Letra e Blushit mbi shkeljet e statutit në
Partinë Socialiste është një dokument që do ta quaja historik për ata që nesër do
të duan të studiojnë gjendjen e partive në Shqipëri pas 25 vjetësh rënie të
diktaturës.Por do të ishte mirë që ky dokument të merrte edhe një dimension
tjetër historik, të inicionte një proces ndryshimi në Partinë Socialiste. Kuptohet
se kjo duket punë mjaft e vështirë për momentin, por gjithsesi ajo që ka bërë Blushi
vlen shumë. Kjo jo pse dokumenti na zbulon diçka që nuk e dimë, (personalisht
kam afro dhjetë vjet e më shumë që i quaj partitë tona banda),por sepse, duke
ballafaquar realitetin e funksionimit të partisë së tij me parimet e shkruara
në statuti ai na jep,nëpërmjet pak rreshta vetë pakontestueshme, pasqyrën
dramatike të paaftësisë së shqiptarëve për të ndërtuar organizma me frymë
demokratike dhe në respekt të ligjit duke demaskuar njëkohësisht retorikat për
rilindje të kësaj partie dhe të liderit të saj.
Ajo që vihet re, megjithatë, është se
reflektimi që po bëhet mbi këtë dokument mbetet shumë i cekët. Ai thjesht po politizohet për qëllimet e
ditës, duke anashkaluar kështu thelbin e problemit që ai denoncon. Çfarë ka
ndodhur në PS trajtohet sikur të ketë të bëjë thjesht e vetëm me anomalinë e
personit Rama që ka ardhur në këtë parti si një fatkeqësi; se, sikur PS të
pranojë të zhvillojë zgjedhje të kryetarit gjithshka do të mbyllet me kaq,
ndërkohë që, sipas meje, ky dokument meriton një analizë shumë më të thellë të
asaj se pse PS është në këtë gjendje - si një fillim ky për ndryshime themelore
në këtë parti e më gjerë.
Në fakt, do të kishte qenë gjëja më e lehtë sikur
problemi i PS-së të kishte vetëm emrin Rama. Problemi i vërtetë është se Rama nuk
është një përjashtim, por rregulli që mbretëron jo vetëm në PS, por edhe në të
gjitha partitë e tjera dhe po ashtu në çdo organizëm të ngritur nga shqiptarët
në këta 25 vjet;se Rama nuk do të ishte ai që është sikur ne të mos jemi ata që
jemi.
Vështroni televizionet që duhet të ishin një
nga instrumentet më të rëndësishëm të
demokratizimit të vendit. Në vend se pronarët të jenë (sipas ligjit) tre
(në rastin e televizioneve kombëtare) ata janë de facto një dhe bëhen tre me shokët ose me gratë e familjarët e
pronarit. Jo vetëm, por në vend se këta pronarë të jenë thjesht aksionarë që
marrin fitimet sipas audiencës - kurse politikat editoriale të përcaktohen nga
borde gazetarësh e pastaj nga redaktorë e kryeredaktorë - pronarët janë njëshi
që dikton edhe politikat editoriale, sipas interesave të bizneseve të tyre,
paçka se frekuencat janë publike dhe reklamat po ashtu nuk jepen që të
pasurohen ata, por që publiku të ketë tribuna prej ku të ushtrojë lirinë e
shprehjes. Nuk po flas për gjendjen e shumicës së gazetarëve nën këta pronarë që
janë më keq se gjendja e anëtarëve të PS-së nën Ramën.
Nuk po zgjatem me shembuj të tjerë nga fusha
e biznesit apo e shoqërisë civile për të thënë se kudo ku kemi grupime
shqiptarësh do të gjejmë sundimin e patrazuar nga parimet e demokracisë dhe nga
ligji të një personi dhe rrethit të tij të ngushtë e se, prandaj, Rama nuk
është i vetëm në këtë model, por është thjesht shfaqja më pa maska e modelit. Prandaj
them se dokumenti i Blushit duhet të na shtyjë të thellohemi në pyetjen se nga
na vjen ky model dhe pastaj se çfarë duhet bërë për ta ndryshuar.
E kaluara autoritare, sadomasokiste.
Shkaqet, sipas meje, duhet t’i kërkojmë sa në
trashëgiminë e së kaluarës aq edhe në zhvillimet postkomuniste.
Nuk ka dyshim se partia e identifikuar me
njëshin që s’pranon të vihet në diskutim i ka rrënjët në kulturën e një
shoqërie thellësisht autoritare që ndryshe e kam quajtur edhe sadomasokiste, ku
më të pushtetshmit shtypin më të dobëtit shkallë shkallë dhe i nënshtrohen dhe
servilosen më të fortëve po shkallë shkallë. Në këtë aspekt edhe Rama nuk është
tjetër veçse një nga hallkat e këtij sadomasokizmi. Po të kesh parasysh
servilizmin, nënshtrimin dhe hipokrizinë që ka treguar dje ndaj atyre që ka
pasur më sipër dhe sot ndaj atyre që ka mbi kokë (të huajt veçanërisht) do të
kuptosh se arroganca që tregon mbi ata që ka poshtë nuk është gjë tjetër veçse
gjysma tjetër e njeriut të rëndomtë autoritar, sadomasokist shqiptar; një njeri
që thellë thellë nuk ka respekt për veten e që pikërisht për këtë nuk ka
respekt as për të tjerët. Dhe kjo sepse respekti nuk bën pjesë në kuturën e
njeriut autoritar, sadomasokist, sepse psikologjia e raporteve të njeriut me
njeriun në këtë kulturë nuk mbështetet në respektin për tjetrin, që nënkupton
barazinë në dinjitet, por në kënaqësinë
që të jep ushtrimi i pushteti mbi ata që ke poshtë dhe poshtërimin që të ngjall
nënshtrimi ndaj atyre që ke lart – çka disa i çon në iluzionin se, duke u ngritur
në majë, do t’i shpëtojnë këtij të dytit. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për
ata që sot i nënshtrohen Ramës dhe nuk guxojnë t’i thonë se duhet të vihet në
diskutim. Edhe ata nuk e bëjnë nga respekti sepse për këtë duhet të kishin respekt
për veten, por nga servilizmi dhe nënshtrimi që duhet të shfaqin për të qenë të
pranuar në këtë lloj shoqërie.
Pra, të fajësosh vetëm arrogancën e Ramës për
këtë situatë, e të lesh pa prekur këta të dytët, do të thotë të mos kuptosh
asgjë dhe të mos zgjidhësh asgjë.
Dhuna strukturore e sistemit
Megjithatë nuk ka dyshim se në Partinë
Socialiste ka edhe të tjerë, përveç Blushit, që nuk e durojnë këtë situatë
poshtëruese dhe fyese, pasi, sado që dominante, kultura autoritare sadomasokiste
ka marrë shumë goditje gjatë këtyre 25 vjetëve. Sikur të ishte vetëm për atë në
PS do ta kishin ngritur zërin kundër Ramës me kohë edhe të tjerë. Po kjo është
vetëm gjysma e shpjegimit të gjendjes që ka denoncuar Blushi. Gjysma tjetër
duhet kërkuar në dhunën strukturore që
ushtron mbi njerëzit sistemi politiko – ekonomik që kemi krijuar në zhvillimet
pas-komuniste.
Disa, duke komentuar dokumentin e Blushit, i
janë referuar këto ditë kohëve të arta
të Fatos Nanos, kur kishte edhe zgjedhje, edhe ndryshime kryeministrash e
kryetarësh partie. Personalisht nuk mendoj kështu, jo vetëm sepse edhe Fatos
Nano nuk ndryshonte në thelb nga modeli në fjalë(aq sa kur doli nga burgu gjeti
një karrige bosh që ia fërkonin e adhuronin pa guxuar as të uleshin në të), por
sepse ishte Nano ai që i dha nismën fenomenit të ndërtimit të një pushteti
jashtë strukturave të partisë, që sot shprehet në mënyrën më eksplicite me Edi
Ramën e që është në bazën e dhunës strukturore që demonstron sot ky individ në
parti dhe më gjerë.
Ç’dua të them me këtë.
Nëse do të ndjekim historinë e PS së fillimviteve
‘90 do të shohim se ajo qe një parti e dobët, më saktë një parti me ushtarë të
mbetur pa gjeneralë. Ishte vetëm në sajë të marrëzive autoritariste të Sali
Berishës që ajo u mbajt gjallë dhe u rifut në luftë për pushtet. Në këtë kohë
figura të tilla si Rexhep Mejdani, Kastriot Islami, Pandeli Majko, Ilir Meta
krahas disa më të vjetërve si Namik Dokle apo Servet Pullumbi, me mbështetjen
shpirtërore të një figure që zuri vendin e babait shpirtëror të kësaj partie,
Dritëro Agollit, kanë luajtur një rol të
rëndësishëm për ta pajtuar këtë parti me pjesën tjetër të popullit e për të
krijuar imazhin e një partie më të hapur e më demokratike se ajo e Sali
Berishës.
Por, kush e kujton qeverinë që doli pas
katastrofës së vitit 97, duhet të mbajë mend se ajo u quajt Aleanca për Shtetin
sepse në atë qeveri kishte shumë eksponentë të Alencës Demokratike si Ceka,
Imami, Teta apo social demokratët si Gjinushi e Milo e të tjerë që kishin dalë
si politikanë nga lëvizja demokratike që krijoi PD-në, e që, në vitin 97, u
mblodhën në Forumin për Demokraci që u krijua si lëvizje opozitare kundër
Berishës pikërisht pse PS-ja në vetvete nuk kishte ndonjë kredibilitet në
popull.
Kjo aleancë për shtetin ishte një zgjedhje e
zgjuar e Fatos Nanos. Por ishte edhe një zgjedhje e imponuar nga dobësia e
PS-së, që sipas meje, mbeti edhe më pas e tillë, madje iu thellua dobësia. Pse iu
thellua? Le të mos harrojmë se krahas përfshirjes në vendimmarrje të shumë
figurave jashtë PS, si kompensim i pasjes së një partie me pak personalitete,
(edhe Edi Rama në këtë kontekst u thirr nga Nano) nën udhëheqjen e Nanos filloi
edhe një fenomen tjetër. Ato vite përkojnë me kohën kur filluan të dalin në
skenë njëri pas tjetrit ata që sot i quajmë oligarkë, disa me origjina shumë të
dyshimta të parave të tyre që nga spekulimet deri tek trafiqet e drogës dhe
prostitucionit. Me këta njerëz Nano i “Aleancës për shtetin” krijoi një aleancë
për antishtetin dhe anti PS-në. Kapja e medieve nga këta oligarkë që nuk i
jepnin llogari partisë, por gjithnjë e më shumë e sponsorizonin atë e bëri edhe
më të fortë lidhjen e tyre me lidershipin duke krijuar pushtetin e vërtetë.
Vijmë kështu në kohën kur politikanët e partive fillojnë të punojnë si
menaxherë të interesave të këtyre oligarkëve. Edi Rama nuk është tjetër veçse
një pjellë e kësaj kohe. Shprehja që tha
Ilir Meta kur ky mori partinë: “një pallat një votë” në thelbin e vet
sintetizon pikërisht faktin se partia, gjithmonë e dobët, në vend se të
forcohej, ishte kthyer tashmë në fasadën e strukturave të vërteta të pushtetit
e në vend se të përfaqësonte interesat e pjesë më të brishtë të shoqërisë, si
parti e majtë, përfaqësonte interesat e këtyre oligarkëve. Pushtimi më në fund i partisë me Ramën nga
këta nuk ishte veçse akti i fundit i një drame të nisur me Nanon. Prandaj
Blushi, i cili, për fat të keq e ka pranuar për një kohë shumë të gjatë këtë
rol fasade,(atëhere kur ishte shumë më lehtë të luftohej) në fakt është shumë
më i vonuar edhe se Meta në këtë konstatim dhe po ashtu Meta na shërben si provë
se nuk mjafton vetëm denoncimi për të ndryshuar atë që denoncojmë.
Ç’duhet bërë?
Gjithsesi, me PS apo pa PS nga kjo gjendje e
mjerueshme duhet dalë. E për këtë sa s’është vonë – në fakt është shumë vonë - duhet
hapur një luftë në dy fronte:
Së pari: lufta kundër njeriut autoritar
sadomasokist si pjellë e një tradite të ngritur në kulm në kohën e diktaturës.
Lindja (jo rilindja) e një shqiptari të ri do të duhej të fillonte që këtu. Ky
front është i vështirë sepse, për të lindur të rinj ndryshe do të duhet të
kishim prindër ndryshe dhe në rreth vicioz mungesa e këtyre prindërve
ripërsërit të njëjtët fëmijë. Dalja nga rrethi vicioz megjithatë mund të përshpejtohet
me ndërgjegjësimin se rritja e fëmijëve të destinuar për të qenë thjesht
objekte dhe jo subjekte që kanë dinjitetin dhe lirinë e tyre, në një botë të
hapur bije në kundërshtim edhe me aspiratat e prindërve më injorantë e më
autoritarë. Dalja mund të përshpejtohet edhe me kontaktet me botën demokratike
dhe me njerëzit me kulturën e kësaj bote; me shfrytëzimin më të mirë të lirive
që garantojnë ligjet e shteti tonë që
janë hartuar sipas kësaj fryme; dhe mbi të gjitha me shembullin e atyre që në
jetën dhe veprën e tyre venë lirinë dinjitetin, ndershmërinë dhe koherencën, në
vendet e para të vlerave njerëzore.
Së dyti: lufta kundër dhunës strukturore që ushtron pushteti gjithnjë e më oligarkik
dhe më i korruptuar që ka tjetërsuar edhe rolin e vërtetë të partive. Dokumenti
i Blushit dhe aktiviteti i tij brenda PS është një kontribut i çmuar në këtë
luftë. Por ai është edhe një kambanë alarmi sepse na ve në dukje se
paradoksalisht, megjithëse pretendohet për hapa të mëdha përpara të Shqipërisë,
numri i njerëzve me liri mendimi në parti e më gjerë po pakësohet përditë.
Prandaj mbështetja e Blushit nga brenda partisë për respektimin e të gjitha
pikave të statutit të shkelura, - jo thjesht ajo e zgjedhjes së kryetarit,
- do të ishte një kontribut, jo thjesht
për kthimin e dinjitetit të njerëzve të Partisë Socialiste të nëpërkëmbur nga
dhuna strukturore që ajo po ushtron edhe ndaj anëtarëve të saj, por edhe për të
gjithë shoqërinë. (Panorama, 11 shkurt
2016)
No comments:
Post a Comment