Këto ditë është bërë një zhurmë lidhur me vendimin
e Ministrisë së Kulturës për zhvendosjen e eshtrave të piktorit Ibrahim Kodra të
varrosur në vendin e tij të lindjes, Ishëm. Sipas Ministrisë së Kulturës dhe
Fondacionit Kodra, të drejtuar nga Pacolli, ai na paska kërkuar të varroset në një
vend të bukur në Tiranë dhe, prandaj, Ministria ka vendosur se ky vend i bukur
na qenka Panteoni në Kodrat e Liqenit. Sigurisht Kodra nuk e ka lënë një gjë të
tillë me testament se kjo do të ishte qesharake. Më me gjasa kemi të bëjmë ose
me historinë e njohur që vijnë disa dhe zhvarrosin edhe të vdekurit me
pretendimin se po bëjnë histori, ose me ndonjë gjë edhe më banale: se i ka
shkrepur Pacollit për ta vënë atje; ka dhënë edhe ndonjë lek për këtë punë, si
pasanik që është, dhe Ministria nuk do t’i humbasë këta lekë se ndokush fut edhe
ndonjë llokmë në xhep për vete me këtë rast.
Megjithatë nuk më shtyu të ulem të shkruaj
për këtë polemika e varrimit, por tema e kulturës me të cilën vishet ky banalitet
i Ministrisë sonë të Kulturës që shfaqet kudo, jo vetëm në këtë rast.
***
Ibrahim Kodra është një artist me origjinë
shqiptare nga Kosova, që ka lindur në Ishëm dhe që e ka zhvilluar aktivitetin e
tij krijues në Itali. Kush ka mundur të ndjekë pikturën e tij do të konstatojë
se i përket një pikture kubiste ku ndikimet e Picassos ndjehen shumë. Nëse do
ta vendosim në kontekstin e historisë së artit italian duhet thënë se në
gjysmën e dytë të shekullit XX, kur ai ka zhvilluar aktivitetin e tij, arti
figurativ ka njohur në Itali zhvillime të tjera nga kubizmi – që nga action painting dhe arte povera tek ai konceptual,
që nga videoarti e deri tek trans-avanguardia, për të përmendur
vetëm disa nga këto zhvillime. Në këtë kontekst Kodra duhet të konsiderohet piktor
italian, që ka gjetur veten në artin që ka bërë, dhe se si ai Italia e gjysmës
së dytë të shekullit XX ka pasur shumë artistë, më të shquar dhe më pak të
shquar.
Nëse do ta shohim si shqiptar duhet thënë se
ai ka pasur fatin të mos jetojnë në diktaturën që artistët i kyçi në metodën e
realizmit socialist prandaj dhe të jetë ndër të paktit shqiptarë që ka mundur
të bëjë art modernist në vitet 45 – 90. Ndërkohë, nëse do të kërkojmë të gjejmë
ndikime të tematikës apo traditës shqiptare në veprën e tij, do të thoja se nuk
ka të tilla; por mund të flasim për një
atmosferë mesdhetare të veprave të tij.
Nuk kam ndërmend të hyj më thellë në
vlerësimin e veprës së tij sepse s’është ky thelbi i shkrimit. Ajo që dua të
them është se vepra e Kodrës, përtej vlerës që mund t’i japim asaj - çka mbetet
edhe shumë subjektive - nuk lidhet dot me kuptimin që ka një panteon i figurave
të kulturës shqiptare – ndërkohë që edhe vazhdimi i një panteoni të tillë është,
sipas meje, një ide anakronike, për të mos thënë qesharake. Figura të tilla si vëllezërit
Frashëri janë vendosur në të ashtuquajturin Panteon, si figura të rëndësishme
të nacionalizmit shqiptar, sepse vepra e tyre, duke filluar që nga gjuha që
kanë përdorur, e për të vazhduar me tematikën e jetës dhe veprës, është
shqiptare. Normalisht ata do të duhej të ishin vendosur atje jo në kohën e
Enver Hoxhës, por më herët, siç i gjejmë në shumë vende të tjera figurat e
nacionalizmit, (duke pasur parasysh se ideologjia komuniste ishte internacionaliste)
dhe në këtë kuptim një panteon i tillë, i ngritur në kohën e komunizmit është
edhe ai anakronik; por duke pasur parasysh se ideologjia e atij pushteti,
veçanërisht pas prishjes me BS, ishte një sinkretizëm paradoksal i komunizmit me
nacionalizmi mund të thuhet se vëllezërit Frashëri qëndrojnë atje si mishërim i
kulturës nacional - komuniste të kohës së Enver Hoxhës.
Sjellja e Konicës në atë Panteon, pas rënies së
komunizmit, është tregues i faktit se megjithëse komponentja komuniste ra nga
ideologjia e vjetër e pushtetit komponentja nacionaliste e saj mbeti, duke i
dhënë jetë një ideologjie që në shkrime të tjera e kam quajtur nacional -
evropianiste (ku evropianizmi zëvendësoi komunizmin në të njëjtat struktura
mendimi të njerëzve) për shkak se kultura dhe legjitimiteti i elitës sonë të
pas komunizmit, strukturat e saj të mendimit, ishin po ato. Gjithsesi, në kontekstin
e këtij anakronizmi, sjellja e eshtrave të Konicës atje ka një kuptim sepse
vepra e tij është e lidhur ngushtë me çështjen shqiptare.
Po Kodra ç’punë ka në atë Panteon?
Kodra, në fakt, nuk ka asnjë lidhje sepse, së
pari, tematika e veprës së tij nuk ka të bëjë me Shqipërinë dhe çështjen
shqiptare, së dyti, sepse ai është përfaqësues i një Evrope post - nacionaliste
kur piktorë të tillë nga të cilët ai është frymëzuar, si Picasso, e kanë
denoncuar madje nacionalizmin, çka përçohet qartë edhe në shumë prej veprave të
Kodrës, së treti, sepse ka kaluar shumë kohë tashmë për ta kuptuar e mësuar
këtë.
Mirëpo rilindasve që pretentojnë të
ndryshojnë gjithshka (për të mos ndryshuar asgjë) ky mësim nuk u intereson,
sepse s’ka gjë më të lehtë për të ruajtur pushtetin se të ruash të njëjtat
struktura mendimi tek njerëzit. Kështu Kodra lëvizet nga varri jo për shkak të asaj
që ai përfaqëson, por për shkak të kulturës (për të mos thënë injorancës) së atyre
që duan ta ngulin në atë Panteon. Duke qenë se ka bërë një lloj emri jashtë ai
është përzgjedhur për tu mitizuar me teknikat e kulturës së vjetër nacional –
romantike e pastaj nacional - komuniste duke u nisur nga dy nevoja të vjetra të
rilindësve tanë të shekullit XIX– të shprehura shumë qartë në veprën e Konicës:
Së pari, “nevoja identitare” apo e “krenarisë
identitare” Pra për t’i thënë botës se edhe ne shqiptarët ekzistojmë dhe madje
jemi krenarë për ekzistencën tonë dhe si provë për këtë kemi njerëzit e shquar
që njihen në botë që janë shqiptarë apo me origjinë shqiptare.
Së dyti, në kontekstin e shkëputjes nga
Perandoria Osmane dhe “kthimit” ose futjes së vendit në Perëndim (sepse, nëse
do të bëhej fjalë vetëm për njerëz të shquar mund të përzgjidheshin edhe shumë
shqiptarë që kishin shkëlqyer gjatë 5 shekujve të Perandorisë) – këto figura
zgjidheshin me profil pro-perëndimor.
Konstruksioni i mitit të Skënderbeut është
ilustrimi më i mirë i këtyre dy nevojave.
Problemi është se nëse në shekullin XIX
ndërtimi i miteve të tillë ishte sidokudo në frymën e kohës; nëse në kohën e
Enver Hoxhës nacional – komunizmi u imponua me dhunë dhe askush nuk guxonte të
thoshte një fjalë për monumentet kitsch që ngrinte regjimi duke filluar që nga
Muzeumi i Skënderbeut në Krujë apo Muzeumi Kombëtar që prishi Bashkinë dhe
sheshin qendror të Tiranës, në shekullin XXI-të kesh mbetur tek nevoja për
afirmim të identitetit kombëtar, të kesh nevojë të legjitimohesh nëpërmjet
perëndimorëve, është një vetëdemaskim që të bën qesharak dhe të nxjerr jashtë
botës. Siç jemi bërë qesharakë duke manipuluar me të njëjtat teknika
nacionaliste edhe veprën e Nënë Terezës psh. duke i venë çdo gjëje të mbetur pa
emër, emrin e saj; ndërkohë që ajo e shkreta nuk mund të mbrohet dot nga
injoranca dhe abuzimi ynë me të - shumë
shumë mund të thotë duke na vështruar
nga qielli: “Falua Zot se s’dinë se ç’bëjnë.” Siç bëhemi qesharakët kur në vend
se të ruajmë shtëpitë e shkrimtarëve ashtu siç kanë qenë, në vërtetësinë e
thjeshtësinë e tyre, i shembim ato e ndërtojmë në vend të tyre muzeume kitsch në
stilin e shtëpisë së lindjes së Enver Hoxhës. (Rasti Kadare).
Por nëse Kadareja është në terrenin e
kulturës që ka gatuar vetë, prandaj dhe e pranon, ç’taksirat ka Kodra të përdoret nga kjo
kulturë për të manipuluar shqiptarët që e shfaqin pastaj këtë kulturë deri në
format më groteske si psh. duke u bërë thirrje futbollistëve me origjinë shqiptare
të lindur, rritur, edukuar e trajnuar në Zvicër që të ndihen shqiptarë dhe jo
zviceranë e prandaj, mundësisht, të bëjnë ndonjë autogol në portën e Zvicrës.
Kaq të bindur janë rilindasit nacional –
evropianistë se po i bëjnë nder Kodrës saqë as nuk e venë në dyshim se ndoshta ai
mund të mos pajtohet me atë çka përfaqëson ai Panteon, se si artist vendosjen e
tij atje ai mund ta shihte, si dëshmi te atij provincializmi ballkanas për të cilin
antropologu i njohur bullgar Ditchev thotë ser ka një shekull që ndjek politika
kulturore, që, në thelb, shkojnë drejt prodhimit të kitsch-it, si importim dhe
imitim banal i asaj që është prodhuar kohë më parë në vendet e huaja.
Do të ishte mirë që
rilindasit, me në krye Kryeministrin artist, ta lexojnë se si i përgjigjet Ditchev
pyetjes se përse kjo formë e kitsch-it është kaq e rëndësishme pikërisht në
Ballkan: “sepse atje elita nuk është legjitime. Sepse kjo elitë në të shumtën e
rasteve ka dalë në krye fare rastësisht dhe përmes rrethanave të shumta të
kaosit. Dhe sepse ajo nuk e ka burimin e vërtetë, të brendshëm për të qëndruar
në pushtet. Ndaj ajo bën përpjekje të dëshpëruara për t'u kapur pas ndonjë
"bote të jashtme", që do ta legjitimonte atë. Kultura e huaj, ndonëse
e imituar në mënyrë banale, përdoret si për t'i vënë vata uniformës së
pushtetit.” (Panorama, 19 shkurt 2016)
No comments:
Post a Comment