Më duhet ta them që në fillim një
opinion të fortë që s’është vetëm i imi: të përkujtosh me festime shtetërore një
ditë që për 45 vjet rresht ka qenë dita festive e diktaturës, ditë që në kujtesën
e shqiptarëve të burgosur, të pushkatuar, të izoluar, të lënë në injorancë dhe
mjerim është e lidhur me glorifikimin e persekutorëve të tyre, është një
fyerje. Është një fyerje ndaj të vdekurve dhe ndaj të gjallëve. Është një
fyerje ndaj së kaluarës historike gjithashtu, është një fyerje edhe ndaj së
ardhmes.
Si përjetim personal mund të them se
duke zipuar nga njëri televizion në tjetrin atë ditë, m’u bë sikur po shihja një
ëndërr, që më kthehet si makth herë pas here, në të cilën, megjithëse e di se
kanë ndodhur ndryshime, unë dhe shumë bashkëvuajtës të mi ndodhemi ende në burg
dhe s’i jap dot dum këtij paradoksi derisa më del gjumi. Por kësaj here këtë ëndërr
të keqe nuk e pashë në gjumë, por zgjuar, dhe jo bardh e zi, por me ngjyra.
ARSYET E KËTIJ FESTIMI
Arsyet e këtij festimi i kam
shtjelluar në një shkrim të disa kohëve më parë “Pse e duan Enver Hoxhën” (“Panorama”,
15 shtator 2014). Ato lidhen me narrativat që duan të mbajnë gjallë, në mungesë
të vizioneve e programeve e kredibilitetit moral, dy forcat politike në
pushtet, që kanë trashëguar të njëjtën kulturë të manipulim-simulimit të
regjimit të kaluar.
Simbolet e këtyre dy narrativave i
kemi edhe këto ditë të shpalosura në qendër të Tiranës: në fasadën e Pallatit të
Kulturës posterat gjigante përkujtojnë komunistët në luftë, ku spikat fotoja e
madhe e një skulpture të shëmtuar patetike e partizanit të panjohur; përballë
tyre demokratët e Bashkisë kanë vendosur një instalacion ku njerëzit shohin të
parakalojnë në një shirit të pafund fotot me emrat e mijëra viktimave të këtyre
luftëtarëve.
Sikurse e kam thënë edhe në shkrimin
që përmenda, këto nuk kanë të bëjnë me të djeshmen, por me të sotmen. Është një
lojë dy teatrosh, regjisorët e të cilëve kanë interes të mbajnë spektatorët në
tunelet e tyre, duke i polarizuar ata sa të jetë e mundur më shumë. Sigurisht,
edhe duke i mbajtur në injorancë, larg historisë së vërtetë, vlerave të vërteta,
respektit të vërtetë për dëshmorët e njërës apo tjetrës palë, por veçanërisht
duke i polarizuar. E përsëris, duke i polarizuar, sepse do t’i kthehem dhe
rikthehem këtij koncepti në këtë shkrim.
* * *
“Në sajë të Luftës (nënkupto që bënë
tanët) Shqipëria nuk u zhbë”; “Ne ishim në anën e duhur” (nënkupto të tjerët në
anën e armikut). “Në sajë të kësaj lufte ne jemi sot në NATO” (duke harruar se
nëse kishte njerëz që bënin ditë e natë propagandë kundër NATO-s dhe SHBA për
afro gjysmë shekulli qenë ata). “Ne po shohim sot të realizuara disa nga ëndrrat
tona të asaj kohe, si ajo për demokraci”– (tha një veteran, duke “harruar” se tërë
jetën ia ka dedikuar diktaturës së proletariati dhe jo demokracisë).
Këto qenë parullat që u përsëritën më
së shumti gjatë këtyre festimeve teatrale socialiste. Spikati, sigurisht, edhe
fjala e kryeregjisorit të shfaqjes: “I shohim me keqardhje ata që bëjnë përpjekje
të dëshpëruar për të zbehur 29 Nëntorin. Flamuri i Shqipërisë u ngrit dhe u valëvit
i lirë, krahas me flamurin e SHBA, Britanisë dhe shteteve të botës së lirë”,
tha ai në fjalën e tij, duke i rreshtuar tek “tradhtarët” “ata” që ngrenë
dyshime mbi narrativën socialiste të Luftës. Dikush u kujtua t’i vërë përballë
në internet fjalët që ka recituar, vite më parë, në teatrin tjetër: “Për ata që
mund ta kenë harruar historinë e Shqipërisë, kujtojmë se në Konferencën e Pezës
është vendosur që çështja e formës së shtetit shqiptar do të zgjidhet me një
referendum pas Lufte. Kurse Kongresi i Përmetit, me fitimin e luftës civile nga
komunistët, ia mohoi popullit shqiptar me dhunë këtë të drejtë politike”. Por për
këtë kategori aktorësh dhe regjisorësh, që harrojnë çfarë shfaqje kanë luajtur
dje, nuk ka rëndësi e vërteta. Për këta ka rëndësi vota, d.m.th. numri i
spektatorëve në teatër, që përkthehet në lekë dhe pushtet, pushtet dhe lekë. Sa
më injorantë të jenë njerëzit, aq më lehtë i manipulon dhe sa më shumë të
manipulohen, aq më shumë vota u merr. Prandaj parulla “gjithçka për pushtetin”
duhet të përqendrohet tek kontrolli i manipulimit, d.m.th. edhe tek kontrolli i
kujtesës së njerëzve. Paraqitja nëpër media e këtyre festimeve tregoi se ky kontroll
po merr përmasa të frikshme dhe shqiptarët e persekutuar, për turp të të gjithëve,
duhet të falënderojnë paralajmërimin e ambasadorit amerikan që pengoi që kësaj
here t’u hynte vetë Enver Hoxha me përdhunë në shtëpi si dikur. U hyri hija e
tij.
DISA ARGUMENTE HISTORIKE
Duke kërkuar t’u flasin, në emër të
këtij manipulimi, jo vetëm atyre që e kanë tashmë të gdhendur përjetësisht Luftën
në kokë si fe, por edhe atyre që mund të kenë ndonjë “dyshim”, politikanët e
festimit përsëritën disa herë argumentin se, po të mos kishte qenë Lufta, Shqipëria
nuk do të ekzistonte fare, sepse, sipas tyre, do të ishte e rreshtuar me humbësit.
Pa 29 Nëntorin nuk do të kishte 28 Nëntor–
ja pra se sa të rëndësishëm na paskan qenë Komandanti dhe shokët e tij. Prandaj
kush qahet se ai ka vrarë e prerë duhet të kuptojë se këto janë të parëndësishme
përpara lirisë së atdheut.
Pa dashur të ndalem në atë se ky
lloj argumenti, edhe po të jetë i vërtetë, është çnjerëzor sepse pa lirinë e
njerëzve konkretë liria e atdheut abstrakt është një fjalë boshe– dhe për njerëzit
konkretë atdheu i Enver Hoxhës ka qenë më i keq se çdo pushtim– më duhet të
them se ky argument është edhe i rremë. Shqipëria ka pasur, përveç komunistëve,
edhe mjaft dëshmi që do ta mbronin nga akuzat e përfshirjes në koalicion me
Boshtin e humbësve, pavarësisht bashkëpunimit të kuislingëve që, siç dihet, kanë
ekzistuar edhe në mjaft vende, që nuk u zhbënë megjithatë prej kësaj.
Së pari, Shqipëria kishte një Mbret,
i cili nuk e pranoi pushtimin italian, prandaj dhe iku më 7 prill 1939 e që ka
pasur në Luftë një përfaqësues të tij të rëndësishëm, Abaz Kupin. Kujtoj se
heroi i parë i rezistencës modeste që iu bë këtij pushtimi, Mujo Ulqinaku, nuk
ishte komunist, por u përkiste pikërisht njerëzve të Abaz Kupit, i cili ka qenë
vetë në krye të kësaj rezistence. Kujtoj po ashtu se pikërisht prej autoritetit
që i kishte dhënë kjo rezistencë, Abaz Kupi deri më ’43-shin ka qenë, së bashku
me komunistët, në Frontin Nacional- Çlirimtar në emër të çlirimit të atdheut,
pa dallim feje, krahine dhe ideje.
Së dyti: Shqipëria ka pasur edhe lëvizjen
nacionaliste, Ballin Kombëtar, me të cilët deri në Mukje kanë bashkëpunuar dhe
kanë bërë marrëveshje për çlirimin e vendit edhe komunistët.
Së treti, edhe aleatët anglo-
amerikanë kanë pasur njerëzit e tyre pranë këtyre organizatave antifashiste.
Së katërti, Shqipëria ka pasur edhe
shumë lëvizje në mbështetje të saj nga emigrantë shqiptarë jashtë atdheut dhe
po ashtu nga miq dashamirës të saj që kanë kryer aktivitete të ndryshme dhe që
janë injoruar krejtësisht nga historiografia komuniste.
Së pesti, sikur të mos kish qenë
prishja e Marrëveshjes së Mukjes nga komunistët, ky argument nuk do të mund të
ekzistonte fare.
PRISHJA E MARRËVESHJES SË MUKJES
"1. Luftë e menjëhershme kundër
pushtuesit të huaj dhe kundër cilitdo pushtues tjetër të mundshëm.
2. Luftë për Shqipëri të pavarur dhe
për vënien në jetë të parimit të njohur universal dhe të garancive të Kartës së
Atlantikut për vetëvendosjen e popujve. Për një Shqipëri etnike.
3. Për një Shqipëri të lirë, të
pavarur dhe demokratike për të gjithë popullin.
4. Për formimin e një qeverie të përkohshme
ngarkohet Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë.
5. Forma e qeverisjes do të vendoset
nga vetë populli, një mbledhje legjislative do të shpallë zgjedhje të përgjithshme
dhe të drejtpërdrejta”.
Këto janë pikat që u aprovuan në
Mukje në fillim të gushtit 1943. Po t’i shohësh nga këndvështrimi i sotëm, të bëjnë
të mendosh se po të kishte funksionuar kjo Marrëveshje, shqiptarët do të
vazhdonin së bashku luftën kundër gjermanëve– aq sa ia lejonte takati i një
vendi të vogël – në aleancë me aleatët, të cilët kanë luajtur një rol të rëndësishëm
edhe në organizimin e kësaj Konference dhe do të shkonin në zgjedhje, ku do të
mund të vendosnin qoftë me referendum për formën e shtetit monarki apo republikë,
qoftë për partitë që do të vinin në pushtet.
Po pse u prish Mukja? Shkaqet qenë
dy anë të së njëjtës medalje: çështja e pushtetit dhe çështja e sistemit. Sipas
udhëzimeve që vinin nga Jugosllavia e më përtej nga lëvizje komuniste botërore
me në krye Stalinin, pushteti nuk duhej ndarë me borgjezinë, por duhej punuar e
luftuar në favor të revolucionit proletar dhe vendosjes së diktaturës së
proletariatit që, nën udhëheqjen e BS, do të triumfonte shpejt në të gjithë botën.
Argumenti se ishte thjesht çështja e Kosovës që i shtyu jugosllavët të prishnin
Marrëveshjen e Mukjes, sipas mendimit tim, mbetet, pasi e ardhmja e komunizmit
nuk ka qenë e sigurt, por është dytësor në këtë kontekst, sepse, në planin e
komunistëve, kjo çështje do të zgjidhej në kuadrin e internacionalizmit që për
Titon kishte kuptimin e një federate ballkanike komuniste. Fakti është se Tito,
që aspironte të kryesonte një federatë të tillë, ka ndikuar edhe për të prishur
marrëveshjet për qeveri të unitetit kombëtar në Greqi, duke “ndihmuar”
shpërthimin e luftës civile edhe në Greqi. E provojnë këtë dokumente që kanë
dalë edhe në shtypin shqiptar së fundi, ku flitet për direktivat që u jepte ai
partizanëve grekë: “Po jua përsëris, mbajeni fort ushtrinë tuaj. Dëgjova që
doni ta shpërbëni dhe u zemërova. Po ju them vetëm një gjë: Është më mirë të
keni një batalion të armatosur, sesa 6 ministra në qeveri. Neve na intereson që
partia juaj të ketë nën kontroll gjithçka. Dy ushtarë mund të largojnë nga
qeveria këdo që ju bezdis. Nëse nuk keni ushtri, nuk mund të bëni asgjë”. A nuk
flet ky dokument shumëçka edhe për mentalitetin që ka çuar në prishjen e Mukjes
në Shqipëri, që solli edhe polarizimin e shoqërisë në komunistë dhe kundërshtarë të tyre? (Këtu po
hap një parantezë: një nga të metat që ka historiografia jonë është se
zhvillimet në Shqipëri i sheh nga një këndvështrim shumë shqiptarocentrist, a
thua se gjithçka është vendosur nga shqiptarët duke injoruar apo mbajtur
fshehur kontekstin ndërkombëtar, që ka qenë në fakt vendimtari për fatet e
vendit).
Atëherë shtrohet pyetja: nëse të
gjithë ishin në anën e më së mirës në Mukje, si vazhdim i konferencës së Pezës,
kush tradhtoi e çfarë u tradhtua? Sipas meje, u tradhtua parimi bazë i Pezës:
bashkimi i të gjithë shqiptarëve pa dallim feje, krahine dhe ideje për çlirimin
e atdheut, që nënkuptonte pastaj edhe ndarjen e pushtetit mes forcave të
ndryshme, d.m.th. vendosjen e një demokracie. U tradhtua nga komunistët në
favor të revolucionit që synonte marrjen e pushtetit dhe vendosjen e diktaturës
së proletariatit në shembullin e sistemit sovjetik, që frymëzonte komunistët
shqiptarë dhe jugosllavë. Argumenti që u dha një javë më vonë (8 gusht) se
Marrëveshja prishej sepse ballistët nuk kishin hedhur pushkë kundër armikut,
duket qartazi se është i stisur.
E para, se nuk është i vërtetë pasi
ka prova të pakundërshtueshme se kundër italianëve kishin luftuar edhe
ballistët.
E dyta, edhe sikur të ishte ashtu,
përderisa qe nënshkruar një marrëveshje e firmosur nga të dyja palët, që
përfshinte edhe një Komitet Shpëtimi Kombëtar, kjo nënkupton një bashkëpunim
që, të paktën, duhej vënë në provë. E vërteta është se në Konferencën e
Labinotit, që u mbajt afro një muaj pas Mukjes nga Fronti Nacional- Çlirimtar
(4 deri 9 shtator të vitit 1943), është miratuar teza sipas së cilës “Këshillat
Nacionalçlirimtarë janë përfaqësues të vetëm të pushtetit në Shqipëri”. E pra,
në këtë kohë as që mund të bëhet fjalë për ndonjë bashkëpunim të Ballit
Kombëtar qoftë me italianët dhe aq më pak me gjermanët, që nuk kishin hyrë ende
në Shqipëri.
Në fakt, deri dje luftën për çlirim
dhe revolucionin proletar, si dy anë të së njëjtës medalje, i ka pranuar edhe
Enver Hoxha, që ka folur vazhdimisht për “rolin udhëheqës të Partisë Komuniste”
duke e shitur si meritë, sepse ajo që ndodhi pas vitit 1944 na shitej si triumf
i revolucionit, si një e mirë e madhe, jo si një tragjedi.
Sigurisht, ta do mendja se
komunistët e thjeshtë– më të mirët e të cilëve ishin të rinj që sapo kishin
mbarur shkollat e mesme– gjatë asaj lufte kanë besuar vërtet se ata do të
ndërtonin një botë më të mirë nëpërmjet diktaturës së proletariatit nën
udhëheqjen e BS, por historia për këtë naivitet nuk u jep ndonjë meritë, por
vetëm të drejtën për të thënë se kishin bërë një zgjedhje të gabuar. Ndërsa për
ata që nuk ishin naivë si Enver Hoxha, në të gjithë këtë strategji ka pasur një
pabesi të madhe sepse pjesa/Partia Komuniste, duke mos u shfaqur si pjesë, por
si e tërë, ka shfrytëzuar dhe tradhtuar interesat e së tërës në emër të
interesave të veta.
LUFTA CIVILE
Pas Mukjes, Shqipëria hyn në një
polarizim të imponuar nga komunistët, që degjeneroi në luftë për pushtet midis
dy forcave, ku është treguar një egërsi dhe armiqësi e denjë për një popull që
në fillim të luftës ishte 90% analfabet. Në këtë luftë bën pjesë edhe
bashkëpunimi i një pjese të Ballit me gjermanët.
Lind pyetja: po pse historianët
politikanë të teatrit socialist nuk duan që nuk duan ta pranojnë se ka pasur
luftë civile në Shqipëri, që do të thotë luftë për pushtet midis komunistëve
dhe kundërshtarëve të tyre? Ua tha edhe historiani Bernd Fisher së fundi këtë
dhe u hodhën përpjetë. Sipas meje, për shkak të mitologjizimit që i ka bërë
Luftës historiografia komuniste e që ata duan ta mbajnë gjallë në funksion të manipulimit
të votuesve të rinj. Lufta civile nënkupton dritë - hije, kurse ata synojnë ta
paraqesin si një dritë absolute. Aq i fortë është ky element mitologjizues i
përpunuar nga Enver Hoxha, saqë nga historia janë fshirë më shumë se gjysma e
pjesëmarrësve të Konferencës së Pezës e historianët socialistë s’i përmendën as
sot, pasi u duken si hije. Sepse festuesit duhet të paraqiten vetëm si e mira
triumfuese mbi të keqen dhe, që të paraqiten kështu, duhet që kundërshtarët të
jenë në një front me të keqen. Prandaj përdoret edhe argumenti gjoja shkencor
sikur nuk ka luftë civile, kur ka pushtim, por në një krah ishin e mira:
komunistët që luftonin për çlirimin e atdheut, kurse në krahun tjetër e keqja: pushtuesit nazifashistë dhe bashkëpunëtorët e tyre tradhtarë. Prandaj dhe, meqë
faktin që ajo që ndodhi më pas ishte një tragjedi nuk e mohojnë dot, kanë bërë
zgjedhjen të na shesin një ndarje midis dritës që na paska rrezatuar deri më 29
Nëntor ‘44 Enver Hoxha me partizanët e tij dhe errësirës që e pllakosi vendin
më pas.
Mirëpo ky argument është i
pafuqishëm ndaj shumë pyetjeve që lidhen me historinë e vërtetë të Luftës: siç
janë tradhtia e parimeve të Pezës dhe Mukjes, që çuan në vëllavrasje dhe
diktaturë. Ky argument nuk i jep dot përgjigje as një pyetjeje shumë të
thjeshtë: kur ata ishin kaq të mirë deri më 29 Nëntor ‘44, pasi kishin besim se
kishin bërë vetëm mirë dhe se do të ndërtonin sistemin më të mirë në botë, pse
futën nëpër kampe përqendrimi menjëherë pas luftës edhe gratë dhe fëmijët e
atyre që i konsideronin kundërshtarë?
Pse duhej izoluar e rrethuar me tela
një vend që do të duhej të ishte simbol frymëzimi edhe për të tjerët?
Përgjigjen na e jep Sejfulla Malëshova, që nuk ishte ballist, por komunist, e
që thotë pikërisht në atë kohë se Partia Komuniste ishte kthyer që gjatë Luftës
në një bandë kriminelësh.
MUNGESA E MËSIMIT NGA HISTORIA
Kam ngulmuar dhe ngulmoj se Lufta
duhet studiuar në funksion të kuptimit të së sotmes që po e vuajmë deri sot dhe
jo të festohet në emër të vazhdimit të kësaj vuajtjeje. Mësimet që mund të
nxirren janë të shumta, por unë po përqendrohem në atë që më duket sinteza e të
gjitha gabimeve.
Sikurse u përpoqa të shpjegoj, Lufta
ka një moment kthese tragjike, Mukjen, që është në qendër të tragjedisë
shqiptare, sepse, sikurse e kam thënë edhe herë tjetër, është në origjinën e
historisë së mëpasshme vëllavrasëse dhe përçarëse midis shqiptarëve. Dy gjëra
kemi trashëgim nga e keqja e saj që sot e kësaj dite duhet t’i studiojmë:
E para, politikat ku interesi i
pjesës/partisë vihet mbi interesat e tërë shoqërisë, vendit, duke çuar në
sundimin e plotë të pjesës mbi të tërën, polarizimin ekstrem të shoqërisë me
idenë se duhet të jesh më i forti që të fitosh mbi më të dobëtin dhe të sundosh
i vetëm.
E dyta, tradhtinë nga ana e
udhëheqësve tanë të çdo ideali e premtimi që lidhet me interesin e së tërës për
hir të sundimit të pjesës me në krye udhëheqësin e radhës. Që të dyja i shohim
të mishëruara tek të gjitha zhvillimet politike që kanë ardhur pas Mukjes dhe
tek të gjithë liderët që kanë ardhur deri më sot në krye të Shqipërisë, duke
filluar nga Enver Hoxha. Fakti që edhe më herët, kur lindi për herë të parë
mundësia e një Shqipërie demokratike, në vitet 1920 - 1924, Zogu dhe Noli, si
përfaqësues të dy partive të ndryshme, nuk mundën dot të bashkëpunojnë, por
luftuan për jetë a vdekje me njëri- tjetrin, tregon se rrënjët e kësaj së
keqeje janë edhe më të thella - por Mukja ishte sidoqoftë shumë më tragjike,
sepse në kohën e diktaturës polarizimi i shoqërisë në të mirë dhe të këqij në
emër të sundimit degjeneroi në shtypjen totale të njërës pjesë.
Pas rënies së diktaturës, hija e
Mukjes si vënie e interesit të pjesës dhe pushtetit të saj mbi interesin e
vendit, madje në dëm të tij, vazhdon në një formë më të butë, por përsëri është
sëmundja kryesore që kanë të gjithë shqiptarët. (E gjen edhe në Kosovë, edhe në
Maqedoni, e pa dyshim është një çështje kulture, prandaj dhe gjykoj se në raste të tilla si përkujtimi i Luftës duhet të përqendroheshim atje).
Është një çështje kulturore edhe
“aftësia” e udhëheqësve tanë për të tradhtuar çdo ideal apo vizion për botën
për hir të pushtetit dhe gjetja pastaj e gënjeshtrave gjithfarëshe për ta
fshehur këtë tradhti. Kujtoni se si Enver Hoxha u prish me jugosllavët, pastaj
me sovjetikët, pastaj me kinezët, gjithnjë në emër të pushtetit të vet, e duke
mos dhënë asnjëherë shpjegime të sinqerta për këtë, por duke sajuar gjithnjë
pretekste, siç qenë ato të prishjes së marrëveshjeve së Pezës e Mukjes. E
njëjta histori ka vazhduar edhe pas rënies së komunizmit.
Nuk po zgjatem me komunistin fanatik
Sali Berisha që u bë antikomunist fanatik pa iu dridhur qerpiku. Disa thonë se
ai i përket brezit të vjetër të edukuar me frymën enveriste. Po nuk duket i
ndonjë brezi tjetër Edi Rama, që dje shkruante për nevojën e “denoncimit pa
kompromis të veprimtarisë kriminale të PPSH-së […] të origjinës dhe historisë
së saj”, kurse sot glorifikon, pa iu dridhur qerpiku, pikërisht ato origjina dhe i quan tradhtarë ata
që flasin siç fliste ai vetë dje.
Shqiptarët janë
shumë vonë në nxjerrjen e këtyre mësimeve pa të cilat zor se do të hyjnë në
demokraci. Festimet e 70 vjetorit të mbarimit të Luftës së Dytë në Shqipëri
treguan se fatkeqësisht kjo vonesë do të vazhdojë në pritje njerëzish më të
ndriçuar e më të ndershëm. (Panorama, 3 dhjetor 2017)
No comments:
Post a Comment