Në fjalimin e tij përpara dibranëve
deputeti oligark i PS Sadri Abazi, për t'i bindur dibranët të votojnë
kandidatin e maxhorancës, u tha se Edi Rama do të rrijë në pushtet edhe dhjetë
vjet të tjera prandaj ata kishin të gjithë interesat të votonin për të, sepse kështu
do të gëzonin të mirat që vijnë nga qenia pranë pushtetit.
Fjalimi i tij qarkulloi nëpër
rrjetet sociale me përqeshje, sepse deputeti fliste me një patos banal që e bënte
qesharak. Por fitorja me diferencë 4000 vota e maxhorancës në Dibër shpresoj
t'i ketë bërë pak më seriozë ata që e përqeshën pasanikun. Ai paralajmëroi
instalimin e putnizmit në Shqipëri.
Ç'kuptoj me putinizëm
Me putinizëm kam parasysh një
sistem që, edhe pse pluripartiak, nuk garanton rotacion pushteti sepse partia më
e madhe, gjithë duke ruajtur fasadën e një vendi që shkon në votime, sundon e
vetme nëpërmjet kontrollit të ekonomisë, të medieve, të shoqërisë civile, të
drejtësisë. Putinizmi ka si background historik vende që kanë dalë nga
diktaturat, ku sundon mendësia autoritariste, që kanë prirjen t'i ikin lirisë,
dhe që kanë hyrë në sistemin kapitalist pa përvojë vetëorganizimesh sociale,
politike si formë rezistence ndaj pushtetit.
Problemet që ngre putinizmi janë
shumë. Instalimi i tij heq mundësinë për të korrigjuar me votë gabimet në
rritje të maxhorancës sunduese të cilat vijnë duke u rritur sëbashku me
autoritarizmin dhe arrogancën e liderit të saj. Duke pretenduar përfaqësimin e të gjithëve putinizmi ndërton një
kastë të paprekshmish që pengon atë që quhet mobilitet social, demokracinë
lirinë dhe, në raste ekstreme, mund të çojë në diktatura fashiste.
Pse na rrezikon putinizmi
Premisë e putinizmit është fakti
se partitë tona jo vetëm janë të gjitha përfaqësuese interesash oligarkike, por
gjatë viteve, duke u kriminalizuar, janë shndërruar në banda që luftojnë për
kontroll territori dhe përfitimesh. Kjo situatë, duke degraduar, ka çuar më një
anë në largimin e popullit nga politika (edhe nga vendi), sepse ndjehet i papërfaqësuar
dhe, nga ana tjetër, në një luftë brenda llojit për asgjësimin e njëra tjetrës
dhe fitoren e asaj më të fortës. (Shih për këtë edhe shkrimin "Ndërtimi
tek Parku si avancim i fashizmit ekonomik" Panorama,
19 janar 2016))
Megjithatë mund të ngrihet me të
drejtë pyetja: pse rrezikohet rotacioni kur deri tani e kemi pasur?
Ka pasur disa arsye, të lidhura
ngushtë njëra me tjetrën, që kanë mundësuar rotacionin. Ato më kryesoret janë:
Së pari, dështimi në ndërtimin e
një ekonomie të qëndrueshme - i lidhur ngushtë edhe me korrupsionin galopant -
ka bërë që të vijë një pikë kur njerëzit i janë kthyer kundër maxhorancës
sunduese.
Së dyti, deri në fitoren e Berishës
në 2005 dhe ca më pak në fitoren e Ramës në 2013 ka pasur një masë të
konsiderueshme njerëzish që kanë vazhduar të besojnë tek opozita, ta ndjekin e
ta mbështesin me shpresë ndryshimi për mirë.
Së treti, ka pasur një numër më të
madh njerëzish që kanë vazhduar ta quajnë PS-në parti të majtë (edhe pse bën
politika ultra liberiste) dhe PD-në të djathtë; bazuar tek e kaluara historike
komuniste apo antikomuniste (por edhe në sajë të instrumentalizimit nga ana e këtyre partive të kësaj të kaluare).
Së katerti, ka pasur më shumë
oligarkë të lidhur me njërën apo tjetrën parti, një pjesë e të cilëve, edhe për
arsyet historike që përmenda, edhe për shkak të disa lidhjeve të krijuara nga
privilegjet e dhëna gjatë qenies në pushtet, u kanë mbetur besnikë opozitave.
Së pesti, ka pasur më shumë shoqëri
civile e intelektualë të pavarur, çka i dedikohej edhe faktit se shumë shoqata
e intelektualë sponsorizoheshin nga të huajt; plus faktit se standardet e jetës
më herët kanë qenë më të ulëta, kështu që mbijetesa sigurohej me më pak.
Së gjashti, shqiptarët gjithsesi
kanë zhvilluar një lloj imuniteti ndaj liderit të përjetshëm për shkak të
kujtimit të figurës së Enver Hoxhës. Edhe kjo ka ndikuar që, kur kanë parë
delirin në rritje të liderit të maxhorancës së radhës t'i japin goditje aspiratës
së tij për lider të përjetshëm.
Pse sot rrezikon të mos ndodhë më
rotacioni?
Së pari duhet thënë se megjithë
rotacionet prirja putiniste ka qenë gjithnjë prezente. Partitë, me në krye liderin e radhës,
kanë tentuar të akumulojnë sa më shumë pushtet duke eliminuar kundërshtarët dhe
jo ta shpërndajnë atë për t'ia dhënë ligji dhe institucioneve. Vendimet që kanë
marrë kanë qenë përherë rezultat i arrogancës jo i dialogut me opozitën, shoqërinë
civile apo oponentët konstruktivë.
Së dyti, sepse të gjithë këta
faktorë që përmenda, për shkaqe të degradimit të përgjithshëm të vendit, por
edhe për shkak të një strategjie mjeshtërore tharëse të pemës së diversitetit
nga ana e Rama & Co janë në zbehje.
Duke e lënë faktorin ekonomik në
fund po e nis nga të tjerët.
Rënia e besimit tek opozita
Aq i vogël është ky besim saqë në
Dibër një pjesë preferuan më mirë të marrin 2000 lekë për votë sesa të
investojnë tek PD-ja. Sigurisht kjo vjen për shkak të përvojës së akumuluar
tashmë se do të votonin për pasurimin e të njëjtëve oligarkë me të njëjtin stil
pasurimi: grabitjen.
Rënia e ndikimit të së kaluarës
Varfëria, injoranca, dhe kulti e
parasë, si e mira që siguron të gjithë të tjerat, ka avancuar sëbashku me
avancimin e zhdukjes së brezave të së kaluarës duke e bërë elektoratin gjithnjë
e më të pandjeshëm ndaj të kaluarës historike.
Pakësimi i oligarkëve opozitarë
Në kushtet e vështirësive në
rritje ekonomike dhe të politikave
monopolizuese të ndjekura nga Rama & Co, të një ekonomie që gjithnjë
e më shumë mbahet vetëm me para publike (kur nuk mbahet nga krimi) janë pakësuar
biznesmenët që kanë mundësi të mbijetojnë nëpërmjet biznesit të tyre e t'i
japin mbështetje opozitës. Për këtë zvogëlim ndikon edhe rritja e numrit të
atyre që deri dje kanë ngrënë me të gjithë krahët dhe që gjithnjë e më shumë e
shohin të pakuptimtë pagimin e dy tre partive, sepse u mjafton korruptimi i njërës.
Lideri i përjetshëm
Largimi i njerëzve që janë të
lodhur me këtë vend që s'po del nga tranzicioni si dhe i gjithë atyre që nuk
durojnë liderët autoritarë për shkak se ruajnë ende memorien, si dhe rritja e
ndjenjës së nënshtrimit (kombinuar me faktorët e sipërpërmendur) e lehtëson avancimin
e sëmundjes së gjithpushtetshmërisë tek Edi Rama. Shembulli më elokuent për këtë e dha vetë partia e tij që
pranoi pa kundërshtim që lidershipi i tij të mos vihej në votim në Kongres, gjë
kjo e pangjarë deri më sot.
Ekonomia kriminale
Putinizmi nuk mund të
konsolidohet pa naftë. E pra, duket se maxhoranca ka gjetur "naftën"
që i mban në këmbë. Mbjelljen dhe trafikimin e drogës. E vërtetë, gjendja
ekonomike është në ditët më të zeza që s'i ka njohur prej kohësh. Dhe kjo shkon
në kundërshtim me argumentin tim kryesor. Pra njerëzit duhet të ngrihen. Por
Dibra vërtetoi të kundërtën. Çfarë ndikoi? Ndikoi fakti se varfërimi (i lidhur
edhe me faktorët e tjerë) jo vetëm i revolton njerëzit, por edhe i shtyn të
ikin, edhe i degradon duke i çuar në krim e korruptim. Të mbijetosh duke mbjellë
kanabis nën mbrojtjen e policisë është edhe krim edhe korruptim njëherësh. Sot
jemi në një situatë kur mbijetesa e njerëzve është gjithnjë e më shumë e lidhur
me krimin dhe oligarkët e lidhur me pushtetin. Janë strukturat e tyre, dhe jo
strukturat partiake, që lidhin politikën me popullin. Në rreth vicioz, sa më
shumë akumulimi i parave shkon në duar e këtyre njerëzve aq më të skllavëruar e
të depersonalizuar ndjehen njerëzit derisa arrijnë të jetojnë me krim apo ta
sheshin votën për 2000 lekë.
Për të gjithë këta faktorë të ndërlidhur
me njëri mendoj se jemi përpara rrezikut serioz të instalimit të putinizmit.
Duhet thënë se Shqipëria nuk është
e izoluar në këtë fenomen. Ajo i shembëllen shumë vendeve të botës ish
komuniste, që janë një karikaturë e problemeve që ka sot kapitalizmi që i ka
shndërruar politikanët gjithnjë e më shumë në menaxherë të interesave të
oligarkisë. Veçse ajo është një imitim shumë më karikaturesk dhe kriminal sepse
oligarkia jonë është shumë më kriminale, për të mos thënë se është krimi vetë.
Cila është rrugëdalja
Rreziku i këtij putinizmi apo
fashistizimi të vendit mund të luftohet vetëm duke mobilizuar mosbesuesit,
indiferentët, të lodhurit dhe të varfrit që s'duan të jetojnë me krim apo ta
shesin votën për 2000 lekë. Parulla që duhet ngritur është: të përfaqësohen të
papërfaqësuarit.
A mundet Partia Demokratike ta bëjë
këtë punë. Duket një mision gati i pamundur. Më së shumti duket se kjo parti
pret të trashen zullumet e kësaj bande në pushtet derisa njerëzit të shkojnë të
kërkojnë ndihmë e shpëtim tek banditët e saj. Por, siç argumentova më sipër dhe
siç e vërtetoi Dibra, ky variant duket gjithnjë e më i vështirë. Kështu siç është
PD-ja mund të shërbejë fare mirë si parti e përjetshme opozitare në sistemin
putinist.
Në këto kushte situata është
tejet e rëndë dhe prapë do të thosha se rruga më e shkurtër është ajo që duket
më e gjata dhe më e pamundura: krijimi i një lëvizjeje që të përfaqësojë të papërfaqësuarit,
me njerëz të rinj, me fytyra të reja, që ngjallin besim e shpresë. Kjo lëvizje
duhet të jetë e gatshme të bashkëpunojë edhe me opozitën, por pasi ka parë se
ajo ka reflektuar dhe ka bërë ndryshime serioze dhe bindëse për të hequr dorë
nga mendësia e sjelljes thjesht si një bandë që lufton me banditët e vet për të
ripushtuar territoret e humbura. (Panorama, 19 shtator 2016)
No comments:
Post a Comment