Lufta politike në
vend, ndërtuar së fundi mbi Reformën në Drejtësi, pati një pikë kulmore
deklaratën e së dielës së Ilir Metës i cili propozoi të aprovohet me konsensus
Reforma dhe pastaj të ikë ky Kryeministër dhe kjo Qeveri (ku edhe ai bën pjesë)
për t’u zëvendësuar me një qeveri teknike që do të përgatisë vendin për
zgjedhje të ardhshme.
Si ta lexojmë këtë deklaratë
që disa e quajtën “bombë”?
Sipas meje, në
thelbin e vet, deklarata e Metës, që në fakt nuk erdhi e papritur, qe një provë
më tepër se Shqipëria është një vend të cilit tashmë i rri ngushtë kostumi i
autokracisë, i partisë së vetme shtet të udhëhequr nga një lider që bën edhe
ligjin edhe Maliqin, por që, i rri gjerë, duke iu lëvarur madje, edhe kostumi i
demokracisë dhe i shtetit ligjor.
Gjatë fjalës së tij
Meta përmendi shpesh fjalën papërgjegjshmëri dhe kuptohej qartë, midis
rreshtave, se e kishte fjalën jo aq për papërgjegjshmërinë e politikës, por për
atë të Ramës që, për të realizuar qëllimet e tij të eliminimit të
kundërshtarëve, duke përfshirë edhe Metën, s’ka lënë intrigë pa bërë, së fundi
duke tentuar të shtijë në dorë Drejtësinë nëpërmjet përdorimit të
ndërkombëtarëve, e duke krijuar, kështu, një situatë konfliktuale me rreziqe për
stabilitetin e vendit. Meta nënkuptoi se ai nuk pranon të kërcënohet apo dhe të
shkojë në mënyrë selektive në burg nga njeriu që ai vetë e solli në pushtet
pasi i shkoi tre vjet më parë në Gjirin e Lalëzit dhe i lëpiu tërë pështymën që kishte hedhur mbi
të. O të gjithë, o asnjëri dhe mos u fshi pas ndërkombëtarëve, se ata edhe mund
ta hanë, por jo ne që të njohim dhëmbë e dhëmballë – ishte nënkuptimi i fjalës
së Metës.
Dhe deri këtu ka të
drejtë sepse ky njeriu, për të realizuar qëllimet e tij, nuk njeh jo vetëm
moralin e ligjin, por as kodet e nderit të mafies. Por ama i duhet vënë në
dukje Metës se ka lëvizur vetëm kur pa bythën e tij në rrezik dhe jo teksa
shihte se arroganca dhe psikopatia e Ramës po dëmtonin padrejtësisht të tjerët;
se brenda tre vjetësh ai ka hedhur hapa të paimagjinueshme për të realizuar
ëndrrën e gjithpushtetshmërisë duke filluar që nga lidhja me kriminelët e
trafikantët, e blerja e një fotoje me Obamën 80 000 $ (duke shkelur ligjet shqiptare dhe
amerikane), për të vazhduar pastaj me trajtimin e godinave të institucionit ku
hyri si shtëpia e tij private, me korruptimin e medieve ish-kundërshtare ose
mbylljen me akte të dhunshme të atyre që nuk i korruptonte dot, tek dhënia e
tenderëve dhe koncesioneve njerëzve të tij në mënyrat më arbitrare e selektive të mundshme, me
përgjime të paligjshme etj., etj..
Gjithsesi duhet
thënë se interesat e Metës me interesat e një Shqipërie që kërkon të ndërtojë
demokraci dhe jo pushtetin e një autokrati përputhen. Siç janë përputhur kur ai
u shkëput nga Berisha më 2013 kur ky po i tejkalonte limitet që pranojnë
shqiptarët për pushtet absolut të një personi/parti duke i hequr mundësinë që
të zgjidhej për herë të tretë.
Për ata që do të më
përmendin përsëri mbështetjen e amerikanëve për Reformën do të them se vështirë
se, me gjithë të dhënat që kanë për Ramën, të mos e kenë kuptuar rrezikun që
paraqet për demokracinë, prandaj dyshoj shumë se (në rastin më të mirë) duan të
eksperimentojnë në Shqipëri modelin e pastrimit të korrupsionit duke ia vënë drejtësinë
një dore autoritare sipas disa modeleve që thuhet se kanë funksionuar me sukses
në disa vende aziatike. Por Shqipëria, me gjithë problemet që ka, tregoi edhe
një herë se ky lloj kostumi asaj i rri ngushtë. Ndoshta ngaqë vijmë nga një
sistem që e ka bërë të urryer udhëheqësin absolut, edhe pse modeli i tij
vazhdon të tërheqë jo pak psikopatë.
Në fakt, edhe sikur
Rama të ishte bërë kryeministër i dalë nga një lëvizje antikastë me premtimin e
pastrimit të të gjithë politikës së korruptuar shqiptare, edhe sikur të mos
bënte çdo ditë nga një shkelje të ligjit siç bën, por të qeveriste me duar të
pastra, prapë do të duhej të tregohej shumë kujdes për t’i dhënë atij të gjitha
pushtetet, edhe atë të drejtësisë, e jo më kur ke parasysh se është në krye të
një partie që ka një të kaluar të zezë para viteve 90, dhe, po ashtu, që gjatë
viteve 90 ka ndërtuar sistemin e kastës së korruptuar dhe për më tepër ka
ardhur në pushtet pikërisht me Ilir Metën.
***
Këtu vjen problemi i
dytë që ngre deklarata e Metës: ajo që ka të bëjë me vështirësinë e dhënies
trupit të Shqipërisë një trajtë të cilit t’i qëndrojë kostumi i shtetit ligjor
dhe demokracisë. Ashtu siç e paraqiti Meta në disa momente të deklaratës së tij
dukej shumë e thjeshtë puna e rrobaqepësit. Sikur mjafton të aprovojnë së
bashku Reformën në Drejtësi, të bëjnë dekriminalizimin dhe pastaj të shkojnë në
zgjedhje nga ku të nxjerrin një Parlament të pastër që do nxjerrë një drejtësi
të shëndoshë për 30 vjet. Për mua kjo ishte një retorikë e përdorur për të kaluar
momentin. Të ndërrosh për një ditë trajtën që ka marrë trupi i Shqipërisë është
e pamundur. Pati një pjesë të deklaratës, megjithatë, ku Meta tregoi se e di se
ç’duhet bërë. Kur foli për “sakrifikim”, “heqje”, apo “dhënie” të pushtetit të
tij dhe kolegëve pushteteve të tjera, ku ai i drejtësisë kuptohet se është ndër
më të rëndësishmit.
Në fakt Meta të
dielën tregoi se sot për sot jemi në
situatën kur nuk pranojmë pushtetin e një personi të vetëm, por kemi
pushtetin e disa personave: me çka kuptoj edhe Ilir Metën e të tijtë edhe Ramën
e të tijtë edhe Bashën e Berishën e të tyret. Sigurisht është më mirë të kemi
pushtetin e disa personave (i kam quajtur shpesh partitë e tyre edhe banda)
sesa pushtetin e një personi/bande, siç synon Rama. Deri këtu biem dakord me Metën,
por për çfarë duhet bërë për të kaluar në dorëzimin e pushtetit nga duart e
tyre në “duart” e ligjit, Meta nuk na dha ndonjë formulë të qartë dhe bindëse.
Edhe pse foli për pakësim pushteti të tyre nuk m’u duk se ka menduar gjatë dhe seriozisht për këto as më parë dhe as në netët që tha se ka ndenjur pa gjumë përpara se të jepte deklaratën e fortë. Më së shumti deklarata e tij ishte një mbrojtje e pushtetit të tij nga rreziku Rama. Por nga kjo mund të dalë diçka pozitive për të gjithë edhe pse s’duhet përjashtuar rreziku që paraqet vakuumi i pushteti që mund të krijohet sikur këta vërtet të heqin dorë menjëherë nga çdo pushtet e përgjegjësi.
Edhe pse foli për pakësim pushteti të tyre nuk m’u duk se ka menduar gjatë dhe seriozisht për këto as më parë dhe as në netët që tha se ka ndenjur pa gjumë përpara se të jepte deklaratën e fortë. Më së shumti deklarata e tij ishte një mbrojtje e pushtetit të tij nga rreziku Rama. Por nga kjo mund të dalë diçka pozitive për të gjithë edhe pse s’duhet përjashtuar rreziku që paraqet vakuumi i pushteti që mund të krijohet sikur këta vërtet të heqin dorë menjëherë nga çdo pushtet e përgjegjësi.
Shpresojmë që Meta të
mendojë më seriozisht për këtë çështje në ditët në vazhdim. Por duhet të
mendojnë edhe shqiptarët duke u nisur nga parimi se demokracia dhe drejtësia
nuk dhurohen për 30 vjet, por fitohen dhe mbrohen ditë për ditë nga pak dhe duke
u ndërgjegjësuar se edhe kjo lufta që po bëhet për një drejtësi vërtet të
pavarur dhe jo në duart e partive është pjesë e këtij procesi. (Panorama, 19 korrik 2016)
No comments:
Post a Comment