Opinioni po zien rreth botimit të një raporti
konfidencial për përdorim të brendshëm të OSBE-së në të cilin përmenden emrat e
Edi Ramës, Sali Berishës, Ilir Metës si dhe të një numri deputetësh biznesmenë
oligarkë duke i cilësuar si të
korruptuar dhe të lidhur me krimin. Zhurma rreth tij s'po ka të shuar edhe pas
deklaratave të përsëritura të prezencës dhe të ambasadorit Rauning se raporti
ka qenë për përdorim të brendshëm, se ai nuk shpreh qëndrimin zyrtar të OSBE.
Kjo nuk e pengoi aspak Edi Ramën të vazhdojë t'i quajë kriminale mediet që e
botuan këtë raport, sipas tij plot gënjeshtra, që Sali Berisha ta quajë
"trillim të turpshëm e qesharak" e t'i shkruajë ambasadorit se është
bërë "palë me shpifësit", që Ilir Meta t'i quajë "karagjozllëqe
me të cilat nuk ia vlen të merresh" ato që shkruheshin në raport, që
gazeta e deputetit të përmendur Kokëdhima të kërkojë largimin e misionit të
OSBE nga Shqipëria, e që një pjesë nga deputetët e përmendur të kërcënojnë se
do ta hedhin në gjyq OSBE-në. Është folur edhe për një telefonatë kërcënuese të pakonfirmuar të
Ramës ndaj ambasadorit Rauning si dhe për plane të qeverisë për tërheqjen e
projekteve me OSBE. Më anë tjetër gjithë ky reagim i politikës ka bërë që të
elektrizohen shqiptarët e thjeshtë
me shpresën se diçka po ndodh në këtë moçal krimi dhe korrupsioni.
Ka një paradoks që duhet shpjeguar në tërë këtë
histori. Si ka mundësi që po bëhet gjithë kjo zhurmë si nga të akuzuarit edhe
nga shqiptarët e thjeshtë ndërkohë
që në atë raport nuk ka asgjë të re për bëmat e Edi Ramës, Sali Berishës, Ilir
Metës e shumë prej deputetëve të përmendur.
Le të përpiqemi ta shpjegojmë këtë paradoks.
E para gjë që duhet vënë në dukje është se politikanët
e revoltuar me raportin e dinë shumë mirë se ato që thuhen atje janë të vërteta
(të paktën ato që thuhen për palën kundërshtare) sepse janë edhe ata që kanë
furnizuar qoftë mediet qoftë ndërkombëtarët me ato të dhëna. Mjafton të kesh
parasysh se për korrupsionin e Edi Ramës me leje ndërtimi e me tenderë opozita
dhe mediet pranë saj kanë ngritur një mal me dosje duke filluar nga i famshmi
Komisioni Olldashi. Po ashtu mjafton të kesh parasysh se sa është folur nga
maxhoranca e sotme dhe mediet pranë saj për Gërdecin dhe përfshirjen e të birit
të Berishës atje apo për aferat e së bijës me studion e saj ligjore, për të
kuptuar se OSBE s'ka pasur se si të mbyllë sytë e veshët ndaj këtyre akuzave.
Kurse për Ilir Metën kemi akuzat e të dy palëve, shumë herë më të rënda sesa
ato që thuhen në raport. Mjaft të kemi parasysh faktin se Edi Rama çoi drejt
kasaphanës së Sali Berishës një turmë protestuesish në krye të së cilës ishin
treqind spartanët e Tom Doshit mu për shkak të një videoje ku, sipas tij, dilte
qartë korrupsioni i Ilir Metës e më pas akuzat e opozitës ndaj Metës për çështjen
Doshi.
Po atëherë pse janë shqetësuar kaq shumë këta për një
raport për përdorim të brendshëm, i cili, sipas meje, mund të kishte qenë edhe
shumë më i pasur qoftë me bëma qoftë me pasoja të këtyre bëmave? Sipas meje kjo
ndodh sepse raporti u bë i jashtëm. Shqetësimi i tyre tregon se komuniteti ndërkombëtar
është faktor shumë herë më i rëndësishëm për legjitimitetin e kësaj elite sesa
populli shqiptar, që i di përmendësh e i bisedon përditë nëpër kafene, me
detaje shumë më të hollësishme të thënat e të pathënat e këtij raporti. Ata nuk
i tremb fakti se OSBE apo amerikanët i dinë bëmat e tyre, por frika se mos vallë
aleatët e tyre kanë vendosur të mos ua japin më legjitimitetin që u kanë dhënë,
pra të veprojnë në një mënyrë apo tjetër për t'i rrëzuar ata nga pushteti.
Më anë tjetër, pikërisht kjo frikë e tyrja është
shkaku se pse janë elektrizuar kaq shumë shqiptarët? Tani që lojës mashtruese të
mbështetjes së njërës parti kundër tjetrës në favor të së njëjtës kastë i ka
dalë boja tërësisht ata ndjehen të
pafuqishëm ndaj kësaj kaste dhe të gjithë shpresën e shpëtimit e kanë tek të
huajt. Prandaj dhe kanë tjerrur teori konspiracioni njëra pas tjetrës sipas të
cilave amerikanët dhe evropianët kësaj radhe kanë vendosur ta rrëzojnë regjimin
oligarkik të Tiranës e se kjo e ka nismën që nga fjala e John Kerry-t. Dhe nuk
kanë faj ç'është e vërteta. Po të shikosh historinë e Shqipërisë sa herë që janë rrëzuar nga pushteti
kastat e urryera janë rrëzuar si pasojë ngjarjesh ndërkombëtare. Puna është se
këto nuk kanë ndodhur për hatër të shqiptarëve.
Ja ky është sipas meje shpjegimi se pse po bëhet kaq
shumë zhurmë për asgjë qoftë nga të akuzuarit në raport qoftë nga viktimat e
tyre shqiptare.
Megjithatë zhurma flet për një gjë thelbësore:
gjendjen mjerane të shteti të së drejtës në Shqipëri. Sepse sikur në Shqipëri të
funksiononte një drejtësi e ndarë nga pushteti i oligarkëve të përmendur dhe i
disa të tjerëve që s'kanë hyrë ende në Parlament, ajo do të kishte siguruar me
kohë vërtetësinë ose pavërtetësinë e këtyre akuzave e nuk do të kishim fare një
raport të tillë. Ja pra pse duhet reforma në drejtësi - do të thonë disa me në
krye ndërkombëtarët në fjalë. Mirëpo pas reagimit që pamë me raportin shtrohet
pyetja: a mund të kryhet një
reformë që të sigurojnë drejtësi, dmth. edhe barazi përpara ligjit nga
politikanë të cilët sapo u përmendet emri sulmojnë edhe autoritetin e vetëm që
ka një lloj kredibiliteti për tu quajtur arbitër dhe i drejtë në këtë vend? JO,
sipas meje politikanë të mësuar me sundimit të më të forti e jo të ligjit nuk
mund ta lejojnë një reformë të tillë. Ky është një mision i pamundur me këta
njerëz në pushtet sepse sundim i ligjit dhe sundimi i sojit të këtyre politikanëve
janë dy gjëra që e përjashtojnë njëra tjetrën. Që ligjit dhe të drejtës t'i
hapet rruga e sundimit në Shqipëri duhet që delegjitimimi i tyre të mos mbesë në
letrat e një raporti konfidencial të OSBE-së, por të bëhet realitet nga
shqiptarët. Dhe kjo mund të ndodhë vetëm kur ata të kuptojnë se kjo punë nuk bëhet
me letrat e ndërkombëtarëve, por me luftën e tyre për liri, dinjitet dhe drejtësi.
(Panorama, 23 shtator 2015)
No comments:
Post a Comment