Para disa ditëshë në emisionin
Opinion te Fevziut mbi përgjimet e SHIK-ut u tha midis të tjerash se ndër
gazetarët e përgjuar bën pjesë edhe Fatos Lubonja.
Ishte një pohim i hedhur si shumë
pohime që u hodhën në atë emision, që mbeti pezull, pa patur një përgjigje duke
ushqyer edhe ai thashethemajën rreth kësaj teme që u hap së fundi në këtë
vendin tonë ku e vërteta dhe gënjeshtra luajnë si macja me miun ne mendjet e
shumë njerëzve.
Sigurisht nuk është ndjenjë e mirë
të dëgjosh se je përgjuar, veçanërisht kur mendon se nuk bën ndonjë aktivitet
kriminal në jetë që të të bëjë të rrezikshëm për shoqërinë. Është po ashtu shumë
e pakëndëshme të jetosh me hamendjet, që mund të çojnë deri në paranoja, nëse
je përgjuar apo nuk je përgjuar në të kaluarën, nëse përgjohesh apo jo edhe në
këtë moment. Përgjimi i pamerituar dhe i pa mbështetur në ligj është një dhunim
i të drejtave të njeriut, një dhunim i privatësisë që përbën krim. Jo vetëm,
por nuk mund të mos mendosh: kush janë këta që i jepkan vetes të drejtën të të
përgjojnë? A nuk mund të presësh edhe më keq nesër prej tyre, në kuptimin e kërcënimit
që i bëjnë lirisë dhe demokracisë? Prandaj dhe nuk arrij të kuptoj përgjigjen e
Ilir Metës që u shpreh me humor për përgjimet që i qenkan bërë edhe atij, sipas
këtij lajmi, ndërkohë që, sipas meje, do të duhej të mërzitej e shqetësohej tre
herë, për veten, për ligjin dhe për ata që përfaqëson.
Nga sa dëgjova në Opinion dhe nga
sa jam informuar më rezulton se variantet se si mund të kem rënë në përgjim –
gjithmonë nëse kjo është e vërtetë, por tek e fundit këtë shkrim nuk po e bëj për
veten, por po nisem nga vetja për të përgjithësuar problemin – janë disa.
Së pari, është varianti i përgjimit
të ndonjë individi për të cilin është lëshuar një leje përgjimi nga organet
kompetente pasi ka të dhëna se ai mund të merret me ndonjë aktivitet kriminal.
Dhe, sikurse merret me mend, ky ka telefonuar edhe me persona të ndryshëm për
punë të ndryshme të cilët, dashje pa dashje, janë regjistruar.
Por nuk është vetëm ky varianti i
përfolur e që duket se është i ligjshëm. Është përfour edhe një variant sipas të
cilit personi është përgjuar me
ligj, dmth duke u gjetur një vjegë ligjore, por jo për shkak të ndonjë
aktiviteti kriminal, por për shkak të
paranojave të të pushtetëshmëve
(akuza kryesore bije mbi Sali Berishën) që kanë dhënë ndonjë urdhër apo
pse ndonjë punonjjës apo drejtues i SHIK-ut ka bërë të zellshmin.
Por ka një variant edhe më të keq
akoma: kur përgjimi është bërë pa u marrë asnjë leje, thjesht me urdhër verbal
nga lart duke qenë se personi duhet përgjuar.
Nëse do të më thonin se jam përgjuar
sepse ka ndodhur që më ka telefonuar një person i ndjekur për një lloj krimi atëhere
do të më brente dyshimi se cili është ky person, pasi, tek e fundit, një shoqëri
e tillë është sadokudo një rrezik. Por gjithsesi do të isha i qetë për dy arësye:
së pari sepse nuk është përgjuar telefoni im, por i atij, pra nuk jam përgjuar
në çdo orë e minut dhe për çdo telefonatë, duke mu dhunar privatësia dhe
intimiteti dhe, së dyti, sepse do të mendoja se megjithëse nuk është e këndëshme
gjithsesi të përgjohesh, ndoshta në këtë rast përfitimi është më i madh sesa dëmi
pasi këto telefonata direkt apo indirekt kanë shërbyer për të thelluar
pozicionin e një personi të dyshuar për ktim.
Megjithatë në këtë rast unë nuk
mund të mos ngre pyetjen. A ka qenë funksional SHIKU në përgjimin e këtyre
personave të lidhur me krimin? Cilat janë rezultatet që të mund të justifikohet
edhe fakti që ne paguajmë taksa për punonjësti e SHIK-ut apo edhe fakti se jemi
vënë edhe ne indirekt në përgjim? Aq më tepër kur, nga sa di unë, në rastet kur
ka të dhëna të tilla informohet edhe Kryeministri edhe Presidenti dhe
Kryeministri ka për detyrë të urdhërojë ndjekjen apo thellimin e çështjes.
Nga sa më rezulton mua rezultatet
janë shumë të dobëta duke patur parasysh nivelin e kriminalitetit që ka në
vend. Për këtë mendoj se duhet të bëhet një lloj transparence. Dhe, duke
ngritur këtë problem, nuk mund të mos sjell ndërmend se ka qenë një kohë e qeverisjes së parë të Sali Berishës kur
përgjoheshin gazetarë e politikanë (ka prova për këtë edhe pse nuk janë bërë
shumë publike) dhe ndërkaq nuk hetohej se si punonin piramidat financiare dhe
cilët ishin bosët e tyre. Me pasojat që dihen.
Përsa i përket dy varianteve të
tjera nuk di të them se cili është më i keq: rasti kur SHIKU ka gjetur një vjegë
ligjore për të futur në përgjim një person, me synim ndjekjn e aktivitetit të
tij politik apo gjetjen e ndonjë fakti komprometues për të mundur shantazhimin
e tij apo rastin kur përgjimi është bërë me urdhër verbal pa u merakosur fare për
të gjetur ndonjë pretekst. Për të parin di të them se duhet të ketë mjete
ligjore që të investigohet kjo nëpërmjeet shqyrtimit të lejeve të përgjimit që
kanë dhënë organet kompetente. Askush nuk mund të jetë jashtë parimit të check
and balance në
një demokraci, e aq më pak SHIKU që ne na kujton edhe kohë të mbrapshta.
Për rastin e dytë mund të them se
është më vështirësisht i investigueshëm sepse ata që kanë urdhëruar përgjimet
dhe ata që i kanë kryer pa u merakosur për ligjin ndoshta i kanë fshirë gjurmët
e në këtë rast kemi të bëjmë me një krim të pastërt, që mund të zbulohet e mund
të mos zbulohen, por si çdo krim nuk mund të mos ketë lënë asnjë gjurmë dhe
shteti duhet të ketë mjete për të hetuar edhe për këtë rast.
Gjithsesi kjo histori nuk mund të
mbetet kështu as në hije as në dritë. Ne, si qytetarë dhe si taksapagues, kemi
të drejtë të dimë se si funksionojnë institucionet tona për mbajtjen e të cilëve
paguajmë taksa. Nëse kjo histori mbetet kështu shumë shpejt do të lindin
dyshime të tjera që do ta helmojnë edhe më klimën tejet të helmuar. Për
shembull do të lindin dyshimet se maxhoranca dhe Kryeminstri nuk bëri
transparencë ose pse janë të përfshirë vetë në përgjime që i komprometojnë ose
pse nuk kanë synim ndërtimin e një Shërbimi Sekret që t’i shërbejë luftës kundër
krimit dhe terrorizmit, por kanë synim ta kapin SHIK-un për ta përdorur për
vete ashtu siç kanë akuzuar paraardhësin. (Panorama, 18 tetor 2014)
No comments:
Post a Comment