Lexova para disa ditësh shkrimin
investigativ të Birn me autore Lindita Çelën: "Resortet turistike në
bregdetin e jugut po ndërtohen në prona të grabitura". Ishte një ilustrim
i qartë dhe i plotë i asaj se si në këtë vend një grup të pasuruarish të
dyshimtë, në bashkëpunim me politikanë e gjyqtarë edhe më të dyshimtë se këta,
me moral blozë, kanë grabitur ndër vite dhe vazhdojnë të grabisin shqiptarët pa
u hyrë gjemb në këmbë. Ai është, po ashtu, edhe një çjerrje maske e
kryeministrit të radhës, i cili ulëret e bërtet për reformën në drejtësi e
vetingje gjyqtarësh e prokurorësh, duke i akuzuar se kanë grabitur shqiptarët,
ndërkohë që është ai, dora vetë, në krye të grabitësve.
Për ta përmbledhur me dy fjalë
(shpresoj që lexuesi e ka lexuar vetë
http://www.reporter.al/resortet-turistike-ne-bregdetin-e-jugut-po-ndertohen-ne-prona-te-grabitura/)
shkrimi na tregon se si u është grabitur katër familjeve himarjote trualli në një
nga perlat e bregdetit të Jugut, poshtë Palasës, nëpërmjet një serie
falsifikimesh e korruptimesh, për të përfunduar në duar oligarkësh famëkeq, të
njohur tashmë si të lidhur me të gjitha partitë/banda që kemi pasur e kemi në
pushtet. Shkrimi na tregon se drama e grabitjes, e filluar që me firmat
piramidale, është zhvilluar me disa akte. Ata të fundit (duke filluar që nga dhënia
e lejes së ndërtimit më 2014 në një kohë që tjetërsimi i pronave ishte objekt
hetimi i Prokurorisë) i ka kryer kryerilindasi Rama i cili, në përfundim, ka
gjetur edhe mënyrën për t'i fshirë gjurmët e krimit. Ai i ka dhënë në 2015
investimit në pronat e grabitura statusin e investimit strategjik, pasi ka
miratuar me Parlament një ligj mbi investimet strategjike i cili lejon shpronësime
të pasurive të paluajtshme për interesa publike.
Nuk dua të merrem këtu me anën investigative sepse shkrimi i
BIRN e ka treguar qartë e bukur mekanizmin e grabitjes. As me faktin se
investitori është përsëri Mane & Co që na del gjithandej si kryeministri
hije i Shqipërisë në qeveritë Berisha dhe Rama, ndërtuesi i Rolling Hills, ku
ka strehën një pjesë e mirë e kastës që na ka sunduar e sundon, çka shpjegon
edhe heshtjen e opozitës e të medieve kryesore për akte të tilla skandaloze.
Dua të merrem me gjethen e fikut
të përdorur nga Kryeministri dhe oligarkët e tij: se investimi na qenka
strategjik në turizëm dhe në interesin publik pasi atje u investuakan mbi 50
milionë euro dhe u punësuakan, për nja dy vjet, mbi 80 vetë.
A është me interes publik ai horror
që shohim në foton e publikuar nga Birn ku pejsazhi aq i bukur, i virgjër i
bregut poshtë Palasës është betonizuar me një seri vilash ngjitur njëra pas
tjetrës në një dendësi që të kujtojnë kompleksin e shëmtuar moralisht dhe arkitektonikisht të Rolling
Hills, ku duket qartë se synimi është ndërtimi i sa më shumë vilave në sa më
pak metër katror sipërfaqe për të
rritur fitimin privat?
Jo dhe jo. Ajo që shohim aty është
strategjia e grabitjes së pasurisë publike dhe private me synim pasurimin e një
grushti njerëzish e ndjekur kudo në vend ku pronat publike apo të njerëzve të
thjeshtë të palidhur me pushtetin janë zaptuar nga të fortët. Është
"strategjia" që privatizoi plazhin e
Durrësit duke e kthyer më në fund në një plehër antituristike (plus disa laguna me vila të njerëzve të kastës) e që tani, si metastazat e një tumori i është qepur bregdetit të Jugut.
Durrësit duke e kthyer më në fund në një plehër antituristike (plus disa laguna me vila të njerëzve të kastës) e që tani, si metastazat e një tumori i është qepur bregdetit të Jugut.
Nesër në bregun poshtë Palasës, që
ishte një perlë që kurrsesi nuk duhej prekur, ndërsa pronarët duhet të
kompensoheshin, do të kemi një zonë me vila, ku do gjejmë shumë nga banorët e
Rolling Hills, dhe ndoshta edhe disa hotele super të shtrenjta të rrethuar me
mure të larta. Ndërkohë me siguri edhe bregu do të bëhet i pakalueshëm për të
gjithë të tjerët, vendas dhe turistë të huaj. Dhe ironia më e madhe është se për t'ia nxjerrë sa më të lirë
koston këtyre ndërtimeve private në dhjetor të vitit 2015, Rama paska miratuar
edhe 10 vendime, medemek me qëllim lehtësimin dhe rregullimin e procedurave për
investitorët strategjik. Sipas këtyre, me paratë e gjithë shqiptarëve, që nesër
as do të mund të hyjnë në atë zonë, shteti do t’i ofrojë Manes & Co
infrastrukturë ndihmëse, si furnizim dhe përshtatje të rrjetit elektrik,
furnizim me ujë të pijshëm, kanalizime, trajtim të ujërave të ndotura, dhe
infrastrukturë rrugore.
JO, kjo nuk është strategji
zhvillimi të turizmit nëse me të tilla nënkuptojmë projekte që shikojnë larg në
kohë dhe që përfshijnë interesa vërtet publike, që i interesojnë
gjithë popullsisë së Jugut: të atyre që jetojnë sot, por edhe të atyre që
do të lindin nesër. Sikur të mos ishte syverbësia e babëzisë nuk do të ishte vështirë
që Ministria e Trizmit të gjente shembujt për tu ndjekur në vendet më të
njohura për turizëm sot. Atje do të shohësh se, përveç ndërtimeve historike,
brigjet deri thellë ruhen të paprekura, sepse nuk është hoteleria vlera
kryesore për të cilën vijnë turistët, por natyra, klima, pejsazhi, trashëgimia
kultuore ku hyn edhe kuzhina. Hoteleria gjithnjë e më shumë bëhet në të
ashtuquajturat agroturizme që janë edhe një mënyrë që komuniteti rrotull të
zhvillojnë një ekonomi të qëndrueshme.
Në raste si zona në fjalë ajo që
do të duhej të bëhej më së pari në Jug duhet të ishte ndalimi i ndërtimeve të
reja për ruajtjen e pejsazhit. Pastaj restaurimi i shtëpive të fshatrave të
vjetra - shumë më të bukura dhe tërheqëse sesa vilat standarte të Manes që
s'kanë asnjë lidhje me traditën. Një pjesë e këtyre shtëpive do të shërbenin
pastaj edhe për hoteleri duke u bërë burim të ardhurash për komunitetin. Nëse
kjo hoteleri nuk do të ishte e mjaftueshme (për sezonin e verës) zgjidhja
kurrsesi nuk mund të ishte shkatërrimi i natyrës e i pejsazhit me ndërtime gjatë
bregut, le më pastaj për vila private. Duke pasur parasysh ndërtimet në Vlorë e
Sarandë hoteleria mjafton e tepron për ata që duan të shijojnë detin, të
eksplorojnë pejsazhin dhe traditën e Jugut. Asgjë nuk u kushton atyre të marrin
makinën siç bëjnë në Toskanë apo në Sardenjë dhe të lëvizin pastaj nga Vlora
apo Saranda apo nga agroturizmet që duhet të jenë lart, për në gjiret e ndryshëm
të virgjër të bregut e për të vizituar fshatrat e bukur të jugut të restauruar
ku edhe do të mund të hanin e pinin në restorante që ruajnë traditën. Kurse ndërtime
të tilla veçse i largojnë turistët nga këto zona sepse u shëmtojnë pejsazhin,
por edhe pse ua zaptojnë plazhin me ndërtime private.
Prandaj këto nuk janë investime
strategjike për interes publik, por strategji grabitjeje për interesa private. Është
strategjia kafsho një copë Shqipëri, mbush xhepat e ik, që ka shkatërruar tash
25 vjet shumëçka që përbënte pasuritë më të vyera që i kishin mbetur këtij
vendi duke filluar që nga toka buke, pyje, lumenj, brigje deti e deri në trashëgiminë
kulturore. Është e njëjta strategji që po na sjell së fundi edhe plehërat nga
Evropa. (Panorama, 26 tetor 2016)
No comments:
Post a Comment