Ata që kanë komentuar zgjedhjet e reja në PD, duke
ngritur pyetjen nëse po ndryshon apo jo kjo parti me udhëheqjen e re, më së shumti e kanë
fokusuar debatin në pyetjen nëse ka mbetur kjo parti ende nën sundimin e
Berishës apo të rinjtë, me në krye Bashën, e kanë marrë atë në dorë për t'i
dhënë një frymë të re. Duke u nisur nga ky kriter: pra ku ndryshimi barazohet
me heqjen e Berishës, kritikët thonë se kjo parti nuk ka ndryshuar pasi ajo
vazhdon të udhëhiqet nga Berisha, se ajo nuk ka bërë asnjë analizë për
përgjegjësitë që ka për të kaluarën (duke nënkuptuar me këtë dënimin e
Berishës). Një pjesë e ilustrojnë këtë duke bërë krahasimin me përvojën e Ramës
në PS-në, për të cilin thuhet se ai e ka marrë vetë partinë, nuk e ka pushtetin
dhuratë nga Nano. Nga ana tjetër dashamirët e Bashës ngulmojnë se ai po e merr
dalë nga dalë në dorë partinë edhe pse jo me metoda të forta ndarjeje nga e
kaluara.
Sipas mendimi tim ta reduktosh problemin e ndryshimit të
PD-së, por edhe të PS-së, në çështjen nëse lideri i ri ia ka marrë vërtet
pushtetin liderit të ashtuquajtur historik apo jo është të futesh në një rrugë
qorre e të mbetesh aty. Çështja shtrohet se çfarë ndryshimi sjell në parti
lideri i ri, çfarë gjëje të re përfaqëson ai?
Nëse do të flisja për problemin e problemeve që kanë
partitë tona si nevojë për ndryshim do të veçoja atë se ato nuk përfaqësojnë,
(në mënyrë indirekte), interesat e shtresave social ekonomike që i votojnë, por
janë kthyer gjithnjë e më shumë në përfaqësuese direkte të interesave të
militantëve të tyre si dhe të sponsorizuesve të tyre. Me fjalë të tjera më
shumë sesa parti në shërbim ato janë kthyer në grupe biznesi ku njerëzit që
hyjnë në to, apo që sponsorizojnë ato, i shohin si instrumente përfitimi
personal. Në këto parti ka një hierarki që është e ngjashme me hierarkinë e një
kompanie të madhe biznesi. Në nivelin më të ulët janë punonjësit e saj të
thjeshtë rrogëtarë që në këtë rast mund të jenë militantët e punësur nga
partitë në vende të ndryshme pune. Mbi këta është pjesa e menaxherëve të
kompanisë që janë politikanët e rangjeve
të ndryshme pjesa më e lartë e të cilëve, pas zgjedhjeve, bëhen deputetë e,
nëse i fitojnë ato, edhe kryetarë bashkie, ministra, kryeministra. Në majë fare
qëndrojnë aksionerët e kompanisë që janë ata që kanë investuar që kompania të
ngrihet dhe që investojnë përsëri fitimet e tyre që ajo të rritet dhe
fuqizohet. Midis menaxherëve ka nga ata që janë bërë edhe aksionerë dhe po
ashtu një pjesë aksionerësh bëjnë edhe punë menaxheriale. Kujtoni pasanikët që
janë bërë edhe deputetë ashtu si dhe politikanët që kanë hapur biznese të
ndryshe. Puna kryesore e këtyre kompanive është se si të zaptojnë sa më shumë
vende pune në administratë, se si të shfrytëzojnë pushtetin për tu pasuruar
nëpërmjet korrupsionit si dhe nëpërmjet ndarjes së parave publike të
tenderimeve të ndryshme (prandaj dhe ndryshe i kam quajtur thjeshtë banda që
luftojnë për kontrollin e territorit).
Në këto kompani kryetari i Partisë është një lloj kryemenaxheri
i interesave të saj. Duket sikur ai ka fuqi të madhe, por fuqia e tij bazohet
në atë se sa ai është i zoti të rrisë përfitimet e kompanisë dhe kryesisht të
aksionerëve të saj. Edi Rama, që merret nga disa si shembulli i suksesit të
liderit që arriti të zëvendësojë liderin historik Nano, është i tillë, dmth. I
suksesshëm, për ata që e reduktojnë lojën deri tek dalja në krye të kompanisë
dhe bërja i domosdoshëm për të apo edhe i pazëvendësueshëm. Por kush e kujton
ngritjen e tij në pushtet nuk mund të mos ketë parasysh "bordin" e
aksionerëve të kompanisë PS (ndër ta kryesisht ndërtues dhe investitorë në
media) që e solli në pushtet sipas thënies së Metës në atë kohë: "Një
pallat një votë". Ndërkaq edhe pse Nano iku, nuk kemi dëgjuar nga Rama
ndonjë analizë kritike për modelin e partisë së tij, siç i kërkohet t'i bëhet
sot nga Basha asaj të Berishës. Partia/kompania është po ajo. Ajo vazhdon të
punojë me bord aksionerësh dhe për interesat e tyre me Ramën si
kryemenaxher. Edhe Berisha në kryer të
PD një kryemenaxher i tillë ka qenë, edhe pse bënte sikur i interesonte më
shumë pushteti personal sesa "mbarëvajtja" e punëve të pista të
aksionerëve të kompanisë së tij. Dikush do të thotë në këtë pikë: jo, ngadalë
një çikë se ka të bëjë edhe prirja më shumë apo më pak diktatoriale e njërit
apo tjetrit, kultura, aftësia komunikuese, sensi i masës. Jam dakord, por këtu
po merrem me thelbin që përcakton mënyrën e funksionimit të partive dhe
kryemenaxherin dhe jo me këto që më duken të dorës së dytë.
Në lojën mediatike që bëhet - kam shkruar edhe më herët
për këtë - partia që paraqitet si modeli
i partisë qartazi kompani biznesi është LSI-ja e Ilir Metës. Por a është e vërtetë
se ajo është e vetmja? Sipas meje absolutisht jo. PD-ja dhe PS-ja kanë qenë dhe
mbeten kompanitë kryesore që kanë ndarë dhe ndajnë përfitimet kryesore në
tregun ekonomiko politik shqiptar. Ilir Meta thjesht hapi një filiale të PS-së
me ambicien që të bëhet konkurrenciale dhe t'ia kalonte asaj në përfitime. Por
të mos harrojmë se fitimet për të bërë këtë investim i kishte nxjerrë kur ishte
në PS e cila ka mbetur deri më sot kompania më e madhe, e pasuar nga PD-ja.
Le t'i kthehemi tani PD-së dhe zgjedhjeve të saj. Ajo që
ne kemi nevojë të ndryshojmë - e që në rastin konkret ia kërkojmë opozitës -
është diçka më shumë sesa ndryshimi i kryemenaxherit. Ne kërkojnë kthimin e një
partie nga kompani private biznesi që punon për rritjen maksimale të fitimit
për punonjësit dhe aksionerët e saj në një organizatë që përfaqëson interesat e
një grupimi shumë të gjerë votuesish nëpërmjet politikash ligjore, shtetit të
së drejtës, zgjedhjes së njerëzve më të mirë në funksionet shtetërore etj.,
etj. Me fjalë të tjera, duam një parti të udhëhequr nga politikanë që punojnë
për interesat e grupit të madh që i voton dhe jo të grupit të vogël të
aksionerëve që investon në të për të rritur fitimet në kurriz të grupit të
madh.
Personalisht më duhet të pohoj se këtë lloj
shqetësimi dhe problemi nuk e dëgjova të preket jo vetëm gjatë zgjedhjeve të
PD-së, por as në komentet e shumta që e pasuan atë. As qoftë edhe ndonjë shkëndi e vogël debati
nuk u ndez në këtë drejtim. Prandaj mendoj se me Berishën apo me Bashën në krye
kjo parti do të vazhdojë të punojë si një parti/kompani biznesi ashtu siç ka
punuar PS-ja dje me Nanon e sot me Ramën dhe ashtu siç vazhdon të punojë LSI-ja
me Metën. Dhe, me qenë se njerëzit jashtë partive e perceptojnë kështu, me
liderin e ri apo me atë historik në krye, ajo nuk ka shans të gjejë mbështetje
të rëndësishme përveçse për shkak të rritjes së zullumeve anësore të kompanisë
tjetër. Them "anësore" sepse biznesi këtyre kompanive u ka shkuar
vazhdimisht fjollë, por efektet anësore të biznesit të tyre kanë qenë
shkatërrimtare. Prandaj e shtroj edhe një
herë, me rastin e këtyre zgjedhjeve të PD-së, pyetjen: a nuk ka ardhur koha të
ngrihet një parti e atyre që ka një çerek shekulli që pësojnë "efektet
anësore" të biznesit të parti/kompanive PD-PS-LSI & Co? (Panorama, 9 dhjetor 2014)
No comments:
Post a Comment