Wednesday, November 19, 2014

"Arti" i gënjimit të vetvetes


Të gjithëve na ka ndodhur të shohim veten duke u rrotulluar para pasqyrës derisa të ndalemi në atë pamje ku na duket vetja më i/e hijshme. Është kjo pamja që ruajmë zakonisht në perceptimin që kemi për veten tonë fizike. E njëjta gjë ndodh edhe kur shikojmë një numër fotografish tonat, veçanërisht tani që kemi aparatet dixhitale: i fshijmë ato ku “kemi dalë keq” dhe ruajmë ato ku dukemi më mirë. Më së shumti ato pamjet që fshijmë i neglizhojmë, ose nuk i quajmë tonat, ose i konsiderojmë aksidentale.  Vendosim në facebook ato që na duken më të mirat; më tonat. Çfarë qëndron në bazë të këtij fenomeni selektiviteti? Nevoja që kemi të ndihemi mirë, të kemi sa më shumë vlerësim për vetveten. Sipas biopsikologëve, ka zona të trurit që punojnë enkas për këtë punë. Dhe jo vetëm në raport me pamjen tonë të jashtme, por edhe për perceptimin që kemi për veten tonë si tërësi.
Është një fenomen individual ky, por që shtrihet edhe në psikologjinë e grupit, pasi perceptimi që kemi për veten ndikohet shumë nga grupi ku bëjmë pjesë. Është një fenomen normal dhe i shëndetshëm deri në një farë pike, pasi, po ta shohim veten si një qenie të shëmtuar dhe pa vlerë, humbasim deri motivin për të jetuar. Por, ama, kur vetëvlerësimi hipertrofizohet i pakontrolluar nga mendimi kritik, që bën edhe ai pjesë në aktivitete normale të trurit, mund të na çojë shumë larg në gabime. Sipas njërit prej psikologëve që e ka studiuar këtë fenomen, amerikanit Leon Festinger, nevoja për të mos u zhgënjyer me vetveten mund të na çojë deri në atë që ai e quan në anglisht “cognitive dissonance” disonancë konjitive (njohëse), që duke e shqipëruar në formë jo shkencore mund ta quaja edhe gënjim i vetvetes.
Leon Festinger, krijuesi i termit disonancë konjitive, u bë i famshëm në vitet ‘50 në SHBA nëpërmjet studimit të një sekti që profetizonte fundin e botës.  Një grua amerikane, që e quante veten priftëreshë, proklamonte në Winsconsin se një jashtëtokësor i kishte komunikuar asaj një mesazh të fshehtë, sipas të cilit do të ndodhte një përmbytje universale që do të zhdukte njerëzimin dhe se ajo vetë ishte e zgjedhura për t’u shpëtuar. Në vend që të vinte veten në dyshim, ajo krijoi një sekt që mblidhej e lutej në pritje të këtij apokalipsi. Kur u bë e qartë se ky nuk ndodhi, ta donte mendja që sekti të shkrihej. Por nuk ndodhi kështu. Anëtarët e sektit, në vend që të pranonin se ishin një tufë budallenjsh, nxorën teorinë se ishin pikërisht ata, me lutjet e tyre, që e kishin shpëtuar botën.
Festingeri shtroi pyetjen se çfarë ndodhte në mendjen e këtyre të marrëve kur argumentonin kësisoj. Ai i vuri këtij procesi psikologjik emrin: disonancë konjitive (njohëse). Me dy fjalë shpjegimi është ky: ne kemi ide/njohje për diçka, për dikë, për veten tonë që shoqërohen me një lloj besimi në vërtetësinë e tyre dhe një lidhje shpirtërore që kemi me to. Në përgjithësi sipas psikologëve është e rëndësishme për shëndetin tonë mendor që idetë/njohjet tona të jenë konsonante d.m.th. në harmoni me njëra-tjetrën, p.sh. që një njeri që e njohim për të mirë (dhe e duam për këtë) bën mirë, që një njeri i keq bën keq. Por ç’ndodh kur përjetojmë njohje që janë disonante d.m.th. në mospërputhje me idenë/besimin tonë. Sipas psikologëve, kjo na shkakton një ndjenjë frustrimi, saqë mendja jonë ka nevojë të aktivizojë një lloj mbrojtjeje për të mos vuajtur. Mjaft që të mos përballojmë frustrimin dhe ndjenjat negative që na shkakton pranimi i faktit se besimi ynë ishte i gabuar, dhe ne preferojmë të mos e shohim disonancën dhe të sajojmë çfarëdo përralle për t’u justifikuar. Këtë kanë bërë edhe anëtarët e atij sektit që argumentonin se bota shpëtoi për shkak të lutjeve të tyre. Është pak a shumë ajo që na e thotë edhe Ezopi mbi 2000 vjet më parë: ngaqë nuk e arrin dot rrushin, në vend që të pranojë se nuk e arrin dot, dhelpra thotë se rrushi është i thartë.
***
Nëse ka ndonjë grupim ku bie dukshëm në sy disonanca njohëse kjo është tifozeria. Si tifozë ne identifikohemi me grupin/skuadrën e zemrës tek e cila besojmë dhe fitorja ndaj kundërshtarit na bën të ndihemi mirë, kurse humbja na bën të ndihemi keq. Disonanca konjitive shpjegon se pse, për të lehtësuar ndjenjën e keqe pas një humbjeje, tifozët i gjen shpesh të gatshëm t’ia vënë shkakun e humbjes arbitrit, fushës, topit, fatit, shiut, shtyllës, por jo skuadrës së zemrës, apo aftësisë së kundërshtarit.

Edhe më shumë se te tifozeria sportive disonancat konjitive bien në sy te militantët e sëmurë të partive. Këta militantët vazhdojnë ta duan në mënyrë të pakondicionuar një lider partie, edhe kur atij i zbulohen korrupsione apo bën punë të tjera të pista; këta e kanë shumë të vështirë të pranojnë humbjen në zgjedhje si rezultat i punës së tyre të dobët. Është fenomen që e gjen gjithandej, por në këtë vendin tonë është tejet i përhapur dhe shumë problematik. Nuk besoj se është nevoja të jap shembuj për këtë për të provuar se jemi kampionë të këtij fenomeni. I ka fajet Sali Berisha apo i ka fajet Edi Rama janë fjala e parë që nxjerrin militantët e sëmurë nga goja për çdo gjë që nuk shkon mirë.
***
Besoj se lexuesit inteligjentë e kuptojnë se pse po i shkruaj këto radhë në këto ditë të nxehta tifozerie nacionaliste që kanë pasuar ndeshjen Serbi-Shqipëri. Paaftësia jonë kulturore për të parë në pasqyrë edhe përgjegjësitë tona, për të kërkuar ndjesë kur gabojmë, që përkthehet në aftësinë tonë spektakolare për të gënjyer veten, për t’u matur me hijen e mëngjesit, për të gjetur fajtorin gjithmonë jashtë vetes, u shfaq edhe në këto ditët e fundit në mënyrën më dramatike do të thosha – por (fatkeqësisht) pa u përjetuar si dramë pikërisht për shkak të disonancës konjitive.
Për të gjithë ata që e kanë parë nga jashtë botës së emocioneve nacionaliste ballkanase atë që ndodhi në stadiumin e Beogradit, aty kishim të bënim me një manifestim të shëmtuar nacionalist nga të dyja palët, për të qeshur e për të qarë. Mirëpo ne nuk gjetëm asgjë për të qeshur apo për të qarë në veten tonë, i gjithë shëmtimi u përkiste serbëve. Droni me Shqipërinë e madhe nuk ishte një provokim nacionalist, ishte diçka normale (një pjesë deri vonë e quanin “flamuri ynë” dhe pastaj nxorën teorinë se ishte shkruar “Autochtonus” jo “Shqipëri e madhe”; një pjesë tjetër thanë se na e kanë hedhur serbët qëllimisht, nuk e kemi hedhur ne); lojtarët tanë u treguan heronj që u vërsulën për t’ua marrë nga duart lojtarëve serbë; ata bënë mirë që nuk e vazhduan lojën, edhe pse komisionerët e UEFA-s dhe arbitri anglez u thanë se duhet të vazhdonin lojën. Fitorja na takonte ne 3-0 me të drejtë. Pra, në pasqyrën që ndërtuam për veten me ndihmën sigurisht të politikanëve e gazetarëve tanë të disonancës konjitive, ne dukeshim më të mirët dhe më të bukurit e botës në atë çast. Kur erdhi vendimi i UEFA-s, që ishte në disonancë me këtë vetëperceptim, shpjegimet qenë pak a shumë si ato të atij sektit të Festinger-it: Platini është një francez i fëlliqur, se francezët kanë qenë gjithnjë në krah të serbëve. Arbitri anglez dhe komisionerët e UEFA-s janë pjesë e Europës kurvë, e me radhë e me radhë.
E njëjta gjë u përsërit me vizitën e Ramës në Beograd. Sipas pritshmërive të atyre që ishin edhe promovuesit e takimit, por edhe të njerëzve me vullnet të mirë brenda e jashtë vendit, Kryeministri kishte shkuar atje për të dialoguar në emër të uljes së tensioneve, bashkëpunimit, një të ardhmeje europiane të paqes midis dy vendeve. Ishte një takim i vështirë që kërkonte diplomaci të lartë, duke pasur parasysh sa historinë më të hershme, sa çështjen e Kosovës, aq edhe atë që kishte ndodhur së fundmi në stadiumin e Beogradit, për çka dhe u shty vizita. E vërteta është se Kryeministri u shty nga falangat nacionaliste dhe nevoja e tij për t’u duartrokitur nga sa më shumë njerëz që të mos shkonte me këtë mendje, por për të vazhduar pjesën e dytë të ndeshjes së ndërprerë. E përsëris: pyetja që shtrohet është: a shkoi për të hedhur ura bashkëpunimi dhe paqeje apo për të thelluar hendeqe urrejtjeje dhe ndarjeje. Shkoi për të rregulluar punët e hallet e njerëzve të të dy popujve, apo për të lënduar mburrjen nacionaliste të njërit dhe fryrë mburrjen nacionaliste të tjetrit? Apo për t’u shitur para të huajve sikur po bën të parat dhe në fakt duke bërë të dytat. E vërteta është kjo e fundit sipas meje, që do të thotë se hendeku është thelluar më shumë. Këtë e vërteton triumfalizmi nacionalist shqiptar i pas takimit më një anë, e vërteton fakti se pala tjetër e quajti rast i humbur (Vuçiç), kurse ministri i Jashtëm Daçiç tha se marrëdhëniet u bënë më të acaruara se ç’kanë qenë. Edhe nga të njohur serbë antinacionalistë, kundërshtarë të Vuçiç, na vijnë komente se pas kësaj fjala “shqiptar” është bërë edhe më e urryer në Serbi. Dhe kjo është e dëmshme për shqiptarët, pasi përmirësimi i marrëdhënieve me fqinjët është vital qoftë për ekonominë, qoftë për demokratizimin e mëtejshëm të jetës në vend, qoftë për integrimin në Europë. E prandaj kemi më së shumti një dështim diplomatik, paçka toneve të vakëta inkurajuese të perëndimorëve. Mirëpo përsëri, me artin e gënjimit të vetvetes, tifozeria shqiptare nuk do ta shohë kështu këtë ngjarje, si një dështim të parapërgatitur. Vizita ishte një sukses. Thyem akujt akullnajat me Serbinë, na thotë Kryeministri dhe zëdhënësit dhe këshilltarët e tij. Pati një problem të vogël, që Vuçiç e quajti provokim, por kjo që qe për faj të serbëve. Ajo që bëri Kryeministri duke u thënë serbëve atë që edhe fuqitë e mëdha nuk ua thonë publikisht, por privatisht, nuk ishte provokim, por një gjë normale. Pse provokim është kur ti i thua Berishës apo Ramës disa të vërteta në sy?- më drejtohej në replikën e tij Andi Bushati, pasi e kritikoja për ekzaltimin e tij nacionalist, kur na e paraqiti liderin tonë si një europian të vërtetë përpara serbit primitiv. Krahasim i gabuar, sepse detyra e Kryeministrit nuk ishte të bënte gazetarin, që përplas të vërtetë edhe duke provokuar (sepse e vërteta dhe provokimi nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën), por të bënte politikanin, kryediplomatin, që për hir të bashkëpunimit dhe interesave të njerëzve të dy vendeve duhet t’u mëshonte gjërave që na bashkojnë, jo atyre që na ndajnë. Kurse detyra e gazetarit ishte të na informonte se takimi ishte një dështim në këtë aspekt dhe jo të na jepte një shembull më shumë të disonancës konjitive.
Por ka edhe një disonancë tjetër, që po na servir kopeja e atyre nacionalistëve të cilët, në një kohë kur po na mbyt korrupsioni, konfliktet, papunësia, varfëria, krimi, plehrat dhe pasiguria e jetës në vendin tonë (por ndoshta edhe pikërisht për këtë), po na japin të hamë barin e krenarisë kombëtare; të cilët nxituan ta quajnë Ramën baba mbrojtës të të gjithë shqiptarëve duke na kujtuar Enver Hoxhën kur qante për atdheun abstrakt (teksa dëgjonte këngën “Për ty Atdhe”), por që shqiptarët konkretë i katandisi në gjendje mjerimi.  Ata nuk po na lënë të shohim të vërtetën e madhe që thotë publicisti dhe autori i njohur anglez, Victor Gollancz, në autobiografinë e tij kur flet për nacionalizmin: “Nga të gjitha të këqijat, nacionalizmi është ai që urrej më shumë. Nacionalizmi, d.m.th. egoizmi nacional, të menduarit në termat e një kombi e jo në termat e humanizmit,  është i keq, sepse ai përqendrohet në gjëra jo thelbësore (ku jeton një njeri, çfarë lloj gjuhe flet, cilës kulturë i përket, çfarë gjaku ka etj.) duke injoruar atë që është thelbësorja, faktin që ai është njeri. Nacionalizmi e bën një popull ta urrejë një popull tjetër sapo t’i shfaqet rasti më i vogël për të urryer; ai të çon në xhelozi, ekspansionizëm, shtypje, grindje dhe deri në luftë. (Panorama, 17 Nentor 2014)

No comments: