Friday, February 26, 2016

Parku, oligarkia dhe Edi Rama si kryemaskë

Dy protestat kundër betonizimit tek Parku i Liqenit dikush i ka quajtur prova gjenerale për shporrjen e kësaj qeverie. Dikush tjetër i quan si përpëlitjet e fundit të opozitarizmit e të  shoqërisë civile që ka mbetur në Shqipëri. Cila është e vërteta? Sipas meje këto të dyja nuk e përjashtojnë njëra tjetrën.
Personalisht protestën e të rinjve të shoqërisë civile e shoh si një dritë shprese në tunelin e errët ku kemi hyrë prej kohësh.
***
Nëse do t’i shohim si të organizuara thjesht kundër Edi Ramës dhe Erion Velisë me parulla të tilla si “Velia po bën atë që s’guxoi të bëjë as Rama me Parkun”jemi në variantin e përpëlitjeve të fundit të opozitarizmit e të shoqërisë civile. Pse e them këtë? Jo thjesht se është idiote të mendosh se Veliaj po i bën këto pa dijeninë e aprovimin e Ramës, por sepse të shprehesh kështu do të thotë të mos e kapësh demin për brirësh. Dhe brirët e demit nuk janë Rama e Veliaj. Këta janë thjesht maska e këtyre brirëve. Madje Veliaj nuk është tjetër veçse maska e maskës Rama. Ashtu sikurse janë maska e maskës së maskës shumë gazetarë e intelektualët e segmente të shoqërisë civile që kanë ndërtuar të gjithë së bashku një plurimaskë që kërkojnë t’i venë emrin demokraci, por që, në fakt, është një oligarki që kërcënon të kthehet në fashizëm: si dhunë e pakicës sunduese mbi shumicën. Demi me brirët e tij të vërtetë është ky fashizëm i kamufluar deri tani, që, në një shkrim paraardhës, e kam quajtur fashizëm ekonomik)  Dhe protestat nëse duan të ngjallin shpresë duhet të kapin demin e oligarkisë për brirësh. Përndryshe thjesht do t’u mbeten maskat, Edi dhe Erijon në dorë, (nëse këta nuk ia mbathin një ditë nga sytë këmbët), por fashizmi ekonomik do të ketë vënë maska të tjera: ato që këto protesta i shohin si mundësi për të rimarrë rolin e kryemaskës sepse tani kanë mbetur në rolin e dublantit

***
Shumëkush e kupton qartë se kjo rezistencë që ndodhi tak Parku e ka burimin tek një frikë shumë më e madhe sesa sipërfaqja e betonit që do vendoset në atë kënd lodrash. Frika qëndron tek përpjekjet për ta kafshuar Parkun anës Universitetit, tek Garda, tek hyrja e rrugës së Elbasanit, tek diga. Dhe është cektësi të mendosh se këta projekte janë thjesht punë e maskës së pabesë e mashtruese Edi Rama dhe i një maske të maskës. Të gjithë e dimë se këta projekte kanë prapa oligarkinë që deri dje është kamufluar edhe prapa maskave Berisha, Basha. Edi dhe Erjoni thjesht kanë nxjerrë në treg aftësinë e tyre për të qenë maska, për të mos u skuqur dhe as zverdhur, por janë oligarkët përfituesit kryesorë të këtyre projekteve. Janë ata që i kanë zgjedhur mikluar dhe mbështetur (por edhe shantazhuar) maskat për të luajtur këtë lojë. Sepse, në kontekstin evropian ku jetojmë, oligarkët kanë nevojë për maskën e demokracisë, të ligjërimit të asaj që bëjnë nëpërmjet politikanëve të ardhur në qeverisje gjoja nëpërmjet votës së popullit. Kjo nevojë bëhet edhe më e fortë kur ke parasysh se një pjesë e tyre janë edhe vrasës e tarfikantë. Dhe ky është problemi i madh që kemi përpara, që ka nisur që pas rënies së komunizmit e me të cilin duhet të merren të rinjtë protestues nëse vërtet synojnë të na ngjallin shpresën.
***
Politologu i njohur italian Gusavo Zagrebelsky, duke karakterizuar sistemin oligarkik që kërcënon sot edhe Evropën thotë se për herë të parë në historinë e njerëzimit kemi një sistem ku paraja dhe pushteti nuk janë më thjesht mjete (për të bërë diçka të mirë apo të keqe), por janë qëllim në vetvete - si dy anë të së njëjtës medalje.
Sipas Zagrabelskit  rrethi vicioz “pushtet për para dhe para për pushtet […] i jep vend përqendrimit të pushtetit dhe të pasurisë në grupe të vegjël, autoreferencialë, të pasigurt në vetvete, të mbyllur në geto të rrethuara me mure, të lara me ar ndoshta, por sigurisht artificiale, nganjëherë edhe të militarizuara. Tendenca e këtyre oligarkëve është mbyllja progresive në vetvete sepse mbijetesa e tyre është e lidhur me mbylljen e kufijve të tyre nga bota e të përjashtuarve.” A nuk ju kujton ky përshkrim diçka që e keni parë në Shqipëri? Hidhni një sy andej nga Rolling Hills apo nga getot e Golemit apo të Gjirit të Lalzit. Të gjitha të rrethuara me mure e të ruajtura me roje janë.
Ajo që po ndodh tek Parku tregon pikërisht syverbësinë e njerëzve që pushtetin e kanë mjet për paranë dhe paranë mjet për pushteetin pa asnjë qëllim tjetër në jetë. Njerëzit që e shohin botën me këta sy çdo gjë të bukur që ekziston në natyrë e shohim si mundësi për ta kthyer në para. Këta nuk mund ta shohin dot lulen e t’i gëzohen bukurisë së saj në degë, por përnjëherë mendojnë si ta këpusin e ta shesin për para. Dhe për ta këputur u duhet pushteti dhe kështu, në rreth vicioz, për të kapur pushtetin u duhen para. Me këta dy sy, të parasë e të pushtetit, këta shohin edhe gjelbërimin e një parku, edhe një breg të virgjër deti, edhe një lumë të kulluar edhe një pyll  të bukur në mal.

***
Ajo çka venë re politologët dhe sociologët si anë tjetër të medaljes së getove të oligarkëve kësisoj është jo vetëm varfërimi, margjinalizimi, reduktimi i të drejtave të shumicës, por, çka është më e keqja, degradimi i indit social të shoqërisë, shkatërrimi i çdo ndjenje solidariteti. Dhe është logjike që ky degradim të jetë në interesin e oligarkëve. S’ka më mirë për sigurinë e pasurimin e tyre të mëtejshëm në kurriz të publikut sesa që jashtë mureve të getove të ketë individë të përçarë dhe jo solidarë. Ata edhe paguajnë për këtë. Nuk është rastësi që në një vend si ky i yni ku oligarkia ka tiparet më dritëshkurtëra pasi e shkrirë edhe me krimin, e njëheerësh vend pa traditë shqërie civile, nuk gjen dot një komuniteti gazetarësh që të bëhen bashkë për një çështje të përbashkët (qoftë edhe për interesat e tyre të lirisë së fjalës) nuk gjen komunitet intelektualësh që të ulet të hartojë një peticion për një çështje publike, por vetëm individë të përçarë që shohin dorën që u jep lekun për shërbimin që bëjnë si maska të maskave të maskave.
Në këtë kontekst,  prapa rezistencës së atij grupi të vogël po tepër të rëndësishëm të rinjsh që dolën për të mbrojtur pemët tek Parku unë shoh rezistencën kundër  një frike edhe më të madhe se betonizimi: rezistencën instiktive të njeriut ndaj shkatërrimit të shpresës për ndërtimin e indit social. Kruajua qytetare dhe ankthi me të cilën ky grup të rinjsh dolën të mbrojnë pemët e Parkut është shprehje e ankthin për të mos e humbur këtë shpresë që në terma konkrete përkthehet në ankthin për të mos e humbur të ardhmen e tyre në këtë vend. Sepse, njerëzit kanë nevojë për këtë ind social që të jetojnë sepse pikërisht nëpërmjet tij qenia njerëzore realizon potencialitetet e veta. Është e provuar tashmë se përtej një niveli të ardhurash lumturia e njeriut nuk varet më nga shuma e parave që ka në bankë apo numri i shtëpive apo makinave që ka, por nga marrëdhëniet sociale që ka, nga cilësia e miqësive e dashurive që ka, e fqinjësive të mira apo të këqija që ka. E për këtë duhet një nivel barazie, në dinjitet së paku, por duhen edhe hapësirat fizike publike ku marrëdhëniet njerëzore të mund të lindin e të zhvillohen. Dhe Parku është një nga hapësirat e fundit fizike të mbetura që e luan këtë rol. Aty shqiptarët i gjen akoma së bashku pa dallime social ekonomike. Parku po ashtu ruan edhe një kujtesë të kësaj shoqërie dhe, në këtë aspekt, kërcënimi i tij nuk është thjesht fizik por edhe psikologjik. Mbrojtja e tij është mbrojtja e një cope ind social që ka mbetur dhe njëherësh shpresa se ai mund të zhvillohet e rritet. Mirëpo, siç e thashë, është pikërisht kjo që nuk u intereson oligarkëve dhe maskave të tyre që duan ta kthejnë Parkun në oborrin e tyre privat siç kanë kthyer shumëçka në Shqipëri sot. Prandaj dhe erdhi sulmi fashist kundër tyre.
Kundër këtij fashizmi duhen përdorur të gjitha mjetet. Dhunës së tij, i duhet përgjigjur edhe me dhunë nëse është nevoja. Sepse kur arrin një kryeministër të guxojë të thotë se kush nuk më voton mua është ose dele ose budalla kjo tregon se fashizmi ka bërë hapa shumë të rrezikshme përpara. Prandaj ai duhet shporrur një sahat e më parë me gjithë shpurën e tij. Por që të shporret jo thjesht si individ por si fenomen,  nuk duhet harruar se ai nuk është kryeministër i shqiptarëve, por kryemaskë e oligarkëve; prandaj duhet denoncuar e shporrur edhe fuqia që ka prapa: ajo e atyre që, duke mos mundur të deklarohen ata që janë, u duhet të mimetizohen me këtë kryemaskë apo kryemaska të tjera të ngjashme. (Panorama, 26 shkurt 2016)


No comments: