët e jetojnë me një frustrim të madh çka u ka ndodhur në Jugosllavi duke e gjetur gjithë të keqen jashtë tyre, te fqinjët e tyre dhe te Evropa, ndërkohë që janë protagonistët numër një. Sepse është e papranueshme që pas tragjedive që kanë ndodhur të lëshohen në një stadium thirrje vdekjeje për fqinjët. Por u takon më së shumti intelektualëve serbë të mbajnë qëndrim për këtë dhe për fat të mirë ka syresh.


Po me shqiptarët ç’ke? Më duket se i dëgjoj patriotët të më thonë. Nuk e kam aq shumë me ata mendjendritur që kishin përgatitur kundërpërgigjen me atë flamur-hartë të Shqipërisë së Madhe, pa menduar asnjë çast se kjo mund të ndizte një valë antishqiptare në Serbi, Maqedoni, Mal të Zi e Greqi dhe do të na vinte në pozitë të vështirë përpara Europës, paçka se është tejet e ekzagjeruar të thuash se kjo synonte të destabilizonte rajonin. E kam me ata shqiptarë që ndërtojnë opinionin që këtë hartë e quajtën vazhdimisht “flamur shqiptar” dhe që mbrojtjen e saj nga futbollistët tanë e festuan si akt heroik, si fitoren e ndeshjes. E kam me ata politikanë, gazetarë e persona publikë që u shkrinë me pasionin e tifozerisë patriotike dhe që nuk guxuan të thonë se ky ishte një akt i dënueshëm. E kam edhe me ata që nuk lanë gjë pa thënë për ata evropianë që nuk u shprehën ashtu si donin ata të shpreheshin për këtë akt duke iu kthyer edhe një herë shprehjeve të rrënjosura “Evropa kurvë” e ku di unë. E kam me ata që kërcënonin deri Kryeministrin tonë - që po të shkonte në Beograd do të bënte mirë të mos kthehej më prej andej. Edhe këto janë shenja të një frustrimi të madh. 

Hej djema, a e dini se në vitin 1969 ka ndodhur një luftë e vërtetë midis Salvadorit dhe Hondurasit, që mori shkas nga ndeshjet kualifikuese për në Kampionatin Botëror të vitit 1970? Sigurisht, shkaqet ishin më të thella, por lufta me viktima të shumta mori flakë nga konflikti midis tifozëve në dy stadiumet rivale. A doni vërtet të na çoni në luftë? 

Streha e fundit e horrave

Ditën që luhej ndeshja kisha bërë një shkrim që ia dërgova “Panorama”-s. Ishte mbi përgjimet që na kanë bërë; gjë kjo jo e vogël sipas mendimit tim, madje shumë më e rëndësishme sesa të humbësh një ndeshje futbolli, qoftë kjo edhe me Serbinë. Duke parë valën nacionaliste që kishte shpërthyer, kryeredaktori më kërkoi ta shtynte botimin. Rashë dakord. E botoi pas tri ditësh dhe komentet ishin: ç’janë këto gjëra që na shkruan ti more ndërkohë që ne kemi këtë hall të madh? Ishte prova më e mirë se mjafton të ndezësh një pasion futbollistiko- nacionalist dhe i ke mbuluar tërë problemet, tërë çarjet e përçarjet; mund të të përgjojnë, mund të të vjedhin, mund të të shkatërrojnë qytetin, të të lënë pa punë, por kjo s’ka rëndësi sa kohë që kokën e ke të mbushur me urrejtje për armikun.
Duhet ta rikujtojmë vazhdimisht thënien “Nacionalizmi është streha e fundit e horrave”. Ndërkohë që kemi aq shumë probleme brenda vendeve tona që kërkojnë pasion e vullnet për t’i zgjidhur, sakrifica po ashtu, i kanalizojmë pasionet në një absurditet si ai që pamë. Por kjo nuk është rezultat i një çasti, i një rastësie, që, siç thonë disa, do të ishte evituar sikur të mos na binte shorti i ndeshjes me Serbinë. Kjo është rezultat i një kohe të gjatë që jemi në krizë morale, ekonomike, politike. Manipulimi me idenë se nxitja e nacionalizmit, gjetja e armikut jashtë nesh është një nga mënyrat për t’u ikur këtyre problemeve dhe krizave, është praktikë e njohur që aplikohet në mënyrë koshiente dhe inkoshiente sapo shfaqet rasti. Ka shumë nga ata që pasi nuk kanë lënë gjë pa bërë për t’u pasuruar vetë duke rrënuar këtë vend, kërkojnë të na dalin tani si patriotë e shpëtimtarë kundër serbëve nëpërmjet një ndeshjeje futbolli. Por po t’u kërkosh se çfarë akti të mirë kanë bërë brenda vendit për shqiptarët, zor se do t’u gjesh një të vetëm. Se ç’ishte një biznesmen që u jepte lojtarëve një shumë të hatashme po të fitonin. Po e pyes atë: Po pse s’i jep ti ato para për të ndërtuar një shkollë për fëmijët shqiptarë që janë nga 50 në një klasë? 

Shqipëria e Madhe
Nuk mendoj se ideja e Shqipërisë së Madhe përbën një rrezik real siç u fry në këtë rast, pasi shumica e shqiptarëve janë të vetëdijshëm për problematikën e madhe që ajo mban. Por është shqetësues fakti se ushqimi i një ideje të tillë ndikon për të mbajtur vështrimin e shumë shqiptarëve në një drejtim të gabuar. Aq më tepër të të rinjve që duket sheshit se janë në krizë. Unë ngulmoj në mendimin se konteksti gjeopolitik e kulturor ku ndodhemi nuk është ai ku Skocia voton paqësisht me referendum për shkëputjen nga Britania dhe skocezët nacionalistë e pranojnë humbjen pa problem. E tregoi edhe kjo ndeshje se çfarë hendeku na ndan nga bota ku duam të hyjmë. Prandaj mendoj se ne shqiptarët kemi nevojë për një shtet më të mirë, për njerëz më të mirë, më të arsyeshëm, më të kulturuar; se për këtë duhet t’i hedhim energjitë dhe pasionet dhe jo për një shtet më të madh; se nuk mund t’i zgjidhim problemet e shumta që kemi nëpërmjet zmadhimit të territorit, përkundrazi, kjo luftë e armiqësi me fqinjët do ta vononte ndërtimin e një shteti më të mirë kudo ku jetojnë shqiptarët. Dhe, gjithë në këtë kontekst, mendoj se një nga rreziqet që paraqet kjo valë nacionalizmi futbollistik janë edhe frustrimet që krijon brenda vendit flaka nacionaliste që u ndez në Tiranë. Ajo rrezikon më së shumti të djegë vetë shqiptarët ngase mund të mbysë zërat racionalë që kërkojnë shtetin më të mirë, jo shtetin më të madh, paqen, bashkëjetesën dhe harmoninë në Ballkan, dhe jo urrejtjen dhe konfliktet, që kërkojnë njeriun që ngrihet lart nëpërmjet punëve krijuese e ndërtuese, dhe jo njeriun që kërkon të duket nëpërmjet luftërave e konflikteve shkatërruese. E pamë se ku e çoi Serbinë ky njeri. 

Kjo klimë vë në rrezik deri lirinë e fjalës. Ishte e pabesueshme se si ishin çmendur të gjitha masmediat shqiptare në mbulimin e kësaj ngjarjeje ku gazetarët më së shumti rendnin për të treguar se cili është më patriot se tjetri. Ishte një provë dramatike se elita jonë ka mbetur ende e izoluar dhe me sindromën e shekullit të kaluar të intelektualit që ndien si detyrë të parë të mbrojë kombin e vet të viktimizuar nga të tjerët me çdo mjet, qoftë edhe duke humbur edhe atë që duhet ta karakterizojë: inteligjencën.
Siç ka treguar jo një herë historia, në këto situata gjëja më e lehtë është të shkrihesh me turmën dhe euforinë e saj, kurse më e vështira, por edhe më e rëndësishmja, është të kërkosh ta ndalësh marrëzinë; në rastin konkret të thuash se kemi edhe ne përgjegjësinë tonë, se nuk duhet të festonim pas asaj që ndodhi, por të ndiheshim keq. 


Elitat politike
Nuk dua të mendoj kurrsesi se mund të identifikohet e gjithë Serbia me dhunën dhe urrejtjen që demonstruan tifozët serbë në stadium, ashtu sikurse nuk mund t’i identifikoj tërë shqiptarët me ata që bënë provokimin e papërgjegjshëm dhe festuan në mënyrë të papërgjegjshme një ngjarje që meritonte shqetësim të thellë. Por gjithsesi, mendoj se elitat politike në Shqipëri dhe Kosovë kanë një përgjegjësi të madhe për këtë që ndodhi. Ajo më kryesorja, sipas meje, ka të bëjë me gjuhën e dyfishtë që përdorin: një për brenda përbrenda vendit ku dominojnë thekse nacionaliste e fjalë të mëdha për bashkimin (mjaft të kesh parasysh takimin që u krye midis dy qeverive në Prizren para disa muajsh) dhe një tjetër për ndërkombëtarët, për paqen, bashkëpunimin dhe integrimin evropian, por ndërkaq duke ua bërë me sy shqiptarëve se këto janë sa për sy e faqe. 

Unë gjykoj se është e rëndësishme të ndryshohet kjo gjuhë e dyfishtë duke njehsuar atë që thuhet për jashtë me atë që thuhet brenda vendit mbi të gjitha. E kjo s’bëhet me batuta si ato të Edi Ramës në Twitter që kërkojnë t’ua hedhin të dyja palëve, por duke u folur njerëzve me guxim, me bindje e sinqeritet se e ardhmja e këtij rajoni nuk duhet të njohë më luftëra e urrejtje, por punë, krijimtari e paqe. E për këtë nuk mjaftojnë takimet e liderëve që i bëjnë sa për të gënjyer Europën, por duhet takimi i njerëzve të çliruar nga ndjenjat e frustrimit dhe urrejtjes për njëri-tjetrin. Dhe kjo arrihet duke punuar përditë brenda vendit për njerëz më të mirë e më të kulturuar. Shpresoj se Rama do të shkojë në Serbi me një reflektim të thellë për këtë, dhe jo si përfaqësues i të papërgjegjshmëve që kërkojnë që ndeshjen në një fushë futbolli ta transferojnë në një luftë ushtrish të të dyja vendeve. 
Evropa e dobët
Sipas meje, për gjuhën e dyfishtë të politikanëve ballkanas, që ka ndikuar shumë në këtë që ndodhi, nuk mund të mos fajësohet edhe Evropa, me ambiguitetet dhe kontradiksionet që ekzistojnë brenda saj, duke hyrë edhe ajo në një periudhë krize duke humbur autoritetin dhe atraktivitetin e saj, madje duke u infektuar edhe ajo nga nacionalizma gërryese e përçarëse.
Kjo që ndodhi shpresoj se do t’i bëjë evropianët të mendojnë pak më me përgjegjësi. Për fat të mirë e të keq, arbitri i kësaj çështjeje mbeten ata, pasi ne nuk jemi në gjendje të marrim fatet tona në duar. Sipas meje, të dyja palët do të marrin një shuplakë të merituar. Serbët për mënyrën se si i pritën shqiptarët në stadium, për fishkëllimin e Himnit kombëtar, për thirrjet “vdekje shqiptarëve”, për dhunën që shpërthyen duke treguar se në Serbi është punuar pak për të dekontaminuar shoqërinë nga nacionalizmi serb që është përgjegjësi kryesor i tragjedisë që ndodhi në ish-Jugosllavi, kurse shqiptarët për provokimin e papërgjegjshëm me hartën e Shqipërisë së Madhe, por më së shumti për papërgjegjshmërinë me të cilën e trajtuan më pas tërë ngjarjen, me festimet absurde nacionaliste dhe mungesën e një reflektimi sado të vogël mbi përgjegjësitë e tyre për këtë që ndodhi. (Panorama, 21 Tetor 2014)




No comments: