Dalja e Britanisë nga Bashkimi Evropian është
konsideruar nga disa analistë si kriza më e rëndë që ka kaluar Evropa që prej
Luftës së Dytë Botërore. Pse kaq e rëndë? Sepse po vritet një projekt për të
cilin është investuar aq shumë energji, mund, pasion, jo vetëm i një brezi,
duke e futur Evropën drejt një të panjohure të bartur plot me të panjohura e
rreziqe. Duket se “baballarët themelues”, siç i quajnë udhëheqësit francezë,
gjermanë, italianë, që i dhanë nismën projektit, po lëvizin nga varri duke parë
goditjet vrasëse që ai po merr.
Po përse kjo krizë, kur, sipas një opinioni
gati të gjithpranuar, ky i Evropës së Bashkuar është një nga projektet më të
bukur që ka ndërtuar ndonjëherë njerëzimi, që ka sjellë paqe dhe stabilitet në
një Evropë deri vonë të masakruar nga luftërat? Ngaqë brezat e rinj kanë harruar se çfarë ka ndodhur 70 vjet më
parë – përgjigjen disa. Si reaksion ndaj përmbytjeve të papërballueshme të
emigracionit - përgjigjen të tjerë. Ngase kjo që është ndërtuar deri tani nuk
është Evropa e popujve, por Evropa e bankierëve dhe financierëve – ngulmojnë të
tjerë akoma. Komentuesit janë të shumtë dhe këndet nga e shohin Brexit-in janë
po ashtu të shumtë. Megjithatë shumica bashkohen në komentin se kemi të bëjmë
me një dështim të elitave politike të vendeve evropiane për ta çuar përpara
këtë projekt në kontekstin e rendit botëror të krijuar pas rënies së Murit të
Berlinit, që rëndom e quajnë globalizim.
Parë si dështim elitash gjykoj se Brexit është
një krizë e Perëndimit ku duhet futur edhe SHBA. Më së shumti duhet parë si krizë
e post-demokracisë (Colin Crouch), me çka do të kuptojmë rrëshqitjen e Perëndimit
në një sistem politik ku vendimmarrja nuk është më e popullit (demosit), por e
një pakice (oligo) të pasurish që kanë marrë në dorë vendimmarrjen, që kanë
krijuar një elitë politike mediatike në shërbim të tyre. Një sistem ku
politikanët janë bërë gjithnjë e më shumë thjesht menaxherë të interesave të këtyre,
duke bërë jo vetëm që të majtë dhe të djathtë të humbasin diferencat, por edhe
fuqinë dhe përfaqsueshmërinë e tyre. Këtë e tregon edhe fakti se vetëm një e
katërta e parlamentarëve britanikë ishte për daljen, kurse votimi i popullit
tregoi se për të ishte më shumë se gjysma. Tek reaksioni ndaj kësaj gjendjeje
shohim si lëvizjet nacionaliste, deri të ekstremit të djathtë, që janë kundër
invazionit të emigrantëve, e që premtojnë mbrojtje të interesave të vendasve
duke bërë thirrje për kthim në kohët e arta, edhe lëvizjet e majta që
denoncojnë rritjen e polarizimit ekonomik nën udhëheqjen e këtyre elitave, që
kërkojnë një Evropë tjetër, sociale dhe të solidaritetit.
Pavarësisht nëse alternativat që këta ofrojnë
janë të besueshme apo jo, ky “salto nell buio”, siç i thonë italianët kur
dikush kërkon shpëtim duke marrë guximin të hidhet drejt së panjohurës, ishte
një “fuck you” ndaj kësaj elite, i ngjashëm me lëvizjen VAFA (va fan culo) në
Itali, me çfarë ka ndodhur në Spanjë në Greqi, por edhe me daljen e dy figurave
që konsiderohen anti-establishment në SHBA, si Trump dhe Sanders.
Në këtë kuptim Brexit duhet parë edhe si një
përpjekje për dalje nga post-demokracia, e kthyer në një status quo që e mbrojnë
partitë tradicionale, për të rihyrë në demokraci. Pra demosi po kërkon të rimarrë
në dorë vendimmarrjen për fatet e veta si një formë e sfidimit të elitave vendimmarrëse
post-demokratike. “Më ktheni vendin tim.” ishte parulla e fituesve në Britani.
Ajo që bije në sy gjithashtu është se humbësit,
elitat e akuzuara, më shumë sesa një analizë të përgjegjësive kanë gjetur
justifikimin duke akuzuar hordhitë barbare, raciste, ksenofobe, të të
pagdhendurve që janë mobilizuar kundër tyre nga politikanët populistë. Dhe pa
dyshim ky qëndrim e rëndon procesin.
Shqipëria si pasqyrë e krizës
Duhet thënë se Shqipëria ka shumë ndryshime
nga vendet e tjera evropiane, por mund, megjithatë, të shërbejë edhe si një pasqyrë
e krizës së tyre, pasi në Shqipëri fenomenet negative të krizës shfaqen në mënyrë
më të dukshme.
Më së pari duhet thënë se shqiptarët kanë
vazhduar të drejtohen nga një elitë politike mediatike që procesin e integrimit
evropian e ka interpretuar, ashtu siç interpretonin komunistët fazën e
ndërtimit socialist, si një tranzicion, i diktuar nga domosdoshmëria historike,
drejt komunizmit, si diçka të paevitueshme, që
do të vinte, veç të kishin besim tek udhëheqësit e vendit dhe tek ata
ndërkombëtarë me në krye Bashkimin e Lavdishëm Sovjetik apo Kinën e Madhe
Popullore. Elita shqiptare thjesht zëvendësoi në strukturat e gatshme mendore
të njerëzve Bashkimin Sovjetik me SHBA dhe Evropën dhe udhëheqësit lindorë me
udhëheqësit perëndimorë Kohl, Clinton, Berlusconi, Tony Blair, Merkel, etj.
Edhe mbështetja që ka marrë nga Brukseli dhe Washingtoni është përdorur prej
saj ashtu si mbështetja që nomenklatura merrte dikur nga Moska apo nga Pekini.
Mirëpo, sikurse thotë Karl Poperi “E ardhmja
varet nga ne, ne nuk varemi nga asnjë domosdoshmëri historike”. Me fjalë të
tjera është njeriu ai që bën projekte që dikur i ka konsideruar si “fjala e Zotit”
apo si “domosdoja historike”, por që, në fakt, janë thjesht projekte të tij që
edhe mund të dështojnë. Edhe ky i Evropës është një projekt realizimi i të
cilit varet nga njeriu. Brexit tregoi se ky projekt ose duhet korrigjuar
radikalisht ose ka arritur në pikën e pakorrigjueshmërisë dhe shumë evropianë po
duan të provojnë një projekt të ri, të bazuar mbi përvojat e mëhershme.
Po a nuk mund të thuhet se edhe elitat
evropiane e kanë trajtuar si domosdoshmëri historike projektin, pa e parë se,
me veprimet dhe mosveprimet e tyre, po e çonin atë në një drejtim të gabuar?
Them se po. Përndryshe do të duhet të kishin punuar shumë më tepër dhe shumë më
ndryshe në vendet e tyre më së pari e pastaj edhe me vende si Shqipëria që
aspironin të bëheshin pjesë e projektit.
Shqipëria është një nga provat më të
dukshme të dështimit të burokracive
Evropiane. Ka kaluar jo pak, por një çerek shekulli që ajo është nën tutelën e
Brukselit dhe organizmave të tjera që kanë drejtuar të ashtuquajturin integrim
të vendit në Evropë. Ngjarje të tilla si futja e Shqipërinë në NATO, heqja e
vizave, statusi i Shqipërisë si vend kandidat janë shitur në retorikën politike
si “hapat që hidheshin në socializëm në rrugën drejt komunizmit”. Ndërkaq, mu
pse ka munguar vështrimi i thellë kritik i fenomeneve të globalizimit dhe
veçanërisht të post-demokracisë në vendet perëndimore, burokracia e Brukselit asnjëherë nuk ka venë në diskutim a po ecnin perëndimorët
vetë dhe pastaj edhe shqiptarët në rrugën e duhur. Janë harxhuar vite për të
hartuar legjislacione të ashtuquajtura të standardeve evropiane pak është vënë
re se sot post-demokracia në Shqipëri manifestohet në formën më ekstreme. Gati
sikur fshihet fakti se vendimmarrja është përqendruar në duart e një
nomenklature që e trajton vendin si një minierë private të sajën prej nga
nxjerr përfitimet e veta; se të ashtuquajturat parti politike dhe të
ashtuquajturat medie janë thjesht përfaqësuese të njerëzve që kryejnë këtë
grabitje; se krimi i organizuar zë në këtë aktivitet një vend kryesor. Po
ashtu, një nga karakteristikat e globalizimit që sot fajësohet më së shumti për
krizën: transferimi i kapitaleve jashtë vendit për përfitime, duke rrënuar
shtetin nacional social, në Shqipëri shfaqet në formën më të egër. Elita e
larpërmendur jo vetëm zhvendos kapitalin dhe familjen jashtë, dora dorës që e
le tokën shqiptare djerrë, por edhe kapitali njerëzor, po emigron, pasi në vend
nuk ekziston as era e atyre që në Perëndim quhen siguri, ekonomi e qëndrueshme,
shtet social.
Prandaj them se Shqipëria është një rast
ekstrem i asaj se ku të çon post-demokracia, një pasqyrë karikatureske e më të
keqes së Perëndimit.
Shqipëria pa paterica
Nëse për popukt perëndimorë, që duan të dalin
nga projekti evropian, mund të thuhet se kanë treguar se gjithsesi kanë instrumente
vetëmbrojtje ndaj një globalizimi që e bën individin të ndjehet gjithnjë e më i
pafuqishëm ndaj dorës globale të tregut, ndaj vendimmarrjeve të diktuara nga post-demokracia,
Shqipëria nuk i ka këto. Sepse, post-demokraci nënkupton se demosi në këta
vende e ka provuar shijen e demokracisë dhe fuqinë e saj. Brexit-t ishte provë
e kësaj. Britanikët goditën me votën e tyre dy partitë më të mëdha e më tradicionale
të vendit që kanë merita të jashtëzakonshme historike. Kurse Shqipëria nuk e ka
provuar demokracinë. Prandaj dhe më shumë se sa për kthim të lavjerrësit për
nga demokracia, në rastin shqiptar duhet folur për ndërtim të instrumenteve
demokratike.
Ideja e ecjes drejt Evropës së Bashkuar si
ecje e ndihmuar nga patericat evropiane drejt demokracisë i ndihmonte
shqiptarët, gjithsesi. (Po flas në të shkuarën pasi më duket sikur e shoh
dizintegrimin Evropës, nëse vazhdohet
kështu). Patericat evropiane jepnin një iluzion ecjeje dhe një garanci
stabiliteti, megjithë problematikën e drejtimit të gabuar. Duke gabuar së
bashku edhe mund të shpresonim të korrigjoheshim së bashku. Kurse pa projektin
dhe pa asistencën evropiane Shqipëria mbetet si një i gjymtuar pa paterica që
nuk mund të ecë. Nëse shumica e vendeve perëndimore mund të ekzistojnë si demokraci
edhe duke qenë vetëm, Shqipëria ndodhet përpara një rreziku të madh. Rënia e
projektit të Evropës së Bashkuar do të kishte për të efektin që pati rënia e
Murit të Berlinit për nomenklaturën komuniste dhe për gjithë vendin. Ajo do të
shënonte fundit e elitave që legjitimitetin e kanë siguruar nga Brukseli, por
njëherësh edhe një situatë tejet të paparashikueshme për shkak të boshllëkut të
pushtetit që mund të krijohet.
Në këto kushte shqiptarët duhet sa më parë të
rrisin vetëdijen e këtij rreziku. Kjo vetëdije dikton nevojën e daljes së
njerëzve më të përgjegjshëm në krye të politikës, që të marrin në dorë vendin
pas kësaj elite të dështuar dhe kriminale. Ata do të duhet të kapen fort dhe të
promovojnë me fjalën dhe veprën e tyre dy ide qendrore:
Së pari, se legjitimitetin duhet ta
mbështesin tek populli i tyre; çka do të thotë se vlera të tilla evropiane si
shteti i së drejtë, demokracia, liria, të drejtat e njeriut duhet të ndërtohen
realisht në vendin tonë dhe jo ta mbështesin legjitimitetin, siç ka bërë elita
e deri sotme, tek miqtë e mëdhenj të radhës që sot i ke nesër nuk i ke.
Së dyti, se duhet punuar përditë që vendi të
mund të mbahet në këmbët e veta nëpërmjet një ekonomie të shëndoshë të
qëndrueshme, që siguron punë dhe mbijetesë për të gjithë. Çka do të thotë të
kalojmë nga gjendja e polarizimit ekstrem të post-demokracisë karikatureske në
një shtet më social që nesër mund të qëndrojë me dinjitet në një Evropë, që
shpreojmë se do t’i mbijetojë kësaj krize duke u bërë edhe ajo më sociale. (Panorama, 5 korrik 2016)
No comments:
Post a Comment