Protesta e opozitës ditën e shtunë
ishte një ngjarje që mund ta krahasosh me një prizëm shumëfaqësh - ndër të
cilat disa edhe kontradiktore me njëra tjetrën - që duhen lexuar me kujdes nga
e gjithë shoqëria shqiptare. Sigurisht ta dikton këtë nevojë fakti se numri i
protestuesve ishte i madh, shumë më i madh nga ç'pritej dhe kjo është sigurisht
një nga gjërat kontradiktore që e bën këtë ngjarje njëherësh me faqe të errëta,
por edhe me faqe të ndritshme; shqetësuese, por edhe ngushëlluese. E bën shqetësuese
fakti se flet për një gjendje jo të mirë e për rreziqe që na kanosen, e bën
ngushëlluese fakti se tregon se, me gjithë njëmijë defektet, demokracia jonë
krijon ende mundësi reagimi.
Qeverisja
E para gjë që mund të thuhet është
se kjo protestë shprehu një pakënaqësi në rritje të njerëzve që nuk lidhet vetëm
me mosmbajtjen e premtimeve - pasi njerëzit janë mësuar me gënjeshtrat e
politikanëve tanë - dhe as thjesht me punën e mirë organizative të PD-së, por më
së shumti me disa punë të këqija të qeverisë veçanërisht me disa aksione që
shkojnë 180 gradë kundër premtimeve si dhe me mënyrën se si po kryhen ato.
Problemi është se kjo maxhorancë ka marrë në duar për të kuruar një trup të sëmurë,
shumë të sëmurë. Ajo që po bën, nëse mund të përdor një metaforë, është sikur këtë
trup, që i ka të gjitha organet copë, ta hapësh dhe të kërkosh t'i operosh në të
njëjtën kohë edhe zemrën, edhe mëlçinë, edhe stomakun, edhe mushkëritë, edhe,
edhe. Nuk ka pikë dyshimi se trupi nuk mund të durojë një rrjedhje të tillë të
gjakut. Edhe rritje taksash, edhe prerje energjie për ata që nuk e paguajnë,
edhe rritje të çmimit të energjisë për të gjithë edhe rritje gjobash, edhe
shkatërrim i ndërtimeve pa leje - që kanë punësuar gjithsesi një numër jo të
vogël - edhe shkatërrim të marioanës, edhe rritje e tarifave për studentët,
edhe zëvendësime masive nga puna në administratë edhe, edhe. Nuk ka dyshim se
duhej vënë dorë mbi shumëçka, por jo në këtë mënyrë. Ta dikton bon sensi që në
një punë të kesh prioritete, që pasi kryen një operacion që derdh gjak duhet të
kujdesesh që trupi të rikuperohet njëfarësoj që të mund të aplikosh një terapi
tjetër mbi një organ tjetër të sëmurë. Po ashtu, jo çdo terapi duhet të jetë
operacion me thikë, mund të përdoren edhe terapi më afatgjata dhe jo
traumatike. Po t'i shtosh kësaj
edhe pandjeshmërinë që tregohet ndaj këtyre prerjeve me thikë si dhe faktin se jeta në
"pallat" vazhdon si më parë, me show-et e njëpasnjëshme të
Kryeministrit të rrethuar me një numër ministrash kukulla që s'kanë asnjë zë në
kapitull, zemërimi që shprehu kjo protestë është mëse i kuptueshëm.
Opozita
Paradoksi megjithatë qëndron në
faktin se protesta e njerëzve nuk mund të kanalizohen tjetërkund veçse në favor
të opozitës, e cila, në shumë aspekte, është përgjegjëse kryesore për sëmundjen
e rëndë ku ndodhemi. Nëse kjo qeveri mund të akuzohet si përgjegjëse për një terapi
të gabuar, për sëmundjen janë përgjegjës më shumë ata që kanë qeverisur tetë
vjet sesa këta që kanë vetëm një vit e pak.
E këtu vjen reflektimi që duhet të
bëjë opozita kur thërret njerëzit në protestë. Duket sikur ajo është e kënaqur
që tregoi forcën e saj dhe mjaftohet me kaq. Madje ndoshta ajo mund të jetë
duke fërkuar duart me idenë se do të rikthehet shumë shpejt në pushtet. Mirëpo
trupi i sëmurë është aty i gjithi duke pritur terapinë efikase dhe njerëzit nuk
mund të mos ngrenë edhe kësaj radhe pyetjen: po përsëri do të ngrihemi ne në
protesta e do të votojmë për të sjellë në pushtet po ata që, si gjithnjë, në opozitë na premtojnë Parajsën dhe në
pushtet na japin Ferrin? Çfarë na premton ndryshe kjo opozitë përveç përmbysjes
së kësaj qeverie në emër të pasurimit të oligarkëve të saj dhe punësimit të
militantëve të saj? A ka ajo ndonjë terapi tjetër kundër oligarkisë që akuzon
sot përveç metodës së qeverisjes që aplikoi gjatë të vjetëve që na katandisi në
këtë gjendje? Po për çështjet e kontrollit të territorit, të pagesës së
energjisë, të uljes së borxheve e me radhë e me radhë a ka ajo ndonjë ide më të
mirë?
Shoqëria civile
Një lexim pozitiv i kësaj
proteste vjen nga fakti se ajo tregoi se njerëzit gjithsesi arrijnë të reagojnë,
të paktën përsa i përket arrogancës së pushtetit. Sepse nuk ka dyshim se një
nga gjërat që i ka zemëruar ata është edhe një arrogancë dhe mospërfillje që po
tregon qeveria me në krye Kryeministrin duke mbështetur aksionet e veta
kryesisht në forcën policore si dhe duke mos përfillur qoftë një opinion jo të vogël publik
qoftë edhe opozitën e cila dukshëm ka të drejtë në disa nga pretendimet e saj.
Megjithatë, edhe pas protestës,
Kryeministri deklaroi se asgjë nuk do ta ndalojë në rrugën që ka nisur.
Nga ana tjetër opozita duket se është e gatshme të shfrytëzojë pakënaqësinë në
rritje në favor të rikthimit të saj në pushtet pa marrë parasysh asgjë.
Shoqëria civile duhet të shqetësohet
në këtë situatë pasi të dy forcat politika po tregohen irracionale - siç edhe
janë treguar historikisht - duke vënë konfliktualitetin dhe luftën për pushtet
midis tyre përmbi të mirën e të gjithëve. Protesta në këtë aspekt duhet lexuar
edhe si një grumbullim resh që paralajmërojnë furtunë. Nëse qeveria nuk reflekton, por vazhdon
me metodat që ka nisur, të rrisë pakënaqësinë, varfërinë dhe pasigurinë e jetës
së shumicës së njerëzve dhe opozita i shfrytëzon këto për të rritur
konfliktualitetin vendi mund të futet edhe në një krizë të rëndë destabilizimi
dhe mosqeverisshmërie.
Shoqëria civile mediet dhe në përgjithësi
njerëzit e vullnetit të mirë duhet të reagojnë për këtë dhe jo të bëjnë, siç
kanë bërë më së shumti, zgjatimin e llogoreve të partive.
Ndërkombëtarët
Së fundi, por jo për nga rëndësia,
besoj se kjo protestë duhet të bëjë të mendojnë edhe ndërkombëtarët e këtushëm,
ambasadorë të ndryshëm, që luajnë një rol jo të vogël në lojën tonë politike, të
cilët duken më të entuziazmuar se ç'duhet nga efektet spektakolare të disa
aksioneve të qeverisë, dhe kanë lënë jashtë shikimit dhe vëmendjes disa rreziqe
që i shprehu jo pak edhe kjo protestë. (Panorama, 24 nëntor 2014)
No comments:
Post a Comment