Gjatë debatit mbi reformën në
drejtësi kam mbrojtur dhe vazhdoj të mbroj tezën se prapa retorikave të kësaj
reforme kemi luftën për pushtet midis tre partive banda. Si pasojë kjo luftë
mund të sjellë tre lloj zhvillimesh: ose një lloj destabilizimi (nëse tre
bandat hapin luftë me njëra tjetrën pa e mposhtur dot njëra tjetrën), ose futje
edhe më thellë në shtetin e së padrejtës, (nëse Drejtësia kapet nga banda më e
madhe), ose mbetje atje ku kemi qenë, (nëse ato arrijnë një
"konsensus"). Kam argumentuar se e treta është më e mirë se dy të
para, pasi është më demokratike të kesh tre banda në pushtet sesa një bandë apo
destabilizim e kaos. Mirëpo opsioni i tretë ngre, me shumë të drejtë, pyetjen:
mos kjo do të thotë se duhet të qëndrojmë në kënetën e korrupsionit dhe
depresioni ku ndodhemi? A nuk duhet filluar diku? Dhe, a nuk mund të ishte
reforma në drejtësi një fillim?
Reformat e vërteta dhe politika
Shpesh, kur flasim për rrugët e
ndryshimit, duke u dhënë emrin "reforma", këto i lidhim me politikanët
që kemi duke nënkuptuar se ata, me hir ose me pahir, po detyrohen t'i bëjnë
ato. Nganjëherë, madje, situata shitet sikur edhe ata i kërkojnë sinqerisht këto rrugë, i duan reformat e
vërteta, por nuk i gjejnë dhe kërkojnë ndihmë. Koha ka treguar se nuk është kështu.
Të gjitha reformat e maxhorancave që kanë ardhur në pushtet kanë qenë të
rrejshme dhe zhgënjyese pasi janë përdorur për një qëllim të vjetër dhe të pandryshueshëm:
ndryshimin e gjithçkaje (në kuptimin e vendosjes në pushtet të njerëzve të
tyre), që të mos ndryshojë asgjë (në kuptimin e mënyrës se si këta njerëz keqpërdorin
pushtetin për interesat e tyre meskine). E tillë është edhe reforma që po na
premton drejtësi. Le të sjell një argument me vetë fjalët e Ramës për këtë.
Rama i porsaardhur në pushtet, deklaronte se për korruptimin e njerëzve e ka
fajin sistemi jo individët, se edhe një gjerman po ta futësh në këtë sistem do
të korruptohej. Pra ai nënkuptonte se do të ndryshonte sistemin. Ndërkaq, ajo çka
ka bërë deri më sot (dhe që, sipas meje, synon ta përmbyllë edhe me drejtësinë)
është pikërisht ndryshimi i njerëzve jo i sistemit. Edhe i famshmi
"veting" që po shitet si shpresë drejtësie e ndryshimi, në thelbin e
vet, premton sjelljen e "gjermanëve" në drejtësi.
Nga duhet ta filluar atëhere?
Ka një përgjigje mjaft të thjeshtë
për këtë: duhet ta fillojmë nga vetja që të ndryshojmë edhe sistemin.
Edi Rama dhe partia e tij vërtet
e kishte shumë të vështirë ndryshimin e gjithçkaje menjëherë. Por një gjë e
kishte të lehtë. Të bënte vetingun tek vetvetja më së pari, të mos lidhej me
krimin vetë, të mos bënte korrupsion vetë. Dalëngadalë shembulli i mirë që do të
jepej në çdo sektor, do të triumfonte mbi të keqen. Në këtë mënyrë do të fitonte gjithnjë e më shumë
kredibilitet dhe nesër do të mund të çlirohej edhe nga i korruptuari Meta të
cilin e paraqet sot si shkakun pse nuk po i ecin punët, e do të mund të kryente
reforma të vërteta.
Po pse nuk ndodhi kjo, por sot
shohim paradoksin që këtej rilindësit
flasin për veting të gjyqtarëve dhe prokurorëve kurse më anë tjetër mbështeten
tek kriminelët që kanë futur në Parlament e nëpër bashkira? Jo thjesht sepse
janë mashtrues e hajdutë të lindur, sikurse thonë disa, por sepse janë pjesë e
sistemit, pjesë e strukturës së pushtetit ekonomik, politik, mediatik, që
korrupton edhe "gjermanët".
Në një shkrim e kam krahasuar këtë
sistem me një godinë tre katëshe me krimin e organizuar në bodrum, me oligarkët
e korruptuar dhe korruptues në kat të parë, me mediet e këtyre oligarkëve në kat
të dytë, me politikanët në katin e tretë, në të cilin kat drejtësia nuk ka veçse
disa zyra të vogla.
Ajo që po ndodh tek kjo godinë me
ardhjen e Ramës në pushtet është se ai po kërkon t'i zvogëlojë opozitës zyrat
fare në kat të tretë, t'i mbyllë drejtësisë dyert që i ka të lidhura me ato të
opozitës duke ruajtur lidhjen vetëm me zyrat e veta; të marrë gjithnjë e më nën
kontroll lidhjet me katin e parë dhe të dytë e veçanërisht të fuqizojë lidhjet
me bodrumin, çka po duket
dramatikisht së fundi me faktin që po bëhet gjithnjë e më evidente se mbjellja
e tërë Shqipërisë me kanabis nuk është një diçka spontane, por diçka e
organizuar për të siguruar bazën ekonomike të pushtetit të kësaj maxhorance.
E pra, reforma e vërtetë që kërkohet
në Shqipëri është ajo që do të synonte shpërbërjen e kësaj godine kriminale
pushteti. Dhe të presësh që këtë ta bëjnë vetë arkitektët, ndërtuesit dhe
konsoliduesit e saj është iluzion sepse ata kanë dy arsye të forta që nuk i
lejon ta bëjnë këtë. Së pari, ekonomike, sepse interesat e tyre materiale janë
të lidhura ngushtë me mirëfunksionimin e kësaj godine dhe së dyti,
psikologjike, sepse ata janë
"institucionalizuar" tashmë në këtë godinë. Jashtë kësaj godine dhe
punës që bëjnë në të ata nuk i gjejnë dot më kuptim jetës.
Lëvizja e re
Ja pse kam ngulmuar dhe ngulmoj
se për të kryer reforma të vërteta lipset një lëvizje e re njerëzish që duhet të
synojnë shpërbërjen e kësaj godine dhe jo fuqizimin e saj, siç po ndodh. Saktësoj
se kur them "jashtë" nuk nënkuptoj "gjermanë" që bien nga
qielli, por, në radhë të parë shqiptarë që nuk janë përfituesit, por viktimat e
kësaj godine si dhe plot nga ata që, në një mënyrë apo në një tjetër, u është
dashur t'i nënshtrohen diktatit të saj, por që kanë vetëdijen se kemi të bëjmë
me një strukturë kriminale që po i çon të gjithë në humnerë, apo edhe eksponentë
të ssaj që janë bërë tashmë të vetëdijshëm se po vazhdoi kështu ajo do të
implodojë duke i zënë edhe ata brenda.
Disa nga pikat kryesore të
programit të kësaj lëvizjeje, që përsa i përket elektoratit e shoh si lëvizje të
të papërfaqësuarve nga godina,
prandaj dhe më së shumti të njerëzve të ndershëm dhe të varfër, prandaj më së
shumti një lëvizje të majtë si ato që kanë lindur së fundi kundër kastave të
korruptuara në Greqi, Itali apo Spanjë, do të duhet të ishin:
Së pari, të mos ketë lidhje dhe
sponsorizim nga krimi dhe kriminelët, çka do të thotë që ajo të planifikojë që
bodrumi i godinës të postohet në vendin që i takon, me një fjalë në burg, apo në
fundërrinat e shoqërisë.
Së dyti, të kontestojë fort me
shembullin e vet konfliktin e interesave që ka sot në Parlament, midis qenies në
teori të politikanëve shërbëtorë të interesit publik dhe qenies së tyre
realisht biznesmenë që e përdorin politikën për përfitimet e tyre personale.
Duke iu referuar metaforës së
godinës kjo do të thotë që lëvizja të programojë që kati i parë i godinës të
spostohet më vete, si treg vërtet i lirë.
Së treti, të kërkojë një reformë
themelore në sistemin mediatik që do të pamundësojë ekzistencën e medieve
manipuluese e disinformuese të publikut që punojnë për interesat e bodrumit, të
katit të parë dhe të politikanëve të lidhur me ta dhe të stimulojë mediet e pavarura prej tyre. Çka do të
thotë që edhe kati i dytë i godinës të shkrihet e të krijohet një "godinë
mediatike" më vete, si
pushtet i ndarë.
Së katërti, në këtë lëvizje të
katit të dytë duhet të përshihet edhe kërkesa që në shpërbërjen e godinës të
kryhet edhe zhvendosja e zyrave të së ashtuquajturës shoqëri civile që ato të
fillojnë të punojnë si kundërpeshë
e pushtetit, siç i quan John Locke dhe jo si leva të partisë në pushtet siç i
quante Stalini dikur organizata të tilla si organizatën e gruas, bashkimet
profesionale, organizatën e rinisë etj.
Së pesti, për ta mbyllur me
reformën në drejtësi:
vetëm një lëvizje e tillë, që e
fillon vetingun nga vetja dhe që punon seriozisht për ndarjen e kësaj godine
kriminale, mund ndjehet e lirë për t'i dhënë pushtetin ligjit dhe Drejtësisë
mandatin për të qenë ajo gardiani i vetëm i tij.
Kush pretendon se me një politikë,
ekonomi, media, dhe shoqëri civile të kapur nga krimi dhe korrupsioni, mund të
kemi drejtësi të pavarur, që të mbrojë barazinë e të gjithëve para ligjit, vetëm
se mashtron për qëllime që s'kanë të bëjnë me drejtësinë dhe shtetin e së drejtës.
(Panorama, 5 shtator, 2016)
No comments:
Post a Comment