Po flitet dhe shkruhet shumë këto ditë për faktin
se Ben Blushi ka kërkuar kryerjen e zgjedhjeve për kryetar në Kongresin e
Partisë Socialiste që do mbahet në mars për të respektuar statutin e Partisë.
Madje ka shpallur edhe kandidaturën e tij. Kanë dalë (pak) gazetarë që i japin
të drejtë, dhe (shumë) gazetarë, drejtues dhe militantë të PS, që kundërvihen. Në debatet që po zhvillohen
midis tyre shumica merren me argumentet se pse ka të drejtë Blushi apo pse ka
të drejtë Rama. Të parët i referohen statutit, demokracisë në parti, faktit se
kjo parti ka pasur zgjedhje në kohën e Nanos kurse të dytët, argumentit se kjo
zgjedhje është e panevojshme pasi Rama është fitues i zgjedhjeve të mëdha.
Është mëse e qartë se argumenti i të dytëve është
shumë i dobët dhe i sforcuar sepse me të njëjtin argument mund të pretendohej
se nuk do të duhet të zgjidhej as Kryesia - nëse fitoren ia dedikojnë të gjithë
partisë, siç thuhet rëndom, dhe jo një njeriu të vetëm. Prandaj për këdo që ka
një minimum racionaliteti nuk është vështirë t'i japë të drejtë Blushit. Më
duket humbje kohe të rreshtoj argumente të tjera.
Problemi për mua është se Blushi po shërben si një test për PS dhe Kryetarin.
Refuzimi i tij duhet të na bëjë të ngremë dy pyetje, që s'po i shoh të ngrihen
në media, përgjigja e të cilave, sipas meje, përmban një shqetësim të madh.
Pyetja e parë
Ore, ky Edi
Rama, pse nuk pranon të bëhet zgjedhja e kryetarit, sipas statutit, ndonëse e
ka fitoren të sigurt? (Sepse edhe ata që e mbështesin Blushin pranojnë se Rama
do të ishte fituesi i sigurt.) Çfarë ndodh në mendjen e këtij njeriu, pra?
Është e
rëndësishme kjo pyetje sepse përgjigja ka të bëjë me analizimin e
gjendjes mendore të liderit të PS-së. Dhe gjendja e tij mendore nuk ka të bëjë
thjesht me atë se ai është lider i PS,
por sepse është edhe kryeministri i të gjithë neve.
Në përpjekjen për të gjetur përgjigje personalisht
arrij në dy hipoteza të cilat më çojnë në përfundime tejet shqetësuese.
Hipoteza e parë
është ajo se Rama e konsideron veten aq absolut saqë vënia në diskutim e
lidershipit të tij e bën të ndjehet keq? Dmth., ky njeri, nuk e ka hallin se
mos humbet, por se nuk e duron dot psikologjikisht ekzistencën e njerëzve që
mund të refuzojnë atë për Ben Blushin, qofshin këta edhe një numër i vogël. Dhe
kjo është e rëndë, sepse një njeri që s’pranon të vihet në diskutim, vuan nga
një delir madhështie me rreziqe jo vetëm për veten, por edhe për të tjerët. Kjo
situatë psikologjike më kujton një thënie të Lacanit: “Një njeri që kujton se
është mbret është i çmendur, por një mbret që kujton se është mbret është edhe
më i çmendur.”
Hipoteza e dytë:
Rama e konsideron Partinë Socialiste si një fole nepërkash dhe nuk ka besim të
hyjë në zgjedhje për kryetar sepse mund ta presin në besë e të mos e zgjedhin.
Që ka në atë parti njerëz që janë aty jo
në sajë të Kryetarit, por në sajë të meritave të një kohe kur Kryetari s’ka
qenë aty, kjo dihet. Por që Rama të ketë kaq frikë prej tyre kjo nuk mund të
shpjegohet me realitetin e PS, por me atë se si përthyhet në psikikën e Ramës
gjendja e PS. Duket se ai gjithnjë e më pak u beson të vjetërve. Në këtë
kontekst pastrimi i PS nëpërmjet
rilindësve - gardistë të kuq të kujton kohët e fundit të Hoxhës kur ai e
lenkaçukëzoi Partinë, duke e mbushur me të rinj që nuk kishin asnjë meritë
tjetër përveçse ishin zgjedhur nga udhëheqësi për shkak të adhurimit ndaj
tij. Që edhe kjo po ndodh është e
vërtetë - duke shtuar se përveç gardistëve të kuq, që kanë mësuar përmendësh
gjuhën që duan perëndimorët të dëgjojnë për t'u treguar se PS po rinovohet
(histori kjo e vjetër sa mosha politike e Pandeli Majkos dhe Ilir Metës) -
duhen shtuar edhe gardistët e zinj të krimit e trafikimit që e përdorin Zorrën
e PS për të larë veprat e paratë e tyre të pista. Por, megjithatë, sipas kësaj hipoteze, frika ndaj të tjerëve
që mund të kenë ndonjë mendim kritik apo që mund të tregojnë një minimum
dinjiteti e personaliteti mbetet për mua irracionale.
Pra, nëse do t’i bashkojmë të dy këto hipoteza,
që, në fakt, nuk e kundërshtojnë njëra tjetrën, - si përgjigje ndaj pyetjes se
pse nuk pranon Rama zgjedhje të kryetarit - dalim në përfundimin se kemi të
bëjmë më një anë me delirin e madhështisë dhe, më anë tjetër, me maninë e
persekutimit të Kryetarit si bashkimi më i rrezikshëm për një udhëheqës, sepse
një njeriu me mendje të tillë nuk mund t'i lihet në dorë as familja e vet e jo
më një parti e aq më pak i tërë shteti.
Pyetja e dytë
Por Blushi, si test, nuk vlen vetëm për të ngritur
pyetje lidhur me gjendjen mendore të Ramës. Ai vlen si test për të ngritur
pyetje edhe për gjendjen mendore të familjes socialiste që shërben edhe si një
test për gjendjen mendore - kulturore të të gjithë shoqërisë - sepse është
elita e kësaj partie që po e drejton vendin. Pyetja që ngrihet është: si ka
mundësi që ndërkohë që Kryetari jep përditë shenja të dukshme arrogance, deliri
dhe mospërfilljeje të çdo mendimi kritik, duke arritur deri atje sa nuk pranon
të bëhet zgjedhje e kryetarit, numri i atyre që i thonë në Parti "jo, s'të
lejojmë deri këtu" ka shkuar drejt zeros? Çfarë ndodh në atë familje? Pse
po zhduken njerëzit e fundit, që mendohet se mund të kenë një mendim të vetin
kritik qoftë për demokracinë e brendshme
në këtë parti, qoftë edhe për mënyrën se si po qeveris Rama? E më gjerë: si është e mundur që kaq shumë
shqiptarë jetojnë me spektaklin e gënjeshtërt, prej mashtruesish, të dhunshmish
e mitomanësh që u ofrojnë përditë njerëz si Rama dhe mediet e tij dhe, edhe kur
i njohin si të tillë, (mjaft të kesh parasysh premtimet elektorale) u nënshtrohen gjithnjë e më shumë në vend se
të indinjohen gjithnjë e më shumë? Këto pyetje ndaj gjendjes mendore të PS-së
janë si faqja tjetër e medaljes për të kuptuar realitetin psikologjik dhe
kulturor shqiptar.
Si përgjigje disa mbeten tek konstatimi se ashtu
si është katandisur Partia Socialiste, më një anë e kapur nga oligarkët e
mediet e Ramës, më anë tjetër me njerëz të depersonalizuar, që s’kanë hall
tjetër veç bizneset e tyre që varen nga qeveria, me të rinj që s'mund të
sigurojnë të ardhme po nuk u futën në ndonjë parti, nuk ka shans tjetër. E
megjithatë, në përgjigje të këtyre pyetjeve, unë ngulmoj se të arrish deri atje
sa të mos kesh kurajë të kërkosh zgjedhje është diçka që e kapërcen këtë
kondicion dhune strukturore që ushtron sistemi. Kjo nuk është thjesht çështje
frike nga Rama. Kjo është edhe çështje kondicioni mendor, çështje e kulturës së
raportit të njeriut me tjetrin dhe me veten. Kjo flet për njerëz që as nuk e
dinë se çdo të thotë të kesh ideale, individualitet dhe personalitet, dinjitet
dhe mendim të vetin: me një fjalë respekt për veten që nënkupton edhe respekt
për tjetrin. Kjo do të thotë që përgjegjësitë që duhet të zhvillojë njeriu ndaj
të tjerëve dhe ndaj vetes me rritjen dhe pjekurimin, t'i lesh në duar të të
tjerëve; dmth., të mbetsh në gjendjen e një fëmije të papërgjegjshëm.
Ky kondicion kulturor, nga pikëpamja psikologjike,
mua më ngjall fantazmën e asaj kohe, prej nga vijmë, kur Enver Hoxha edhe kur
po zhdukte bashkëpunëtorët e vet më të afërt me akuza që askush nuk i besonte,
madje edhe kur ishte kthyer në një kufomë të gjallë, askush nuk guxonte të
ngrihej të thoshte një gjysmë fjale për marrëzirat dhe krimet që po bënte, jo
thjesht ndaj njerëzve rrotull tij, por ndaj krejt vendit.
Dikush do të thotë se po e ekzagjeroj apo do të më
citonte atë thënien e njohur se historia përsëritet një herë në formë
tragjedie, të dytën si farsë. Por nuk është kështu. Sigurisht nuk jemi në kohën
e kampe - burgjeve, por as nuk mund të qeshim si me një farsë duke parë
tragjeditë dhe padrejtësitë që po prodhohet ndaj shqiptarëve përditë. Thënia se
historia përsëritet herën e dytë si farsë i përket një kohë kur mendimi
njerëzor pranonte se fatet tona ishin të determinuar nga një ligjësi historike,
përtej vullnetit njerëzor. Por, që kur njeriu zbuloi se fatet e së ardhmes së
tij vareshin nga ai dhe se ai nuk varej nga asnjë lloj determinizmi historik
(për të perifrazuar Karl Poperin) ky
vështrim optimist i botës, i bazuar mbi mitin e progresit, nuk qëndron.
Historia ka treguar dhe po tregon se ajo mund të bjerë pre e tekave të të
marrëve të radhës që mund të shkaktojnë tragjedi pas tragjedie edhe pse në
forma të ndryshme e se vetëm popujt që mësojnë nga përvoja e gabimeve të së
shkuarës mund t'i evitojnë përsëritjet e këtyre tragjedive.
Ajo që po ndodh sot me Shqipërinë, që po trajtohet
si një makinë që, pasi e përdorën, deri në ezaurim, Berisha me shokë, ia lanë
në dorë Ramës me shokë, që e kanë çuar në varreza ku po ia shesin pjesët copa
copa, për t'i futur lekët në xhepat e tyre, është tragjedi, nuk është farsë.
Njerëzit e vullnetit të mirë duhet të reagojnë sa s'është vonë ndaj këtyre të
marrëve. (Panorama, 2 shkurt 2016)
No comments:
Post a Comment